21 ditë Revolucioni Flamingo: A jemi në fund të tranzicionit?

Nebi Bardhoshi | 20.06.2026 | nyje.al 

Fotografi gjatë protestave të Flamingove, 6 qershor 2026, foto për nyjen Antonio Muco
Fotografi gjatë protestave të Flamingove, 6 qershor 2026, foto për nyjen Antonio Muco

 

Shqipëria e Re është një aspiratë shoqërore, e cila po shprehet dhe konstituohet çdo ditë në Revolucionin e Flamingove. Duhet gjithashtu kujtuar se Shqipëria e Re ka qenë një aspiratë e kahershme. Një aspiratë që ka moshën e krijimit të shtetit shqiptar. Po ashtu duhet kujtuar se kjo aspiratë u rrëmbye dhe u instrumentalizua nga elitat politike, e sidomos nga regjimi komunist.

Pas vitit 1990, gjëja e parë që ndodhi ishte rikthimi i shpresës për një Shqipëri të Re. Por, për shkak të shpërdorimit të kësaj shprese nga regjimi komunist, ky term nuk u përdor. Në vend të saj, u shpalos aspirata për një Shqipëri si Gjithë Europa, ku sërish theksi binte tek shpresa dhe aspirata për një Shqipëri të Re, një shoqëri të re. Pastaj u fol për rrugën se si do të arrinim atje, pra në Europë. Na u feks një term teorik, që u shndërrua edhe në një term jetëgjatë. E kam fjalën për termin tranzicion. Për tranzicionin ka plot teori e kritika, por s’është vendi të ndalemi këtu. Sot njerëzit po flasin për shpresën e fundit të “tranzicionit”.

Por është mirë të ndalemi shumë shkurt te pyetja se si u projektua dhe u përjetua nga shoqëria shqiptare nën hyqmin e tranzicionit.

Fillimisht, termi tranzicion u shfaq si një term që evokonte shpresë. Pra, ai mbartte brenda vetvetes idenë se do të na duhej një periudhë kohore, mundësisht shumë e shkurtër, që të dilnim nga një shoqëri e vuajtjes dhe shtypjes në një shoqëri të re, ku dominon prosperiteti, liria dhe e drejta. Nuk u desh shumë kohë që elita politike këtë term ta shndërronte në term lodër. Një lodër, apo instrument, që ata të legjitimonin vijimisht abuzimin me pushtetin, moszbatimin e ligjit dhe kufizimin e lirisë. Ndaj, për shoqërinë shqiptare, termi tranzicion u kthye në një term kurth dhe term ankthi. Term kurth, sepse na shndërroi në një shoqëri në pritje. Një shoqëri që priste që zgjidhja të vinte si fund i tranzicionit.

Kurse fundi i tranzicionit filloi të mos kuptohej më si një arritje drejt shtetit të së drejtës, vendit të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, por si shpresë që të futemi në Bashkimin Europian dhe se aty besohej do të shpëtonim nga abuziviteti i pushtetarëve tanë. I pushtetarëve që kthyen shtetin dhe ekonominë e vendit në funksion të partisë, klientelës partiake dhe specifikisht të oligarkisë dhe krimit të organizuar. Në një shtet parazit e pushtues!

Ndaj, gradualisht, një shoqëri e ngecur përgjithësisht në pritje të një mrekullie që vinte nga jashtë dhe e kapur nga loja e partive, që “tranzicionin” e kishin kthyer në regjim. Ja pra ku u gjetëm, ku si thamë tranzicioni ishte kthyer në regjim, dhe jo në një periudhë kalimi drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Në regjimin e tranzicionit u ndërtua një rend që kulmoi në oligarki banale, krimi i organizuar, dhe ku shoqëria shqiptare është kthyer në shoqëri të ikjes. Pra një shoqëri e pritjes, ishte edhe një shoqëri në ikje, të dyja shprehje të regjimit të përkufizuar si tranzicion.

Tash rikthehemi ku e nisëm. Në këto 21 ditë kemi të drejtë të mendojmë se po jetojmë një revolucion, që është quajtur Revolucioni Flamingo. Çfarë raporti ka revolucioni me tranzicionin? A është ky revolucion një energji finale për të arritur në finish të një periudhe, apo është diçka tjetër sociale?

Në pamje të parë të duket sikur është shtysa finale. Por në fakt, Revolucioni Flamingo është reagim ndaj tranzicionit si regjim oligarkik, i përzier me krimin e organizuar dhe padrejtësinë. Pra, ndaj një sistemi [e jo një faze kalimtare], i cili në vend që fazën finale ta kishte një maturim të shtetit demokratik, ku dominon e drejta dhe drejtësia, përfundoi në të kundërtën.

Ndaj ndërhyrja që po bën shoqëria në këtë rast është revolucionare, sepse njëherazi po i jep emër një rendi politik parazitar në shpinë të idealeve për një shoqëri të re – demokratike dhe europiane. Por nuk mjaftohet vetëm me kaq. Ajo ka risjellë idenë e një Shqipërie të Re, e cila risjell si ideale shtetin e së drejtës, shoqërinë e drejtë, dinjitetin njerëzor dhe lirinë.

Si i tillë, ky revolucion përmbush detyrimin e të dy kahjeve që sugjeron vetë termi revolucion [marrë nga astronomia]. E para është rikthim apo rrotullim tek pikënisja. Pra, jemi rikthyer te idealet e viteve 1990 [por edhe te ato më të kahershme të shoqërisë shqiptare]. Por ka edhe dimensionin tjetër që kërkon termi revolucion: të shkaktojë një ndarje të prerë me regjimin e vjetër dhe krijimin e një horizonti të ri social dhe politik.

Ky horizont i ri është rikthim dhe rithemelim i dëshirës dhe vullnetit kolektiv, ardhur në një moment ekzistencialist. Ekzistencialist për nga ana politike. Shqipëria kishte hyrë prej kohësh në pezullti politike, ku dy partitë e mëdha ishin aktorët kryesorë të pezullimit të politikës. E kishin pezulluar, pasi ia kishin vënë fytyrën e tyre politikës, dhe njerëzit kishin filluar të neveriteshin me këtë imazh që iu propozohej si politikë.

Po kjo neveri që ngjallte politika, e prodhuar ndoshta enkas si e tillë për t’u kontrolluar edhe më lehtë nga partitë kryesore, kishte shkaktuar humbjen e besimit te politika. Ndaj ky revolucion nuk pranohet nga njerëzit të quhet politik. Në fakt, ky revolucion është më shumë se politik – është një revolucion që kërkon të rikonstituojë kuptimin dhe vizionin për të ardhmen e shoqërisë.

Shoqëria, sikurse është shpalosur në Revolucionin Flamingo, është një territor ku pranohet dhe shpaloset diversiteti.

Diversiteti politik e social, duke përfshirë edhe raportin e secilit me natyrën ka qenë një pasuri dhe dëshmi se pse kemi të bëjmë me revolucion. Ata njerëz që deri më sot janë organizuar në parti të ndryshme politike, kanë rënë dakord që të rikonstituojnë parimet për një shoqëri të drejtë. Një shoqëri jo përçmuese, jo përjashtuese, jo mohuese ndaj pranisë së të ndryshmes, të gjitha me referencë tek dinjiteti. Për më tepër,  të gjithë kërkojnë që kjo të bëhet në mënyrë paqësore – pra në mënyrë mirëfilli politike. Kësisoj, është edhe një rikthim, apo hyrje e re, që ky Revolucion sugjeron, e që është rihyrja në politikë, nga e cila shoqëria ishte përjashtuar dhe neveritur. Tash mund të themi se jemi në fund të një tranzicioni që ishte kthyer në një regjim, por tranzicioni tashmë do të rishfaqet me qëllim të kalimit mga një shoqëri që iu ishte pezulluar politika nga oligarkia, e bashkë me të dhe mundësia për të ndërtuar një shtet të së drejtës.

Në fund, duhet nënvizuar diçka me shumë rëndësi. Tashmë është hapur një horizont i ri, një horizont politik e social për një shoqëri të re. Rrisku që mbart gjithnjë kjo ide është që dikush ta rrëmbejë këtë vizion dhe shpresë, dhe ta rikthejë në një regjim. Prandaj na duhet të nënvizojmë eksperiencën tonë kolektive dhe atë të vendeve të tjera, që Shqipëria e Re të mos kthehet në lodër të dikujt e, më vonë, në ankthin tonë social.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje