Hartë emocionesh e lotarisë amerikane

nyje.al | 13.05.2019


Që nga 8 gushti i vitit 1991 kur anija tregtare “Vlora” mbushet jo me mallra por me mijëra shqiptarë që duan t’i ikin gjysmë shekulli komunizëm, e deri më sot kur ia mbërriti të marrë statusin e vendit kandidat në BE në qershor të 2014-s, Shqipëria mbetet vend me popullatë të uritur emigratore. Amerika e cila ofron mundësi përmes lotos amerikane, është në mënyrë konstante një pikësynim. Një njeri që aplikon për lotarinë amerikane përjeton një gjendje që ja vlen të ndalesh. Është përjetim që kalon në disa faza:

  1. Ankthi

Kjo fazë përfshin dy-tre ditët e para pas hapjes zyrtare të mundësisë së kontrollit të lotarisë dhe vazhdon deri në momentin e marrjes së përgjigjes. Kjo fazë konsiston në përpjekjet njerëzore për të marrë medoemos një përgjigje që në momentin e hapjes, përgjatë gjithë ditës dhe natës. Kontrolli bëhet pandërprerë edhe duke e ditur që serveri është i ngarkuar nga aplikantët dhe shumicën e kohës është jashtë shërbimit. Në këtë fazë  aplikantët nisin hartimin e planeve për jetën e tyre të re: çfarë do të ndodhë nëse shpallem fitues? Me se do të merrem atje? Sa do ta kem rrogën? A kam gjëkundi ndonjë të afërm të më japë një dorë? A do mundem t’ia dal? Po gjuhën sa e njoh? A kam moshë për këtë aventurë, etj, etj… Të gjitha këto janë thjesht ankth pasiguri.

  1. Kontrolli

E shkurtër dhe decizive për statusin e aplikantit, kjo është faza kur vendoset nëse aplikanti është shpallur fitues ose jo. Shumica preferojnë që kontrollin ta bëjnë në vende që ata i konsiderojnë si fatndjellëse, si vendi i punës apo nga telefoni a kompjuteri i dikujt që është shpallur fitues para disa vitesh. Aplikanti përgatitet paraprakisht për vendimin. Ai përjeton stres të lehtë dhe bëhet konfuz kur mendon se mund të dalë fitues.

  1. Nervozizmi dhe mohimi i vetes

Pasi ka marrë përgjigjen “You have not been selected”, aplikanti fillon ta mohojë e të mos e besojë humbjen. Mendon që ai nuk e meritonte këtë vendim dhe truri i tij krijon automatikisht disa mekanizma mbrojtës psikologjik për ta përballuar këtë gjendje, duke propozuar kështu alternativa dhe shpjegime si: mund të ketë pasur gabime në procesim, nuk e kam vendosur mirë foton tek aplikimi, është një proces që bëhet me hile pra jo me kampionim rastësor, apo Donald Trump nuk i do emigrantët.

  1. Acarimi me fituesit e tjerë të njohur

Kjo është faza më e vështirë dhe më e rëndë në të gjithë procesin e lotarisë amerikane për një shqiptar. Aplikanti përjeton një ndjenjë të fortë inati dhe zemërimi kur mendon se kush e ka fituar lotarinë. Sipas tij lotoja ju bie atyre që nuk kanë nevojë për të emigruar, që kanë biznese të ndërtuara me para të vjedhura, njerëzve të këqinj, atyre që kanë shpirtin e zi etj… Kjo fazë sjell pështjellim tek aplikanti i cili përfundon duke turfulluar, sharë e fyer fituesit, mallkuar vendin e origjinës, duke folur me vete.

  1. Pranimi

E “në fund të ditës”, siç thuhet rëndom, aplikanti do duhet të bëjë një marrëveshje me veten, ta pranojë humbjen, dhe të bindet se lotoja është thjesht çështje fati. E pranon dhe paqtohet me idenë që do të ketë mundësi vitin tjeter.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje