Imazhi i Rilindjes? Rruspa mbi Teatrin Kombëtar!

Opinion | A. M | 25.05.2020 | nyje.al 

Si shembja e Teatrit Kombëtar shkërmoq të gjithë puzzle-n mbi të cilin Edi Rama dhe Endri Fuga kanë ndërtuar propagandën e Rilindjes.

Çasti i shembjes së Teatrit Kombëtar në mëngjesin e 17 Majit 2020, në një kohë kur i gjithë vendi është i mbyllur në shtëpi për të përballuar pademinë COVID-19, ka për të mbetur e kalitur thellë në memorien historike të Shqipërisë së ditëve tona.
Ato pamje terrori e dhune ndaj artistëve dhe aktivistëve që gjendeshin në Teatër, ndërkohë që rruspat godisnin pjesë ballore të godinës, janë të denja për një regjim terrorist ndaj qytetarëve të tij dhe memories historike të një vendi. Ato pamje nuk kanë asnjë lidhje me imazhin dhe PR që vetë Edi Rama ka krijuar e propagandon brenda dhe jashtë vendit. Natyrisht, të sponsorizuar shumë.
Le të zhbëjmë disa mite që Rama ka krijuar e propaganduar, të cilat bien të gjitha bashkë me godinën e Teatrit Kombëtar.

  1. Superioriteti ndaj së djathtës dhe dhunës berishiste

Fitorja e Edi Ramës dhe Rilindjes në vitin 2013, ka disa elementë në formë e përmbajtje të cilët tashmë janë shkërmoqur, siç u shkërmoq edhe godina e Teatrit.
E fillojmë me shkërmoqjen e superioritetit intelektual pro-perëndimor të ndërtuar nga Rama (në paraqitjen e tij dhe në botëkuptim) të propaganduar prej tij dhe ekipit të tij ndaj qeverisjes Berisha-Meta (të demonizuar si të prapambetur, të dhunshëm dhe të korruptuar) nuk i ka mbetur asgjë.

Përkundrazi, pamjet e shembjes së Teatrit i heqin maskën Edi Ramës dhe tregojnë më së miri fytyrën reale të regjimit që ka krijuar: arrogant si vetë ai, shtypës, shpërfillës, jo-transparent, vjedhës, klientelist, përçarës, linçues, përndjekës, hakmarrës dhe të dhunshëm ndaj qytetarëve të tij. Dhe nuk mendoj se ekzagjeroj kur them që ky regjim është po aq, në mos edhe më i dhunshëm se regjimi që krijoi Berisha, mbi të cilin Rama ndërtoi të gjithë propagandën e tij. Në realitet, Rama njësoj si Berisha, përdori të njëjtët oligarkë e klientë të cilët i shërbyen Berishës, vazhdoi të njëjtat projekte dhe formulën e PPP-ve që shumë premtoi të zhbënte, si dhe përdori të njëjtat mënyra manipulimi e kapje të mediave për të ruajtur pushtetin. Kur dikush e pyet atë ose Ministrat e kabinetit të tij se përse projekte HEC-esh apo inceneratorësh dhe projekte korrupsioni në dëm të publikes nuk anulohen, siç edhe ishte premtuar, në mënyrë qesharake akoma, i justifikojnë si projekte të Berishës. A thua që Berisha ishte kryeministri i një qeverie të PS-së dhe jo kundërshtar i saj.

Edhe alibia e fundit për të ruajtur “superioritetin” ndaj Berishës, duke vazhduar të keqpërdorin tragjedinë e 21 Janarit si ngjarje që i ndan dy palët, me Teatrin ka rënë përfundimisht. 21 Janari është përdorur me cinizëm nga Rilindja për të ndërtuar imazhin e saj ndryshe nga dyshja brutale Berisha-Meta. Eksponentë të PS-së kanë kurajo ta përmendin e keqpërdorin atë tragjedi. Kjo edhe për faktin se Rama dhe Rilindja nuk kërkoi kurrë drejtësi për vrasësit, përkundrazi, i pagoi familjarët dhe heshtjen e tyre dhe me cinizëm, një anëtar të grupit të zjarrit i cili qëlloi mbi protestuesit, është sot një nga kryebashkiakët e Partisë Socialiste.
Justifikimi që “ne nuk vrasim” fizikisht protestuesit ashtu siç bëri Berisha-Meta gjatë 21 Janarit, është një gjethe fiku që nuk e fsheh dot degradimin politik, intelektual, moral dhe derivën autoritare që ka marrë ky regjim.

Pamjet e tenderit me zë e figurë prej 700 mijë eurosh që treguan Metën me bllok në dorë, provokuan protestën e 21 Janarit, e cila shënoi vijën e kuqe të regjimit të dhunshëm dhe të korruptuar të Berishës. Shembja e Teatrit Kombëtar, tinëzisht në mes të errësirës dhe gjatë pandemisë, në një gjendje ilegaliteti të plotë nga Bashkia e Tiranës dhe Inspektoriatet me ekspertë partie, është një akt edhe më i dhunshëm e barbar.

Shembjen e Teatrit e bën akoma më të dhunshëm e barbar si akt, tenativa për të mbuluar paligjshmërinë ku janë zhytur institucionet, dhunën e policisë mbi protestuesit, ‘mbjellja’ e Tiranës me kulla betoni me investitorë e para të dyshimta, e njëjta strategji komunikimi e dalë boje e cila tenton të justifikojë zullumin e shtetit në sytë e opinionit publik shqiptar dhe të huaj.

  1. Bojës mavi të strategjisë së PR-it i ka dalë boja

Linçimi që pësoi nga protestuesit për mbrojtjen e kauzës së Teatrit më 18 Maj gazetari dhe kameramani i TopChannel, media simbol në shërbim të propagandës qeveritare – është pasqyrimi më i mire që mund të bëhet për të shpjeguar kapjen dhe kontrollin e mediave nga qeveria dhe Bashkia. Përveç gazetarëve servilë e pronarë mediash në shërbim të lejeve të ndërtimit e pronave publike të falura nga Qeveria, as tentativat ligjore ad hoc, as gjobat ndaj mediave kritike, as emërimet e militantëve në AKEP apo AMA, dhe as strategjitë dy-lekëshe të Fugës, po duket që nuk funksionojnë më.

Publikisht nuk dihet sa është numri i saktë i personave që punojnë te Pallati i Kongreseve dhe Kryeministri në urdhërat e Drejtorit të Komunikimit, të Endri Fugës, por është e qartë: është mjaftueshëm i madh për të përbërë një redaksi reale e cila mundëson filmimin, intervistimin, montimin, kurimin dhe shpërndarjen e materialeve audio-vizive nga zyra e Kryeministrit në media pothuajse në kohë reale, duke i hequr medias mundësinë të bëjë punën e saj. Gjatë pandemisë, pothuajse i gjithë informacioni ishte prodhuar nga regjia e zyrave të KM. Është kjo zyrë ajo që vendos çfarë përbën lajm e çfarë jo, çfarë materiali duhet të kalojë në media e çfarë jo.

Edhe në rastin e shembjes së Teatrit Kombëtar, Zyra e kryeministrit u vu direkt në punë, duke përdorur të njëjtën strategji të njohur e të konsumuar, por që në këtë rast, nuk ngjit pasi imazhi i rruspës mbi godinën e Teatrit dhe dhuna ndaj artistëve dhe aktivistëve është po aq barbare sa imazhi i dhunës dhe plumbave të 21 Janarit.
Muzika dramatike dhe pamjet bardhezi që përdor Fuga dhe Rilindja për të treguar ‘rrënimin’, ‘të keqen’ dhe ‘degradimin’ e objekteve të prishura që përdoren në montazhet e shfaqura në ERTV duke i vendosur si sekuencë pamje me ngjyra e video melodike për të treguar zhvillimin dhe ‘rilindjen’, janë po aq bajate dhe të pabesueshme dhe për vetë militantët e PS-së.

Nxjerrja në kor e zyrtarëve të lartë publik dhe militantëve të partisë të mbrojnë publikisht në media sociale çështje të paligjshmërisë, dhunës dhe vjedhjes, është aq e vjetër. Mjafton t’i hedhësh një sy twitter-it të Blendi Gonxhes, të zyrtarëve të Bashkisë apo të deputetëve të PS-së, të cilët  besojnë në bukurinë e veshjeve të mbretit lakuriq.
Po aq qesharake, është edhe tentativa e vjetër dhe shumë e konsumuar përdorur nga zyrtarët publikë – deleguar te ndonjëri që flet më mirë anglisht dhe ka studiuar në ndonjë universitet prestigjoz perëndimor – për të bindur përfaqësuesit e selive diplomatike në Tiranë mbi ‘bukurinë’ e projekteve të tyre dhe qëllimet e mira, duke i ofruar ‘dylbitë’ me të cilat të shikojnë botën dhe për të treguar si të bëjnë punën e tyre.

Të gjitha këto përbëjnë puzzle-in e  ‘vizionit modern’ të Edi Ramës për qeverisjen e vendit.
Ndërtimi i kullave dhe shkatërrimi i çdo objekti që është jashtë syrit të tij është bërë motivi i jetës së tij politike. Bashkëjetesa e socialistëve të tjerë si Braçe, Majko, Ruçi e Balla me figurën e rehabilituar të Mit’hat Frashërit na flet për falsitetin e bashkëezkistencës me të keqen. Dhe këtë ego e tregon më së miri në librin e tij “Kurban”.

Të gjithë këtë metamorfozë politike, e ka bërë të pranueshëm dhe votuar nga publiku me një sistem elektoral gangsterësh monstruoziteti i qeverisjes së Berishës me Metën por sërish, shembja e Teatrit Kombëtar, e bën metamorfozën e Rilindjes akoma më të dëmshme dhe të rrezikshme si për qeverisjen e vendit, po ashtu edhe për identitetin tonë kombëtar, aq keq i përdorur dhe aq shumë i rrezikuar.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje