Dorian Berisha | 03.03.2024 | nyje.al
Në letërsinë shqipe, tema e fatit tragjik të grave në periudhën e komunizmit, është trajtuar shpesh përmes prozës. Rëndom, subjekti i tyre lidhet me përballjen e heroinës me sfidat e rënda shoqërore, politike dhe familjare në kohën e diktaturës komuniste. Vënia e gruas në qendër të një romani, është një perspektivë më shumë në të parit e monstruozitetit të një periudhe, si ajo e Shqipërisë diktatoriale.
Romani i Vorpsit na vjen si një fenomen unik ekzofonik¹ në letrat shqipe, duke hyrë në radhët e autorëve bashkëkohorë shqiptarë, që shkruajnë në gjuhën italiane (Elvira Dones, Anilda Ibrahimi edhe Deneta Ndreca, etj.), për ambientin shqipfolës dhe jo vetëm.
Romani na vjen edhe në shqip i përkthyer nga Parid Teferiçi, në vitin 2019, pasi ka gjetur dritën e botimit në shumë gjuhë të tjera botërore.
Proza Vendi ku nuk vdiset kurrë (Il paese dove non si muore mai) vendoset në kohën e Tiranës diktatoriale, në vendin ku nuk vdiset kurrë, sigurisht ku të gjithë janë të pavdekshëm, ngase vetëm shqiptari është i gatuar t’i bëjë ballë këtij ferri dantesk, prej të cilit mund të çlirohet vetëm përmes vdekjes. Vdekje që, ironikisht, është e barasvlefshme me lirinë e fituar. Një lloj dënimi me mosvdekje që të kujton Tat Tanushin e Kutelit, që për dallim prej ndëshkimit hyjnor me të cilin përballet heroi kutelian, heroinave të Vorpsit u duhet ta jetojnë ferrin në baza ditore, në një shoqëri të çoroditur të një regjimi despotik. Titulli i romanit na vjen si një nxitje për thellim e përsiatje. Ai të ngjan sikur mbështetet në bestytninë kolektive të shqiptarit, se vdekja është një fenomen prej të cilit është imun nëse nuk e zë në gojë, por që vjen gjithashtu edhe si pasojë e mekanizmave mbrojtës subkoshient që intensifikohen në kohë specifike tmerri.
Struktura narrative në këtë prozë është e ndarë në disa pjesë të cilat i lidh e njëjta tematikë, me në qendër trinomin femëror Ornela, Elona dhe Eva, që na ngjajnë sikur kanë një lidhje spirituale mes vete. Strumbullari i narracionit thuret rreth karakterit femëror (Ornelës) në moshë infantile, të gjendur përballë një realiteti absurd ku gruaja nënçmohet dhe përdoret si mjet i shfryerjes së epsheve seksuale. I ngjizur për rrëfimin fëmijëror na vjen reflektimi i një vajze të rritur nga trauma, për njolla të cilat i trazojnë kujtesën. Fëmijëve u duhet të heqin dorë nga kurioziteti i moshës, ngase edhe ata, si të rriturit, duhet t’u nënshtrohen rregullave morale socialiste dhe shablloneve sociale e juridike që duhet t’i ndjekin edhe pse s’i arsyetojnë dot, ani pse ato rezonojnë vetëm me ithtarët e verbër të sistemit. E tillë është mësuese Dhoksi, që na përshkruhet si e shëmtuar, e dhunshme dhe urrejtëse e madhe e bukurisë së femrave të tjera. Asaj që në emër të Partisë, i jepet e drejta t’i nxijë sa e sa trupa filloristësh, të cilët edukohen përmes dhunës. Këtë e përjeton edhe Ornela, vetëm pasi engjëjt janë kundër nënës Parti, e gjithkush që nuk i ndjek rregullat e ngulitura socialiste (kundër çdo lirie njerëzore), dënohet pa dallim. Një shoqëri që tentohet “të përsoset” përmes dhunës dhe eleminimit, natyrisht që do të ketë simptoma të traumës dhe ajo shihet në sjelljet e secilit pjesëtar të saj. Madje, edhe në rrethin e ngushtë familjar, Ornela rritet duke e parë babanë që ushtron dhunë psiko-fizike tek e ëma e saj.
Isha e bindur, dhe e vuaja: kjo njollëz e kuqe duhej të ishte gjaku i saj i derdhur kur e rrihte babai. Ai i kishte përplasur kryet në tokë, këtë e kisha parë . . . dhe kështu njolla kish parë dritën e diellit. (Ornela Vorpsi, Vendi ku nuk vdiset kurrë, f. 26)
Kjo e bën që të rritet me shumë njolla, më shumë psiqike sesa fizike.
Njollat nuk ikën . . . Ato njolla më kanë njollosur . . . Kokrriza e kuqe banon brenda meje . . . (Ornela Vorpsi, Vendi ku nuk vdiset kurrë, f. 29)
Regjimi i hante shumë jetë njerëzish, jo rrallë pa arsye, si në rastin e burgosjes së të atit. Kush nuk ekzekutohej, internohej, e bënte punë skllavi për pjesën e mbetur të jetës. Kjo shoqëri e sëmurë e me shumë vese do të prodhojë edhe pedofilë e monstra si rasti i Babakos, i cili i ka synime seksuale me vajzat e mitura.
Romani rrëfehet në vetën e parë nga Ornela fëmijë, pjesë autobiografike të cilat me raste thyhen nga reflektimet e autores, pas një distance kohore. Faktet në roman kanë lidhshmëri të dukshme me jetën reale të autores, por që gërshetohen mjaft mirë me fiktiven, duke mos na dhënë hapësirë ta vërejmë kufirin ndarës mes tyre, e duke ruajtur vëmendjen e receptuesit deri në fund.
Romani na jep një larmi tipash femërorë, aty na del historia e të ëmës së Kristinës, që si pasojë e burgosjes së burrit, vendos që të mos kursehet ndaj nevojave fiziologjike, e që më pas duke tentuar ta “lajë” turpin që e njollos, përfundon tragjikisht jetën. I habitshëm është ndikimi ideologjik te të rinjtë, të cilët të ideologjizuar nga partia janë në gjendje që fajin t’ia hedhin viktimës, e ta himnizojnë veprimin e agresorit. Nuk ka rëndësi nëse viktima është e ëma, vëllau i Kristinës, e urren atë me gjithë zemër, duke i dhënë të drejtë Partisë, për dallim nga e motra që ndien dhimbje për të ëmën, që të ngjan mjaft humane.
Tirana na shfaqet edhe përmes një perspektive tjetër, jo shumë të ndryshme nga të tjerat, historia e Bukuries dhe Ganimetes së vogël, nënës dhe bijës. Të lëna në mëshirën e askujt, për një kordhe bukë shndërrohen në lavire, e si pasojë në vend se t’u jepet një dorë ndihme, ato internohen për t’u dhënë një arsye më shumë t’i thonë jo jetës. Kështu që, “nata mbetet natë, për sa kohë komunizmi dhe kapitalizmi nuk gjejnë mënyrë ta asgjësojnë” (Ornela Vorpsi, Vendi ku nuk vdiset kurrë, f. 70). Karaktere që t’i ndërmendin heroinat e Novelave të Qytetit të Veriut të Migjenit, të cilat edhe pse në një tjetër kohë, kanë të njëjtën kërkesë: mbijetesën. Vargoni i femrave të cilat dashuria i çon drejt vdekjes, duket sikur nuk ka fund. Në një vend ku aborti është ilegal, duhet të gjenden alternativa të ndryshme shpëtimi. Ndër to, edhe heqja e foshnjës në mënyrat më çnjerëzore, të cilat të dërgojnë ngadalë drejt vdekjes. E njëjta nuk ndodh me meshkujt, të cilët “nuk vuajnë nga dhimbje dashurie dhe nuk ngelin shtatzënë”, e si pasojë “nuk kanë nevojë për gjeste të tilla të dëshpëruara” (Ornela Vorpsi, Vendi ku nuk vdiset kurrë, f. 81).
Raste të dashurisë që përfundon në tragjizëm në letërsinë shqipe kemi edhe te Koliqi, në novelat e tij të njohura. Karaktereve të Koliqit u cenohet e drejta për dashuri nga zakonet primitive që i ndalojnë individit lirinë e zgjedhjes. Në anën tjetër, te Vorpsi, regjimi diktatorial internon e ekzekuton vajza që guxojnë të dashurojnë, me motivin se prishin moralin shoqëror socialist.
Edhe pse me një lajtmotiv mjaft tragjik dhe tejet tronditës për receptuesin, rrëfimi ruan sensin e humorit, por që sikur të ngel në fyt, duke pasur atmosferë groteske. I gjithë narracioni përshkohet nga ironia dhe sarkazmi në nivel të makrostrukturës së veprës.
Edhe në syrin e një fëmije, arti e letërsia propagandistike me motive krejtësisht ideologjike duket e shëmtuar dhe e shpifur, ndaj gjithmonë janë në kërkim të së bukurës së vërtetë, e jo të të imponuarës. Ata janë në gjendje që t’i japin të gjitha stolitë e së ëmës vetëm për të lexuar një përrallë të vëllezërve Grimm. Si për ta aprovuar thënien se “gjithmonë molla e ndaluar është më e ëmbla”, karakteret orvaten të lexojnë letërsi “dekadente” perëndimore, si E kuqja dhe e zeza, Bel-Ami, Une vie, Lufta dhe Paqja, Sonata e Krojcerit etj.. Por, edhe bashkëndienin me vuajtjet e personazheve të Kurpinit, Turgenievit, Lermontovit, Eseninit dhe Çehovit, duke zbuluar vuajtjen që sjell fjala dashuri.
Gjedhe e njohur e kësaj lloj tematike, ku një grua përballet me situata të vështira dhe dilema morale në një kontekst autoritar, duke nxjerrë në pah vuajtjet dhe sakrificat e nën regjimin komunist është romani Nata me hënë i Ismail Kadaresë. Mariana, është heroina kadareane që akuzohet nga sistemi për mungesën e moralit, të cilës i kërkohet dëshmia e virgjërisë, duke na shpalosur absurditetin e kohës.
Romani mbyllet me pasazhet e arratisjes së Evës me të ëmën nga diktatura, për të arritur në një vend kapitalist, në “Tokën e premtuar”, që duket se nuk ndryshon nga ferri që lënë pas. Edhe kjo linjë rrëfimi është e pasur me referenca biografike të autores, që së bashku me burgosjen politike të të atit, janë fakte që e klasifikojnë romanin drejt zhanrit të autofiksionit. Ikja e Evës për në “Tokën e premtuar” i jep kapitullit mbyllës edhe karakter biblik, duke e bërë romanin të hapur për analizë të niveleve të ndryshme.
1.Ekzofonia është praktika e të shkruarit në një gjuhë që nuk është e gjuha native e autorit. Megjithëse fenomeni nuk është i ri, termi u krijua në vitin 2007. Ai rrjedh nga greqishtja: exo (jashtë) dhe phonic (tingull, zë). Autorë të njohur ekzofonikë përfshijnë filozofin francez Volter (1694-1778), i cili shkroi letra në anglisht dhe, gjatë qëndrimit të tij në Angli, madje ndryshoi emrin e tij nga François në Francis. Milan Kundera zgjodhi frëngjishten mbi gjuhën e tij native, çeke; Vladimir Nabokov shkroi në rusisht dhe anglisht, por fitoi famë me librat e tij të shkruar në anglisht; Gjuha amtare e Jack Kerouac ishte frëngjishtja dhe ai nuk fliste rrjedhshëm anglisht deri në adoleshencën e tij të vonë, por veprat e tij më të famshme janë në anglisht.
Referencat:
- Vorpsi, Ornela, Vendi ku nuk vdiset kurrë, Dudaj, Tiranë, 2019.
- Eco, Umberto, Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë, Dituria, 2007.
- Molly, Martin, Exophony: The Link Between Language And Identity, Italics Magazine, 2020.
- Barthes, Roland, Aventura semiologjike, Prishtinë, Rilindja, 1987.
- Genette, Gérard, Narrative Discourse: An Essay in Method, Cornell University Press, 1980.
Fotografia e ballinës: “Otherwise magnificent”, Ornela Vorpsi, 2023
Për Autorin
Dorian Berisha është kritik i ri nga Prizreni, i interesuar për letërsinë në përgjithësi dhe atë shqipe në veçanti. Ka përfunduar studimet e nivelit baçelor në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prizren, ndërsa ato të nivelit master në Tiranë në degën e Teorisë dhe Kritikës letrare.