Baki Goxhaj në Sumud Flotilla: një lundrim kundër rrymës drejt Gazës

07.05.2026 | nyje.al

Aktivisti Baki Goxhaj lajmëroi dje në rrjetet e tij sociale që i është bashkuar lëvizjes ndërkombëtare Global Sumud Flotilla. I revoltuar nga aktet gjenocidiale në Gaza dhe pozicionit bashkëpunues të qeverisë shqiptare, Bakiu thotë që ka vendosur të marrë një hap më tej në angazhimin e tij të deritanishëm:

 ‘…duke ju bashkuar Global Sumud Flotilla, që gjendet aktualisht në Kretë. Një mision humanitar dhe paqësor për të thyer rrethimin e paligjshëm të Gazës, për të çuar ndihma dhe për të qenë solidar me popullin e vuajtur të Gazës dhe gjithë Palestinës. Ndihem krenar që përfaqësoj vendin tim në këtë mision ndërkombëtar dhe shumë të rëndësishëm për ndërgjegjen e botës’.

Nuk ka kaluar më shumë se një javë prej se 22 anije të Global Sumud Flotilla me misionin për të shkuar në Palestinë, janë interceptuar nga Izraeli në ujërat e Mesdheut e më pas janë dërguar në Kretë. Izraeli,  në kundërshtim të plotë me ligjet ndërkombëtare dhe jashtë juridiksionit të tij në atë zonë detare, ka ndaluar me forca militare dhe pajisje teknologjike anijet e një misioni civil që synonte të dërgonte tonelata ushqimesh, pajisjesh shkollore dhe ilaçesh në Gaza, vendi që po vuan nga një krizë e thellë humanitare prej vitesh tashmë. 

Baki Goxhaj në bordin e një prej varkave që u ankoruan në Kretë për tu rinisur drejt Gazës, Harta: Flotilla Tracker

Sipas raportimeve të funditGlobal Sumud, fillimisht janë marrë peng 180 aktivistë nga forcat izraelite, ku 35 prej tyre janë lënduar. Më pas janë liruar të gjithë me përjashtim të dy aktivistëve shumë të zëshëm Saif Ubukeshek (spanjoll-suedez) me origjinë nga Palestina dhe aktivistit brazilian Thiago Ávila. Mbajtja e tyre e paligjshme është shoqëruar me mobilizime e thirrje ndërkombëtare, duke denoncuar paligjshmërinë e shtetit të Izraelit, teksa është rikujtuar që nga praktika të tilla të paligjshme e çnjerëzore përndiqen prej shumë kohësh palestinezët. Mizoria e shtetit të Izraelit ka dalë edhe më shumë në pah teksa vazhdon të mbajë të burgosur aktivistin Ávila duke mos e lejuar t’i japë lamtumirën e fundit nënës së tij, e cila ndërroi jetë dy ditë më parë, teksa djali i saj mbahej i burgosur nga Izraeli.

Sakaq, pavarësisht vështirësive që ka kaluar Global Sumud Flotilla, me përpjekje për të thyer rrethimin e paligjshëm në Gaza që prej 2008-s, disa anije janë duke u rimobilizuar në ujërat e Kretës. Bakiu gjendej dje aty, gati për t’u nisur. Angazhimi i tij është shumë më i hershëm sesa ngjarjet e pas 7 tetorit 2023. Që prej vitit 2010 ai ka ndjekur rregullisht zhvillimet në Palestinë, duke u angazhuar në platforma sociale për këtë çështje. Eriselda Balliu, bashkëdrejtuesja e qendrës edukative ‘Smart Center’, aktiviste dhe bashkëshortja e tij shprehet se ideja për të shkuar në Gaza me Flotiljën “Marmara” është përmendur mes tyre që në vitin 2010.

“Në atë kohë, ishte ndoshta vetëm englendisje mendimi dhe nuk hodhëm hapa konkretë. Genocidi i tanishëm ka qenë përjetim tepër i rëndë shpirtëror për të dy, si nga pamundësia për të bërë diçka për ta ndalur, si nga padrejtësia e hipokrizia e tejskajshme ndërkombëtare, ashtu edhe nga bashkëpunimi i turpshëm i shtetit shqiptar në të. Gjithë ç’kemi parë na ka tjetërsuar jetën. Ndaj, kur Bakiu ju bashkua Global Sumud Flotilla, unë vetëm mund ta mbështesja, sepse të njëjtën gjë do kisha dashur të bëja edhe vetë. Bashkë me tre çunat tanë e shoqërinë e shtrenjtë, lutemi çdo natë, për të, aktivistët e tjerë, e ata për të cilët bëhet ky mision, fëmijët dhe të rriturit e Palestinës. “ 

Pas vitit 2023, për shkak të intensifikimit të sulmeve në Gaza, dhe përballë pozicionimit të turpshëm të qeverisë Rama, Bakiu, bashkë me Eriselda Balliu, bashkëshorten e tij, janë mobilizuar me aktivitete edukuese për të mbledhur donacione për fëmijët e Gazës, me ngjarje kulturore si pjesë e javëve dedikuar Palestinës dhe si anëtarë të Kolektivit Palestina e Lirë, me protesta dhe marshime në Vlorë e Tiranë, me peticione dhe fushata bojkotimi, si dhe me aksione të tjera ligjore. Eriselda, krah për krah me Bakinë, ka një rol tëpër të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të aktivizmit pro-palestinez në Vlorë, por edhe në organizimet e protestave më të gjera në Tiranë. Në protestën e fundit, zhvilluar këtë janar, si kundërpërgjigje ndaj vizitës dhe fjalëve të pagjasshme të kryeministrit Edi Rama në Izrael, Eriselda u zhvendos me forcë nga efektivë pa uniformë dhe më pas u shoqërua në komisariat për disa orë. Përpjekjet kriminalizuese si ndaj Bakiut ashtu edhe ndaj Eriseldës, nuk i kanë ndaluar aspak, por pëkundrazi kanë nxjerrë edhe më shumë në pah dobësinë e shtetit shqiptar, i cili, po tejkalon çdo parim moral dhe çdo detyrim ligjor duke bashkëpunuar në një gjenocid që po shpaloset në kohë reale përpara syve tanë.

Eriselda Balliu ne protesten 'Jo ne emrin tim', Tirane, 27 janar 2026, Ronald Qema
Eriselda Balliu ne protesten 'Jo ne emrin tim', Tirane, 27 janar 2026

Jehona e solidaritetit

Vendimi i Bakiut për t’u përfshirë në këtë lëvizje të jashtëzakonshme ndërkombëtare e paqësore, sa humanitare aq edhe plotësisht politike, është shoqëruar me entuziasëm, mirënjohje dhe mbështetje në radhët e aktivistëve, qytetarëve, besimtarëve e studiuesve pro-palestinezë shqiptarë. 

Studiuesja dhe profesoresha e shkencave politike dhe drejtësisë restauruese, Brunilda Pali, e cila prej mëse dy vitesh po angazhohet për çështjen Palestineze në akademi e në diasporë, shprehet si më poshtë:

“U preka së tepërmi kur dëgjova se Bakiu ishte bashkuar me flotilën. Për gati tre vjet, shumë prej nesh kemi mbartur një ndjenjë të thellë turpi për veprimet e qeverisë sonë dhe afrimin e saj gjithnjë e më të madh  me një shtet gjenocidal. Fakti se ka njerëz si Bakiu, njerëz që vazhdimisht kanë treguar qartësi morale, guxim dhe solidaritet, na risjell në vëmendje se ndërgjegjja e popullit tonë nuk është e njëjtë me ndërgjegjen e atyre në pushtet. E përshëndes Bakinë për guximin e tij dhe për qëndrimin e palëkundur moral që ka mbajtur gjatë gjithë kësaj kohe. Sipas një legjende në traditën hebraike, në çdo kohë ekzistojnë 36 njerëz të drejtë të fshehur dhe që në heshtje e mirëmbajnë botën përmes përulësisë, dhembshurisë dhe mirësisë së tyre. Nuk mund ta dimë se për cilët bëhet fjalë, dhe ndoshta ndryshojnë për secilin prej nesh, por për mua, Bakiu është padyshim njëri nga ata njerëz të drejtë.”

Artistja dhe aktivistja, Arta Gashi, e mbijetuar e luftës në Kosovë, ndjen mirënjohje për kurajon, sakrificën dhe zërin e ngritur për Palestinën nga ana e Bakiut duke risjellë në vëmendje vuajtjen e popullit Palestinez.

“Në fakt, kjo nuk do të duhej t’ishte sakrificë dhe aq më pak e rrezikshme. Kjo është detyrë obligative nga qeveritarët tanë e deri tek qytetari i thjeshtë. Palestinezët janë duke i rezistuar eksterminimit të kulturës, historisë dhe fesë nga shteti i Izraelit që është jo më shumë se ideologji kolonialiste. E, ashtu sikur palestinezët që gjejnë forcën dhe besimin, ashtu ta shpërbleftë Zoti dhe ty. Të t’mbaj n’lutjet e mia. Rrnoft rezistenca!”

Enton Dimni, një tjetër aktivist i angazhuar në kolektivet për Palestinën në hapësirat shqipfolëse, bashkëndau me redaksinë një qëndrim të mbajtur dhe në rrjetin e tij social:

“Nuk e kam takuar asnjëherë personalisht Baki Goxhajn, por kemi shumë të përbashkëta, veçanërisht kur bëhet fjalë për të qëndruar kundër shtypjes dhe për drejtësinë! Guximi i tij dhe qëndrimi i pakompromis në mbështetje të Gazas është modeli më frymëzues që kam parë prej vitesh! Ky eshte modeli i njeriut qe qendron drejt e pa frikë përballë monstruoziteteve të entitetit zionist.”

Besmir Skëndaj, aktivist i angazhuar në çështje të arsimit dhe drejtësisë sociale artikulon padrejtësitë historike ndaj Palestinës, të cilat kanë kulmuar me gjenocidin sot, që po shpaloset si fuqi e pushtet i një shteti për të ekzistuar përtej çdo parimi, rendi moral apo ligji ndërkombëtar. Ai qëndron në solidaritet me Bakinë duke thënë ‘.. [ai] ka gjithë mirënjohjen time dhe tonën për veprimin e guximshëm, të cilin çdokush që mbështet çështjen palestineze do dëshironte të ndërmerrte. Ndjehem i përfaqësuar nga lumi e deri në det nga Bakiu. Sot unë jam një Baki.

Nuk është hera e parë që nga anijet e Global Sumud Flotilla flitet shqip. Albulena Fazliu, me profesion doktoreshë, i qe bashkuar Sumud Flotilla-s në shtator të vitit 2025. E detyruar të largohej bashkë me familjen e saj nga Kosova, për shkak të represionit serb në vitet ‘90 dhe me këtë histori personale si shtysë kryesore për angazhimin e saj humanist, ajo pati lëshuar thirrje solidariteti për një të vërtetë ‘absolute dhe universale’ që asnjë fëmi në botë nuk duhet të vritet e që askush nuk është i lirë deri sa Palestina të jetë e lirë.

Varka "Conscience", në bordin e së cilës ishte Albulena Fazliu, në lundrim drejt Gazës, burimi: Freedom Flotilla

Prania e Baki Goxhaj në anijet që duan të thyejnë bllokadën e paligjshme të Izraelit vjen në një moment të rëndësishëm për çdo njeri në hapësirat tona shqipfolëse. Përballë një shteti të zvogëluar në vegël të gjenocidit, përkrahës të figurave me fletëarrest nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dhe përfitues e bashkëpunëtor në gjenocidin në Gaza –  të gjitha këto të shoqëruara nga praktika shtypjeje dhe intimidimi brenda vendit – kemi dhe një imazh tjetër si Bakiu, që përfaqëson përpjekjen e të gjithëve atyre që janë haptazi e gjithmonë kundër sistemeve shtypëse e gjenocidiale. Teksa gjenocidi ndaj palestinezëve në Gaza vazhdon të shpaloset, shteti shqiptar po i intensifikon në shumë sfera bashkëpunimin me shtetin e Izraelit. Ky bashkëpunim po shoqërohet edhe me një theksim të shtuar në shumë fjalime zyrtare dhe aktivitete kulturore të përvojës së Holokaustit dhe shpëtimit të çifutëve nga shqiptarët përgjatë tij. Mirëpo, teksa Holokausti shenjoi një vrimë të zezë në zemrën e perëndimit dhe shërbeu si një ngjarje botërore mbi njohjen dhe distancimin prej të cilës u ngrit rendi politik i pas Luftës së Dytë Botërore në perëndim, një ngjarje e re botërore dhe e kobshme siç kjo që po ndodh në Gaza duket se do të jetë vrima e zezë e radhës.  Me fjalët e filozofes Nancy Fraser, Gaza sot po zëvendëson edhe ‘Aushvicin’ si simbol i krimeve më të rënda njerëzore të kohës sonë, dhe Palestina e ka futur të gjithë perëndimin në një krizë të thellë të rendit moral. Bakiu, bashkë me zërat e tjerë pro-palestinez në gjithë hapësirën shqiptare, i bën jehonë përpjekjeve për liri, vetëvendosje dhe drejtësi dhe i bashkohet zërave në të gjithë botën për fundin e gjenocidit, për mbajtjen e përgjegjësive përmes ndëshkueshmërisë, dhe hapjen e korridoreve humanitare.