Dokumentari për Petra Kelly, një përpjekje për ta sjellë aktivisten “anti-parti” në politikën e sotme

Ronald Qema & Selma Daku | 15.12.2024 | nyje.al

Për mua qëllimi ishte ta sillja (Petra Kelly-n) në të tashmen.” – tregoi Doris Metz në një takim me gazetarë e aktivistë shqiptarë pak orë përpara premierës së filmit dokumentar “Petra Kelly- ACT NOW” në vendin tonë. Përgjatë viteve të fundit duke parë situatën politike në Gjermani, Metz u shpreh se ia ka ngritur vetes pyetjen: “Pse është harruar Petra Kelly?”. Me realizimin dhe publikimin e dokumentarit ajo ndjen se tashmë edhe gjeneratat e reja, që nuk ishin të rritur mjaftueshëm apo nuk kishin lindur ende në kohën kur ajo jetonte, po e njohin aktivistën ndërkombëtare. 

Regjisorja Doris Metz pas premierës së "Petra Kelly - ACT NOW" në Tiranë, Dhjetor 2024, Ronald Qema

Në Shqipëri dokumentari pati premierën mbrëmjen e së premtes, organizimi i së cilës u realizua nga zyra në Tiranë të Heinrich Böll Stiftung, një fondacion i të gjelbërve gjermanë. “Petra Kelly – ACT NOW” eksploron jetën dhe trashëgiminë e Petra Kelly, një politikane dhe aktiviste e shquar gjermane e njohur për rolin e saj në Partinë e Gjelbër gjermane të cilën e themeloi në vitin 1979. Themelimi i një partie ishte i padëshirueshëm për Kelly-n, por i nevojshëm për të dërguar zërin e lëvizjeve politike në parlament. Kur Partia e Gjelbër arriti të merrte karrige në legjislativ asaj iu duk se bashkëudhëtarëve të saj po u pëlqen më shumë pushteti sesa rruga. Ndër kauzat më të rëndësishme për të cilat Kelly luftoi përfshnin mbrojtjen e mjedisit, feminizmin dhe të drejtat e njeriut. Filmi ofron një vështrim të thellë në angazhimin e Kelly-t për drejtësinë sociale dhe aktivizmin. Duke sjellë dëshmi nga ata që janë ndikuar e frymëzuar nga puna e saj dhe kanë qenë pjesë e grupit të Kelly-t, dokumentari vë theksin në arritjet dhe vështirësitë me të cilat u përballë ajo. Në të vërehet jo vetëm pasioni për çështjet mjedisore, por edhe përpjekja e vazhdueshme për paqe, në situata shumë të brishta politike, duke e shfaqur atë si një personazh të pakompromistë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe aktivizmin.

Përmes dy arkivave, atij personal i cili u mundësua nga vëllai i Pertras dhe atij të Fondacionit Heinrich Böll që mban emrin e saj, shikuesi bëhet pjesë e botës së politikanes “anti-parti” duke e parë më nga afër përkushtimin deri në vetmohim të Kelly-t ndaj aktivizmit. Intervistat me njerëzit që e njohën Kelly-n, si miqtë e saj, kolegët dhe familjarët, sollën një rrafsh personal në dokumentar. Përveç forcës dhe energjisë që ajo përçonte, ata zbulojnë edhe dobësitë dhe sfidat që ajo kaloi. Kelly ishte një nga ato gra që sfiduan normat tradicionale dhe u angazhuan në një politikë të dominuar nga burrat, duke e treguar kështu rëndësinë e zërave të ndryshëm në vendimmarrje. E rritur nga mamaja dhe gjyshja e saj, Kelly mësoi mbi forcën individuale të gruas dhe mosbindjen, të cilat ndikuan në personalitetin e fortë dhe të pathyeshëm në ambientet mizogjinike. Në dokumentar shfaqet si Petra Kelly u frymëzua nga lëvizja amerikane për të drejtat civile dhe koncepti i Martin Luther King për “mosbindjen civile”, të cilat i përvetësoi për t’i përdorur më pas në fushatat e saj për mbrojtjen e mjedisit dhe më gjerë.

Humbja e motrës së saj nga kanceri në sy, e shtyu akoma më shumë Kelly-n në luftën kundër përdorimit të armëve bërthamore dhe kundër luftës, të cilat i ktheu në fokusin kryesor. Ajo ishte e bindur se përdorimi ushtarak apo civil i këtyre armëve po sillte pasoja të pakthyeshme në mjedis dhe shëndetin e njerëzve. Por për Kelly-n, problematikat ishin më të gjëra se thjesht mjedisore.  Falë saj “Green Party” u kthye në partinë e parë e cila bëri bashkë të gjitha problematikat e kohës si të drejtat e grave, problematikat mjedisore dhe të drejtat e njeriut kudo në botë.

E pyetur për zbulimet që ky dokumentar ka sjellë për publikun në lidhje me Petra Kelly-n dhe veprimtarinë e saj, regjisorja Doris Metz u shpreh se kërcënimet dhe përndjekjet e shumta me të cilat Kelly ishte përballur dhe gjendja psikologjike e rënduar vitet e fundit kanë qenë krejtsisht të panjohura për syrin e publikut. Gjithashtu, aktivizmi ndërkombëtar i Kelly-t në një kohë kur politika gjermane ishte e fokusuar në çështjet kombëtare, ishte një aspekt i panjohur për të, të cilin Metz është përpjekur ta shfaqë dhe në dokumentar për të treguar që lëvizjet aktiviste të Kelly-t kanë filluar shumë më herët se themelimi i Partisë së Gjelbër. Si studente, ajo ishte aktive në lëvizje të ndryshme në Amerikë për të drejtat civile, feminizmin dhe paqen. 

Doris Metz në sesionin "pyetje-pëgjigje" pas shfaqjes së dokumentarit në Tiranë, Dhjetor 2024, Ronald Qema

Marrëdhënia me Gert Bastian, një ushtarak gjerman i cili ishte bashkuar me partinë e Gjelbër pasi hoqi dorë nga pozicioni si gjeneral në NATO, u prek gjithashtu në dokumentar por me një kujdes të shtuar për të mos lënë rrugë për asnjë keqinterpretim. Kjo marrëdhënie qe një histori aq sa publike, edhe private që ndër vite e trazoi Petra-n derisa edhe arriti t’i mbyllë jetën asaj, për arsye të cilat mbeten edhe sot të paqarta. Doris Metz tha se nuk ka dashur të fokusohet te vrasja e saj, sepse duke e pasqyruar si viktimë, atëherë rrezikonte të zbehej vëmendja nga e gjithë veprimtaria e saj. 

“Kam dashur ta sjell në jetë duke u përqëndruar te jeta e saj politike.”

“Kërcënimet që ajo merrte qenë një influencë shumë e fortë kështu që ai [Gert Bastian] luajti një rol të rëndësishëm në jetën e saj, ishte si një strehë për të. Por ndërkohë që sulmohej nga jashtë, në fund armiku kishte qenë brenda. Dhe kjo është tragjedia e jetës së saj.”

Në thelb, “Petra Kelly – ACT NOW” shërben jo vetëm si një rrëfim biografik i Petra Kelly-t, por edhe si një frymëzim për aktivistët bashkëkohorë. Çështjet të cilave ajo iu dha zë janë aktuale edhe sot, ndaj ky dokumentar kërkon të nxisë reflektim mbi përgjegjësitë tona ndaj planetit dhe shoqërisë, duke u bazuar në aktivizëm dhe në besimin se njerëzit e zakonshëm mund të nxisin ndryshime të jashtëzakonshme.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje