Ronald Qema | 02.06.2025 | nyje.al
Një grup aktivistësh për të drejtat e emigrantëve zhvilluan të shtunën një aksion homazh pranë kampit të emigrantëve në Gjadër, në nderim të Hamid Badoui, një i ri nga Maroku, i cili disa ditë më parë kreu vetëvrasje në një kamp në Torino të Italisë. Hamid kishte kaluar rreth pesë javë në Shqipëri, në kampin e Gjadrit, ku ishte transferuar si pjesë e marrëveshjes për menaxhimin e azilkërkuesve midis qeverive shqiptare dhe italiane.
Aktivistët mbajtën një ceremoni simbolike përpara rrethimit të kampit në Gjadër, ku ngjitën një fotografi të Hamidit dhe vendosën lule përreth saj. Ata e përshkruan këtë gjest si një akt kujtese dhe proteste ndaj asaj që e cilësuan si një “vdekje politike”, e shkaktuar nga traumat e përjetuara në sistemin e mbyllur të emigracionit. Kristina Millona, aktiviste e Europe Other, e cilësoi vetëvrasjen e Hamidit jo një akt të izoluar, por një pasojë e drejtpërdrejtë e politikave represive të emigracionit, që po zbatohen si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri.
“Vetëvrasja e një emigranti në vetëm dy muaj pas rihapjes së këtyre qendrave dëshmojnë se si kampi i Gjadrit është shndërruar në një Guantanamo, në qendra torturash, ku prodhohet vuajtje dhe vdekje, ku shpëtimi i vetëm për të dalë nga këto mure mbetet vetëlëndimi.
Raporte të grupeve të monitorimit flasin për 40 incidente të regjistruar vetëm në muajin e parë brenda Gjadrit, ndër të tjera emigrantë që vetëlëndohen në kushte degraduese dhe izolimi gjeografik, pa mbështetje shëndetësore, pa informacion, pa garanci ligjore.”
Sipas dëshmive të avokatit të Hamid Badoui, të bëra të ditura nga aktivistët, i riu ishte shprehur në mënyrë të përsëritur se kthimi në Shqipëri do të ishte i papërballueshëm për të. Ai kishte përjetuar një gjendje të rëndë psikologjike pas qëndrimit në kampin e Gjadrit, duke ndjerë izolim, frikë dhe pasiguri për të ardhmen.
Për aktivistët kjo tregon se ajo çfarë po ndodh në Gjadër nuk është thjesht një proces administrativ për përpunimin e kërkesave për azil. Është një formë burgosjeje, një përjashtim brutal që prodhon traumë, dehumanizim dhe, në raste si ky, tragjedi.

Në homazh morën pjesë edhe banorë të zonës përreth kampit, të cilët shprehën shqetësimin për rolin që zona e Gjadrit ka marrë pas miratimit të marrëveshjes. Disa prej tyre e cilësuan kampin si një “burg” i vendosur në pragun e shtëpive të tyre.
Aktivistët e pranishëm insistuan në anullimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për pritjen e emigrantëve, e cila ka qenë objekt kritikash të shumta nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Gjithashtu ata kërkuan edhe hetimin e rastit për caktimin e institucioneve përgjegjëse.
“Të indinjuar dhe të alarmuar nga situata në Gjadër, ne një grup aktivistësh për të drejtat e emigrantëve kërkojmë:
– ndërprerjen urgjentisht të transfertave drejt Shqipërisë;
– lirimin e migrantëve brenda Gjadrit;
– nisjen e një hetimi të pavarur mbi përgjegjësitë institucionale që lidhen me vdekjen e Hamid Badoui dhe të gjitha shkeljet sistemike brenda kampeve të Gjadrit.”
Një seri aksionesh i parapriu homazhit në Gjadër, ku aktivistët udhëtuan drejt Shëngjinit për të afishuar letërnjoftimet për largimin nga jeta të të riut Hamid Badoui. Përpos letërnjoftimit, aktivistët shkruajtën në muret e qytetit bregdetar mesazhe solidarizuese me emigrantët.
“Ka pasur qytetarë që kanë reagur, duke ndaluar dhe lexuar njoftimet e ndara, duke shprehur edhe ngushëllim për të ndjerin. Disa prej tyre u emocionuan dhe në lot shprehën kundërshtinë për trajtimin çnjerëzor që po u bëhet emigrantë andej dhe këtej detit.” u shpreh Millona.

Ndërsa fotografia e Hamidit qëndronte e heshtur mbi rrethimin e kampit, pjesëmarrësit kërkuan drejtësi – jo vetëm për të, por për të gjithë ata që janë të zhytur në errësirën e një sistemi që shpesh i sheh emigrantët si numra, jo si njerëz.
Imazhet nga aksioni në Shëngjin: Nga aktivistët organizatorë