23.04.2026| Orgest Azizi | nyje.al
Për Mohamed Hassen Zouzi-Chebbi
Perëndimi absolut është një port lufte. […] Porti i luftës shikon drejt Lindjes me një vështrim të zellshëm. Ai e pjell Lindjen në vështrimin e tij. Lindja është shënjestra që synon syri i grykave të tij të zjarrit, kundërshtari.
Jean-François Lyotard, Le Mur du Pacifique (1979)
E para Luftë botërore e pas-Luftës së Ftohtë, e ashtuquajtura Lufta e Gjirit, e zhvilluar gjatë presidencës së Bushit të parë (Atit) nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në shkretëtirën arabe që shtrihet midis Kuvajtit dhe Irakut — luftë rrufe, një luftë sa teo-teknologjike aq edhe tele-gjenike 1, sa vdekjeprurëse 2 aq dhe fiktive 3, po aq neokoloniale sa edhe hiper-konsensuale — u imponua si bilanci i pafré i shkruar furishëm nga fitimtari i shekullit “të rrëmbyer” politik që po mbyllej dhe paralajmërim i ri-orientimit të horizontit të shekullit që po vinte.
Nëse shkenca politike njeh tashmë konceptin e “luftërave të çorientuara 4 ”, të cilat sa vijnë e shumohen jashtë kornizave shtetërore dhe territoriale të njohura, ajo e Gjirit ishte një luftë e orientuar, madje mbi-orientuar — dhe matrica e fshehtë e gjithë çorientimit që buron prej saj, si cifla orienti të shpërndara dhe rigjeneruara pafundësisht.
U desh pra që, në prag të kohëve të reja — që janë ende tonat — ky Blitz-riorientim i fushës së ushtrimit dhe i mënyrave të shfaqjes së superfuqisë së vetmuar planetare të kishte si skenë shkretëtirën arabike: skenë apokalipsi 5, kiamet zjarri realizuar me mjete hiper- dhe piro-teknike, dhe njëkohësisht një demonstrim ob-scène planetar i forcës perandorake.
Ndërtimi i objektit “Lufta e Gjirit”
Të orientohesh historikisht, globalisht në rastin e këtushëm, në nivel të çka bën botë, do të thotë gjithashtu të kërkosh shenjat e kohës, ose të kërkosh në kohë atë që na bën shenjë — atë që do ta (ri)njohim si të tillë dhe që do të na imponojë një lexim të ri të kohës.
Jo gjithçka që shfaqet në aktualitet (na) bën shenjë; përkundrazi madje, shumica e çka ndodh kalon pa gjurmë nëpër sitën e të parëndësishmes.
Të orientohesh do të thotë të gjesh pika referimi, ose më mirë të ndërtosh, të krijosh diçka që do të vlejë si referencë dhe ta pajisësh atë me një mbingarkesë kuptimore: qoftë për shenja madhore, qoftë për shenja të vogla të shpërndara.
Në pikëvështrimin e Foucault-së, ky kërkim i shenjave që përcaktojnë atë që bashkërendon aktualitetin tonë — që vendos rendin e tij dhe i përcakton kornizën — paraqitet si një kërkim për të përcaktuar kufijtë e së tashmes sonë, atë që përbën, thur, kushteton “qenien tonë sot”. Ajo që ndoshta mbetet disi e pavënë në pikëpyetje nga Foucault në këtë qasje është një lloj asimetrie, një mos-përputhje midis trajtimit që ai i rezervon kohës së kaluar dhe trajtimit që i rezervon asaj që e quan — me një emër disi tepër unitar dhe masiv — “e sotmja jonë”, “aktualiteti ynë”, “e tashmja jonë”, etj., thua ekzistoka vetëm një e tillë. Kjo vërehet, për shembull, tek ajo shprehja disi e paqartë dhe e dykuptimtë, që rikthehet shpesh në shkrimet e tij: “në një shoqëri si e jona”. Por, si shumë të tjerë ndoshta, unë nuk ndihem plotësisht, dhe sikur të dua, pjesë e mbylljes së kohës që më propozohet si “e jona”. E përjetoj në lëkurën time mos-unitetin e aktualitetit dhe të së tashmes, fiksionin e unitetit të madh të “ditëve tona”. Sa kohëra bashkëjetojnë, puqen, kithen, përplasen te “koha jonë”?
Ky orientim paraqet edhe një instancë të dytë: jo vetëm kohore, por edhe hapësinore — gjeografitë mendore, tërë ato ndërtime/ëndërrime vendesh, mjedisesh e kuvendesh, që njëkohësisht fantazmojnë dhe përvijojnë të tashmen.
Nëse orientimi merret në këtë kuptim — si kërkim në kohë dhe në hapësirë, nëpër gjeografi dhe kronografi apo kronologji, për të qëmtuar se çfarë na bën shenjë dhe përcakton trajtën e tanishme të të qenit, atëherë na duhet të pranojmë se e tashmja është domosdoshmërisht diçka e mbibanuar, e populluar jo vetëm me fakte dhe qenie, por po aq ëndrra dhe hije: e mbarsur nga kohë të mëparshme, nga vende të gjetishme ku fiksohen elementet e saj themelore.
Bashkëkohësia ka gjithmonë këtë strukturë paradoksale të mbarsjes (hantise/haunting): të qenit-aty e diçkaje që nuk është aty, të përputhjes kiasmatike të një (ose disa) të kaluarash që përbëjnë të tashmen time (tonën). Ka strukturën e një heteronomie themelore pra, ku vijnë e shtohen të gjitha hetera-t: heterologjitë, heterokronitë dhe, sigurisht, heterotopitë (Foucault), që i njohim më mirë — ose që mendojmë se i njohim.
Ekziston një mbarsje kohore, por edhe një mbarsje topike, vendore — dhe madje kjo i bën vendet të jenë vende — që na shtyn të pyesim: nga cilat vende, horizonte dhe momente territoriale jemi të banuar? Me cilët jemi ende bashkëkohës, të të cilëve përherë edhe trashëgimtarë?
Mirëpo, ky lloj (ri)ndërtimi i vendeve-shenja ka gjithmonë të bëjë me një dimension fantazmimi, në kuptimin që nuk ka hartografi që të mos jetë njëkohësisht edhe disiplinë fantazmatike — një investim psikik, libidinal kolektiv, madje delirant. Çfarë kanë të përbashkët, për shembull, Lindja e Mesme e rilexuar, e fantazuar dhe e rivizatuar dhe riemërtuar nga ISIS-i me atë që figuron në atlasët tanë shkollorë?
Së fundi, momenti të cilit i referohemi këtu, diku midis 1989-ës dhe 1991-shit, është një moment diagnostikimesh intensive, një kërkim i ethshëm për kuptimin dhe kahun (sens) e sapohumbur të kohës së çorientuatr nga rënia e Murit të Berlinit.
Ky aktualitet karakterizohet pra edhe nga kjo: ai është i mbushur me diagnoza mbi vetveten. Gazetat dhe revistat e kohës janë plot me kontribute ku secili paraqet diagnozën e vet: kohore, politike, civilizuese, etj. Është një kohë çorientimi absolut, kohë e një boshllëku veçanërisht të theksuar. Kjo tregon se nuk mjafton gjithmonë, siç thoshte Foucault, të bësh diagnoza; tregon që pozita e diagnozës nuk është më e mjaftueshme si qasje filozofike. Detyra e filozofit, këtu, nis t’i ngjajë ndoshta diçkaje që mund të përshkruhet si polemologji e diagnozave. Sepse këto propozime të shumta diagnostikuese paraqiten si ligjërime që strukturojnë hapësirën e aktualitetit, si armë, si instrumente ndikimi në konfigurimin e së tashmes. Ato synojnë të prodhojnë efekte në aktualitetin që deri atëherë dukej si një objekt i thjeshtë ku ushtrohej gjykimi njohës. Tani, gjykimi e ndikon objektin, bëhet pjesë e tij. Janë njëkohësisht instanca objektive dhe subjektive, pozicionime që synojnë ose ta kontrollojnë dhe ta bëjnë më të qeverisshme të tashmen, ose përkundrazi t’i shpëtojnë këtij kontrolli. Midis Jean-Luc Nancy, që shprehet në revistën Esprit dhe Samuel Huntington në National Interest, qasjet nuk janë thjesht të ndryshme apo divergjente, por pozicionime, llogore në një luftë të vërtetë diagnozash.
Lufta e Gjirit si “moment”
1991 – viti i Luftës së Gjirit, që “ me t’u parë na humbi sysh”, siç vëren Paul Virilio – ishte gjithashtu viti i botimit të Cap au pire të Samuel Beckett-it dhe të L’Autre cap të Jacques Derrida-së.
Denis Guenoun, revista Lignes, prill 1991
Hipoteza nga ku nisemi në këtë përvijim të parë është se ajo që do të quhet Lufta e Gjirit (duke ruajtur shkronjat e mëdha për të shënuar karakterin e saj epokal) ka arsye të konsiderohet si një moment historik thyerjeje, që përcakton diçka themelore për sa i përket të tashmes sonë. Kjo ngjarje, nëse është e tillë, në kuptimin e fortë të fjalës, është një vatër thelbësore bashkëkohësie, në kuptimin që ende sot vazhdojmë të lëvizim brenda kornizës që ajo ka vendosur. Ideja do të ishte, pra, të ndërtohej një lloj arkeologjie e këtij momenti, të skicohej një hartëzim i hapësirës diskursive që ai ka hapur, zhvendosur dhe prekur, gjithë duke e bërë paraprakisht të mundur atë. Ç’përfaqëson tamam kjo luftë, në ndikimin e saj, si mbi ligjërimet, ashtu edhe mbi mendimet, perceptimet dhe formulimet e së tashmes dhe të kohës? Dhe cila ka qenë trashëgimia e saj, mbijetesa apo mbijetimet e saj deri më sot?
Propozoj ta quaj këtë “momenti i Luftës së Gjirit”, sipas një nocioni që e huazoj nga Frédéric Worms, veçanërisht në veprën e tij La philosophie en France au XXe siècle, nëntitulli i së cilës është Moments.
Në këtë libër ai përpiqet të japë një lexim të së kaluarës, madje të trashëgimisë patrimoniale të filozofisë në Francë në shekullin XX, duke identifikuar disa konkretizime “momentesh”, ku rrjete konceptesh takohen dhe përkufizohen reciprokisht në një lloj transversaliteti.
Ai identifikon tre të tilla, të gjitha brenda një kuadri disi intra-filozofik:
- momentin rreth viteve 1900, moment “psikologjik” që sillet rreth problemit të mendjesdhe shpirtit (esprit), simbolizuar nga figura e Bergsonit;
- momentin e Luftës së Dytë Botërore, rreth problemit të ekzistencës;
- dhe më në fund momentin e viteve ’60, i identifikuar si momenti i strukturës.
Megjithatë, fare mirë mund të përfytyrojmë një tjetër tipologji të momenteve, ku filozofia – si lloj ligjërimi dhe si rrjet konceptesh – preket, e ekspozuar, nga momente që nuk lindin prej saj vetë, por nga takimi me ngjarje të aktualitetit që lënë shenjë në të.
Një rrjet i tillë, qoftë ai i prekjeve, qoftë ai i koncepteve të afektuara – edhe po të kufizohemi vetëm te filozofia dhe fqinjësitë e afërta të saj – është shumë i vështirë për t’u vizatuar. Prandaj, këtu do të mjaftohemi vetëm me nje qasje të tërthortë, si me rikoshetë, në një farë mënyre, duke u orvatur që, konsistencën e Luftës së Gjirit si moment, ta dëshmojmë përmes leximit të prekjeve, goditjeve, efekteve që ushtron ajo në rrjetin e ligjërimeve filozofike. Sepse impaktimi i koncepteve e kushteton atë si moment që duhet eksploruar: jo thjesht si një datë, por si një lloj vrime të zezë, përballë së cilës një pjesë e caktuar e filozofisë u ndje e sfiduar, e thirrur dhe e vënë në provë, dhe u përpoq t’i përgjigjej duke modifikuar kategoritë e saj.
Një nga veçoritë që e bëjnë Luftën e Gjirit të shndërrohet në moment është fakti se në të mbivendosen disa nyjëtime. Ngjarja kërkon gjithmonë nyjëtime, të cilat i japin një lloj vlere të shtuar prej ngjarjeje dhe e bëjnë atë të aftë të prodhojë efekte përreth saj.
“Muri” dhe “Gjiri”: communitas/exceptio
Nyjëtimi kryesor në të cilin gjendet e përfshirë kjo luftë-koncept në Lindjen e Mesme është, së pari, se ajo vjen në një hapësirë të mbingopur me ngjarje, por të atillë që ngjarjet dyzohen vetvetiu – dhe deri në padallim – nga një rrjet i tërë komentesh rreth tyre, dmth gjithë procesi i njohur për metonimi si “rënia e Murit të Berlinit”. Dukuria e rënies së murit është po aq ajo çka ndodh “në realitet” sa dhe përthyerja e njëkohshme e saj në vetëdijet dhe ligjërimet private e publike (thua këto nuk janë realitet). Është shumë e vështirë të thuhet prerë se ku ndodh kjo ngjarje, cili ështe rrafshi autentik i ndodhisë së saj? Pyetje ontologjike, prandaj nuk është e sigurt se historianët (pozitivistë? klasikë?) janë ata që ofrojnë medoemos përgjigjen më të mirë. Zaten, edhe nuk e kanë ofruar deri më tani!
Brenda këtij kuadri, dhe si një lloj mbipërcaktimi i dytë, ekziston një nyjëtim i dytë, i brendshëm ndaj të parit: bashkëkohësia e dy diskurseve që kanë strukturuar në mënyrë të thellë interpretimin e këtij momenti.
- Diskursi që nis nga artikulli i Francis Fukuyama-s (1989) mbi Fundin e historisë, i cili vendos një nga shinat e mëdha perceptive që formësojnë interpretimin historiko-filozofik të asaj që po ndodh.
- Dhe diskursi që nis nga artikulli i Samuel Huntington-it (1992) mbi Përplasjen e qytetërimeve.
- Këto dy diskurse bashkëkohore, jo vetëm që nuk janë, siç duket dhe inskenohen, me ose padashje, me ose pa qëllim, kontradiktore dhe përjashtuese ndaj njëri-tjetrit, por janë, përkundrazi, plotës që e presupozojnë njëri-tjetrin. Ata formojnë kështu atë që mund ta quajmë makineria perceptive amerikane e ngjarjes, e cila përcakton kornizën planetare të perceptimit të aktualitetit dhe që më pas do të bëjë të mundur ngjizjen e një konsensusi po aq planetar rreth veprimeve të reja të fuqisë amerikane.
“Muri dhe Gjiri” pra, për të përdorur titullin e goditur të një libri që nuk është aq i mprehtë sa titulli i tij, janë dy ngjarje-vendet metafizike të fundit të shekullit, dy yje binjake që mbipërcaktojnë rëndësinë historiko-konceptuale të njëri-tjetrit. Filozofia – veçanërisht ajo që quhet filozofia kontinentale –, u pat’ devijuar kështu në trajektoren e saj nga goditja e kësaj dysie ngjarjesh: e tillë, pra, është hipoteza që po duam të parashtrojmë.
Nga njëra anë, momenti Rënia e Murit ndikoi në kërkimin e ri mbi kuptimin që mund të bartej ende tek e përbashkëta, komuniteti, qenia-me-tjetrin, deri tek eksplorimi i formave më të pakapshme të qenies së cum-it, pasi emri i madh i “komunizmit” nuk ishte më i përdorshëm.
Në kushtet e shterimit historik dhe të dështimit epokal të këtij emri, si dhe të çdo realiteti që mund t’i ishte lidhur atij, u bë e nevojshme të ripërvetësoheshin dhe të rishqyrtoheshin nga e para kushtet e komunitetit, në shumëllojshmërinë e atributeve të tij të reja, atribute pothuaj të papërkthyeshme (të paktën ende të papërkthyera, pa qytetari) në shqip: i pathënë (inavouable), i shpunët (désoeuvré), n’ardhje (à-venir), pa mit, pa figurë, etj. Jo më kot, siç vërehet që me të parë, të gjitha këto atribute janë negative, ose virtuale.
Në anën tjetër, atë të Luftës së Gjirit, filozofia (shpesh e njëjta filozofi) reagoi duke rikthyer në sipërfaqen e trazuar të mendimit figurat e sovranitetit dhe të përjashtimit ose “gjendjes së jashtëzakonshme”.
Nëse “përjashtimi sovran” është bërë një nga emrat kryesorë për të menduar politikën në konfigurimin e saj të ri epokal, një nga momentet e shfaqjes së tij është pikërisht Lufta e Gjirit. Dhe kjo figurë, në shpërthimet e saj më vrastare, më vdekjeprurëse, në trajtat arkaike të së drejtës për jetë dhe vdekje (vitae necisque potestas), çiftuar me superfuqinë tekno-ushtarake, qysh ateherë, vetëm kthehet e rikthehet, periodikisht, në territorializimin e saj arabo-persik.
Kështu, një nga vatrat më vendimtare të ngjizjen e atij opus magnum të mendimit bashkëkohor politik, domethënë të mendimit të Giorgio Agamben-it – veçanërisht në strukturimin e tij në ciklin Homo sacer – ka qenë pikërisht Shenja historike që përbën ngjarja e Luftës së Gjirit: demonstrimi spektakolar i shpalosjes së sovranitetit të jashtëzakonshëm, në gjithë rrezatimin e tij të bujshëm, jo vetëm ushtarak, por edhe në gjithë “pafajësinë” e tij, mungesën e justifikimit dhe hiperbolizmin e tij.
Për të folur në gjuhën kantiane, situata ku gjendet filozofia rreth vitit 1990 është ajo e entuziazmit të dyfishtë që përshkon publikun e ri të globalizuar: përballë rënies së Murit dhe përballë Luftës së Gjirit — ose më saktë, përballë shndërrimit pothuajse të menjëhershëm dhe gjithmonë enigmatik të një entuziazmi planetar në tjetrin.
Linja të pavetëdijes: shkretëtira dhe lëkura e bardhë (hyjnore)
Racizmi është xhelozia që emri perandorak ndien ndaj emrave të të tjerëve, atyre të kombeve nomade.
J.-Fr. Lyotard, Le Mur du Pacifique (1974)
Lufta e Gjirit e shkatërron dhe e anakronizon hapësirën evropiane si hapësirë paqeje, si utopi në proces realizimi të paqes së përjetshme. Ajo rikthen mundësinë e luftës si horizont simbolik të pranueshëm, madje të dëshiruar – si atë që, përsëri (dhe me kosto të reja), bën botë. Globalizimi i dhe përmes “demokracisë”, që pasoi rënien e Murit (Fukuyama et alii), dyzohet menjëherë – në të gjitha kuptimet e fjalës – nga globalizimi i dhe përmes luftës. Tashmë, bën botë ajo që është e aftë të shfaqet, të ekspozohet, në mënyrë të pafajshme dhe të pandëshkuar, në formën e teprisë, e lapërdhisë sovrane.
Shkretëtira bëhet kështu vendi fantazmatik par excellence i eksperimentimit të globalizimit, atij që imponohet në emër të shtetit të së drejtës, dhe ku ky i fundit bëhet i padallueshëm nga shteti i luftës, madje nga shteti-për-luftën. Ajo që realizon mbi të gjitha Lufta e Gjirit, si një akt performativ i suksesshëm, është identifikimi dhe legjitimimi i ndërsjellë i të drejtës dhe luftës, nën ombrellën e shtetit.
Prej këtij momenti, çdo e drejtë shtetërore – e brendshme apo e jashtme – mund të ushtrohet si luftë kundër gjithçkaje që bie, në çfarëdolloj mënyre, jashtë fushës demokratike të së drejtës.
“Ne vizatuam një vijë në rërë”: me këtë figurë George Bush shpalli ultimatumin drejtuar Irakut. Në një ese që përpiqet të eksplorojë “pavetëdijen amerikane” të përfshirë dhe të vënë në lëvizje nga kjo luftë, duke vizatuar “disa hartografi të pavetëdijes retorike” dhe linjat e “një historie fantazmatike”, filozofja amerikane Avital Ronell i kushton një rëndësi të veçantë kësaj line, e cila është njëkohësisht edhe një dead-line.
Të vizatosh një vijë në rërë do të thotë të marrësh përsëri kontrollin, duke rimarrë hapësirën në dorë. Sovrani është gjithashtu ai që vizaton linja, sa më larg nga shtëpia e tij. Kjo vijë-revansh në rërën e shkretëtirës merr, në psikikën amerikane, hakun për një vijë tjetër të zhdukur: atë midis Veriut dhe Jugut që dështoi në xhunglën e Vietnamit. Duke fshirë kujtimin e zhdukjes së saj, ajo përpiqet të fshijë edhe traumën. Dhe kështu ribën të mundur, përtej historisë së shekullit, ringjalljen e luftës koloniale.
Ajo gjithashtu zhvendos dhe shtyn larg skenën e operacioneve, rishpërndan vendet e historisë së vërtetë, duke e hedhur tashmë në të kaluarën “antikuare” vijën e vjetër që sovjetikët kishin vizatuar dhe që sapo ishte zhdukur, bashkë me Murin e Berlinit, në zemër të Evropës. Sapo besonte se ishte rikthyer në qendër dhe në ballë të skenës historike – aty ku dhe ishte formuar si zemra e përgjakur e shekullit XX, në Berlin – hapësira evropiane zbulon se është në fakt e anashkaluar, e margjinalizuar, e provincializuar – madje e vasalizuar.
Kjo e bën edhe më anakronike (madje anatopike?) krahasimin e Saddam Husseinit me Hitlerin, aneksimin e Kuvajtit me atë të Sudeteve dhe refuzimin e luftës me “frymën e Mynihut”, edhe kur kjo paraqitet jo si “identitet thelbësor, por analogji”.
Ringjallja e Hitlerit në Lindjen e Mesme mund të jetë ndoshta e nevojshme për psikikën luftarake amerikane (përveçse një operacion propagande shumë i dobishëm, megjithëse i konsumuar). Por rrjedha e historisë kalon tanimë diku tjetër. Rërat e vjetra të Normandisë – dekor sa turistik dhe kinematografik – nuk vizatojnë më asnjë vijë. “Muri i Atlantikut” është vetëm një relike, si katedralet ose kështjellat mesjetare, të cilave për këtë arsye fare mirë mund t’u bëhet arkeologjia. Tani rryma, energjetike, historike, psikike, kalon, në kontakt të drejtpërdrejtë, nga shkretëtira në shkretëtirë, nga Teksasi në Gjirin Persik: How the Middle-East Was Won! Pikërisht përmes këtij komunikimi të mbyllur midis shkretëtirave, hapësira evropiane – tashmë në post-histori – gjendet e përjashtuar në mënyrë radikale.
Kemi të bëjmë pra me një ri-orientim brutal, në të gjitha kuptimet e fjalës: një rishpërndarje të theksimeve historike, kapërcimin e një pragu historik përmes histerizimit të një figure. Nëse adoptojmë perspektivën e një teorie të emrave, si shpalosje e vijave të forcës në histori – si magnetë dhe orientues të zhvillimeve të saj – mund të thuhet se Lufta e Gjirit është momenti që fikson shfaqjen dhe ngritjen e emrit arabo-islamik si kategori qendrore dhe objekt i kontestuar i imagjinatës që mbush horizontin e ri të politikës së globalizuar.
Ajo bëhet pika boshtore rreth së cilës rrotullohet tashmë fantazma e vetëshpallur e “Rendit të Ri Botëror”. Dhe për rrjedhojë, aktori absolut – burimi kryesor, në mos i vetmi – i prodhimit të ngjarjeve me shtrirje planetare. Burim negativ, por gjithsesi burim. Bëhet ngjarje, ka aktualitet dhe na prek gjithçka që lidhet me veprimet dhe përmbajtjen e këtij hiper-emri. Hipersensibiliteti historik ndaj tij është bërë tashmë global dhe vektor madhor i globalizimit. Nga 11 shtatori te lufta në Siri, nga atentatet në Paris dhe veprimet e ISIS-it e deri te rikthimet e disata të embargos ndaj Iranit, prania e këtij emri – njëkohësisht ndarës dhe i ndarë, përçarës dhe i bashkëndarë, i pretenduar dhe i refuzuar – si polaritet i historisë bashkëkohore, vetëm sa është forcuar dhe bërë gjithnjë e më i mprehtë e “therës”.
Duam apo nuk duam, kjo përcakton zonën dhe vektorët e investimeve të fuqishme gjeo-psikike që fiksojnë nyjet e ngjarjeve të historisë së ardhshme. Ajo vizaton kanalet nëpër të cilat do të kalojë këtej e tutje energjia e aktorëve historikë dhe përcakton gramatikën dhe leksikun e identifikimeve.
Kjo do të thotë se kohët që vijnë paralajmërohen si kohët e dominimit konfliktual të Perëndimit më të bardhë dhe më ekstrem në mos ekstremist – atij Perëndimi evangjelik, protestant dhe kapitalist që triumfoi mbi indianët duke përvetësuar shkretëtirën amerikane. Ky Perëndim kërkon (ka nevojë?) të përvetësojë dhe neutralizojë trashëgiminë fantazmatike të shkretëtirës arabe. Të presë, të zbardhë, të vendosë diqysh nën tutelë gjithçka, afër apo larg, që mund të pretendojë t’i raportohet qenësishëm këtij vendi-skenë zanafillor.
Në këtë kuptim, skena e Gjirit – Lufta e Gjirit si skenë primitive: madje dy herë primitive, skenë primitive që vjen e mbulohet, varroset në rërë, konvertohet në një skenë tjetër – është interesante: si shtysë dhe shpalosje e këtij riorientimi fatal të psikikës së bardhë amerikano-perëndimore, teksa befas kaplohet nga detyrimi të përleshet me emrin arabo-islamik– dhe të lajë edhe një herë përfundimisht hesapet me të, duke shpëlarë çdo ngjyrim historiko-mesianik të tij – dhe që ndihet i thirrur të mësyjë shkretëtirat që shtrihen në zemër të pavetëdijes së saj koloniale.
Ajo që bën epokë në Luftën e Gjirit është kjo mbërje absolute e Perëndimit si Perëndim, faza përfundimtare e shpalosjes së esencës së tij. Mbretërimi i teknikës, në kuptimin greko-hajdegerian, vlen si realizimi i vërtetë i teologjikes për Perëndimin. Perëndimi modern është gjithashtu një shkretëtirë fetare. Në punë feje, Perëndimi arrin të prodhojë vetëm teknikë, gjithnjë e më shumë dhe gjithnjë më larg. Vetëm përmes teknikës Perëndimi modern arrin ta prekë të shenjtën. Prandaj edhe martesa midis teknofilisë dhe evangjelizmit në Shtetet e Bashkuara është kaq e suksesshme – padallimi midis predikimit dhe teleshopping-ut.
Nëse GeoBush (siç e quan me nuhatje Ronell) e kaloi vërtet natën para fillimit të luftës me tele-predikuesin Billy Graham, kjo skenë ka një domethënie që shkon shumë përtej anekdotës dhe karikaturës.
Pikërisht ky zot tekniko-ushtarak dhe televiziv, ai që vizaton linja sekulare dhe shkakton “stuhi në shkretëtirë”, është ai që synon të zëvendësojë në skenën e vet zotin e ushtrive të shkretëtirës arabe, atë të një Islami aktiv, i aftë të zgjohet si energji historike dhe identitare.
Ajo që bën epokë është se këtu nuk kemi vetëm një konflikt fuqish, burimesh apo territoresh, por edhe, dhe ndoshta më thellë e para së gjithash, një konflikt pulsional midis dy pavetëdijesh. Ose, më saktë, një konflikt që sillet rreth një pavetëdijeje të caktuar: asaj të lëkurës së bardhë perëndimore, strukturisht perandorake – për të cilën Kalifornia figuron stadin e fundit, sipas përshkrimit aksiomatik të Lyotard-it në vitin 1974: lëkurë e tendosur dhe përshkuar nga lloj-lloj tensionesh, trafiqesh, investimesh. Por mund të ishte Teksasi në 1991-shin apo Florida sot në 2026-ën. Gjeografia pulsionale e territorializimeve histerike të lëkurës së bardhë është lëvizëse. Izraeli është bërë, me kohën një nga hiper zonat e saj, dhe fronti i bardhë po i afrohet ndërkohë Europës.
Bëhet fjalë për konfliktin e kësaj lëkure, në shndërrimin e saj planetar (1991), me atë që ajo përherë e ka pat’ perceptuar si njollën e saj arabo-islame. Epoka që hapet është ajo e “trajtimit” perandorak të kësaj njolle, dhe e kundërgoditjeve përmes të cilave kjo e fundit dhe energjia e saj do të shpojë herë pas here lëkurën e bardhë të Perëndimit. Afërmendsh që Izraeli dhe situata e lëkurës hebraike do të luajnë rol qendror në të.
Askush nuk duhej ta kishte parashikuar më mirë këtë se teoricieni i së patrajtueshmes (intraitable). Por filozofi që dikur qe solidar me “luftën e algjerianëve”, në fund të jetës, të vetmin “algjerian” me të cilin dialogonte kishte shën Agustinin.
[Shënim: versioni i parë, në frëngjisht, i këtij teksti, u botua më 2019 në vëllimin kolektiv: Orient, orierntation, désorientation, réorientation (L. Salza dhe O. Azizaj dir.), bot. Mimésis, që përmblidhte aktet e simpoziumit me të njëjtin titull mbajtur një vit më parë në Universitetin Gallatasaraj, në Stamboll.]
Fotografi e ballinës marrë nga imazhi përfaqësues i filmit ‘Lektionen in Finsternis’ të regjisorit Werner Herzog (1992)
1. Nuk është vetëm logjika e shenjuesit ajo që i përafron gjeneralin Schwarzkopf dhe aktorin Schwarzenegger, i cili pikërisht në vitin 1991 kulmon në triumfin e tij si ikonë planetare me Terminator 2. Por edhe vetë shenjuesi nuk është gjë e vogël tashmë. Fakti që të dy janë kaq thellësisht gjermanikë, pikërisht në vitin e ribashkimit të Gjermanisë, thotë shumë për ndryshimin e epokës… ose për rikthimin/rizgjimin e së pavetëdijshmes perëndimore.
2. “Qysh nga Hiroshima, kurrë nuk ka pasur kaq shumë të vdekur për metër katror”, sipas dëshmisë së një oficeri britanik, të raportuar nga gjenerali në pension Pierre M. Gallois dhe të cituar nga René Dumont, në Cette guerre nous déshonore, bot. Seuil, koleksioni L’Histoire immédiate, Paris 1992, f. 47.
3. Aforizmi dyrasian “Asgjë s’ke parë në…” (Tu n’as rien vu à…) akoma dhe më shumë vlen për këtë luftë të transmetuar ndërkohë drejtpërdrejt në mondovizion, ku padallimi midis luftës dhe superproduksionit hollivudian u bë menjëherë motivi universal i pothuajse të gjitha komenteve. Ishte vërtet, në të gjitha kuptimet e fjalës, një luftë-ekran(e). Shih: J. Baudrillard, La Guerre du Golfe n’a pas eu lieu, Galilée, Paris, 1991.
4. Ertan Kardeş e shtjelloi më në detaje këtë koncept, veçanërisht duke iu referuar Carl Schmitt-it, gjatë ndërhyrjes së tij me titull “Luftërat e çorientuara si problem limit i filozofisë politike” në simpoziumin “Orient, orientation, désorientation”, zhvilluar në Universitetin Galatasaray, Stamboll, shtator 2018, ku u mbajt fillimisht edhe kjo kumtesë.
5. Arsenali i bombardimeve të përdorura gjatë dy muajve të luftës ishte tre herë më i madh se ai që aleatët hodhën mbi Gjermani gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore. Nga kjo pikë-pamje, figurimi më i mirë i Luftës së Gjirit, si luftë e zjarrtë dhe luftë për zjarrin, që shpërhedh ndritshëm në sipërfaqe objektin e errët e të lakmuar të nëntokës, mbetet filmi i Werner Herzog-ut, Lektionnen in Finsternis (1992) – regjistrim i potlach-ut, odë soditëse për dukurinë e “harxhimit” të teorizuar nga Georges Bataille (“La notion de dépense”, 1932).
6. Mbi këtë çarje intime dhe figurat e ndryshme të saj, dhe veçanërisht ilustrimin e spikatur që ajo gjen në polaritetin e dyfishtë të mbiemrave tanë (orientalë) dhe emrave tanë (autoktonë ose perëndimorë), shih, në vëllimin e sipërcituar, Orients, orientations…, tekstin e Ervin Hatibit (sic!), “What is Askeri?”
7. Shih, Michel Foucault, Le corps utopique – Les Hétérotopies, me parathënie nga Daniel Defert, édition Lignes, Paris, 2019. Disa aspekte të rëndësisë se topikës për leximin e aktualitetit politik i pata zhvilluar në një ligjëratë të mbajtur pranë organizatës SKV në maj 2013 në Prishtinë, e cila mund të ndiqet këtu. Për një rishqyrtim të vonët (2026) të konceptit, shih, në ciklin e shkrimeve onlajn të Alain Brossat: “En passant par les hétérochronies aussi”.
8. Nuk mund të thellohemi këtu, por një analizë e diskurseve diagnostikuese të atyre viteve do të tregonte lehtësisht këtë ndarje midis diskurseve që synojnë ta bëjnë të tashmen më të qeverisshme dhe të mbyllin paraprakisht të renë që po vjen, dhe atyre që përpiqen të propozojnë hapjen e diçkaje të re, për të mbajtur gjallë premtimin e një të-ardhmeje.
9. Shih, për shembull, identifikimin e “nyjëtimit” (conjoncture) së viteve ’80 në filozofi-dhe-politikë nga J. Rancière, “La surlégitimation”, në La Tentation de l’Occident, aktet e simpoziumit rreth Luftës së Gjirit, Paris VIII-Vincennes në Saint-Denis, 14 mars 1991, f. 114-121 (ribotuar në J. Rancière, Les Trente inglorieuses, La Fabrique, Paris 2023). Idealizmi intra-filozofik i “momentit”, tek Worms, synon të evakuojë ngarkesën materialiste të “konjukturës”, term që vjen nga Althusser-i. Shtojmë gjithashtu se konstatimi i “mbi-legjitimimit”, si procedurë dominimi që tek Rancière pason “fundin e utopive”, i përgjigjet “delegjitimimit”, që kolegu i tij në Vincennes, Lyotard, kishte identifikuar si bashkë-ekzistues me “fundin e tregimtarive të mëdha”. Shih: J.-F. Lyotard, Kushti postmodern. Raport mbi situatën e dijes, përkth.shqip O. Azizi, Pika pa Sipërfaqe, Tiranë, 2016.
10. “Nyjëtime”, këtu, synon të përcjellë termin frëngjisht conjoncture, të teorizuar veçanërisht nga Louis Althusser, si përshkrim i raportit specifik të forcave në një situatë historike të dhënë, specifikë që përcakton edhe formën dhe rrezen e aksionit politik në të. “Konjukturë” mund të kish qenë fjalë e mirë, por është e zënë.
11. Simetria e përkryer e këtyre dy “pitch”-eve me përhapje dhe sukses të menjëhershëm planetar është tregues jo pak domethënës i funksionimit të tyre si atome përbërëse të së njëjtës makineri mitologjike. Për funksionimin e kumtit mitologjik, shih analizat klasike të R. Barthes, “Miti sot”, në Mitologjitë moderne, përkth. shqip P. Asllani, Pika pa Sipërfaqe, Tiranë, 2016.
12. Atribute qër përshkojnë një rrjet të tërë debatesh e orvatjesh të rikonceptimtit të themeleve të politikës ne vitet 80-90, kryesisht ne tekstet e M. Blanchot, J.-L. Nancy, Ph. Lacoue-Labarthe, G. Agamben, A. Badiou, J. Derrida, etj.
13. “Një nga mësimet më të pakundërshtueshme të luftës së Gjirit është hyrja përfundimtare e sovranitetit në figurën e policisë […] Thelbësore këtu nuk është kërcënimi ndaj atij që shkel të drejtën […], sesa ekspozimi i dhunës sovrane, që dëshmohej tashmë te fqinjësia fizike e konsullit dhe liktorit.” G. Agamben, “La polizia sovrana” (1991), në Mezzi senza fine. Note sulla politica, Bollati Boringhieri, Paris, 1996 (korsivet janë të miat – O.A.). Në këtë tekst të shkurtër, prej vetëm katër faqesh, gjenden tashmë pothuajse të gjitha “fjalët-kyçe” të veprës së ardhshme të Agamben-it. Në një artikull të gjatë të shkruar menjëherë pas ngjarjeve dhe datuar me kujdes në secilin nga momentet e hartimit (shkurt-maj 1991), botuar në Les Temps modernes, nr. 539 (qershor 1991), fq. 1-41, me titull “Guerre, droit, souveraineté – techné”, J.-L. Nancy vëren gjithashtu rikthimin e absolutes Sovrane, e shfaqjes sovrane si formë e re epokale e absolutes historike, dhe shqyrton krizën që kjo krijon për mendimin bashkëkohor, duke propozuar njëkohësisht edhe programin e mendimit që vjen: “Sepse, sa i përket kësaj logjike të përjashtimit sovran, të “sovranit” si qenie “tej-së-drejtës”, nuk shohim ende të ketë ndonjë teori që ta zbërthejë në mënyrë të kënaqshme. […] Mendoj se, mes skemës përherë të ngathët e të vakët të “luftës (policisë) në emër të së drejtës” dhe skemës së ringjallur (artificialisht?) të “luftës sovrane”, nuk disponojmë më asgjë, veç një hapësire krejt të zbrazët. Sot, kjo hapësirë boshe ka pikërisht pamjen e shkretëtirës.”, J.-L. Nancy, art. cit. fq. 9-10.
14. Avital Ronell, “Tropes d’assaut. Une lecture de Tempête du désert”, në Lignes de front, Stock, Paris, 2010, f. 39. Ndër të tjera ajo shkruan: “Vija në rërë, siç do ta shohim, nuk është vizatuar mbi një trup figurativisht indiferent. Më se një herë ky trup është emërtuar si trup femëror, trup nëne dhe trup i ekspozuar ndaj (për)dhunimit.” (po aty, f. 41).
15. Sipas një tribune (“Une guerre requise”) të botuar nga “tetë intelektualë francezë” në Libération, 21 shkurt 1991. Lista e firmëtarëve, ku bën pjesë edhe J.-F. Lyotard, rishkruan kufijtë e rinj të familjeve të mendimit, riorganizimin e tyre pas episodit majtist (‘68 e tutje), që mbeten të vlefshme edhe sot. Vërehet veçanërisht angazhimi pro-luftë në emër të një ndjeshmërie ndaj “çështjes hebraike”, që e zhvendos referencën hebraike në kampin e bardhë të rreshtuar me figurën shtetërore të politikës. Kjo prirje është analizuar nga A. Brossat, te “La guerre des diseurs de ‘oui’”, në Critique communiste, 104-105 (mars 1991), f. 9-14.
16. Shih librin vizionar dhe tashmë klasik të Paul Virilio, Bunker archéologie, éditions du Centre Pompidou, Paris 1975, ribotim Galilée, Paris 2010.
17. Shih, How the West Was Won (1962), film epik western, me regji të tre prej protagonistëve kryesorë të kinemasë klasike amerikane, Henry Hathaway, John Ford dhe George Marshall. Fillimi i luftës dhe bombardimeve ishte më 18 janar 1991: fiks njëqindvjetori i shfarosjes së indianëve Sioux dhe nënshtrimit përfundimtar të fiseve indiane më 16 janar 1891, pas masakrës së Cherry-Creek. Shih artikullin e J. Raabe në La Tentation de l’Occident, fq. 106-113. Për një rrëfim bashkëkohor të ngjarjeve, me një ton shumë domethënës për këtë shfarosje “të trishtueshme por të pashmangshme”, shih C. de Varigny, “La fin d’une race – L’insurrection des Sioux”, në Revue des Deux Mondes, vëll. 103 (1891), fq. 912-939. Mund të lexohet onlajn këtu.
18. Shih A. Badiou dhe J.-C. Milner, Controverse, Seuil, Paris, 2012, ku diskutohet përparësia e emrit “hebre” ose e emrit “proletar” si bartës i vërtetë i realitetit historik të shekullit XX.
19. Ronell vëren me saktësi se kjo “shprehje e dashur për Goebbels-in […], që vjen nga ditari i tij, pati filluar të qarkullojë sërish përmes sintaksës ventriloke të George Bush-it.” A. Ronell, po aty, fq. 24.
20. Deri te kriza e ditëve të këtij mesi qershori 2019, nga e cila mund të pritet rezultati më i keq dhe që paraqitet si një përsëritje e skenës së Gjirit, me kërkimin tepër të dukshëm të preteksteve për shpërthimin e një konflikti, pas dy luftërave të pretekstuara tashmë. [Ky ishte shënimi i vitit 2019 gjatë botimit të tekstit. Po e le këtu edhe si dëshmi historike, edhe si rikujtesë të përsëritjes, që mund të bjerë në harresë nga aktualiteti i sotëm i bombardimit dhe luftës rreth Ormuzit, aq i ngjashëm, që tregon se çdo përsëritje shkon edhe më në ekstrem. Përsëritja e ekstremizuar tregon pikërisht simptomën e obsesionit.]
21. Në këtë kontekst, reportazhet e M. Foucault rreth revolucionit iranian në 1978-79, edhe pse askush s’duket se ka guximin t’i përmendë më sot, këto faqe që, për disa, mbajnë era squfur, rimarrin vlerë dhe hedhin një ndriçim të mirëpëritur inaktual mbi të sotmen.
22. “Lëkura e bardhë e grave të Perëndimit, pra e më perëndimoreve ndër amerikanet e Evropës, është Perëndimi absolut. Quaj Kaliforni situatën e sotme të kësaj lëkure. Kjo lëkurë e detyron çdo dëshirë që ajo ngjall të vendoset ndaj saj në pozicion zezak, indian, metek – ose tutor.” J.-F. Lyotard, Le mur du Pacifique, Galilée, Paris, 1979, f. 17-19 (teksti daton në korrik 1974). Vlen të vihet re se, në këtë tekst, që vendoset “nga pikëpamja e një historie që nuk është më ajo e historianëve”, por në një “hapësirë-kohë të pulsioneve” (f. 73), figura hebraike gjendet ende në anën e metekëve, përballë asaj që ai e quan “La Césare blanche” (f. 35).
23. Shih, Jean-François Lyotard, La Guerre des Algériens, Ecrits, 1956-1963, Galilée, Paris, 1989, dhe La Confession d’Augustin, Galilée, Paris 1998.

