nyje.al | 11.05.2020
Në seancat parapërgatitore të gjyqit për mbrojtjen e Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj kundër ndërtimit të hec-eve, palët e paditura nga banorët e zonës, kryesisht përfaqësuesit ligjorë të kompanisë “Seka Hidropower”, mbrohen me argumentin se ndërhyrja e tyre do të bëhej “për dhe në emër të së mirës publike e të banorëve të zonës”. Kjo e mirë publike për ta qëndronte në zhvillimin e zonës, investimet në infrastrukturë rrugore, duke theksuar mbi të gjitha se, do të linin një përqindje të konsiderueshme uji të padëmtuar për konsum nga banorët e fshatrave përreth.
Dy muaj nga seanca e fundit parapërgatitore në Gjykatën Administrative të shkallës së parë, banorët e parkut Zall-Gjoçaj dhe aktivistët në mbrojtje të kësaj kauze kanë publikuar së fundmi në rrjetet sociale një video në të cilën duket qartësisht dëmtimi dhe ndotja fatale që ndërtimet po i shkaktojnë burimit të vetëm ujor të kësaj zone.
Pamje nga ndotja fatale e ujit të pijshëm të burimit të Zallit të Melthit, shkaktuar nga fadromat e firmës koncensinare “Seka Hidropower
Sipas banorëve, fadromat e firmës koncensionare “Seka Hidropower” që i kishte pezulluar punimet për njëfarë kohe, janë rikthyer në punë rishtazi me lirimin e masave kundër COVID-19. Menjëherë kjo është shoqëruar me pasoja të pallogaritshme për jetën e 10.800 banorëve në 11 fshatra. Kalimi i fadromave, derdhja e inerteve, naftës dhe ndotësve të tjerë në ujërat e burimit kryesor të përroit të Zallit të Melthit (me prurje 10l/s) ka ndotur ujin e pijshëm, të vetmin burim uji për jetën e njerëzve, të kafshëve e bimëve të zonës.
Edhe pse pritej që gjykatat të rifillonin aktivitetin e tyre pas datës 27 prill, sipas aktit normativ nr. 6, dt. 25.03.2020, i cili parashikonte vazhdimin e disa çështjeve gjyqësore me rëndësi primare, pak gjë ka ndryshuar në gjyqësor që prej asaj date. Çështja e Zall-Gjoçajt sado emergjente për rrezikun që i kanoset një parku kombëtar, ka mbetur pezull prej më shumë se dy muaj, duke ia lehtësuar kështu punën e koncensionarit dhe duke ia mohuar të drejtat banorëve të Matit.
Ndërkohë sot shënohet hapja e plotë e bizneseve të estetikës dhe qendrave tregtare, gjykatat vazhdojnë të mbajnë të pezulluar çdo afat për ngritje padish, për paraqitje ankimesh, apo çdo veprim tjetër procedural adminstrativ, civil dhe penal. Të gjitha seancat gjyqësore (me përjashtim të çështjeve të ngutshme lidhur kryesisht me masat e sigurimit) shtyhen deri në përfundim të gjendjes së epidemisë. Këto vonesa ua kanë rënduar qytetarëve, palë të proceseve gjyqësore, barrën e padrejtësisë. Vënia në vend e lirive dhe të drejtave të cunguara e të shkelura duket sikur ka rëndësi dytësore përballë interesit ekonomik dhe “estetik” të shtetit. Sapo janë hapur portat e qendrave tregtare ku njerëzit dynden si më parë, ndërkohë që deriçkat e ligjit ku me zor kalohet në rrjesht për një, vazhdojnë të jenë të kyçura.
Protokollet për qendrat estetike dhe tregtare i sigurojnë qytetarët që të konsumojnë, ndërkohë mungojnë protokollet që i sigurojnë qytetarët për të kërkuar drejtësi. Çështjet gjyqësore me rëndësi kombëtare preferohet të shtyhen, pezullohen, anashkalohen e të reduktohen.
Pa lirinë për të protestuar, të cënuar nga e drejta e tyre për të pasur një proces gjyqësor të drejtë e ligjor, pa mundësi lëvizjeje të lirë e të izoluar nëpër qytete prej masave të COVID-19, banorët dhe aktivistët e Mbrojtjes së Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj po zhvillojnë metoda të tjera për të rritur vëmendjen mediatike për të denoncuar dëmet e parikuperueshme që po i bëhen natyrës shqiptare.
Dokumenti i publikuar “Zall-Gjoçaj- bukuria e panjohur e Lurës nën kërcënimin e HEC-eve” bazuar në të dhëna studimore nga terreni, nxjerr në pah rëndësinë e jashtëzakonshme dhe vlerat e rralla ujore, të biodiversitetit dhe monumentet e natyrës që janë pjesë e kësaj zone dhe që po kërcënohen nga politikat ekocide të ndërtimit të hec-eve.
Pavarësisht se shumë faktorë i kanë kundër, banorët dhe aktivistët që mbrojnë parkun e Zall-Gjoçajt janë më shumë se kurrë vigjilentë në zonë dhe jashtë saj, në përpjekje për të ngadalësuar shpejtësinë fatale të punimeve të koncensionarit. Siç kanë njoftuar në daljet mediatike, ata po përpiqen të raportojnë e të denoncojnë mediatikisht çdo veprim arbitrar të firmës koncensionare si dhe po konsultohen me mbrojtësit ligjorë mbi veprimet që mund të ndërmarrin si kundërpërgjigje për të ndaluar punimet në zonë. Siç e kanë paralajmëruar dhe më parë, në mungesë të një vendimi të drejtë gjyqësor apo tërheqjes së koncensionarit, banorët do të vazhdojnë rezistencën e tyre me çdo kusht.