Egjiptianët e Kamzës mes varfërisë dhe skajimit

Ervin Kaçiu | 23.03.2025 | nyje.al

Bathore-Kamzë

Rrugëtimin për njohjen e romëve dhe egjiptianëve të Kamzës e nisëm nga zona e ish-godinave blegtorale në Bathore apo siç njihet ndryshe si ‘ish-stallat’. Këto ndërtesa që gjatë socializmit janë shfrytëzuar realisht si stalla, dhe që aktualisht vijojnë të jenë të banuara nga një komunitet të ardhurish pas viteve 90-të, përfton trajtat e monumentalizimit të historisë së vuajtjeve me të cilat janë përballë në zanafillën e kësaj ‘jete të re’ të ardhurit në zonën e Bathores. Qëndrojnë ende si shenja domethënëse që ndihmojnë imagjinatën në riprodhimin e të shkuarës së këtij komuniteti, që plotësohet me rrëfimet e njerëzve që e kanë jetuar në ‘lëkurë’ odisenë e ardhjes, gjetjen e një vendi, ndërtimin e një shtëpie dhe zhvillimin e jetesës në këtë territor.

S’kishte kaluar shumë kohë që kishim hyrë në brendësi të lagjes, ku edhe ndaluam që të bisedonim me një zotëri, i bindur që ishte rom apo egjiptian. Në fakt, me sa na tregoi nuk kishte asnjë lidhje të afërt apo të largët me asnjërin nga këto grupe shoqërore. Nga biseda rezultoi që puna e tij e rregullt ishte punëtor i ndërmarrjes së pastrimit të qytetit të Kamzës ndërsa në kohën e lirë, kurdoherë që mundej, si pasojë e pagës së pamjaftueshme, dilte të mblidhte mbetje të riciklueshme për të siguruar ca të ardhura më shumë. Por përshtypja e parë të krijohej ngaqë në atë moment gjendej afër triçiklit të tij me një rimorkio të cilën e kishte mbushur me mbetje të riciklueshme. Perceptim i pashmangshëm për sa, shumë prej punëve të kësaj tipologjie e veçanërisht ajo që njihet në zhargon si “mbledhja e kanaçeve” është konsideruar domen i romëve dhe egjiptianëve të varfër. Natyrisht, varfëria nuk mundet të jetë kurrsesi tipar i një grupi etnik dhe aq më pak i një race1 të caktuar, sikurse edhe shpeshherë ndodh që të asociohet me romët dhe egjiptianët. Të varfër gjejmë në të gjitha grupet shoqërore, por nga ana tjetër bazuar në raporte të ndryshme2 jemi përballë faktit që shumica e romëve dhe egjiptianëve janë shtresa më e varfër në Shqipëri sepse veç të tjerash janë edhe më të përjashtuarit. 

Bathore, ish-godinat blegtorale | Autor: Ronald Qema

Në përgjithësi në zonën e ish-godinave blegtorale në Bathore, banonin pak familje të pakicës egjiptiane të ardhur kryesisht nga Kukësi në periudha të ndryshme, ashtu si edhe pjesa dërrmuese e banorëve të kësaj zone. Me sa më thanë, shumica prej tyre merreshin me mbledhjen dhe tregtimin e mbetjeve të riciklueshme.

Vizitën e dytë, e zhvilluam në një lagje që banorët janë mësuar ta quajnë në përditshmëri si “Lavatriçja”. Rruga nga “ish Stallat” për te “Lavatriçja”, kalonte përmes lagjeve që për hir të së vërtetës tashmë janë aq mirë të sistemuara, sa në disa aspekte ngjajnë me zonat rezidenciale të banimit. Madje me këtë përshtypje mund të largohesh, nëse fjala bie je një kalimtar i rastit, i pa interesuar për të parë që përtej rrethimit të oborreve nuk ka jetë si pasojë e emigrimit masiv, apo që mjaft prej të mbeturve në fakt gjenden aty sepse kanë ngecur mes hallesh. Te kjo lagje takuam një zotëri që ishte pronari i një pike grumbullimi të mbetjeve të riciklueshme dhe mes shumë bisedash na tregoi që komshinjtë e tij ishin anëtarë të pakicës egjiptiane të ardhur nga Burreli. E konfirmova edhe nga burime të tjera që kryesisht në këtë lagje, veçanërisht, në afërsi të një lumi shumë të ndotur me mbetje dhe ujëra të zeza, shumica e banorëve ishin të pakicës egjiptiane, të ardhur pas viteve 90-të nga zona e Matit. Po ashtu, pronari i pikës së grumbullimit, na rrëfeu se individët që e furnizonin me mbetje të ndryshme, kundrejt pagesës përkatëse, në pikën e tij të grumbullimit ishin kryesisht rom dhe egjiptian.  

Bathore, shtëpi në lagjen e njohur si "Lavatriçja" | Autor: Ronald Qema

Vizitën e tretë e zhvilluam në Valias, në një prej lagjeve të banuara vetëm nga pakica egjiptiane. Në një dyqan të vogël, ndërtuar si një zgjatim i murit rrethues të shtëpisë që shërbente për riparimin e biçikletave dhe mjeteve të punës në bujqësi, takuam fillimisht të zotin. Ai na tregoi historinë e ardhjes së familjes së tij, 

 “Kemi qenë nga të parët që kemi ardh këtu. Jo vetëm gjyshi im, por shumica e familjeve kanë ardh nga fshatrat Selcë dhe Mborje të Korçës rreth vitit 1949”. 

Hapësira para dyqanit shërbente edhe si një pikë takimi për burrat e lagjes ndaj në vijim na u bashkuan dhe të tjerë të cilët na treguan për të shkuarën dhe të tashmen.

Gjatë socializmit, shumica e grave kishin punuar në fermë ndërsa shumica e burrave në minierë, dhe me mbylljen e tyre pas rënies së regjimit kishin mbetur pa punë. Aktualisht, shumica e këtyre familjeve jetonte në kushtet e varfërisë, sepse ishin të papunë ose angazhoheshin në punë të përkohshme informale, në mungesë të të ardhurave të qëndrueshme. Gjithashtu, për shkak të pamundësisë financiare për të restauruar, zgjeruar hapësirën e banimit apo për të ndërtuar ndonjë banesë të re, ishin të detyruar të jetonin si familje e madhe në një hapësirë fizike tërësisht të papërshtatshme. Në një nga shtëpitë e ndërtuara gjatë socializmit që munda të vizitoj nga afër, e cila përbënte një dëshmi të gjallë të varfërisë pasi amortizimi dhe lagështira ishin lehtësisht të dallueshme, në tre dhoma banonin 12 persona, nga të cilët 7 të rritur dhe 5 fëmijë.

Valias i Vjetër, shembja e pallateve të vjetra për rindërtim | Autor: Ronald Qema

Vizitën e katërt dhe të fundit në terren e zhvilluam në zonën e njohur si Zallmner. Duke ecur përgjatë një shtegu, përbri lumit të Tiranës që është edhe kufiri i lagjes, u ndalëm të bisedonim me dy fëmijë të moshës 13-14 vjeç të cilët në atë çast po shtynin një karrocë të mbushur me mbetje plastike. Pas një bisede të shkurtër na ftuan që të shkonim te shtëpia e tyre që gjendej aty pranë ku dhe biseduam më gjatë me gjyshen, nipat dhe me njërin nga djemtë e familjes. Familja Luka ishin të pakicës egjiptiane dhe kishin ardh nga fshati Selishtë i Dibrës, para 12 vitesh. Fillimisht ishin vendosë në Laprakë në një shtëpi me qera pasi njëri nga djemtë kishte nisur punë si punëtor në kompanitë e pastrimit të Tiranës dhe gradualisht i ishin bashkuar edhe anëtarët e tjerë të familjes. Sikurse më rrëfeu djali i madh i familjes, kishin vendosur të shpërnguleshin, sepse në fshat nuk kishte mbetur askush, nuk kishin punë dhe mungonin shërbimet bazë. Më vonë kishin blerë tokën më të lirë që kishin mundur të gjenin në territorin e Kamzës në të cilën kishin ndërtuar edhe shtëpinë në të cilën banonin aktualisht. Toka, kishte pasur çmimin më të lirë sepse asokohe kërcënohej vazhdimisht nga përmbytja si pasojë e daljes së lumit nga shtrati. Aktualisht shtëpinë e kishin ndarë në dy pjesë, në pamundësi për të ndërtuar hapësira të reja banimi. Në njërën anë të përbërë nga dy dhoma banonte djali i madh, familja e të cilit përbëhej nga 12 anëtarë. Ndërsa në anën tjetër, në tre dhoma banonin nëna me 4 fëmijët e mitur të vajzës së ndjerë që ishin në kujdestarinë e saj, dhe tre djemtë e tjerë me familjet përkatëse, bashkëshortet dhe 9 fëmijë. Vetëm familja e njërit prej djemve banonte aktualisht në një shtëpi me qira ndërsa të tjerët e kishin të pamundur që ta përballonin financiarisht. Shumë e shqetësuar për këto kushte jetese nëna na tha:

“Nuk japin si të pastrehë hala se nuk japin shpia. E kemi fut emrin por nuk na japin se na thanë që nuk ka”

Nëna merrte një pagesë mujore për kujdestarinë e fëmijëve, djemtë punonin të gjithë në kompanitë e pastrimit të Kamzës dhe Tiranës ndërsa gratë ishin të gjitha shtëpiake. Fëmijët që ishin mbi 10 vjeç të ndihmuar me raste nga nënat, ndihmonin ekonominë familjare përmes mbledhjes dhe tregtimit të mbetjeve. Në bisedë me nënën, ajo shpreh pakënaqësi sesi shteti nuk i vjen në ndihmë “e kam fut emrin atje, por s’më japin as përkrahje, asgja. Vetëm i fusin emnat dhe i morin lekët për vete.” Djemtë e saj dilnin sa herë mundeshin përtej orarit të punës për të mbledhur mbetje nga kazanët ose nëpër shtëpitë e njerëzve. Asnjë nga fëmijët në moshën përkatëse nuk e frekuentonte arsimin parashkollor. Ndërsa më i madhi i fëmijëve e kishte braktisur shkollën në klasë të shtatë, një tjetër në klasë të katërt, vetëm njëri prej tyre vijonte të ndiqte klasën e gjashtë.

Zall-Mner, banesë e një familjeje të pakicës egjiptiane | Autor: Ronald Qema

Disa statistika zyrtare

Përpos bisedave të drejtpërdrejta, ju drejtuam me disa kërkesa bashkisë Kamëz në mënyrë që të siguronim një pamje më të qartë të gjendjes së këtyre pakicave bazuar në statistika. Përgjigjet që morëm nga bashkia na ndihmojnë të krijojmë një ide më të qartë mbi fizionominë e varfërisë dhe të skajimit të romëve dhe egjiptianëve në këtë bashki bazuar në tre komponentë si punësimi, ndihma ekonomike dhe strehimi.

Më konkretisht, në lidhje me strehimin rezulton se nga 314 familje që kanë aplikuar si të pastrehë në bashkinë Kamëz, 17 prej tyre janë pjesë e këtyre pakicave. Numri i atyre që kanë nevojë për strehim, bazuar edhe në vëzhgimin në terren është shumë herë më i lartë, por nuk kanë informacion mbi ekzistencën e këtyre programeve dhe shpeshherë nuk dinë se si të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm. Në lidhje me këtë çështje, përfaqësues të organizatës Drejtësi Sociale shprehen se: “Anëtarë të pakicës rome dhe egjiptiane, përpos mungesës së informacionit mbi programet e strehimit social, kritereve dhe procedurave që duhet të ndiqen, nuk dinë edhe se si të aplikojnë përmes portalit të e-albania”. Për rrjedhojë janë të detyruar që t’i drejtohen sipërmarrjeve private si kancelaritë që kundrejt një pagese prej 4000-5000 lekësh ofrojnë këtë shërbim, që për shumë prej tyre është i papërballueshëm. Në këto rrethana, nuk munden të aksesojnë këto programe sepse nuk dinë dhe nuk munden. Në disa zona këto procese janë ndërmjetësuar dhe lehtësuar nga ojf-të që operojnë në këtë fushë. Ndërsa në Kamëz konstatohet që nuk janë të pranishme organizata jo fitimprurëse që i vijnë në ndihmë këtyre grupeve, përjashto ndonjë organizatë me orientim fetar që përgjatë festave të caktuara, shpërndajnë ndihma në veshëmbathje dhe ushqime, sikurse më rrëfyen edhe banorët në Valias. 

58 familje egjiptiane dhe rome me rreth 251 anëtarë, trajtohen me ndihmë ekonomike në bashkinë Kamëz. Megjithëse numri i përfituesve, anëtarë të këtyre pakicave është i konsiderueshëm, duke vlerësuar vështirësitë në aplikim dhe përfitim3 që paraqet sistemi i ndihmës ekonomike, bazuar edhe në vëzhgimin në terren numri i personave që do të duhej të përfitonin ndihmën ekonomike është shumë herë më i lartë. 

Punëkërkues nga komuniteti rom dhe egjiptian të regjistruar pranë zyrës së punës janë 112 persona. Kjo e dhënë dëshmon jo vetëm nevojën e lartë për punë por mund ta lexojmë edhe si një tregues të tërthortë të nivelit të varfërisë për shumë prej familjeve rome dhe egjiptiane. Pranë Ndërmarrjes së Pastrimit Kamëz, numri i të punësuarve është 175 punonjës, 45 nga të cilët janë rom dhe egjiptian. Sikurse është e vetëkuptueshme, nga këto statistika, fakti që 1/3 e të punësuarve në sektorin e pastrimit të Kamzës janë Rom dhe Egjiptian përbën një tjetër tregues domethënës të llojit të punëve të margjinalizuara në të cilat angazhohen romët dhe egjiptianët edhe në bashkinë Kamëz. 

Shënime përmbyllëse

Të katër rastet, e paraqitura qëllimisht si një hartëzim social i pakicave që jetojnë në Kamëz, ashtu si edhe statistikat zyrtare dëshmojnë ekzistencën e problemeve jetike si strehimi, punësimi dhe arsimimi. Është lehtësisht e dallueshme që edhe komuniteti i egjiptianëve që banon në Kamëz (sepse nga kërkimi në terren nuk u identifikua asnjë anëtar apo komunitet i pakicës rome, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që të ketë), është ndër më të varfrit dhe të margjinalizuarit ashtu si edhe në të gjithë Shqipërinë. Aq e dukshme është kjo përmasë sa egjiptianët edhe në këtë territor shfaqen si tjetëria radikale, megjithëse pjesë e një komuniteti që në përfytyrimin shoqëror është etiketuar si përfaqësia par excellence e tjetrit të skajuar. Gjendja e tyre si një grup shoqëror që jeton nën kushtin e përhershëm të mbijetesës, mbart një valencë gravitacionale, që e pamundëson diskutimin e aspekteve të tjera ose më saktë trajtimin e çdo karakteristike që nuk lexohet në marrëdhënie me pozitën e tyre sociale.  Kësisoj, edhe në këtë rast, megjithëse e lashë veten krejt të lirë që të orientohesha nga shenja apo tregues të tjerë që mund të shenjonin edhe këtë shkrim nuk munda t’i shpëtoj domosdoshmërisë së shquarjes së varfërisë dhe margjinalizimit. Madje, kemi të bëjmë me një bashkësi sociale që jo vetëm jeton në varfëri dhe skamje por në qerthullin e kësaj gjendjeje. Me këtë dukuri kemi të bëjmë në kushtet kur: Kapitalet (sociale, kulturore, ekonomike) e trashëguara, kombinuar me punën e paqëndrueshme informale dhe të keqpaguar, apo mungesën totale të punës, mungesa e strehimit të përshtatshëm, analfabetizmi apo niveli i ulët i arsimimit, segregimi social e izolimi nga shumica, rrjeti social në kufijtë e lidhjes së gjakut, dhe të komunitetit, të shtrira në të paktën tri brezni, kanë kushtëzuar krijimin e qerthullit të varfërisë dhe skajimit.  Në rastin e Kamzës ashtu si edhe mbi romët në studime të tjera, shfaqet e njëjta dukuri edhe te egjiptianët e varfër. Pavarësisht se secili nga këto grupe etnike është në vetvete heterogjen dhe përtej dallimeve socio-kulturore mes tyre, të kultivuara përgjatë rrugëtimit historik, (që është e pamundur të trajtohen në këtë shkrim) shumica janë jo vetëm të varfër dhe të margjinalizuar, por manifestojnë tipare të ngjashme kur jetojnë në të njëjtat kushte. 

Egjiptianët ashtu si edhe romët e varfër, gjenden në kurthin e problemeve sistemike e sistematike në raport me strehimin, punësimin dhe edukimin. Sikurse pamë në rastet e paraqitura më lart, nga vëzhgimi dhe nga bisedat me njerëz të ndryshëm, janë lehtësisht të dallueshme problemet që egjiptianët e Kamzës vuajnë me strehimin. Në mungesë të kapitalit financiar, për të përmirësuar kushtet e strehimit dhe të braktisur nga bashkia ndjehen të pafuqishëm dhe nuk dinë se si të shpëtojnë nga kjo gjendje.  

Në lidhje me punësimin, ashtu si edhe kudo tjetër konstatohet që, si në fshat edhe në qytet, punësimi i egjiptianëve dhe romëve gjatë post- socializmit bëhet informal, i përkohshëm, i pasigurtë, dhe, çfarë është më e rëndësishmja, përfton trajtat e një ndarjeje pune të posaçme vetëm për këto dy grupe shoqërore. Veçanërisht në zonat urbane dhe semi-urbane si në rastin e Valiasit, që në fillesat e postsocializmit, shumica e egjiptianëve dhe romëve, u përballën me valën masive të papunësisë. Në pamundësi për t’u punësuar në sektorin e rrudhur publik, shtetit të dobët që aplikonte dhe vijon të zbatojë sot e kësaj dite politika sociale në përmasat e lëmoshës dhe nën kushtin e pabarazisë në shpërndarjen e të mirave e gjetën “zgjidhjen” tek vetvetja. Kjo e shumëfishoi izolimin dhe segregimin social të shtresës më të varfër brenda këtyre pakicave. Sot e kësaj dite edhe në rastin më të mirë, kur janë të angazhuar në një punë të qëndrueshme janë të punësuar në sektorin e pastrimit me paga shumë të ulëta. Aktiviteti që bëhet edhe burimi kryesor i të ardhurave për shtresat më të varfëra brenda pakicës si edhe në rastin e Kamzës janë mbledhja e mbetjeve të riciklueshme dhe tregtisë së artikujve të përdorur. Praktikisht boshti i ekonomisë rome dhe shtresave më të varfra egjiptiane në postsocializëm bëhet ekonomia e riciklimit. Ky është një aktivitet që nuk e favorizon mobilitetin social të shumicës së romëve dhe egjiptianëve, pasi nuk mund të mobilizohet në kapital material, social e kulturor. Siç lindi si një ekonomi e mbijetesës riprodhon pafundësisht vetëm skajimin. 

Niveli i ulët i arsimit, trashëguar prej regjimit të kaluar, është një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar edhe në llojin e aktivitetit të romëve dhe egjiptianëve në kushtet e tranzicionit post-socialist. Përshembull, në rastin e familjes Luka, nëna kishte përfunduar vetëm arsimin fillor, ndërsa babai me vetëm dy vite arsim kishte punuar gjatë socializmit si druvari i fshatit. Aktiviteti ekonomik i romëve dhe egjiptianëve të varfër të kultivuar në të paktën tre gjenerata gjatë post-socializmit si bazamenti mbi të cilin ndërtuan jetesën, e bëri arsimimin gjithnjë e më pak të nevojshëm, edhe për gjeneratat e reja. Gjithashtu, një pengesë tjetër e rëndësishme, që identifikohet prej tyre, është mungesa e një rrjeti social, tek i cili potencialisht mund të mbështeteshin për të përmirësuar gjendjen e tyre apo që, të paktën, mund ta përdornin si pikë mbështetjeje në momente të vështira.

Në këto rrethana romët dhe egjiptianët pavarësisht dëshirës për të dalë nga kjo gjendje, riprodhojnë vazhdimisht vetveten. Nga qerthulli i varfërisë dhe margjinalizimit ku edhe gjenden familjet e varfra të egjiptianëve të Kamzës dhe më gjerë, mund të dilet vetëm me ndryshime rrënjësore të kushteve objektive. Kjo do të thotë që nëse nuk do të ndërmerren ndërhyrje kapilare dhe sistematike të shtetit në nivel lokal dhe qendror shtresat më të varfra të këtyre dy pakicave në Kamëz dhe kudo nëpër Shqipëri do të jetë e vështirë që të shpëtojnë ndonjëherë nga skamja dhe skajimi.

1. Mbi konceptin e racializimit të varfërisë sugjeroj të lexohet: “The Racialization and Feminization of Poverty”. Emigh, Rebecca Jean, Fodor, Eva dhe Szelenyi, Ivan. 2001. Në: Poverty Ethnicity and Gender in Eastern Europe During the Market Transition. Redaktuar nga: Emigh Rebecca Jean dhe Szelenyi Ivan. Fq 1-33. Westport: Praeger Publishers.

2. Shih: Beddies,Sabine W.; De Soto,Hermine; Gedeshi, Ilir. Roma and Egyptians in Albania: from social exclusion to social inclusion (English). Washington, DC: World Bank. http://documents.worldbank.org/curated/en/262931468192884359  ; Albania 2020 Report: Communication from the Commission to the European Parliament, the Council, the European Economic and Social Committee and the Committee of the Regions 2020 on EU Enlargement Policy

3. Për probleme të programit të sistemit të ri të ndihmës ekonomike lexo: Reforma e programit të Ndihmës Ekonomike në Shqipëri: Probleme dhe sfidat. International Labour Organization 2022. https://albania.un.org/sites/default/files/remote-resources/fd4d40aff64a26ffa4a15aa29c458256_0.pdf 

Ky material është përgatitur në kuadër të nismës së redaksisë sonë me titull “Raporte nga Kamza”, brenda projektit “Strengthening Media Freedom, Professionalism and Journalists’ Safety in Albania” që zbatohet nga BIRN Albania në partneritet me SCiDEV dhe Qendra Faktoje, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi i autorit. Përmbajtja e tij nuk është përgjegjësi e BIRN Albania, SCiDEV dhe/ose Qendra Faktoje, dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.