A po ma man bashkinë për njâ 15 ditë?!

Fejton| Satirë |18.07.2020 

-A je si je Xhelal Mziu? Si t’kam? A ma kie numrin a ma ke fshi?
-O njateta Rakip Suli. Si ore s’ta kam…jena patriota e dashamirsa, mrapa rivala politik or Rakip. Ta kam, ene me fotografi biles. M’del fotoja jote me kmishë t’bardhë e kollare sa t’mi bish.
-Aaaa ta njefsha t’majrën se për kta t’i rashë telefonit. Kur po e lam ni takim se kam me t’than ni sen. Du me t’kerku ni nder.
-Qish sot se un pa punë jam…e di ti.
-A shëjfna te ai lokali jonë si saher. Te ai lokali si ka n’mur atë foton bardh e zi të asaj caucës amerikane me buztt e kuqe e me fistanin pak t’grejtëm. Nuse n’konak t’familjes Kenedy…se s’asht te mu kujtue emri për momentin.
-Merlin Monrose i te than?
-Ha t’lumtë. Po, mu ajo.
-Ka ora 7 masdite, si të duket?
-Po shum mir asht’ për mu.
-N’rregull. Mirutakofshim pra.

Kryetari hoqi telefonin nga veshi dhe po shikonte dhe njëherë emrin e bashkëbiseduesit në ekran pak përpara se të mbyllte bisedën. Në ekran shkruante “xhelal mz” dhe sipër emrit po pulsonte me të kuqe “01.22” që ishte koha e bisedës që kishte qëndruar me të në telefon. Po mendonte me vete se si t’ja thoshte? A mund të ishte ndonjë tjetër që mund ta kryente këtë punë më mirë? Mos do e merrte për provokim a fyerje atë propozim? 15 ditë mos janë shumë? I largoi të gjitha këto ide teksa në sfond, nga kompjuteri i zyrës po jepej kënga patriotike “retë e zeza” ku mes vargjeve flitej për karakterin e dibranit. Këshilltari e njoftoi në moment që kishte për t’u paraqitur në një event për të tërhequr çmimin e solidaritetit të konkursit të javës europiane.

-Urdhëro tekstin. Hidhja një sy,- i tha këshilltari.
-Aaaaa më çmendët ju jugort orti me këto frazat. Hidhja një sy. Jo po hidhja të dy sytë. Hidhi dhe pak rigon.

Këshilltari nuk foli fare dhe po e shikonte në të dy sytë kryetarin dhe nuk e kuptoi pse po i bënte një zbërthim kaq teknik idiomës së tij për të cilën ishte shumë i qartë se çfarë nënkuptonte dhe se kurrë nuk e kishte menduar në atë formë. Iu dik sikur u ngatërruan rolet: kryetari në atë moment po bënte këshilltarin e tij.

-T’kam marrë se e kishe CV-në 22 faqe, se unë s’i kam pas qef asniher kto ndasitë etnike. Mu më intereson puna jo nga je ti a ku je nip,- i tha kryetari.
-Po kryetar,e kam dalluar këtë – iu pergjigj. Dhe për tek ky event i thuaj nënkryetares të shkojë sepse kam një takim tjetër unë më të rëndesishëm. Më duhet të shkoj se s’bën.

Ora shënoi 08.58. Kamarieri i ri i barit nuk e fshehu dot gëzimin e habinë që në lokal u fut kryetari i bashkisë. Menjëherë pa nga tavolina drejt të cilës u drejtua kryetari nëse ishte në rregull ose jo. Tavolina ishte e pastruar. U qetësua. Kryetari iu afrua tavolinës dhe u ul në një nga katër karriget, të cilat në atë kënd të barit ishin kolltuqe të mëdha klasike. Kamarieri u nis për të marrë porosinë por më pas u ndal kur pa se kryetari po ndërronte vend, e po dilte nga krahu i djathtë i tavolinës.

-Përshëndetje. Me se mund t’ju shërbej?
-Përshëndetje djal’. Unë dua një….ja se erdhi. Të vije ai miku dhe ta japim porosine bashkë. Shko se të thërrasim vet.
***
-Smu ka besu aaa…
-Jo vallahi as mu. Po qe, u takum. Po ha? Qish bone? Qish shkove?
-Punë shumë vallahi. Bashki e madhe kjo e Kamzës. Zor mu menaxhu. I fortë je kan, ta thom pa hile. N’Kamëz duhen dy kryetar bashkie me e drejtu. Me nja nuk i dilet. E që t’i bie shkurt. T’dal n’temë mos të sorollati ma shumë….pheejjj…Vallahi po m’vjen pak rân me ta thanë…
-Mos kie marre bre. Thuja shoqit tan.
-Puna asht se jam te dasht me ik nja 15 ditë në plazh e thash mos po ma run bashkinë se s’mun e la vetëm. Si thu?
-Boll bre or dashamir. Ene 15 vjet si t’dush ta maj unë.
-Hahaha jo jo e di se si t’i kcejsh ti bashkisë s’di me i zdrip mo. S’ka Kushtetutë e Kod Zgjedhor si të nalon.
-Nuk kam ra nej herë prej kali un o Rakip! Edhe herën e fundit m’la udha, jo kali.
-Aaaa si m’i ledhaton kto llafet orti! Qe çelsat e bashkisë. Ma gzofsh për nja 15 ditë. Ia pafsh hajrin.

Kryetari la çelsat mbi tavolinë dhe po ankohej për kamarierin që nuk po vinte të merrte porosinë. Thirri me të madhe: “Janë dy burra këtu që po të presin ty or pehlivan. Luji kamtt ose u çum, n’drrum lokal. Hajde mo.”
U duk sikur vonesa e kamarierit i fyu klientët pasi të dy u drejtuan për nga dera duke e braktisur barin.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje