Një djalosh qëndron ulur majë malit të Kakariqit në të gdhirë, teksa vështron qendrat italiane të paraburgimit për migrantët ndërtuar rishtazi pranë shtëpisë së tij në fshatin Gjadër. Korrik 2025. Foto: Klodiana Millona

Europa shtrin kolonitë e saj penale në Shqipëri

Qendrat italiane tej territoriale të paraburgimit të migrantëve e kthejnë Shqipërinë në një karakollë 1 të Bashkimit Europian.

Klodiana Millona & Kristina Millona | nyje.al | 14.03.2026

Ky artikull është shkruar fillimisht në anglisht dhe publikuar në platformën Failed Architecture si pjesë e serisë Everywhere Walls, Borders, Prisons. Në shqip vjen i përshtatur nga redaksia e Nyjes.

Në Gjadër, fshati i vogël në veriperëndim të vendit, nën diellin përcëllues të korrikut, rrugët janë të zbrazura. Me rëndësi strategjike përgjatë periudhës komuniste, fshati i bënte vend bazës më të rëndësishme ushtarake në rajon.2 Në atë periudhë, qielli gumëzhinte nga zhurma e avionëve në ulje teksa i drejtoheshin hangarëve të mëdhenj nëntokësorë të ndërlidhur përmes një rrjeti tunelesh. Pas rënies së komunizmit, baza u braktis dhe fshati u zbraz gradualisht për shkak të migrimit masiv. Sot kanë mbetur vetëm pak familje, shumë prej të cilave janë ende të lidhura ngushtë me kujtimet e jetës së dikurshme në Gjadër. Në njërin nga tre lokalet e vetme përgjatë rrugës kryesore të fshatit, takuam Jetmirin*, një i ri shqiptar i deportuar së fundmi nga Franca. “Më kthyen në Shqipëri para dhjetë ditësh,” na tregon teksa rrufit birrën. Si shumë të rinj të tjerë nga ky fshat i vogël, Jetmiri u largua nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë. Mirëpo, ëndrra e tij u ndërpre kur policia franceze e kapi pa dokumente.

Vetëm pak kilometra nga vendi ku gjendet i ulur Jetmiri, në truallin e ish-bazës ushtarake, ngrihet një kamp refugjatësh, i vendosur midis malit të Kakariqit nga njëra anë dhe lumit Drin nga ana tjetër. I patrulluar dendurazi nga policia italiane, kampi është i rrethuar me mure pesë metra të larta që formojnë një enklavë të blinduar, të paqasshme dhe të veçuar nga mjedisi? përreth. Pas këtyre mureve perimetrike gjenden njerëz me ëndrra të ngjashme me ato të Jetmirit: ndërtimi i një jete dinjitoze diku tjetër për t’i shpëtuar varfërisë apo për t’i ikur luftës. Megjithatë, të ndërtuara në emër të “sigurisë publike”, ngrehina të tilla arkitekturore të frikës janë të parat që i burgosin këta njerëz, para se të deportohen të prangosur drejt Shqipërisë, ku më pas izolohen në qeli kafaz brenda kampit të Gjadrit. Të ndëshkuar duke ua kriminalizuar kërkimin e një të ardhmeje më të mirë, këta migrantë trajtohen si të paraburgosur sipas marrëveshjes famëkeqe Itali–Shqipëri3, e cila procedurat e azilit dhe deportimit italian i zhvendos në territorin shqiptar, nën juridiksionin italian.

Modulet metalike të parafabrikuara dykatëshe që përbëjnë perimetrin e parë të qendrave italiane të paraburgimit për migrantët në Gjadër, Shqipëri, siç shihen nga mali përreth. Tetor 2024. Foto: Klodiana Millona
Një bari vendas duke kullotur delet pranë perimetrit të rrethuar të qendrave italiane të paraburgimit në Gjadër, Shqipëri. Maj 2025. Foto: Klodiana Millona

​​Mikpritje e trilluar

“‘Qendra mikpritjeje’, kështu emërtohen në legjislacionin e Bashkimit Europian,” deklaroi kryeministri shqiptar teksa merrte në mbrojtje marrëveshjen kontraverse  Itali–Shqipëri për migrantët. Duke e paketuar si një gjest reciprok – “Italia ka bërë shumë për ne,” tha ai – iu referua mikpritjes së pandehur ndaj refugjatëve shqiptarë kur këta iu drejtuan me mjete lundruese brigjeve italiane në vitet ’90. Mirëpo kjo referencë historike bie në kontrast të fortë me përvojat e jetuara të shqiptarëve të asaj kohe: zbimi me forcë i gomoneve, ndalime masive në stadiume dhe diskurse politike “pushtimi”. Në emër të humanitarizmit, Italia ka ndërtuar qendra jashtëterritoriale ndalimi në territorin shqiptar; institucione të paraqitura si vende përkujdesjeje, por që funksionojnë si gardhime burgimi. Këto janë arkitektura mikpritjeje të trilluar: struktura izolimi të ripaketuara estetikisht dhe gjuhësisht për t’ua fshehur dhunën që ushtrojnë mbi trupat e të “paraburgosurve”

Imazh satelitor i qendrave italiane në Gjadër, që ilustron shkallën e tyre disproporcionale (70 000 m²) dhe përdorimin e elementeve të peizazhit përreth — mali Kakariq në perëndim dhe lumi Drin në lindje — për të përforcuar dizajnin e tij penitenciar. Imazhi është nga sateliti Copernicus Sentinel-2 (2025), i vizualizuar përmes Sentinel Hub EO Browser.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në fund të vitit 2023, qeveritë italiane dhe shqiptare prezantuan Memorandumin e Mirëkuptimit (MeM) të nënshkruar duke e kremtuar si modelin e së ardhmes për qeverisjen e migrimit. Marrëveshja e shpallur, e prezantuar si pjesë e përpjekjeve më të gjera të Italisë për shkurajimin e migrantët nga prirja drejt brigjeve të saj, mundësoi ndërtimin e qendrave të migrantëve në territorin shqiptar. Këto enklava funksionojnë sipas legjislacionit italian. Italia ushtron autoritet të plotë, ndërsa roli i Shqipërisë kufizohet në mbikëqyrjen e perimetrit të jashtëm. Marrëveshja Itali–Shqipëri ilustron njëkohësisht si emetimin e kufijve, duke zhvendosur në një shtet tjetër funksione që zakonisht kryhen brenda territorit të një shteti, ashtu edhe eksterritorializimin, pasi Italia ruan autoritet të plotë mbi procedurat e azilit dhe mbi kontrollin e kufirit të zhvendosur.

Italia brenda Shqipërisë: zona në toka shqiptare të kufizuara si territor italian, ku qëndrojnë enklavat italiane të ndalimit të migrantëve.Vizatimi: Klodiana Millona

Dizajni si burgim

Migrantët e pikasur nga roja bregdetare italiane në ujëra ndërkombëtare transferohen në Shqipëri. Pa marrë parasysh rrethanat e tyre individuale dhe udhëtimet e gjata traumatike, kërkesat e tyre për azil i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara. Të kritikuara nga juristët e të drejtave të njeriut si të paligjshme, këto procedime të përshpejtuara të aplikimeve për azil dhe në kushte arbitrare paraburgimi e kufizojnë ndjeshëm kohën e qasjes në (dhe përgatitjes për) ndihmë ligjore. Frika nga një vendim i rrufeshëm rrezikon shëndetin mendor të azilkërkuesve të ndaluar. Në lidhje me të drejtën proceduriale, afatet më të shkurtra mund të shpien në vendime më arbitrare dhe më pak të informuara mbi kërkesat për azil. Këto procedura të përshpejtuara jashtë territorit zbatohen vetëm për migrantët e pikasur në det dhe që vijnë nga të ashtuquajturat vende të sigurta, bazuar në konsideratën se vendet e tyre të origjinës nuk paraqesin rrezik. Pas një kontrolli fillestar mjekësor në ujëra ndërkombëtare, përzgjidhen vetëm ata që konsiderohen të shëndetshëm dhe jo vulnerabël. Në praktikë, përjashtohen gratë dhe të miturit. Kjo do të thotë se vetëm burrat, të kategorizuar si “të përshtatshëm për paraburgim”, transferohen dhe paraburgosen arbitrarisht në qendrat e zhvendosura jashtë territorit italian në Shqipëri. Ata që nuk marrin statusin e refugjatit përballen me dëbime, teksa garancitë e parashikuara nga e drejta e azilit në BE anashkalohen.

Hotspot-i dhe qendra Italiane e trajtimit fillestar e ndodhur brenda portit të Shëngjinit shërben si pika e parë e hyrjes për migrantët e deportuar në Shqipëri. Maj 2025. Foto: Klodiana Millona

Hotspot-i, ose qendra e trajtimit fillestar, ndodhet brenda portit të Shëngjinit, një qytet turistik bregdetar njëzet kilometra në jug të Gjadrit. E rrethuar nga një mur pesë metra i lartë, ajo shërben si pika e parë e hyrjes për migrantët e deportuar në Shqipëri. Pas zbarkimit, ata shoqërohen në një zonë të izoluar ku i nënshtrohen procedurave të identifikimit dhe kontrollit mjekësor. Aty autoritetet italiane regjistrojnë kërkesat për azil dhe vlerësojnë nëse individët plotësojnë kriteret e vulnerabilitetit. Ata që i plotësojnë përjashtohen nga procedurat e përshpejtuara jashtë territorit dhe kthehen në Itali. Migrantët e mbetur, të konsideruar “të përshtatshëm për paraburgim”, transferohen në kampin e Gjadrit të ndarë në tre seksione: i pari me kapacitet 880 vende për azilkërkuesit në procedurë të përshpejtuar brenda 28 ditësh; i dyti, një qendër para-dëbimi me 144 vende për ata që presin riatdhesimin; dhe i treti, me 20 vende, përbën de-facto një burg për migrantët që i nënshtrohen procedimit penal.

Marrëveshja Itali–Shqipëri për migrantët në praktikë: Hapësira të riorganizuara, arkitektura të imponuara dhe territore të prekura. Vizatimi: Klodiana Millona

Pas pezullimit ligjor të operacioneve të para nga vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, qendrat kanë ndryshuar përdorim nga funksioni i tyre fillestar. Nëse më parë kanë shërbyer si objekte jashtëterritoriale për shqyrtimin e azilit – i zbatueshëm vetëm për migrantët e pikasur në det para mbërritjes në brigjet italiane – tani janë shndërruar në qendra dëbimi ku migrantët pa dokumente me urdhër deportimi dërgohen drejtpërdrejt nga brenda territorit italian drejt e në Gjadër. Të kriminalizuar nga gjuha politike si shumë të rrezikshëm, migrantët shoqërohen me pranga nga Italia për në Shqipëri. Pasi hyjnë në kampin e Gjadrit, migrantët zhduken nga rrezja e shikimit prapa mureve që i izolojnë nga bota e jashtme. I vetmi pikëvështrim që depërton brenda është mali i Kakariqit, i cili shënjon kufirin fizik të kampit duke mbetur elementi i vetëm i dukshëm përtej rrethimit të tij. Në këtë mënyrë, peizazhi shndërrohet në një mjet burgimi dhe, paradoksalisht, shërben si e vetmja pikë referimi ndaj një jashtësie që mbetet e paarritshme. Jeta e përditshme e migrantëve – vaktet e ushqimit dhe shoqërizimit – zhvillohet me të njëjtët individë të izoluar në qeli të parafabrikuara brenda një oborri të kufizuar ngjashëm me një kafaz.

Marrëveshja Itali–Shqipëri për migrantët në praktikë: Strukturat jashtëterritoriale për shqyrtimin e azilit tashmë të shndërruara në qendra dëbimi. Vizatimi: Klodiana Millona
Foto majtas: Muri i jashtëm i qendrës italiane të paraburgimit. Pamja nga një oborr i një familjeje përgjatë lumit Drin në Gjadër. Maj 2025. Foto: Klodiana Millona – Foto djathtas: Plani i kompleksit të qendrave italiane të paraburgimit, i përpiluar përmes fragmenteve të dokumenteve zyrtare të siguruara, imazheve me burim të hapur dhe dëshmive të drejtpëdrejta nga ish-punonjës.Vizatimi: Klodiana Millona

Të zhveshur nga humaniteti i tyre, të izoluarit reduktohen në numra dhe vendosen nën mbikëqyrje nga dhomat e centralizuara të survejimit brenda kampit. Trajtimi i migrantëve si “kokë turku” dhe paraqitja e flukseve të tyre si një valë për t’u mbikqyrur e kanë normalizuar natyrën vdekjeprurëse të kufijve4, ku njerëzit në lëvizje trajtohen si të dhëna për t’u përpunuar. Siç e shpjegojnë anëtarët e organizatave të të drejtave të njeriut që u është lejuar inspektimi, ‘Sa herë që duam të flasim me migrantët, autoritetet na pyesin “me cilin numër doni të flisni”’, thotë eurodeputetja holandeze Anna Strolenberg. As kombësia, as emri, as mosha nuk jepen për identifikim. Gjuha e përdorur nga udhëheqësit politikë për t’i “humanizuar” këto qendra paraburgimi, përmes termave si “mikpritje”, nuk arrin ta fshehë armiqësinë e ngulitur në dizajnin e tyre të dhunshëm, i cili i izolon rrënjësisht të paraburgosurit me trupat, zërat dhe jetët e tyre nga bota e jashtme. Kështu, koncepti i mikpritjes shtrembërohet kur vihet përballë forcës simbolike të përftuar nga këto qendra jashtëterritoriale si kërcënim me dëbim jashtëterritorial ndaj migrantëve që mbërrijnë në territorin europian.

Teksa ish-ambasadori italian i ka prezantuar publikisht si vende përkujdesjeje, këto kampe paraburgimi janë estetizuar përmes përshkrimit me elemente dizajni si ambiente gjithëpërfshirëse, sikur të ishin resorte tërheqëse pushimi. Mirëpo, si mundet të shërbejë izolimi arbitrar si model mikpritjeje për migrantët? Trauma e shkaktuar gjatë paraburgimit në kampin e Gjadrit i ka shtyrë tragjikisht shumë persona drejt vetëdëmtimit, siç janë raportuar5 tentativa të shumta vetëvrasjeje të të izoluarve.

Muri rrethues pesë metra i lartë i qendrës italiane të paraburgimit për migrantët që përshkon peizazhin e Gjadrit. Korrik 2025. Foto: Klodiana Millona

Një vazhdimësi e kufizimit kolonial: gjenealogjia qarkore e demarkimit

Gjadri sot qëndron pezull midis hipervizibilitetit, si pjesë e spektaklit përforcues të arkitekturës italiane të kontrollit kufitar, dhe padukshmërisë, e mirëmbajtur nga konstrukti kolonial i zbrastësisë6 që u vishet territoreve ku shpaloset jashtësimi i kufijve përmes paraqitjes së tyre si toka boshe, të zhveshura nga historitë dhe prania e vendasve për të justifikuar aktivitete ekstraktiviste. Si pjesë e regjimit të pamores7, i cili vihet në lëvizje për ta bërë të dukshme në mënyrë spektakolare “paligjshmërinë” e migrantëve dhe për të normalizuar penetenciaritetin e dhunshëm të kufijve, përforcohen edhe një sërë arkitekturash duke kulmuar në vetë atë të kampit. Prania e tyre materiale në kujtesën kolektive shqiptare nuk është e re. Secila prej këtyre arkitekturave mbart hijen koloniale në formën e infrastrukturës kufitare që përndjek dhe jehon në kontekstin lokal, gjë që e përgënjeshtron pretendimin se vendi është tokë e shkretë. Tre transferime migrantësh pikasur në ujërat ndërkombëtare, transferime të mbështetura në marrëveshjen Itali-Shqipëri dhe të kryera nga anije luftarake të klasit Cassiopea, përfshinë vetëm migrantë meshkuj: 16 në operacionin e parë, 8 në të dytin dhe 49 në të tretin. Me gjatësi 79.8 metra dhe gjerësi 11.8 metra, të pajisura me armë dhe sisteme kontrolli zjarri, këto anije shfaqeshin me një madhësi teatrale teksa i afroheshin portit shqiptar të Shëngjinit.

Disproporcionet kanë efektin e tyre në hapësirë, nuk mjaftohen vetëm me shenjimin e pabarazisë, por edhe e prodhojnë atë, duke e zgjeruar optikën e kanosjes për të justifikuar dhunën në këmbim. Madhësia e jashtëzakonshme e anijeve, kundrejt numrit të vogël të individëve të paarmatosur që ato transportonin, manifeston një tepri të përllogaritur. Nuk bëhet fjalë për logjistikë transporti, por për koreografi: migrantët nuk shpëtohen, por interceptohen; nuk asistohen, por izolohen. Vënia në pah e burrave të interceptuar – fillimisht të izoluar në anije të militarizuara dhe më tej prapa mureve pesë metra të larta në kampin në Gjadër – prodhon një gramatikë pamore ku maskuliniteti kthehet në sinonim të rrezikut. Këto semiotika nuk janë të huaja për Shqipërinë, dhe as nuk është i huaj theksi italian që i artikulon ato. Me të njëjtën gjatësi dhe madhështi si Cassiopea, e prodhuar nga i njëjti ndërtues anijesh (Fincantieri S.p.A)8, pothuaj tre dekada më parë, në copëzën e detit që ndan dy Europat, një tjetër anije lufte italiane, Sibilla, u dërgua për të ndjekur dhe shtyrë mbrapsht Katërin e Radës, një anije  të tejmbushur me refugjatë shqiptarë që po largoheshin drejt Italisë në 1997. Kjo bllokadë detare kulmoi në tragjedinë e Otrantos9 me 81 shqiptarë të mbytur, kryesisht gra dhe fëmijë, 31 prej të cilëve nën moshën 16 vjeç, teksa anija e mbingarkuar u përmbys pasi u godit nga korveta e Marinës Italiane Sibilla. Njëzet e katër trupa mbeten të zhdukur deri më sot. Deti nuk harron.

Anija luftarake italiane e klasit Cassiopea “Libra” duke lënë portin shqiptar të Shëngjinit, më 16 tetor 2024, pas transferimit të 8 migrantëve të parë të interceptuar në det drejt qendrave të ndërtuara nga Italia në Shqipëri. Foto: Klodiana Millona

Kjo ngjarje historike shënon stadin e dhunshëm të epokës së siguritizimit të migracionit nga Italia, ku shqiptarët u paraqitën si “ilegalët”10 e parë pas Luftës së Ftohtë. Teksa mijëra prej tyre arratiseshin nga trazirat politike që pasuan rrëzimin e komunizmit, shqiptarët shpejt u përbuzën si kriminel të rrezikshëm pas mbërritjes në Itali me gomone dhe anije. Sajë një konsensusi politik në rritje për të ndaluar atë që u paraqit si “pushtimi shqiptar”, Italia vendosi një bllokadë detare për të zbuar pas anijet që transportonin migrantë shqiptarë, madje duke patrulluar detin edhe brenda ujërave shqiptare. Tragjedia e anijes Katëri i Radës ishte pjesë e kësaj bllokade dhe e këtyre operacioneve të hershme të zbimit në det, si dhe e marrëveshjeve dypalëshe italo-shqiptare, të cilat i paraprinë herët marrëveshjeve italo-libiane dhe italo-tuniziane.11

“Mënyra për ta ballafaquar pushtimin shqiptar është përmes zbimit të tyre pas në det,”12 deklaroi Irene Pivetti, ish-deputete italiane, në 1997. Me thirrjet për mbrojtjen e kufijve italianë nga avitjet e shqiptarëve, këto deklarata politike u përhapën gjerësisht në vitet 1990, teksa shqiptarët që iknin masivisht drejt Italisë u bënë pleksja e një paniku moral.13 Ardhja e anijes “Vlora” në Bari më 8 gusht 1991, me njëzet mijë persona në bord, është ende e ngulitur në kujtesën kolektive italiane. Para se të shpërnguleshin, mijëra shqiptarë u mbajtën të bllokuar në stadiumin e qytetit, i cili u shndërrua në një kamp që Giorgio Agamben e krahasoi me kampet e përqendrimit.14 Ky imazh është ngulitur kaq thellë në arkivin pamor të ardhjeve të refugjatëve sa vazhdon të riqarkullohet pa teklif dekada më vonë nga gazetarë që shërbejnë si bashkëarkitektë të spektaklit të paligjshmërisë. Të zhveshur nga historia specifike, ato imazhe përdoren rëndom për të ilustruar raste të tjera të largëta kalimi në Mesdhe, si ardhja e refugjatëve sirianë, duke shkrirë kështu tragjedi të veçanta në një imazh të vetëm dhe të përgjithshëm të migracionit si kërcënim.

Siç argumenton studiuesi Maurizio Albahari, përvojat e hershme të migrantëve shqiptarë të bllokuar në stadium nga autoritetet italiane shërbyen si gur themeli për institucionalizimin e asaj që më pas u paketua si qendra për mbajtjen e migrantëve. Sot ato përbëjnë modelin për qendrat e paraburgimit për migrantët në Gjadër. Shqipëria, e pozicionuar prej kohësh si “Tjetri i brendshëm” i Europës – i orientalizuar, ballkanizuar dhe i skajuar – tani detyrohet të imitojë kontrollin kufitar europian përmes pushtetit të deleguar. Shqipëria është “gati e njëjta, por jo tamam”; pothuaj brenda kufirit, por funksionalisht jashtë tij. Territori i saj bëhet një skenë për koreografinë penitenciare europiane, ku teknikat e kontrollit kufitar ushtrohen dhe rafinohen. Shqipëria tani e përforcon kurthimin në emër të të tjerëve, kurthimin e atyre të konsideruar edhe më të pavlerë, më të huaj, më kërcënues, teksa mbetet vetë e kurthuar. Në miqësinë e sotme post-koloniale me Italinë15, ironia është brutale: teksa shqiptarët vazhdojnë të përbëjnë një nga kombësitë më të mëdha16 të mbajtura në burgjet italiane dhe në qendrat e azilit, vendi i tyre i origjinës konvertohet njëkohësisht në një zgjerim eksterritorial të të njëjtit regjim penitenciar. Në një ironi tjetër të hidhur, më 8 prill 2025, anija patrulluese e Marinës Italiane “Libra”, më herët e përdorur për dy transferimet e para të migrantëve të pikasur në det drejt qendrës së ndalimit të Gjadrit, iu dhurua zyrtarisht Marinës Shqiptare.17

Fusha bujqësore, shtëpi familjare, lumi Drin dhe Qendrat Italiane të Paraburgimit për migrantët në Gjadër, Shqipëri. Korrik 2025. Foto: Klodiana Millona

Diplomacia mbi migrimin përbrenda farkëtimit kolonial të kontrollit kufitar

Edhe pse jashtësimi i kufijve ka qenë prej kohësh një mekanizëm i BE-së për të kontrolluar migracionin përtej kufijve të saj juridikë, i materializuar në marrëveshje si ato me Turqinë, Libinë, Tunizinë, Mauritaninë dhe me të tjera, ai është zhvilluar në një strategji tejet të gjerë përmes bashkëpunimit shtesë me të ashtuquajturat shtete të treta. Kjo shihet qartë në marrëveshjet e reja për migrantët të negociuara me shtetet fqinje jashtë BE-së në Ballkan për t’i zhvendosur kufijtë jashtë territorit duke vendosur qendra ndalimi në “periferitë” e kontinentit. Këto taktika për menaxhimin e migracionit përtej kufijve të BE-së kanë avancuar një formë të re të diplomacisë mbi migrimin. Siç argumenton studiuesi Piro Rexhepi18, shtetet e Ballkanit Perëndimor të pozicionuara përgjatë kufirit të BE-së kanë fituar influencë diplomatike duke vepruar si portierët e saj. Përmes zgjerimit të kufijve italianë brenda territorit shqiptar, këto qendra penitenciare mbajnë në këmbë “enklavat gardhuese të supremacisë së bardhë,” duke filtruar migrantë “të padëshiruar” jashtë Europës dhe duke shtyrë më tej dallimet mbi atë se kush konsiderohet më plotësisht njeri. Pavarësisht ricilësimit të qendrave të ndalimit si qendra “humanitare” trajtimi, dukshëm shihet se brutaliteti i tyre infrastrukturor shërben si një mekanizëm për kontroll popullsish në baza racore. Kemi të bëjmë me aparate dhune që ua privojnë arbitrarisht lirinë burrave të demonizuar si kriminelë, dhe që e përforcojnë më tej zinxhirin e padrejtësisë racore.

Siç shpjegon juristja Nadine El-Enany19, kjo politikë e largon vëmendjen nga shkaqet rrënjësore të shpërnguljes së detyruar, shumë prej të cilave burojnë nga historitë e ekstraktivizmit europian që i ka varfëruar dhe destabilizuar vetë vendet nga të cilat vijnë shumica e azilkërkuesve. Shumë politikanë në BE, duke u munduar të ofrojnë “zgjidhje” për “problemin e migrimit,” harrojnë se vetë qeveritë e tyre janë arkitektet e kushteve që e mundësojnë atë. Pavarësisht të gjithë mizorisë kthyer në spektakël për të shkurajuar migrantët, njerëzit do të vazhdojnë të ndjekin rrugë të rrezikshme për aq kohë sa alternativa ndaj migrimit është vdekja. Tentativat e tyre do të vazhdojnë edhe nëse do të përballen me rrezikun e dëbimit të detyruar dhe të mbajtjes në qendra të largëta tej bregut, si ato në Shqipëri. Larg prej imazhit të mikpritjes, këto kampe janë arkitektura përjashtimi, të dizajnuara për të fshirë obligimet ligjore dhe morale të Europës duke i deleguar ato përtej kufijve të saj. Kemi të bëjmë me manifestime hapësinore të një regjimi që trillon kujdesin, teksa institucionalizon braktisjen dhe mizorinë.

Qendrat italiane të migrantëve në Gjadër, Korrik 2025. Foto: Klodiana Millona

Më 23 dhe 24 shkurt, një delegacion me organizata të shoqërisë civile në Itali, së bashku me deputeten italiane Rachele Scarpa, vizituan sërish qendrat në Gjadër, ku gjetën rreth 90 persona të transferuar dhe të ndaluar, numri më i lartë që nga hapja e qendrave në tetor 2024. Ky numër emigrantësh është befasues, pasi transferimet drejt Shqipërisë duhej të ishin pezulluar për shkak të dy referimeve të bëra nga gjykata italiane vitin e kaluar në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, e cila pritet të japë vendimin e saj mbi përputhshmërinë e këtyre transferimeve me ligjin dhe direktivat e BE-së. Pavarësisht kësaj, qeveria italiane jo vetëm që nuk ka pezulluar operacionet matanë detit Adriatik, por ka rritur ndjeshëm edhe transferimet nga qendrat italiane drejt Shqipërisë. Sipas inspektimit të fundit të pavarur, përgjatë muajit shkurt kanë ndodhur dy transferime me afërsisht 35 persona secili. Këto shifra tregojnë vullnetin e qeverisë për të normalizuar funksionimin e qendrës, duke e konsoliduar atë si pjesë strukturore të sistemit të ndalimit administrativ, pavarësisht referimeve ende në pritje pranë GJED-së, duke regjistruar një tjetër seri shkeljesh nga ana e autoriteteve italiane. 

Shënime redaksionale:

* Emri i ndryshuar për arsye anonimati

** Në përshtatjen në shqip kemi zgjedhur ta përkthejmë togfjalëshin “detention centers” herë si “qendra ndalimi” (përkthim fjalë për fjalë), e herë si “qendra paraburgimi”. Edhe pse qendrat e ndalimit nuk konsiderohen qendra burgimi, por forma ndalimi të përkohshme administrative që mund të shoqërohen (ose jo) me masa riatdhesimi, autoret e bëjnë të qartë lidhjen e këtij ndalimi me izolimin e trupave të migrantëve, shndërrimin e tyre kryekëput në qendra dëbimi dhe kriminalizimi. Në këtë mënyrë, koncepti i tij zgjerohet deri në forma që i afrohen masës penale të paraburgimit sipas legjislacionit shqiptar.

1. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe karakolla i referohet konstrukteve të thjeshta dhe të ngushta të ngritura si kulla me mur ose prej dërrase dhe që shërbejnë si vendrojë për të ruajtur kufirin, perimetrin dhe hyrjen e institucioneve si repartet ushtarake dhe burgjet

2. Abrahams, Fred. Modern Albania: From Dictatorship to Democracy in Europe. New York University Press, 2015.

3. Protokoll ndërmjet qeverisë italiane dhe këshillit të ministrave të Shqipërisë. Përkthyer nga Giovanni Meledandri, Odysseus Academic Network, Nov. 2023, https://odysseus-network.eu/wp-content/uploads/2023/11/Protocol-between-the-Government-of-the-Italian-Republic-and-the-Council-of-Minister-of-the-Albanian-Republic-1-1.pdf  

4. Koncepti i Achille Mbembe-së, Nekropolitika, përshkruan pushtetin sovran i cili vendos se kush mundet të jetojë e kush të vdesë, sidomos përbrenda hapësirave dhe regjimeve që i ekspozojnë popullsitë e skajuara – si migrantët dhe refugjatët – ndaj kushteve ekstreme dhune dhe vdekjeje. Në kontekstin e regjimeve kufitare europiane, nekropolitika manifestohet si një menaxhim sistematik i jetës dhe vdekjes përmes politikave dhe praktikave që i trajtojnë njerëzit e zhvendosur si të likuidueshëm, duke i nënshtruar ndaj masave parandaluese vdekjeprurëse dhe proceseve burokratike çnjerëzore. Shiko Mbembe, Necropolitics, Duke University Press, 2019.

5. https://euronews.al/en/italian-media-on-gjader-ghost-facility-migrants-have-attempted-suicide/

6. Këtu huazojmë nga qasja teorike e veprës së Samia Henni, Deserts Are Not Empty, në të cilën ajo shqyrton se si fuqitë koloniale e kanë përdorur nocionin e zbrastisë për të legjitimuar veprimtari shkatërruese – si testimi nuklear në Saharanë e Algjerisë – duke i trajtuar këto toka si territore boshe të lira për shfrytëzim dhe dhunë, që anashkalojnë praninë, historitë, dhe të drejtat e popullsive vendase.

7. Po e përdorim regjim të pamores duke e huazuar nga nocioni i Nicholas De Genova i cili pëshkruan sesi pushteti shtetëror, mediatik, dhe ligjërimi publik prodhojnë dhe qarkullojnë imazhe të migrimit – shpesh duke i inskenuar kufijtë si teatralizime kanosjeje, shpëtimi dhe kontrolli – të cila i paraqesin migrantët tejet dukshëm ose si kriminelë të rrezikshëm ose si viktima meritore dhe teksa e fshehin dhunën strukturore dhe realitetet e përditshme të migrimit.

8. The Cassiopea and Sibilla are both corvettes built by Fincantieri S.p.A. https://www.seaforces.org/. Accessed 12 Aug. 2025.

9. Leogrande, Alessandro. Il naufragio: Morte nel Mediterraneo. Feltrinelli Editore, 2011.

10. De Genova, Nicholas. “Spectacles of Migrant ‘Illegality’: The Scene of Exclusion, the Obscene of Inclusion.” Ethnic and Racial Studies, vol. 36, no. 7, 2013, pp. 1180–1198

11. Maurizio Albahari, Crimes of Peace: Mediterranean Migrations at the World’s Deadliest Border (Philadelphia: University of Pennsylvania Press, 2015), 60.

12. Zheji Ballo, Geri. “ALBANIA: Quando la Pivetti disse ‘Buttiamoli a mare’. Intervista ad Alessandro Leogrande.” East Journal, 29 June 2025, www.eastjournal.net/archives/11135. Accessed 12 Aug. 2025. 

13. Bego, Fabio. “How Fear of Albanians Went Mainstream in 1990s Italy.” Balkan Insight, 13 Apr. 2023, balkaninsight.com/2023/04/13/how-fear-of-albanians-went-mainstream-in-1990s-italy/

14. Agamben, Giorgio. Homo Sacer: Sovereign Power and Bare Life. Përkthyer nga: Daniel Heller-Roazen, Stanford University Press, 1998, pp. 98–99.

15. Siç edhe e ilustron historiania Enriketa Pandelejmoni në punën e saj akademike, Italia Fashiste ka ushtruar influencë dhe kontroll kolonial mbi Shqipërinë nën petkun e modernizimit – fillimisht përmes dominimit ekonomik dhe politik (duke filluar nga viti 1925), dhe më pas përmes një pushtimi të drejtpërdrejtë ushtarak (nga viti 1939 në vitin 1943). Për lexime të mëtejshme: Pandelejmoni, Enriketa. “Italian Fascist Modernisation and Colonial Landscape in Albania 1925-1943.” Perspectivas – Journal of Political Science, vol. 25, 17 Dec. 2021, pp. 43–56, https://doi.org/10.21814/perspectivas.3243.

16. Antigone. Xenophobia Behind Bars: Foreign Nationals in the Italian Prison System. Antigone Association, 2023.

17. https://euronews.al/en/albania-italy-agreement-signed-libra-patrol-ship-donated-to-the-military/

18. Rexhepi, Piro. White Enclosures: Racial Capitalism and Coloniality along the Balkan Route. Duke Press , 2023, pp. 5–6

19. El-Enany, Nadine. “What Is Rwanda?” Managing Displacement. Outsourcing. , by System of Systems, GBP, 1 Dec. 2024, p. 88.