Ekspozita “Që prej motmoti”, Trivet sjell në Kamëz ngjyrat e ritualeve, miteve dhe figurave mitologjike

28.06.2024 | nyje.al

“Që prej motmoti”, ekspozita e tri motrave Paja mbi praktikat zakonore shqiptare, të mbinatyrshmen ndër krahina të ndryshme dhe peisazhet plot ngjyra të vendit tonë, vjen në Kamëz të premten e fundit të qershorit. Në hapësirën ekspozuese të Grupit Ata, nga data 28 qershor deri më 14 korrik, punët e artisteve do të prezantohen për të interesuarit në qytet por edhe më tej.

Më herët ekspozita pati zënë vend në Besianë, në Kosovë. Prej 17 shkurtit deri më 3 mars, krijimtaria e artisteve nga Belshi u vizitua nga qindra banorë të qytetit në veri të Prishtinës. Ekspozimi i punës së tyre në Besianë, si “vend në skaj”, pati qenë thelbësore në përzgjedhjen e galerisë për artistet të cilat besojnë që arti nuk duhet mbetur vetëm në kryeqytet. 

“Një gjë që ishte e rëndësishme për ne, ishte se nuk donim të ekspozohej në Prishtinë në fakt. Donim që krijimtaria jonë të shkonte tek të tjerë njerëz, jo vetëm tek ata që shkojnë gjithmonë në ekspozita. Donim të arrinim një publik që nuk e ka shqetësim parapërgatitjen për vëzhgim apo paragjykimin e vetvetes.” 

Përmes bisedës me artistet, Elsa, Fatma dhe Natasha Paja pas vizitës së redaksisë tonë në galerinë e Besianës, ato shjeguan që qëllimi i tyre për të qënë gjithëpërfshirëse kishte funksionuar, teksa numrin më të lartë të vizitorëve e zinin familjet që hynin në galerinë e qytetit dhe secila gjeneratë shprehu interes për pikturat, vizatimet, filmin e shkurtër dhe punët e tjera të prezantuara.

Punë të lulueshme 

Ngjyra-ngjyra do të ishte mbase një përshkrim i një vizitori/eje të ekspozitës së artisteve Paja pasi të pyetej për përshtypje mbi atë ç’ka parë. Kjo prej larmishmërisë jo vetëm të ngjyrave në punët artistike të paraqitura por edhe metodës e materialeve mbi të cilat ato kanë punuar. 

Në hyrje të saj, ekspozita në Besianë niste nga e majta me krijimet “Vend i randë”, “Vjelja”, “Pemë me Orë”, të punuara me bojëra dhjami mbi letër. Duke vazhduar në të majtë, gjenim vepra të punuara mbi letër dhe kanavacë me bojëra uji qe paraqisnin portrete dhe peisazhe të natyrës së vendeve shqiptare. Bashkangjitur, në murin përballë hyrjes gjendeshin ilustrime digjitale ku ndër të tjera paraqiteshin një syresh paraftyrimesh mbi ritualet pagane dhe kostumografinë ndër rajonale gjithashtu. 

Duke ecur përqark mureve të galerisë, letra i linte vend plastikës. Një kompozim ngjyrash dhe imazhesh që paraqesin larmi tematikash si vallet, peisazhe shqiptare, abstrakime mbi të mbinatyrshmen, etj, vinin vizualisht të paraqitura përmes linogdhëndjes mbi plexiglass. Një instalacion i titulluar “Bukla” i qe bashkangjitur ekspozitës, vepër përfaqësuese e këtij gjitari si gjallesë totem ndër zona të ndryshme të vendit si Malësia e Madhe dhe Labëria. 

Ecja vëzhgimore mbyllej me një punim audio-vizual në formën e një filmi të shkurtër, të xhiruar në krahinën e Hasit përmes së cilës paraqitet praktika e vizatimit të fytyrës së nuses në prag martese, praktikë ilire sipas artistëve pas punës kërkimore të tyre. 

Prej gurrës popullore

Kjo ekspozitë e motrave Paja erdhi si shkak edhe i angazhimit disa javor përmes një rezidence një mujore të njërës prej tyre, Elsës, pranë Qendrës Multimedia në Prishtinë. Përmes hulumtimit përgjatë kësaj periudhe por edhe më tej, artistet mblodhën të dhëna kryesisht lidhur me ritualet përbashkuese të banorëve të zonave të ndryshme. Në punët e prezantuara trajtohen ditë të shënjuara si ato të korrjes së drithërave, ajo e pritjes së verës apo rite që lidhen me to, shembull: ilustrimi digjital “Dordoleci i shiut”.

Shtyrë edhe prej subjekteve të trajtuara në ekspozitë, që lidhen me praktika popullore që nga ato të aktiviteteve të përditshme deri tek ato më komunitare, komunikimi me vizitorët për artistet ka sjellë përplotësime kuptimore të nevojshme sipas atyre. 

Për të shkëmbyer me më shumë komunitete, por edhe për ta bërë më të qasshme për sa më shumë të interesuar, artistet Paja vijnë në Shqipëri me ekspozitën e tyre, me disa elementë të rishikuar duke tentuar të hapin një mundësi dialogu në një kontekts urban tjetër në qytetin e Kamzës. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje