Banorët e ish-komunales gjejnë drejtësi. Bashkia Tiranë duhet t’i rikthejë në “Programin e Rindërtimit”

Ronald Qema | 11.03.2025 | nyje.al

Ka drejtësi! Ka drejtësi!” u dëgjua të thotë sot Agroni, ish-banor i konviktit të “Ish-Shkollës Komunale”, në dalje të seancës gjyqësore në fund të së cilës u mor vendimi kundër përjashtimit të tij dhe fqinjit, Fatmirit, nga “Programi i Rindërtimit”. Ky përjashtim nga skema e trajtimit të familjeve që humbën banesat nga tërmeti i nëntorit 2019 ishte ndërmarrë nga Bashkia Tiranë në nëntor të vitit 2023 dhe hyrjen në fuqi të tij banorët e morën vesh kur u ndërpre bonusi i qerasë. Ankimimi i banorëve ndaj këtij vendimi të pushtetit lokal në Komisionin e Apelimit të Bashkisë Tiranë nuk e zhbëri këtë politikë që i nxirrte në mes të katër rrugëve dhjetra familje. Me mbështetjen e organizatës “Drejtësi Sociale” dhe me përfaqësim të avokatit Gentian Serjani, disa prej këtyre familjeve po e ndjekin në gjykatë kundërshtimin e këtij akti administrativ dhe vendimi i parë në favor të tyre u mor dje dhe u pasua sot me dy raste të tjera.

Pas vendimit të djeshëm, banorët dhe përfaqësues të “Drejtësi Sociale” mbajtën një komunikatë në rrënojat e godinës ku dikur gjendeshin shtëpitë e tyre. Ata u shprehën besimplotë për Gjykatat, tek të cilat do të gjejnë drejtësinë e munguar në institucione të tjera, si Bashkia Tiranë.

“Sot, dy vite e katër muaj pas përjashtimit nga programi i rindërtimit, pas një beteje sa të gjatë aq edhe të vështirë, Gjykata Administrative i dha të drejtë banorit të ish-shkollës komunale, Sulejman Islami, dhe urdhëroi Bashkinë e Tiranës që ta rifusë atë në programin e rindërtimit. […] Fitorja e sotme nuk është vetëm e Sulejmanit, por një fitore e të gjithë banorëve të shkollës komunale dhe rezistencës së tyre.”

Rezistenca vazhdon me shpresë

Renato Dhiaj ka lindur në internim, në një fshat të largët, katër orë larg Beratit. Bashkë me të atin, dhe pjesën tjetër të familjes, me një vendim të Komitetit Qendror ata u rikthyen në Tiranë në vitin 1990. Si banesë ua caktuan një apartament në konviktin e ish-shkollës komunale. I ati, Berti kujton që ishin familja e parë që u vendosën të jetojnë aty. Për gati 30 vite ata dhe familje të tjera e banuan dhe shndërruan konviktin në një shtëpi, deri kur pas tërmetit të vitit 2019 e gjithë godina u vlerësua nga Instituti i Ndërtimit me DS5 dhe u shemb. Kështu pothuaj 90 familje mbetën pa shtëpi, por me premtimin që sipas aktit normativ nr.9 datë 16.12.2019 ata do mbështeteshin nga shteti për pagesën e qerasë derisa shtëpitë për to të rindërtoheshin. Por realiteti në vitet që pasuan ishte ndryshe, Renato dhe shumë banorë të tjerë nuk përfitojnë bonusin e qerasë që prej më shumë se dy vitesh. Kjo e “dalë fjale” prej shtetit i ka detyruar të reagojnë dhe t’i drejtohen edhe Gjykatës. Tek ajo shpresojnë dhe presin të gjejnë drejtësinë.

“Kemi dy vjet gati, një vit e gjysëm që ne mblidhemi, me protesa. Qëkur na skualifikuan, në nëntor të 2023. Kemi shpresë meqenëse fitoi një banor i ish-shkollës komunale në gjykatë edhe shpresoj që të gjithë ne tjerët, që jemi me VKM, shpresojmë të marrim shtëpi me anë të gjykatës, se Bashkia na hodhi në rrugë.”

Renato Dhiaj dhe i ati, Berti Dhiaj

E kur pyeten për marrëdhënien e tyre me Bashkinë, banorët ndajnë të gjithë të njëjtin ballafaqim me pushtetin, përplasjen e dyerve të këtij institucioni në fytyrat e tyre dhe dëbimet nga Policia Bashkiake. Artjola Nazja e dëshmon këtë. Myrie Abazi gjithashtu shprehet se kanë shkuar në Bashki aq sa nuk mban mend dhe tregon se “kanë mbyll dyert dhe na kanë nxjerrë me polici.” Berti Dhiaj, pensionist, gjithashtu kujton:

“Sa herë i kemi ra derës: “O xhaxhi Enver hape derën! O xhaxhi Enver hape derën!”, asnji se hapte derën.”

Për Bertin dhe bashkëshorten e tij pagesa e qerasë merr prej tyre më shumë se gjysmën e të ardhurave që ata të dy kanë si pensionistë.

“Unë banoj…, pensionin, ta bi letrën e pensionit, marr nji qind e shtatëmëdhjetë mijë lekë, nusja nji qind e tridhjetë e pesë mijë lekë. Nji qind e pesëdhjetë paguaj qeranë. Pensioni, s’më del me hongër.”

Artjola Nazja ndonëse shtatëzënë detyrohet të dalë dhe të lypë lëmoshë rrugëve për të siguruar pagesën e qerasë për ambientin ku ajo jeton me fëmijët e saj. Bashkë me të edhe fëmijët e saj detyrohen të mbeten rrugëve dhe pa shkollë për shkak të pamundësive ekonomike.

Kam qenë, kam pas shpinë këtu te komunalja. Kam banuar shumë vite, ra tërmeti e na përzunë përjashtë. Na mbajtën katër vjet me bonus qeraje, na e hoqën e bonusin. Unë dal e lyp më fëmijët që laj qeranë. Dal dhe vetë lyp, te vorrezat, në rrugë. Na ka kap policia, na ka marrë fëmijët, prap i kemi nxjerrë. Kemi bo dokumentat për shtëpitë, asigjo s’na kanë dhënë, jemi në pritje. Unë jam 5 veta në familje.”

Artjola Nazja

Avokati Gentian Serjani uroi dje që ashtu si me vendimin e djeshëm dhe ato të sotmit, të gjitha çështjet gjyqësore të mbyllen në favor të banorëve duke qënë se tashmë precedenti është tashmë aty. Por gjithashtu Serjani u shpreh që shpreson në reflektim të Bashkisë Tiranë dhe ashtu si familjet që fitojnë gjyqet, edhe ato që nuk mundën t’i nisin ato të trajtohen njëjtë.

“Edhe këto familje të tjera të cilat janë në proces gjyqësor, mendojmë që do të ndjekin të njëjtin vendim gjyqtarët, do të përdoret si precedent. Nga ana tjetër kemi disa familje të tjera, të cilat nuk i janë drejtuar gjykatës për shkaqe të ndryshme, do doja që edhe ata të trajtoheshin nga ana e Bashkisë së Tiranës pasi vendimi tregon qartazi që veprimet e Bashkisë së Tiranës janë të paligjshme. Nxjerrja në rrugë e këtyre familjeve është e paligjshme dhe jo në vazhdën e respektimit të së drejtës së të pasurit një banesë.”

Myrie Abazi dhe rrënojat e godinës ku ajo banonte
  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje