nyje.al | 06.08.2026

Zërat e protestës kanë artikuluar edhe njëherë, për të 67-tën ditë, thirrjet për drejtësi, hetim e arrestim të Ramës dhe Ballukut, për bashkim të mërgatës dhe studentëve në protestë, si dhe vendosmëri dhe qëndrueshmëri jo vetëm derisa të dorëhiqet-hetohet-arrestohet Rama, por edhe përtej tij, derisa të zhbëhen të gjitha padrejtësitë e keqqeverisjes ndër dekada.
Aktivisti Edison Lika në hapje të protestës së djeshme u shpreh se sa më larg kryeministri nga objekti i kryeministrisë, aq më i sigurt është ky objekt dhe aq më i sigurt është edhe shteti. Ai, siç vazhdimisht ka lëshuar thirrje në protestë, edhe dje i është drejtuar SPAK për hetim ndaj Ramës. Në përfundim të fjalës së tij ai u shpreh se ata nuk do të largohen nga sheshi, jo vetëm derisa të mos jetë më kryeministër i këtij vendi, por deri kur Edi Rama të jetë prapa hekurave.
Mirjan Aliaj, një tjetër aktivist dhe pjesë e grupit koordinues të protestës, u shpreh se Rama, teksa ka thënë që nuk largohet nga posti i kryeministrit me argumentin që ka marrëveshje e kontratë me 800 mijë qytetarë, ai ka shkelur betimin si Kryeministër, por edhe ka thënë një të vërtetë të madhe. Aliaj vazhdoi duke pohuar se Rama është betuar për të qenë kryeministër i të gjithë shqiptarëve, kudo ku ata ndodhen, brenda e jashtë kufijve, e jo vetëm 800 mijë votuesve. Por, ajo shprehje, sipas tij, na e shpalos edhe sesi ai e mendon qeverisjen, duke qenë kryeministër ekskluziv i oligarkëve, patronazhistëve, bandave të Durrësit, Elbasanit, Fierit e Shkodrës, për të cilat përgjimet janë bërë publike e proceset gjyqësore kanë marrë jetë.

Zëra të tjerë të protestës u bashkuan në thirrjet për Shqipëri të lirë e pa frikë, një frikë që i përndjek që prej regjimit hoxhist, një ndjesi e shtetit si përndjekës dhe ndëshkues. Foltorja e protestës u ka dhënë hapësirë të gjithë brezave për të artikuluar kërkesat e tyre politike, thirrjet për solidaritet e bashkim, për masivitet e koherencë, por edhe për të bashkëndarë dhimbjet e padrejtësitë që ata kanë kaluar ndër vite, si pasojë e keqqeverisjes së vendit. Pensionistët i janë bashkuar protestës duke thënë se Rama dhe kabineti i tij ka mashtruar dhe ka vjedhur popullin. Qytetarë që vijnë nga rrethe të tjera i janë bashkuar protestës duke lëshuar thirrje për drejtësinë shqiptare, e cila duhet të ndjekë raste të ngjashme hetimesh të zyrtarëve të shtetit, siç ka ndodhur në vendet fqinje, në Kroaci e Rumani.
Akuza janë lëshuar nga bulevardi i shpresës – siç aktivistët i kanë dhënë emrin- edhe ndaj policisë. Një qytetar me origjinë nga Dibra u shpreh se si kemi dëshmuar në kaq shumë vite sesi policia ka qenë dhe është bashkëpunëtore e krimit. “Ajo ka rujt hajdutin dhe drogën”. Kreshnik Ahmetaj, i zëshëm dhe i pranishëm në protestë prej fillimit të saj, ka kritikuar ndryshimet e fundit në ligjin për policinë, duke pohuar: “…gjithmonë, ujku mjegull kërkon. Në seancat e fundit janë miratuar disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, ku i kanë dhënë kompetenca drejtorit të përgjithshëm dhe kanë shkatërruar në këtë formë meritokracinë.”
Studentët kanë qenë ndër grupet më të pranishme e të organizuara në këtë protestë, por thirrjet që ata të shtohen me fillimin e vitit të ri akademik janë gjithë kohën të pranishme gjatë fjalëve të protestuesve. Aktivistja Arvina Lleshi ftoi të gjithë studentët t’u bashkohen protestave sa më shpejt, pasi protesta dhe Shqipëria kanë nevojë shumë për ta.
Ngjashëm, profesori Lush Susaj ka lëshuar thirrje për maturantët që po bëhen gati për të filluar universitetin dhe që sytë i kanë të largohen nga vendi, duke u thënë të qëndrojnë në Shqipëri sepse protestuesit po zotohen që ky revolucion do të përmirësojë edhe universitetet, duke i kthyer ato nga vendet në shërbim të pushtetit në vendet e dijes dhe lirisë. “Thirrje këtyre 26 mijë studentëve të mos largohen, por të qëndrojnë. Ne do t’i kthejmë universitetet tona në edukim profesional e studentët të lirë, e jo më universitetet nepotike e hajdutërore të partisë. Me ndihmën e zotit do t’i kthejmë shkollat dhe universitetet e Shqipërisë në shërbim të krijimit të karaktereve të forta kombëtare të nxënësve, dhe jo si sot … do t’i kthejmë në shkolla ku kultivohet qytetaria dhe ndershmëria… Thirrje mësuesve, ngrihuni në sheshet e lirisë: nxënësin e studentin e kemi amanet prej Zotit, jo prej rrogës.” Ai shtoi se në protestë duhet të bashkohen fermerët e agronomët, e të gjithë ata që duan të krijojnë një Shqipëri të drejtë. “Duhet të mblidhemi ose me e vajtue Shqipnin, ose me e largue ata që e kanë fut Shqipninë nën kambë. Unë them të mblidhemi të largojmë ata që e kanë futë Shqipninë nën kambë. … U baftë drejtësia shqiptare…!”

Një tjetër protestues, ushtar i luftës në Kosovë, pohoi se do të vazhdojë të protestojë kundër kësaj qeverie gjenocidiale deri në dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe kabinetit të tij. Të tjerë zëra protestues artikuluan pabarazitë sociale e ekonomike të cilat veçse janë rritur e theksuar gjatë qeverisjes së Ramës, si vazhdues i politikave të padrejta të qeverive paraardhëse, duke thënë se Shqipëria nuk është veç Tirana, dhe që çdo qytet e fshat nuk duhet më të jetë duke vuajtur për infrastrukturë e shërbime. Teksa mërgata vazhdon grumbullimet e asambletë e saj nëpër diasporë, të shumtë janë ata që janë bashkuar në protestë, duke lënë mbrapa detyrimet. “Pushimet do t’i kaloj këtu në shesh, bashkë me ju, dhe u bëj thirrje bashkëkombësave që janë në diasporë të vijnë këtu, sepse ndryshimi vjen veçse nga Tirana.”
Disa zëra iu drejtuan drejtpërdrejt qytetarëve që nuk gjenden në protestë, por që e ndjekin protestën nga televizori dhe rrjetet sociale, se duhet të bashkohen pasi është e domosdoshme të rriten presionet në shesh me qëllim largimin e klasës politike. Një protestuese përmblodhi thirrjen e saj duke këmbëngulur te qëndresa: “Duhet të qëndrojmë, të mos ndalemi, nuk ka kthim pas, nuk ka më ‘do të shohim’… Ai pret që ne të lodhemi, që të ftohemi, që t’i kthehemi rutinës sonë të përditshme të mjerimit, por me këtë qëndresë ne i tregojmë që rutina jonë e re është këtu, dhe vetëm këtu, derisa ai të dorëzohet.”
Fjalimet u përmbyllën me thirrjet për vazhdimin e marshit, teksa u paraprinë nga thirrjet: “Shqipëria kërkon revolucion. Shqipëria po bën Revolucion!”

