Nevoja për një spital në Kamëz

Osman Stafa | 22.06.2025 | nyje.al

Bashkia Kamëz, renditet si një ndër gjashtë bashkitë më të mëdha në vend, por ndryshe nga pesë të tjerat, ky qytet nuk e ka një spital. Nevojat e spitalit dhe të urgjencave mjekësore i përballon një Qendër Shëndetësore, e cila është jashtëzakonisht e vogël në raport me numrin e popullsisë.

Urgjencat që si përballon dot një qendër shëndetësore

Qendra Shëndetësore e Kamzës ka vazhdimisht pacientë që kërkojnë ndihmë mjekësore. Prej kohësh, banorët e kanë shprehur domosdoshmërinë e një spitali të madh i cili duhet të trajtojë të gjitha nevojat e këtij qyteti.  “Këtu ofrohet vetëm shërbim për ndonjë ulje tensioni apo serum, nëse je me fat. Pasi edhe nuk gjen dhe duhet të shkosh ta blesh tek farmacitë përballë”, – shprehet një banor gjatë hulumtimit në terren.

Një tjetër burrë, rreth të pesëdhjetave shprehet sesa të pamjaftueshme janë shërbimet e kësaj qendre shëndetësore dhe sesi vetë pacientët janë të detyruar të blejnë serumet. 

“Ka urgjencë, por edhe s’ka urgjencë. Unë vij këtu thuajse çdo javë, se kam dy vite që sjell nënën time, e cila është mbi 75 vjeç. Do të dish sa serume kam blerë? Gati 500 mijë lekë (të vjetra). Këtu s’ka serume. Ka vetëm një infermiere, një doktor që të japin recetat dhe o do të shkosh ta blesh, ose do rrish pa mjekim. I blej sa herë, gati 7 mijë lekë sa herë që vij”, – thotë ai teksa largohet. 

Një prej farmacistëve që punon afër Qëndrës Shëndetësore pohon se shumë pacientë blejnë serume.

“Vazhdimisht vijnë me receta dhe i blejnë këtu serumet. Jo vetëm tek unë por tek të gjitha këto farmacitë që sheh ti dhe jo vetëm serume, por edhe antibiotik.”

Në bisedë me mjekë të qendrës shëndetësore, ata shprehin vështirësinë e punës dhe numrit të lartë të rasteve ditore që duhet të përballojnë. Në një qendër shëndetësore me rreth 12-13 krevatë, nuk mundet të ofrohet më shumë sesa shërbimet urgjencë dhe kujdesi shëndetësor parësor. Numri i lartë i popullsisë së Kamzës, po aq edhe nevojat që kanë fshatrat përreth apo qytete si Fushë Kruja, e bën edhe më të vështirë për mjekët dhe stafin për të përballuar këto lloj ritmesh, edhe pse mjekët pohojnë se përpjekjet e tyre janë maksimale për të mirëmenaxhuar situatën.  

Për të kuptuar më mirë situatën e qendrës shëndetësore në Kamëz, janë pyetur disa institucione përgjegjëse. Në bazë të informacionit të dhënë nga Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor,  rezultojnë se qendra shëndetësore e Kamzës i është nënshtruar një monitorimi gjatë muajit mars 2025. Ata pohojnë se krahas monitorimit të shërbimeve, kanë realizuar një seri anketimesh me pacientë, të përzgjedhur në mënyrë rastësore, dhe u ka rezultuar që ata janë të kënaqur me shërbimet e dhëna nga kjo qendër. Kjo drejtori referon vetëm një ankesë, e cila është adresuar përmes platformës ‘Bashkëqeverisje’, dhe e cila sipas tyre, ka marrë zgjidhje. Kjo drejtori po ashtu shton se janë realizuar disa ndryshime të qenësishme në qendër duke ofruar njër seri shërbimesh ekstra, ndër to edhe psikologë e fizioterapi. 

Struktura analitike e QSh Kamëz ka patur ndryshime të vazhdueshme me qëllim rritjen e cilësisë së ofrimit të kujdesit shëndetësor për pacientët. Së fundmi janë shtuar disa specialitete si alergologjia, rheumatologjia, endokrinologjia, ORL, shërbimi i logopedisë, fizioterapisë dhe psikologut, duke e kthyer në një qendër multidisiplinare. Në kuadër të këtyre ndryshimeve po rishikohen hapësirat për kabinetet e specialiteteve, shtimi i pajisjeve mjekësore për të përmirësuar shërbimet që ofrohen në këtë qendër.” 

Kamza, ndër 6 bashkitë me mbi 100 mijë banorë, por pa spital

Sipas nje shkrimi të publikuar në Revistën Monitor pesë bashkitë me numrin më të madh të banorëve janë: “Tirana me 598,176, Durrësi me 153,614, Elbasani 115,101, Shkodra me 102,434 dhe Fieri, me 101,963 banorë”.  Sipas Institutit të Bashkitë e Shqipërisë, numri i popullsisë së Kamzës është 125 mijë e 632 banorë. Çka e rreshton Kamzën, ndër gjashtë bashkitë më të mëdha të Shqipërisë, sa i takon numrit të popullsisë. Sipas burimeve në Bashkinë e Kamzës, numri i personave që jetojnë në këtë territor, është edhe më i madh, duke llogaritur studentë, familje me qira, të cilat nuk janë të regjistruar si banorë të zonës, por jetojnë aty.

Ndryshe nga pesë bashkitë e tjera të mëdha, ajo e Kamzës nuk e ka një spital sikundër e kanë këto qytete. Kamza aktualisht si shërbim urgjence ka një Qendër Shëndetësore, e cila për mbi 100 mijë banorë, ofron vetëm 13 shtretër.

Të pyetur në anonimat, pasi nuk dëshirojnë të identifikohen, disa banorë të Kamzës, me bisnese afër spitalit, shprehen se nevoja e spitalit të ri për këtë Bashki është jetike, sa i takon shëndetit të qytetarëve.

“Na duhet spitali patjetër. Kjo qëndra shëndetësore këtu është sa për të thënë, pasi nuk na vjen në ndihmë tjetër, veçse për të bërë një gjilpërë, për të matur një tension, apo për të bërë një serum, të cilin nëse nuk e ka spitali, do duhet ta blejmë vetë”, – shprehet ai. 

Një tjetër banor i Kamzës, të cilin e takojmë afër Bashkisë së Kamzës, tregon se desh e ka pësuar me jetë mungesën e një spitali, e urgjence të mirëfilltë. “Nga Laknasi, kam sjellë gruan me dhimbje të forta barku në urgjencën e Kamzës. I bënë një qetësues dhe pastaj na nisën në shtëpi. Ka qenë ora 10 e darkës. Shkuam në shtëpi, gruas i shtoheshin dhimbjet, në vend t’i pakësoheshin. E mora e çoj në Tiranë, në QSUT. Aty e fusin direkt në operacion, se ishte duke i plasur apandesiti. Për pak kemi shpëtuar”. Teksa përshëndetemi më të na lë porosi: “Thuaji atyre pushtetarëve, të ndërtojnë një spital tamam këtu në Kamëz, jo të na hedhin hi syve, se e paguajmë me jetë ne”. 

Spitali i Kamzës, ç’e ardhme e pret?

Tashmë është bërë zakon që në zgjedhjet parlamentare, premtimet e atyre të cilët pretendojnë të shkojnë në Kuvendin e Shqipërisë janë nga më të ndryshmet. Në Kamëz, premtimet për një spital të ri, janë bërë edhe në zgjedhjet e vitit 2021, nga LSI, e konkretisht ish-kryetarja e lëvizjes, Monika Kryemadhi. Në motorët e kërkimit në google, nuk gjen asnjë fjalë tjëtër që lidhen me një zotim të tillë.

Në 11 maj Shqipëria shkoi në zgjedhjet parlamentare. Në pyetëm dy kandidatë, njërën nga Partia Socialiste dhe tjetrin nga Partia Demokratike, se cilat ishin planet e tyre për Bashkinë Kamëz, sa i takon një spitali të ri.

Lindita Nikolla, deputete e Kuvendit të Shqipërisë, e cila kryesonte fushatën elektorale për Partinë Socialiste në Kamëz, nuk dha në asnjë moment premtim për ndërtimin e një spitali të ri.
Në rastin e Bashkisë Kamëz, thotë ajo, me një popullsi të konsiderueshme banorësh, shërbimet shëndetësore mbulohen përmes një rrjeti të gjerë të qendrave shëndetësore dhe ambulancave të shtrira në të gjithë territorin e kësaj bashkie. “Në përputhje me profilin e sëmundshmërisë në zonë, ku mbizotërojnë sëmundjet kronike jo të transmetueshme si hipertensioni, diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare, shërbimi i specializuar ofrohet aktualisht në Poliklinikën e Specialiteteve te Paskuqanit”, – pohon ajo.

Nikolla deklaroi se në rastet kur banorët e kësaj bashkie kanë nevojë për shërbime më të specializuara mjeksore, ata mund të marrin shërbim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe Spitalin e Traumës.

Përkundër asaj çka pohon Nikolla, Asllan Dogjani, ish-kandidat në listat e hapura në zgjedhjet e 11 majit, theksoi se do të ishte e domosdoshme që pikërisht për të mos shkuar në spitale të tjera, Kamza duhet të ketë spitalin e vet. Ai vazhdoi argumentimin se Kamza, me një popullsi mbi 100 mijë banorë, përballet prej vitesh me mungesën e një spitali të mirëfilltë që të plotësojë nevojat bazë shëndetësore të komunitetit. “Aktualisht, qytetarët janë të detyruar të udhëtojnë drejt Tiranës ose qendrave të tjera për të marrë shërbime spitalore, çka shkakton vonesa të panevojshme dhe rrezik shtesë për pacientët në gjendje emergjente”, thotë ai.

Ai shprehet se Kamzës i duhet medoemos një spital i ri, për të përballuar nevojat e banorëve. “Degradimi i vazhdueshëm i sistemit shëndetësor e bën edhe më të domosdoshëm ndërtimin e një spitali modern në Kamëz. Një spital i tillë do të sigurojë shërbime urgjente dhe të specializuara brenda komunitetit dhe do të ulte ngarkesën tek spitalet e Tiranës, të cilat janë tashmë të mbingarkuara”.

Ky material është përgatitur në kuadër të nismës së redaksisë sonë me titull “Raporte nga Kamza”, brenda projektit “Strengthening Media Freedom, Professionalism and Journalists’ Safety in Albania” që zbatohet nga BIRN Albania në partneritet me SCiDEV dhe Qendra Faktoje, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi i autorit. Përmbajtja e tij nuk është përgjegjësi e BIRN Albania, SCiDEV dhe/ose Qendra Faktoje, dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.