10.06.2025 | nyje.al
Para Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dorëzuan sot një peticion urgjent, i cili kërkon ndërprerjen e menjëhershme të çdo punimi në burgun e Spaçit. Në një komunikatë të lexuar për mediat, nismëtarët denoncojnë ndërhyrjen që e cilësojnë si të jashtëligjshme, të papritur dhe të rrezikshme për ruajtjen e kujtesës historike të vendit.
Peticioni, i firmosur nga mbi 700 qytetarë dhe 35 organizata i drejtohet insitucioneve kulturore dhe qeverisë, me kërkesën që çdo punim në Spaç të ndalet menjëherë. Sipas aktivistëve, ndërhyrja aktuale e kryer nga Instituti Kombëtar për Mbrojtjen e Kulturës është joprofesionale, e pakoordinuar dhe në kundërshtim të plotë me ligjet dhe direktivat që rregullojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Në komunikatën e tyre aktivistët theksuan se punimet që kanë nisur në Spaç bien ndesh me çdo parim restaurues dhe me vetë planin e menaxhimit që është miratuar më parë nga qeveria.
“Në këtë plan thuhet qartë se nuk do të ketë ndërhyrje që tjetësojnë kujtesën, vlerat historike apo strukturën e burgut kamp të Spaçit,” – Edison Lika
Aktivistët paralajmërojnë se kjo ndërhyrje nuk është vetëm çështje teknike, por përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për mënyrën se si e kujtojmë të kaluarën. Spaçi, sipas tyre, është një simbol i vuajtjeve dhe persekutimeve gjatë diktaturës komuniste, i të shkuarës për të cilën duhet të reflektojmë dhe mbi të të ndërtojmë të ardhmen . Ndaj çdo veprim mbi të duhet të kryhet me kujdes maksimal, respekt për historinë dhe transparencë publike, treguan ata.
Aktivistët akuzuan si Ministrinë, ashtu edhe Institutin për Mbrojtjen e Kulturës se kanë dështuar të veprojnë sipas ligjit dhe në vend të kësaj kanë zgjedhur të merren me retorikë dhe zbutje të situatës.
“Vetë ministri duket sikur filloi të tërhiqej dhe të pranonte se aty kishte ndodhur një gabim,” u tha në deklaratë po sipas tyre, kjo nuk mjafton.
Ata kërkuan mbajtjen e përgjegjësisë institucionale për dëmet që mund t’i shkaktohen kësaj trashëgimie historike. Gjithashtu paralajmëruan pasoja ligjore për inspektorët apo zyrtarët që nuk veprojnë sipas detyrës për ndalimin e punimeve.
Kritika drejtuan aktivistët edhe ndaj trajtimit të trashëgimisë kulturore si “material filmi” apo “pronë private” nga individë apo institucione. Ata theksuan në komunikatë se trashëgimia kulturore nuk mund të nënshtrohet imagjinatës së askujt dhe se ajo është pronë publike, me rregulla të qarta menaxhimi që burojnë nga ligje kombëtare dhe konventa ndërkombëtare.
Në fund të komunikatës aktivistët u shprehen të vendosur që kjo betejë nuk do ndalet këtu. Ata paralajmërojnë se do të ndjekin çdo rrugë ligjore dhe qytetare për të ndalur ndërhyrjet në Spaç dhe për të kërkuar transparencë, përgjegjësi dhe restaurim profesional të vendit.