Bashkia Kamëz shkel të drejtat kushtetuese të qytetarëve

06.05.2019 | Diana Malaj | nyje.al

Në Kamëz dimë që shtrohet një rrugë, por nuk e dimë sa dreka shtrohen për të. Dimë që kryetari bën dhe inspektorin e rrugës, por nuk dimë një raport auditimi. Dimë që kemi mbi 10 drejtori, por s’ua shohim as punën as gunën. Dimë që merren shumë veta në punë, por s’i dimë procedurat dhe as CV-të. Dimë që kemi një këshill prej 41 anëtarësh, por nuk dimë në e dinë se për çfarë janë aty. Dimë që çdo muaj marrim nga një fletë lavdërimi kombëtare dhe ndërkombëtare si “Qyteti Yll”, ndërkohë nuk e dimë se kur do ia fillojmë nga pika zero e qytetërimit: gypa dhe kanalizim. E kështu, duke mos u përballur me mosdijen tonë, përshtatemi me injorancën institucionale. Ndërkohë që flasim për përmirësime të kuadrit ligjor për të drejtën e informimit dhe transparencën institucionale, bashkia Kamëz sa vjen dhe bëhet më hermetike.

Kuadri ligjor
Transparenca e organeve publike dhe pjesëmarrja e qytetarëve në mbledhjet e organeve të zgjedhura janë dy gremçat ku mbahet demokracia. Shqipëria ka nënshkruar një sërë aktesh ndërkombëtare që parashikojnë të drejtën e shprehjes si liri themelore, ndër të tjera përmendim nenin 10 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut e cila parashikon se e drejta për të marrë ose dhënë informacion është pjesë e së drejtës së shprehjes, dhe si e tillë ajo kufizohet vetëm në rastet e mbrojtjes së sigurisë kombëtare/publike, mbrojtjes së dinjitetit dhe të dhënave personale.
Gjithashtu në nivel kushtetues, ligjor dhe nënligjor vendi ynë ka një sërë parashikimesh që e garantojnë të drejtën e informimit. Neni 23 i Kushtetutës pohon se kushdo ka të drejtë, sipas referimeve të ligjit përkatës, për të marrë informacione në lidhje me organet shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksionet shtetërore. Pjesë përbërëse e këtij neni është edhe e drejta për të ndjekur mbledhjet e organeve të zgjedhura, e drejtë e cila parashikohet më në detaj në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” .

Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” ka sjellë një sërë ndryshimesh pozitive në lidhje me të drejtën për informim. Ndryshe nga ligji Nr.8503, date 30.6.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumente zyrtare” i cili ka pasur probleme si në parashikimet ligjore ashtu edhe në zbatimin e tij, ligji i ri mundëson për herë të parë një gamë të gjerë informacioni që bëhet publik nga organet shtetërore (ose joshtetërore por që ushtrojnë funksione publike) nëpërmjet programit të transparencës, ashtu edhe nëpërmjet instrumenteve praktike për të kërkuar informacion kryesisht.
Ndër të tjera, ky ligj synon nxitjen e integritetit të institucioneve, transparencën dhe përgjegjshmërinë e autoriteteve publike, si mënyrë për të luftuar korrupsionin, keqmenaxhimin financiar dhe rritjen e llogaridhënies ndaj qytetarëve dhe votuesve. Ky ligj është i domosdoshëm për të krijuar apo formuar pikëpamje të shëndosha në lidhje me gjendjen e shtetit, të institucioneve vendore edhe të shoqërisë.

Po qytetarët e Kamzës, a i kanë mundësitë për të krijuar një pikëpamje të shëndoshë në lidhje me gjendjen e bashkisë dhe politikave të saj?
Bashkia, si njësi e qeverisjes vendore futet te kategoria e institucioneve që duhet të japë informacione dhe të garantojë të drejtat e qytetarëve të saj. Më poshtë do të kemi disa shënime mbi gjendjen e transparencës së bashkisë Kamëz dhe shkeljet konsistente të të drejtave kushtetuese të qytetarëve të saj.
Në programin e transparencës së bashkisë, përditësimi i të cilit është bërë në vitin 2018 për herë të fundit, duke shkelur detyrimin për përditësim çdo tre muaj, gjendet në faqen e saj zyrtare një informacion i cunguar dhe i pakuptueshëm në lidhje me organigramën e institucionit.

Foto 1: Edhe pse e zmadhuar, nuk arrihet të lexohen pozicionet e punës në bashki

Shumë pak informacione ka në lidhje me legjislacionin që duhet të parashikojë bashkia sipas pikës b të nenit 4, 5, 6 dhe 7 në ligjin “Për të drejtën e informimit”. Për të kërkuar mbi vendimet e këshillit bashkiak puna vështirësohet edhe më shumë pasi link-u prezent në faqe të orienton në një faqe tjetër. Edhe në këtë kërkim të riadresuar nuk gjejmë asnjë informacion në lidhje me vendimet e vitit 2019.

foto 2: mungesa e vendimeve të këshillit bashkiak për vitin 2019

Bashkia Kamëz ka për detyrë gjithashtu të japë informacion të detajuar në lidhje me arsimin, kualifikimin dhe pagat e funksionarëve të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë si dhe një përshkrim të procedurave të zgjedhjes (përfshirë këtu edhe dosjet e aplikimit për përfitimin e një posti zyrtar). Përpos informacionit të shkurtër e të cunguar mbi kryetarin e bashkisë dhe sekretarit të përgjithshëm, nuk na jepet asnjë informacion tjetër në lidhje me administratën, asnjë informacion mbi strukturën e pagave të nëpunësve të lartë e punonjësve të tjerë dhe po ashtu asnjë përshkrim të procedurave të përzgjedhjes në punë.

Nëse dikush do të mendojë që këto kërkesa janë qiqra në hell, theksojmë se përveç se janë detyrime ligjore, ka shumë bashki të tjera të cilat janë shumë rigoroze në përmbushjen e detyrimeve të tilla, duke sjellë si shembull jo shumë të largët dhe simotrën e saj, bashkinë Shkodër (për më shumë kliko këtuPo ashtu ka mungesë totale të informacionit mbi mekanizmat monitorues dhe të kontrollit ndaj bashkisë, si dhe të planeve strategjikë të punës etj. Edhe pse në programin e transparencës është parashikuar që mund të gjenden materialet e auditit të brendshëm në menunë “Për bashkinë”, nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë.

Foto nga faqja zyrtare e bashkisë: mungon informacioni për auditimet

Informacion tjetër për t’u bërë publik janë edhe të dhënat për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar në vijim dhe për vitet e kaluara si dhe çdo raport vjetor për zbatimin e buxhetit. Programi i transparencës na adreson të klikojmë te kreu i faqes në të cilën gjejmë vetëm buxhetin e vitit të kaluar, informacion i njëjtë edhe te rubrika “buxheti”, duke ia vështirësuar kërkimin për buxhetin e vitit 2019 çdo qytetari.

Një ndër informacionet me të rëndësishme që duhet bërë publik është informacioni për procedurat e prokurorimit apo procedurat konkurruese të koncensionit/ partneritetit publik/privat, palët kontraktuese dhe përshkrimi i shërbimeve apo mallrave të kontraktuara. Mungesa e një informacioni të tillë krijon terren të përshtatshëm dhe legjitim për të pasur dyshime në lidhje me ligjshmërinë dhe rregullsinë e veprimeve të tilla. Bashkia Kamëz edhe këtu bën “pass”.

Programi i transparencës përfshin të gjithë informacionin që bëhet publik pa kërkesë nga publiku, mirëpo në një pjesë të saj duhet të pasqyrohet edhe regjistri i kërkesave të qytetarëve, kjo jo vetëm për të siguruar transparencën, por edhe për të vënë në dispozion një informacion tashmë të dhënë. Pas një kontrolli të vazhdueshëm disamujor, ky regjistër në ëebsite-in e bashkisë vazhdon të mos funksionojë, duke thyer kështu edhe një tjetër parashikim ligjor që në fakt është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Koordinatorit të së drejtës së informimit.

Foto nga regjistri i kërkesave të bashkisë Kamëz

Çfarë është Koordinatori, cilat janë funksionet e tij dhe vështirësitë e hasura në bashki si Kamza?
Ligji i ri parashikon afate të shpejta për dhënien e përgjigjes, duke i shkurtar ato nga 40 ditë që parashikonte ligji i vjetër në 10 ditë pune. Koordinatori është figura me më shumë përgjegjësi në këtë fushë, pasi është i ngarkuari kryesor dhe përgjegjësi institucional i autoritetit publik që përfaqëson. Ai ka për detyrë të bashkërendojë punën e parashikuar në ligj, të lehtësojë identifikimin e informacionit të kërkuar dhe drejtorinë përkatëse përgjegjëse për të dhënë informacion si dhe të punojë ngushtësisht me publikun për t’i njohur me të drejtat e tyre për të aksesuar informacionin. Ai duhet të garantojë gjithashtu respektimin e afateve të kthimit të përgjigjeve në kohë, si dhe të regjistrojë e të sigurojë kërkesat në regjistrin publik online.

Në sajë të raportit të realizuar nga Birn Albania, Kamza renditet në pozicionin e 16-të me një nivel të ulët transparence prej 38%. Megjithatë në këtë vlerësim duhen pasur parasysh kriteret e vlerësimit dhe përqindja në çdo fushë të studimit. Pikët maksimale në këtë rezultat total, Kamza i arrin në respektimin e asaj që na rezulton që shkel më shumë, të drejtën e informimit. Kjo përqindje ka ardhur si pasojë e vlerësimit të kritereve bazë për të drejtën e informimit (të dhënat e koordinatorit, adresa e tij, formatet e kërkesave dhe ankesave) duke lënë jashtë vlerësimin e performancës së bashkisë dhe përgjigjeve të saj për kërkesat e adresuara nga qytetarët.  Rezultatin më të ulët prej  0% e ka për transparencën financiare.

Çfarë po ndodh me kërkesat për informacion të dërguara deri tani në Bashkinë Kamëz?
Duke qënë se regjistri online të cilin duhet ta aksesojë çdo qytetar i Kamzës nuk funksionon, ju bashkangjisim këtu disa prej kërkesave më të rëndësishme të dërguara Bashkisë Kamëz, për të cilat ende nuk kemi informacion, dhe që janë dërguar ankesat respektive te Komisioneri i të drejtës së informimit:

OBJEKTI I KËRKESËSDATA E DËRGIMITDATA E PËRGJIGJESANEKSAT KDIMDP
1. Informacion për kontratë qiraje personi juridik për zonën e Pyllit të Brukës21.02.2019Ankimim
2. Informacion mbi parkimet në Kamëz18.02.2019 
3. Info për tregun agro-ushqimor18.02.2019Ankimim
4. Info për mbledhjet e Këshillit Bashkiak18.02.2019 
5. Info për zonën kadastrale Pylli i Brukës, Kamëz18.03.2019Ankimim
6. Info për mbledhjet e këshillit03.04.2019Ankimim

Siç shihet nga tabela e mësipërme, janë shkelur të gjitha afatet e kthimit të përgjigjes në kohë, duke mohuar në këtë mënyrë të drejtën tonë kushtetuese për të aksesuar në kohë sa më të shkurtër informacionin e kërkuar. Edhe pse ligji ka parashikuar mjete të tjera ankimi në rastin kur institucioni hesht, gjithsesi koha e nevojshme për Komisionerin shpesh tolerant me synim ndërgjegjësimin e institucioneve pa marrë masat administrative të parashikuara në ligj, ka bërë që informacioni i vonuar të kthehet në një informacion të cilit i ka humbur aktualiteti.

Rasti më flagrant është mohimi i informacionit për datën, ditën, orën dhe rendin e mbledhjeve të këshillit bashkiak. Ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” në nenin 17 të tij parashikon se mbledhjet e këshillit bashkiak janë të hapura për publikun, dhe çdo shtetas lejohet të ndjekë mbledhjet e këshillit sipas mënyrës së parashikuar në rregulloren e këshillit dhe ky informacion duhet të bëhet publik pa kërkesë dhe në zona të dukshme pranë bashkisë.
Të gjendur në kushtet kur ky informacion nuk bëhet publik me vullnet institucional, i jemi drejtuar bashkisë me kërkesën për informacion në lidhje me datën e mbledhjes së këshillit për muajin prill, informacioni i mohuar, rrjedhimisht pengon jo vetëm të drejtën për informacion, por edhe të drejtën kushtetuese për të marrë pjesë në mbledhjet e organeve të zgjedhura. Ky lloj informacioni është me rëndësi të merret para se të ndodhë ngjarja, përndryshe i humbet aktualiteti dhe bëhet i pavlerë.
Koha mesatare që na është dashur të presim për të marrë një kërkesë, në rastet e rralla të përgjigjes është afërsisht 35 ditë. Mirëpo për këto shkelje fajtori nuk është ai që duket. Në sajë të raportit të vlerësimit të kapaciteteve të koordinatorëve të së drejtës së informimit dhe njoftimit dhe konsultimit publik vihet re se ende kjo figurë nuk e ka kryer punën në nivelet e duhura.

Ky raport na përmbledh si më poshtë aspektet kryesore të problematikave të konstatuara në lidhje me kapacitetet e koordinatorëve

  • mungesën e një statusi të veçantë brenda institucionit (aspekti ligjor), në aspektin e hierarkisë për të pasur akses të drejtpërdrejtë tek strukturat vendimmarrëse dhe teknike, mungesa e shpërblimeve financiare dhe pamjaftueshmëria e kohës së nevojshme për të realizuar detyrat e tyre, mungesa e kritereve në përzgjedhjen e koordinatorëve dhe më pas në specializimin e tyre si dhe paqëndrueshmëria në detyrë;
  • mungesën e mbështetjes organizative-institucionale për koordinatorët (aspekti institucional) me anë të rregullave të brendshme institucionale, si rregullore e brendshme e institucionit, urdhra të brendshëm, përshkrimi i punës së koordinatorit, të cilat i sigurojnë akses dhe “pushtet” koordinatorëve tek drejtuesit e lartë dhe strukturat përkatëse të institucionit, përfshirë detyrimin e këtyre të fundit për të bashkëpunuar. 

Koordinatori në Bashkinë Kamëz, përpos problemeve të aspektit ligjor si pamjaftueshmëria e kohës për të kryer detyrat e tjera të ngarkuara dhe rolin e koordinatorit, apo mungesën e incentivave, vështirësia më e madhe e tij është pamundësia për të aksesuar informacionin dhe varësinë që ka nga drejtuesit e lartë apo titullari i bashkisë. Sipas gjetjeve të raporteve, dhe në sajë të përvojës nga praktika na rezulton që koordinatori shpesh herë pengohet nga kryetari i bashkisë për të dhënë informacion, duke u gjetur kështu nën presionin e një shantazhi të dyfishtë. Nëse nuk jep informacion ligji e dënon me gjobë nga 150 000 lekë deri në 300 000 lekë, dhe nëse e jep atë duke thyer urdhërin e “shefit”, shkarkohet nga puna.
Në këto kushte ku informacioni nuk jepet, koordinatori pengohet, dhe pushtetari vetëkënaqet, pakënaqësia dhe revolta e qytetarit mbetet mundësia e vetme e shprehjes së lirisë dhe e të drejtave si praktikë e si aksion.
Kamëz, maj 2019

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje