12.07.2021 | nyje.al
Aktivistët shpalosin banderolën përballë Gjykatës Administrative të Apelit, 30 qershor; foto Ronald Qema
Gjykata Administrative e Apelit ka shqyrtuar dhe pranuar kërkesën e banorëve për përshpejtim të një prej çeshtjeve të Zall-Gjoçaj. Gjyqtari relator Ardian Dvorani vendosi që në muajt shtator dhe tetor të nisë procesi gjyqësor mbi ankimimin e investitorit dhe Entit Rregullator të Energjisë që kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Vendimi i marrë më 18.01.2021, i dha të drejtë palës paditëse, banorëve të Zall-Gjoçaj, dhe i hoqi liçensën firmës koncensionare “Seka Hidrypoëer” për prodhimin e energjisë elektrike të HEC-it “Zais”.
Pranimi i kërkesës për përshpejtim të çështjes vjen pas protestës së banorëve dhe aktivistëve të Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj, të cilët iu ranë këmboreve në derën e Gjykatës Administrative të Apelit më datë 30 qershor. Ndonëse ankimimi është dorëzuar nga pala e paditur, banorët kanë kërkuar përshpejtim të procesit me besim në drejtësi dhe ata presin që Apeli të japë vendim të prerë për heqjen e liçencës së prodhimit të energjisë. Padia që do të shqyrtohet në vjeshtë është vetëm njëra nga tre paditë që janë ankimuar në Apel dhe për të cilat janë bërë kërkesa për përshpejtim.
Në të gjitha këto kërkesa janë parashtruar arsyet përse ankimimet duhen shqyrtuar sa më shpejt duke nisur nga interesi i gjerë publik pasi po ndërhyhet në një Park Kombëtar dhe deri tek dëmtimi i lumit në të cilin banorët marrin ujin që pijnë.