
nyje.al | 08.06.2025
Në Spaç të Mirditës, ditën e shtunë u mbajt një protestë kundër ndërhyrjeve të konsideruara ‘restauruese’ dhe ‘konservuese’, në një prej godinavë të ish-burgut. Ish- të përndjekur e ish- të burgosur të burgut të Spaçit, aktivistë të angazhuar prej vitesh me ballafaqimin me të shkuarën e socializmit shtetëror, profesionistë të fushës së arkitekturës dhe trashëgimisë kulturore, familjarë të ish-burgosurve, artistë, të rinj e studentë, reaguan publikisht duke kritikuar ndërhyrjet intruzive, uniformizuese dhe aspak profesionale ndaj sitit.
Prej ditësh reagime publike, daljesh televizive, përgatitje dhe nënshkrime peticionesh, grupimi i aktivistëve organizator hapi fjalën pranë godinës së suvatuar.
“Është e vështirë të flasësh për këtë gjë.. Më shumë seç mund të flas unë, flet ky mur prapa meje, ku një javë më para dikush vendosi ta ngjyrosë, ta suvatojë e ta zbukurojë. Ne sot, jemi këtu sepse jemi shumë të shqetësuar sesi ky burg dhe ky kamp po trajtohet. Ky vend këtu nuk është vetëm një ndërtesë për ne, por është një vend ku mijëra njerëz kanë vuajtur në burgun e tmerrshëm dhe të paimagjinueshëm që mund të ketë parë historia e këtij vendi. Dhe ky vend duhet të trajtohet me dinjitet. Ky vend mbart dhimbje. Ky vend mbart dhunë në çdo centimetër të tij. – Vilson Blloshmi

Ardian Elezi, lindur e rritur në internim u shpreh krejtësisht kundër ndërhyrjeve uniformizuese dhe estetizuese në zonë, duke nënkuptuar që kjo është një tjetër shpërlarje që po i bëhet kujtesës.
“Rasti i Spaçit, që ka ngritur alertin për shoqërinë civile është shembulli më tipik për ta harruar historinë. Apo së fundmi, edhe për t’i dhënë një make-up, krimit apo ferrit komunist, për ta zbukuruar atë që panorama e atij krimi të duket apo për të thënë që nuk ka qenë aq e keqe. Edhe një përpjekje tinzare për të rikthyer simbolet e diktaturës. […] Spaçi duhet të kthehet ashtu siç ka qenë. Ta japi mesazhin në ligjëratë të drejtë. Përmes tullave, përmes mureve, përmes asaj që kanë jetu të burgosurit politik.” Ai vijoi më tutje duke pohuar se objekte të tilla nuk duhen prekur, duke sjellë ndërmend rastin e Kullës së Jasharëve në Kosovë: “Do të hedh një paralele: Kulla e Jasharëve. Në Kosovë nuk preket, lihet ashtu me ato gjurmë plumbash që serbët kanë bërë gjenocid ndaj popullsisë së Kosovës dhe ndaj asaj familjeje. Sikundër edhe këtu lufta e klasave, në vetvete ka qenë një gjenocid i pahetuar i shqiptarëve.”

Demir Pojani, ish i burgosur në Spaç, ritregoi me detaje dhunën dhe terrorin të përjetuar dhe që e ndjen si detyrë ta dëshmojë. Teksa rikujtonte keqtrajtimin me ushqim dhe fjetje në dhomat e burgimit, ai shton në përfundim të fjalës së tij:
“[..] ky a’ burgu im, ky a’ burgu juj. Ofshamat e nanave. Vujtjet e të burgosurve. Këtu dëgjohen. Unë i dëgjoj për vete. Ju i dëgjoni, apo jo? Atëherë, nën këto ofshama nuk duhet të ketë sarkazëm. Ndyrësirëlliqe si këto që po bahen. Nuk diskutohen të mos i bëjnë, por ata edhe duhen ndëshku… Mos kujtoni se jemi në demokraci. Dhuna dhe diktatura flet shqip.”

Gjergj Lekaj dhe Fatos Lubonja, të dy bashkëvuajtës në Spaç pohuan sesi pak gjurmë kanë mbetur nga vendet e burgosjes apo ndërtesat që kanë ndërtuar të burgosurit politikë.
“ […]Të gjithë sa jemi këtu, 5-6 vetë, kemi shëtit në të gjithë burgjet e Shqipërisë. Në mënyrë absolute, asnjë vend përqendrimi ku jemi instaluar, nuk është përjetësuar. Ka humb gjithçka. I vetmi që ka mbet është ky, sepse se zhbëjnë dot, edhe po të duan. Sepse ka gjëra që vetë mali nuk i len. Por të tjetërsosh origjinën e këtij vendi, është një krim i shëmtuar. T’i heqësh njerëzve të drejtën për të kthyer kokën mbrapa se s’kanë ç’të shohin… Edhe këtu, nuk duhet të vënë dorë. Gjërat sa më origjinale, aq më domethanëse dhe historike janë.”
Fatos Lubonja përvijon: “Siç thanë bashkëvuejtësit e mi, janë të pafundme vendet ku të burgosurit kanë lëvizur. Dhe ky reparti që quhej 313-Spaç, fillimisht ka qenë lëvizëz. Dmth ka qenë një repart ushtarak, me të burgosur, që lëvizte dhe ndërtonte objekte. Dhe ka ndërtuar shumë e shumë objekte. Këtu s’ka ngelë as edhe nji pllakë me thënë, të paktën. Ai superfosfati i Laçit që tashi është nën rrënoja, edhe atë e kanë ndërtu të burgosurit. Fabrika e çimentos në Elbasan, në Ballsh rafinerinë, dhe aty e morën ca oligarkë, dhe nuk vunë një pllakë që këtu kanë qenë të burgosurit.”
Ish i përndjekur politik, kryeredaktori i gazetës “Liria”, Roald Hysa theksoi se nuk duhet anashkaluar mendimi i atyre që kanë vuajtur në burg.
“Normal që ndihemi keq kur shohim këto lloj zhvillimesh, dhe nuk mund të jemi dakord që historia të butaforizohet në këtë formë dhe të lihet mënjanë mendimi i këtyre personave që e kanë vuajtur në vetë të parë burgun e Spaçit dhe të Burrelit dhe burgjet e tjera.”
Të gjithë të pranishmit i bënin jehonë të njëjtës thirrje: nuk duhet prekur, por vetëm ruajtur ish-burgu. Njejtë, Nuri Stepa, i dënuar me gjashtë vite burg në Burrel u shpreh: “I lutem kësaj qeverie që të paktën, të paktën, këtë të na e lejë gjallë. Këtë ambjent të paktën të na e leje kështu siç është. Nuk kemi kundërshtim për filma, por kjo të mbetet siç ka qenë.”
Aktivistët dhe bashkëorganizatorët e protestestës, Arnen Sula dhe Sidorela Vatnikaj u shprehën se që prej 1 qershorit deri tani janë bërë katër ndërhyrje. “ Në datë 31 maj në këtë objekt kishin ndërtuar një dritare, dhe tanimë është heq. Nuk e di mbi cilin parim të konservimit është ndërtuar dhe është hequr dritarja. Dukshëm, Ministria është tërhequr, edhe pse në rrjetet sociale sillet sikur ka të drejtë.” argumenton Arnen Sula. “Ne kemi ardhur të dielën e kaluar, dhe kjo godinë nuk i ngjante kësaj që është sot. Ishte e sovatuar, edhe e kam thënë edhe herë të tjera që ndjesia kur pashë të suvatuar me të bardhë ishte si të shikoja dhunimin e një varreze. […] Në këtë ndërtesë është ndërhyrë katër herë që nga data 1 qershor. Pse është ndërhyrë? Nëse plani ka qenë për t’u lyer që në fillim, pse s’u lye që në fillim? Këtu shohim një mungesë ndjeshmërie totale.”
Fjalët e mbajtura u pasuan me një trajektore të propozuar nga Fatos Lubonja, i cili u shpreh se një arsye tjetër për të cilin kishte ardhur në proteste ishte dhe “sepse duhet të sqaroj se çfarë është, me shembuj konkret, me pamje të vendeve ku është ndërhyrë, apo ku mendohet të ndërhyhet, se kjo është në shkatërrim të kujtesës dhe është një fallsifikim i asaj që duan të bëjnë, sidomos të atij filmi që duan të bëjnë për revoltën e 73-shit”
Gjatë përshkimit në këmbë të gjithë hapësirës së kampit, Lubonja, në solidaritet me bashkëvuajtësit e tij dhe duke theksuar sesa pak ndjeshmëri e kujdes i është kushtuar kujtesës së këtij burgu që nga viti 1991 që është mbyllur e deri sot, ai nxjerr në pah detaje të tjera të ndërhyrjeve të pavend, me beton, të cilat mbulonin elemente të historive e përvojave të të burgosurve. Vendi i takimit me familjarët, shkallët dhe hekurat ku dikur kishin qenë portat, hapësira ku luanin të burgosurit, të gjitha sipas tij nuk mund të rindërtohen me elemente që stisin dhe falsikojnë historinë. Teksa na tregon vendin e lojës ‘tresh’ të burgosurve, ai pyet:
“A mund ta fshish me çimento këtë? Sa të burgosur kanë luajtur tresh këtu? Si do ta bësh të re këtë?”

Zhvillimet e fundit
Prej pranverës së vitit 2024 në takime publike, përfaqësues të MEKI-t u shprehën në publik mbi mbështetjen e tyre për kalimin e menaxhimit të ish-Burgut të Spaçit si monument kulture i kategorisë së II-të nën përgjegjësinë e një fondacioni që do të krijohej për këtë funksion. Zv. Ministria e MEKI-t, Lira Pipa pati deklaruar në një nga këto takime, “ka pasur një debat të gjatë ndër vite nëse duhet të investojmë për ta rikthyer Spaçin në gjendjen e tij fillestare, por ne kemi vendosur të ruajmë mbi trupin e tij edhe plagët e harresës së gjatë që pasoi ardhjen e demokracisë.” Nga ana tjetër, gazetarja Blerina Gjoka, në një shkrim për reporter.al, nxorri në pah sesi një projekt paralel për xhirimin e një filmi mbi revoltën e të burgosurve të Spaçit po i mbivendosej planit të MEKI-t për implementimin e një plani gjithpërfshirës të menaxhimit për kthimin e Spaçit në një institucion kombëtar kujtesë.
Mbivendosja e projektit filmik ndaj projektit për konservimin dhe kthimin e ish-burgut në një institucion kujtese legjitimohej thjesht nga një marrëveshje gojore e regjisorit të filmit N. Ajazi me kryeministrin e vendit Rama në shtator të vitit 2023. Sipas legjislacionit në fuqi dhe vendimeve të marrë nga MEKI, priteshin ndërhyrje ligjore dhe institucionale për sqarimin e pronësisë së territorit në të cilin shtrihet ish-burgu famëkeq, ndërhyrjet për sigurimin e godinave nga rreziku i shembjes dhe degradimit, krijimi i një fondacioni për menaxhimin e sitit. Mirëpo, diçka paralele dukej se po ndodhte kur në ditët e fundit të majit, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nisi ndërhyrje për krijimin e sheshxhirimit për një film duke shfrytëzuar dhe cenuar autenticitetin e godinave dhe historisë së tyre.
Kundërshtimet kanë filluar një javë më parë, ku aktivistë kanë kritikuar ndërhyrjet në Spaç, si zonë e mbrojtur e kategorisë së dytë. Me llaç, suvatime, tulla e bojatisje, disa prej hapësirave të ish-burgut janë tjetërsuar. Në hapësirën publike këto ndërhyrje janë shoqëruar me debate televizive, intervista, deklarata publike, letra, peticion dhe organizime në terren. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka reaguar dy herë publikisht. Deklarata e tij publike është kritikuar gjerësisht dhe ka ngjallur shumë indinjatë për gjuhën e përdorur ndaj aktivistëve, si dhe për pasaktësitë dhe mungesën e koherencës. Organizata Tek Bunkeri, ka mbajtur sot deklaratë publike dhe ka ritheksuar kërkesën që ministria të tërheqë deklaratat fyese, të pezullojë menjëherë ndërhyrjet në zonë, si dhe të iniciojë procesin e rikonceptimit të projektit me pjesëmarrjen e ish-të burgosurve dhe komuniteteve.
Sakaq, teksa aktivistët paralajmërojnë vazhdimin e kësaj çështjeje, marrjen e masave ligjore për projektin deri në përgatitjen e një padie, ata ftojnë të gjithë qytetarët të firmosin peticionin online.