Banorët e Zall Gjoçajt protestojnë kundër ndërtimit të HEC-eve

nyje.al | 24.02.2020

Dje banorët e Zall Gjoçajt mbajtën protestën e radhës pas më shumë se një viti rezistencë aktive në institucione dhe jashtë tyre për mbrojtjen e Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejes.

Parku bashkë me mbi 10.000 fshatarë rrezikohen nga ndërtimi i HEC-eve Sekë dhe Zais të kompanisë Seka Hidropower (zotëruar nga Bardhyl Muceku dhe IDROP me pronarë italianë) të cilët parashikojnë kanalizimin e të vetmit burim uji të pishëm për banorët në gypa nëntokësor.

Protesta u mbajt një javë pas shtyerjes së seancës gjyqësore për ndalimin e punimeve. Meqë firma ndërtuese mungoi për të dytën herë duke e zgjatur procesin gjyqësor në mënyrë që punimet të vazhdojnë, banorët të vetëdijshëm për pamjaftueshmërinë e rrugëve institucionale u rimblodhën jashtë institucioneve dhe brenda parkut për rezistencë aktive.

Në rezistencë u bashkuan edhe shumë qytetarë e aktivistë politik të mbrojtjes së mjedisit dhe kundër politikave ekocidiste të HEC-eve prej lumit Valbonë e deri në Vjosë. Angazhimi nga të gjitha periferitë e fshatrat më të varfëra të Shqipërisë në mbështetje të plotë të banorëve shpërfaq një vetëdijësim kombëtar për politika të tilla.

Politika e pafre e ndërtimeve të mbi 700 HEC-eve shitet si zgjidhje për problemin e energjisë në shekullin e 21, ndërkohë që realisht rrezikon ekzistencën e fshatit në Shqipërinë e këtij shekulli.

Aktualisht, entuziast për të ardhmen në Shqipëri është vetëm kapitali privat i HEC-e i cili imagjinon disa dekada konçesion me fitim të garantuar dhe madje me shpresë privatizimin e plotë të ujit. Për kapitalin e HEC-eve nuk ekzistojnë as njerëz as fshatra, ka vetëm ujë, energji e treg për to, dhe kjo e entuziasmon.

Institucionet shtetërore nga ana tjetër japin konçesione dhe privatizojnë pafre pikërisht për faktin se nuk i imagjinojnë dot dekadat e ardhshme të qytetarëve. Ne nuk kemi ende institucione qeveritare që mbajnë përgjegjësi për të shkuarën e aq më pak për të ardhmen e vendit.

Ndërkohë Shqipërisë i duhet fshati për frymëmarrje, prodhim bujqësor dhe turizëm. Fshati në vendin tonë ka nevojë për ujësjellës, sistem vaditjeje, subvencionime për prodhimet bujqësore dhe shërbime publike si shkollat dhe shërbimet shëndetësore. Këto janë nevojat e fshatit, teksa për zgjidhje mendohet zhdukja e tij, dhe përgjigja e qytetarëve është rezistenca për të mos ia lëshuar vendin zhdukjes së tyre.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje