Hetim dhe transparencë: Qytetarët vijojnë të protestojnë për Martinin

04.12.2024 | nyje.al

“Institucionet e papërgjegjshme vrasin” ishte banderola që kryesonte për të katërtën herë në protestën për Martin Canin. Marshimi u bë nga shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit nga ku u kërkua transparencë në hetim si dhe dorëheqje e Ministres së Drejtësisë Ogerta Manastirliu dhe drejtoreshës së  shkollës “Fan Noli”. Qytetarët protestues kërkuan një hetim të drejtë nga Prokuroria pas deklaratave ku policia ka hedhur poshtë dëshminë e Luis Meçes për një autor të dytë në ngjarje. Pjesë e kërkesave ishte edhe përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe siguria në shkolla, çështje të cilat i shqetësojnë prej kohësh prindërit.

Migen Qiraxhi, aktivist i “Qëndresa Qytetare” si dhe organizator i protestave për Martin Canin, e konsideroi të turpshëm faktin se shqiptarët detyrohen të largohen jashtë për të gjetur standartet e duhura të jetesës dhe konkretisht të arsimit. Sipas tij, zgjidhja e vetme është largimi i qeveritarëve aktualë ku ka theksuar dorëheqjen për Ministres e Arsimit.

“Ëshë e turpshme që shqiptarët të gjejnë standarte kudo jashtë territorit të Shqipërisë dhe të mos gjejnë shtëpinë e tyre brenda Shqipërisë, të mos gjejnë arsim brenda Shipërisë. […]  Nuk kemi rrugë tjetër veçse t’i nxjerrim nga zyrat. Këta zyrtarë duhet të japin dorëheqjen. Dorëheqje Ministres së Arsimit.”

Rasti i Martin Canit i ka dhënë zë edhe shumë padrejtësive të tjera të cilat janë lënë në harresë pas një kohe të shkurtër. Një ndër to është edhe humbja e jetës së një 3-vjeçari në Maj të viti të kaluar si pasojë e mjekimit të gabuar. I pranishëm dje në protestë, gjyshi i djalit 3-vjeçar përveç akuzave ndaj mjekut, tha se prokurorja e cila kishte për shqyrtim dosjen, është munduar të fshehë provat. Ai shprehet i indinjuar pasi e njëjta prokurore ka në shqyrtim rastin e Martin Canit dhe sipas tij, gjasat që ajo të përpiqet ta devijojë ngjarjen, janë të mëdha. 

“Jam shumë i indinjuar sepse para një viti mua më ka ndodhur një fatkeqësi. Më ka vdekur një nip 3 vjeç, duke hequr dhëmballën te një mjek i papërgjegjshëm që kishte 10 vjet pa liçencë. Prokurorja që e mori nën hetim, e mbajti 4 ditë të fshehur dosjen. Veprimi i parë që bëri prokurorja bashkë me policin e komisariatit nr.4, hoqën kamerat e spitalit. Jam i indinjuar kur e mora vesh që po kjo prokurore ka në shqyrtim rastin e Martinit dhe jam i sigurt e me keqardhje e them këtë që ajo do e devijojë edhe këtë rast.”

Një nga protestueset e pranishme, foli në emër të një grupi nga diaspora ku iu drejtua atyre që justifikohen me argumentin se gjëra të tilla ndodhin kudo. Ajo tha se ndyshimi me vendet e  tjera është se ata arrijnë të mbajnë përgjegjësi dhe të gjitha institucionet bëjnë punën që iu takon. Ndërkohë që këtu, sipas saj, ndodh e kundërta dhe është pikërisht kjo mungesë veprimi që ka nxitur këtë reagim qytetar.

“Ka nga ata që justifikohen që këto ndodhin edhe në vende të tjera. Po është e vërtetë, ndodhin edhe në vende të tjera. Më të lehta apo më të rënda këtë nuk e gjejmë dot, por ama di të them kaq, që ditën e parë policia del me deklaratë shtypi, prokuroria vihet në punë, i gjithë rrjeti institucional bën punën e tij. Kjo është arsyeja pse sot jemi këtu, ne nuk po shohim asnjë reagim, vetëm kundëreagime.”

Emanuela Zaimi, aktiviste për të drejtat e fëmijëve me aftësi ndryshe, vuri theksin te urgjenca për një arsim cilësor që sigurisht kërkon edhe rritje buxheti, në të kundërt ajo tha se askush nuk do të dojë të jetojë në Shqipëri duke sjellë edhe largimin masiv të të rinjve.

“Unë mendoj që ajo që duhet të kërkojmë me ngulm është rritja e buxhetit dhe cilësisë në arsim, me të gjitha gjërat e nevojshme që i duhen një fëmije. […] Çdo shtet e pushtet këtu, nëse ne nuk dimë t’i kërkojmë gjërat, do të largohen dhe këta fëmijë e të rinj që kanë mbetur.”

Aktivistët iniciues të protestës thanë se do të vazhdojnë të organizohen për aksione apo protesta të tjera në faqen e tyre “Prindër për arsim cilësor” dhe kanë theksuar se është shumë e rëndësishme që ky rast të mos anashkalohet pa pasur veprime konkrete që do mund të çojnë në drejtësi, drejtësi e cila do sillte edhe siguri te prindërit dhe fëmijët që ndihen të cënuar dhe të pasigurt.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje