Prindërit vendosën për mua, unë doja të isha i dobishëm

Elena Cakani | nyje.al | 15.03.2020

Udhëtim në të shkuarën
Nën këtë titull “Udhëtim në të shkuarën”, po botojmë një cikël shkrimesh dhe bisedash nga disa të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që aspirojnë të bëhen gazetarë. Janë realizuar me prindërit, gjyshërit dhe të afërmit e tyre me qëllim njohjen e jetës në rreth të ngushtë familjar po edhe njohjen e jetës shoqërore përgjatë shekullit të kaluar. Si jetonin apo mbijetonin njerëzit tanë; si dashuroheshin apo detyroheshin të zgjidhnin njeriun e jetës; si e gëzonin jetën dhe si i përballonin goditjet e saj; si ishin të ndara rolet në familje, dhe në një shoqëri sa të varfër aq edhe të kontrolluar siç ishte shoqëria shqiptare në vitet 1945-1990?
Janë rrëfime që iu tregojnë të rinjve se e shkuara e paraardhësve, në një mënyrë apo në një tjetër mund të bëhet përvojë për të ardhmen e secilit dhe për të ardhmen e një vendi të tërë.


Respektimi i prindërve deri në bindje, ka qenë një kulturë e përhapur në familjen shqiptare. Kjo është historia e Petrit Bojës: ai e braktisi shkollën në moshën 10-vjeçare për t’u bërë krah pune.

“Prindërit vendosën për mua, unë doja të isha i dobishëm”

Punësimi i fëmijëve apo shtrëngimi për të punuar në moshë të njomë, është fenomen i dënueshëm në shoqëri të lira dhe që respektojnë të drejtat e njeriut. Nëse këtë bisedë që nisi si “hetim për komunizmin”, nuk do ta kisha bërë me gjyshin tim, nuk do ta kisha ditur ende se brenda familjes sime ka ekzistuar ky fenomen që s’është aspak i ri dhe ekskluziv i kohëve të sotme.

Petrit Boja Gjyshi, Petrit Boja, u lind më 5 gusht 1955 në Polisin e Vogël të Elbasanit. Për shkak të varfërisë ku jetonin familje të tëra në atë zonë, e zhveshur nga prona private, dhe për hir të një mentaliteti që një fëmijë e bënte burrë para kohe, ai braktisi shkollën në moshën 10-vjeçare, me vendim të familjarëve. Kishte megjithatë brenda tij një dëshirë të fshehur për t’iu bindur këtij vendimi. Ai flet për atë kohë sikur tregon një përrallë dhe për veten sikur të ishte një personazh brenda saj.

Çfarë ishte komunizmi për ty?
Unë kam lindur në atë periudhë ku frika ishte mbi të gjitha. Të paktën sa isha fëmijë, po edhe më pas, u rrita me këtë frymë. Jo që jetoja tamam me frikë, por u mësova me atë kulturë.

Komunizmi e drejtonte vendin me një parti të vetme, e cila urdhëronte se si duhet të mendonte populli dhe se si duhet të organizohej ai në punë.

Çfarë ofronte kjo parti?
Partia ishte shteti vetë që zotëronte të gjitha mjetet e punës, fermat, të gjitha fabrikat për prodhimin e ushqimeve dhe mallrave.

Ti nuk kishe asnjë pronë private?
As që bëhej fjalë. Sa ka ekzistuar periudha komuniste, edhe për një gur nuk mund të thoshe është i imi, jo më parcelë toke. Çdo gjë ka qenë e përbashkët dhe e përbashkëta ka qenë pronë e shtetit.

Kur ke filluar të punosh?
Po që kur isha fëmijë 6 vjeç fillova të bëja punë, jo punë të rënda, thjesht mundohesha të ndihmoja prindërit pasi shikoja që lodheshin shumë, por edhe që të mësohesha vetë me punë se ishte e qartë çfarë më priste disa vite më vonë.

Me shkollën, si ia dilje?
Deri në klasë të 4-t paradite shkoja në shkollë dhe pas orës 12.00, sapo kthehesha në shtëpi, shkoja me vrap të bëja punë nga ara.

Çfarë ndodhi më pas?
Nuk shkova më në shkollë.

Nuk kishe mundësi, nuk donin prindërit? Më trego më shumë…
Dëshira ime ishte dhe nuk ishte. Por më shumë ndikuan prinderit, gjyshi mbi të gjithë. Një natë e dëgjova pas dere duke thënë: “Çuni nuk është më i vogël. Nuk ka ç’i duhet më shkolla. Shkoi në shkollë, mësoi të flasë, të shkruajë… këto janë rregulla të partisë. Tani ai duhet t’i futet punës, të bëhet i zoti vetes!”

Zot i vetës, në moshën 10-vjeçare? Si u ndjeve kur i dëgjoje fshehur që vendosnin për ty?
Nga njëra anë më dukej vetja i dobishëm, por nga ana tjetër do më mungonte shkolla, do rritesha para kohe. Nuk do luaja më me fëmijët e tjerë, s’do qeshja më, s’do kisha më kohë të lirë dhe këtë ma mundësonte vetëm shkolla. Më saktë, ikja rrugës për në shkollë.

Me çfarë punësh fillove të merreshe kryesisht?
Sa isha femijë më shumë shkoja me bagëti, kishim lopë, dele, dhi. Pasi lashë shkollën zgjohesha herët në mëngjes dhe shkoja në arë për të mbajtur misrin të cilin e vilnin prindërit e mi dhe gjyshi.

Me çfarë e mbanit?
Mbushja thesin dhe ma vinte nëna mbi kurriz. Por kjo nuk ishte asgjë. Duke ikur vitet e duke u rritur unë, u shtonin dhe punët që më prisnin mua.

Cilën ke urryer më shumë?
Nuk e kisha shprehur ndonjëherë se çfarë pune urreja se ndryshe do të më urrenin mua.

Por tani iku ajo kohë, mund të shprehem lirshëm. Ajo që urreja më shumë ishte shpërndarja e kripës me gomar.

Po çfarë kishte të vështirë kjo?
Duhet të kaloja sa në një kodër në një tjetër, sa në mal të Vashës në mal të Polisit. Rrugë nuk kishte e thasët çaheshin. Të lidheshe me fshatin tjetër do kaloje sa në lumin Gostime e sa në Shkumbin.

Mirë në verë po në dimër si ja bënit për ta shpërndarë?
Në verë kaloja në lumë pasi nuk kishte prurje të mëdha, e gjatë dimrit përmes malit.

Po veshja si ishte?
Laj-thaj një palë rroba kishim ne. Në periudhën sa ishim në shkollë, si ne edhe fëmijët, kishim dy palë, rrobat e shkollës dhe rrobat e punës.

Kishit një traditë për pritjen e miqve?
Kur dëgjonim që do vinin miq, pastrohej shtëpia një ditë para. Në mëngjes herët gratë gatuanin bukë misri të bardhë, përgatisnin djathë e ullinj. Të bëje oriz apo makarona ishte pritje e madhe. Por ajo që kishte rëndësi ishte se çdo gjë u bënte me dashuri, me zemër të pastër. U mblidhnim të gjithë pranë oxhakut me dru dhe rreth sofrës së bukës.

E mban mend si u njohe me gjyshen?
Ah ç’kam vuajtur unë, moj bijë, ta dish ti!

Më thuaj, jam kurioze të di çdo detaj.
Ne ishim të dy shumë afër njëri-tjetrit po asnjëherë nuk ishim takuar. Një ditë më thotë gjyshi: “Bir të kam gjetur nuse.” Reagova direkt: “Gjysh se mos ma ke sjellë në shtëpi pa më pyetur mua?” “Jo, mor bir, jo, se nuk bëhen punët aq kollaj sa mendon ti!”

Për një moment u gëzova se doja ta gjeja vetë nusen, por prapëseprapë po më rrinte mendja atje: kush na qenka kjo vajzë kaq e mirë që unë s’e paskam parë ndonjëherë? U bëra kurioz ta shikoj, po kush më linte mua të shkoja ta shikoja pra. Të nesërmen më thote gjyshi të shkoj në lagjen tjetër se kanë nevojë për ndihmë. Aty më shkoi mendja se për çfarë po me dërgon gjyshi atje. Iu përgjigja gjyshit gjithë qejf. Po kot që shkova se atë nuk e linin të dilte as ke porta, jo më të më takonte mua! Po që nga ajo ditë atje ngela unë derisa e takova.

Të pëlqeu nusja?
Nusja po, por vjehrri e vjehrra, jo (duke qeshur). Nuk më linin ta takoja se na bënte lagjja me fjalë. Gjyshi shkoi dhe foli me ta derisa iu mbush mendja. Po gjithsesi, rrallë takoheshim dhe fshehurazi më shumë… Bashkë bëmë pesë fëmijë…

I bëje dhurata?
(Qesh) Dilja nëpër ara, nëpër ferra për të mbledhur lule. Dhuratë tjetër nuk kisha çfarë t’i bëja…

 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje