Përfytyroj shpeshherë sesi është dita e një punonjësi në administratë, sa herë që më duhet të zgjohem në orën 05.00 të mëngjesit për t’u nisur për punë. Uniforma ime, jeleku fosforoshent më pëlqen vetëm për pjesën që vishet menjëherë mbi rroba. Për flokët, mjekrën, pantallonat, këpucët, nuk na kanë thënë gjë akoma. Marr bukën që ma përgatit gruaja që në darkë, pak përpara se të flemë gjumë, duke mbushur kështu kuzhinën (dhoma e gjumit për prindërit e mi) plot me tymin që çlirohet nga skuqja e qofteve dhe salçiçeve që shoqërojnë drekat e mia prej kohësh. E kështu nis dita ime.
Kam dëgjuar e shoh që kolegët e mi ushqehen jashtë shtëpisë me byrek e në disa vende të reja në qytet me emertime si Zgara a Tymi i Korçës. Korça na nxirrka tym më të mirë sesa ai i Kamzës! Provova edhe unë (nuk e mendoja që do më ndodhte në këtë moshë) që të mos ndahesha nga shokët e të blija jashta, por më kritikoi gruaja menjëherë. Me lekët e një hamburgeri që blen ti në dyqan ne mund të blejmë gjëra për tre veta këtu në shtëpi. Më erdhi rëndë se këtë ma tha në sy të fëmijëve. Nuk e provova më.
Më kujtohet dita e parë e punës. Ishte pak e vonshme të filloje punë fatorino në moshën 42-vjeçare. Probleme me ekuilibrin, mbajtjen e lekëve për kusur, komunikimin me njerëzit, fyerjet e të tjerëve sidomos në periudhën kur u rrit çmimi i biletës me 10 lekë ku unë në atë rast përfaqësoja kompaninë, aromat e ndryshme të prodhuara nga produktet dhe nga njerëzit që të shponin hundën, probleme me kontrollorët për biletat a udhëtarët për stacionet e shumë të tjera, të cilat sa ta vështirësonin punën aq edhe e bënin interesante atë, duke bërë që çdo ditë të ishte e ndryshme nga tjetra. E prandaj ndonjëherë në heshtje kur e di se nuk kam gjë tjetër për të bërë, më pëlqen kjo punë pasi nuk është monotone. Për çdo ditë ka një bisedë të re, një grindje të pamenduar, një klient që e shikon për herë të parë.
Profesionet dhe zanatet në botë janë kaq të shumtë e të larmishëm sa karakteret e njerëzve me të cilët merrem çdo ditë në urban. Ky i faturinos nuk di ç’të them tamam për të. Duhet të ketë dhe më keq se ky sigurisht: të jesh i papunë.
Udhëtarët, shumicën e kohës nuk e vënë re ekzistencën time në urban përveç momenteve kur përplasem me ta në raste frenimesh të papritura a kur shkelim këmbën e njëri-tjetrit. Pyesin dhe vihet re aq sa mund të pyesë një klient në një restorant se kush është kuzhinieri që gatuan ushqimin e tij të preferuar. E në fakt puna ime dhe meraku aty është të sigurohem për marrjen e lekëve dhe kthimin e kusureve korrekt.
Faturinoja mundet të jetë profesioni më i çuditshëm…sepse ne jemi të vetmit që ecim në këmbë gjithë kohës brenda një automjeti në lëvizje, i cili është krijuar për të transportuar njerëz. Mes udhëtarëve, ashtu me këmbët gati si të një pijaneci që mbahet mirë, pyes veten: “Po ata të administratave që udhëtojnë me makinat e tyre në mëngjes pas orës 7.30, a mendojnë ndonjëherë për ditët e tyre? Si i nisin ato? A i gëzohen kësaj pjese?”- E pasi gris biletën e fundit të udhëtarit të natës mendoj për familjen time, të cilët tashmë duhet të kenë fjetur.
Tashmë unë ndaloj së ecuri në autobus dhe prehem në shtëpinë time deri sa të gris biletën e rradhës.