Selma Daku | 12.02.2025 | nyje.al
Masa e sigurisë arrest me burg për kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, për akuza korrupsioni në bashkëpunim dhe pastrim parash, ka sjellë një seri reagimesh të forta nga qytetarët dhe partitë opozitare në vend. Shumë qytetarë dhe grupe të shoqërisë civile e shohin këtë ngjarje si një fillim të zbatimit të drejtësisë, duke besuar se kjo mund të sjellë fundin e pandëshkueshmërisë së njerëzve të veshur me pushtet dhe që abuzojnë me pozitat e tyre.
Reagime të menjëhershme ka pasur edhe nga subjektet e reja opozitare të cilat po të njëjtën ditë të arrestimit të Veliajtnjoftuan mbajtjen e protestave, me kërkesën kryesore që kryeministri i vendit Edi Rama të dorëhiqej. Protesta e ditës së djeshme u organizua nga partia “Shqipëria Bëhet”, drejtuar nga Adriatik Lapaj bashkë me partinë “Nisma Thurje” drejtuar nga Endrit Shabani. Ajo u mbajt para Kryeministrisë, ku Lapaj dhe Shabani së bashku me anëtarët dhe simpatizantët e partive të tyre kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit Edi Rama. Kjo lëvizje është parë si një tentativë për të kërkuar përgjegjësi për dështimet dhe abuzimet që kanë ndodhur në nivel qeveritar, duke e lidhur arrestimin e Veliajt me hallkën e një zinxhiri korrupsionesh më të madha në administratën Rama.
Anëtarja e “Shqipëria Bëhet” Edona Haklaj, në vazhdimësi të kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit, tha se partia e tyre inkurajon edhe institucionet ligjvënëse për të çuar deri në fund hetimin e çdo politikani që ka vepruar në favor të intersave të tij personale duke dëmtuar qytetarët e Shqipërisë.
“Kërkojmë në menyrë të menjëherëshme dorëheqjen e kryeministrit të vendit Edi Rama. Ne inkurajojmë çdo gjyqtar dhe prokuror, SPAK-un dhe çdo organ drejtësie t’i shkojë deri në fund hetimeve dhe të sjellë drejtësi për qytetarët shqiptarë duke çuar deri në fund hetimet për politikanët të cilët kanë vjedhur, kanë kryer korrupsion dhe kanë marrë gjithçka të qytetarëve shqiptarë.”
Për ekspertin e ekonomisë njëkohësisht anëtarin e Nismës Thurje, Pano Soko, drejtësia tashmë ka marrë rrugën e duhur, ku sipas tij, ky arrestim po sjell fuqizimin e ligjit dhe dobësimin e atyre që e shohin veten të paprekshëm. Ndëshkimi i tyre sipas Sokos është vënia para ligjit.
“Këtu më në fund po vjen ajo ditë ku të gjithë ata që vënë dorë mbi paratë publike, që vënë dorë mbi pronën publike, ata që iu marrin pronën qytetarëve, ata që keqtrajtojnë qytetarët, të shkojnë e të përgjigjen para ligjit.”
Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet” tregoi se qëllimi i tij nuk është vota për të apo për një parti tjetër. Ai inkurajon çdo qytetar që të votojë këdo nga partitë e reja, për aq kohë sa ato vota nuk shkojnë për pushtetin aktual, i cili sipas Lapajt e ka kthyer shtetin në pronë personale të disa njerëzve.
“Kjo nuk çështje e të votuarit të një partie apo të një partie tjetër. Ata që na ndjekin duhet ta kenë të qartë: vetëm këta që janë në pushtet mos votoni, këdo tjetër që ju besoni, votojeni. Është momenti për t’u shkëputur nga një kulturë politike që e ka kthyer shtetin në pronë personale të një pakice njerëzish.”
Sekretari i përgjithshëm i “Shqipëria Bëhet”, Elton Laska, në fillim të fjalës së tij rikujtoi vuajtjet e grave rezistuese të lagjes 5-Maji, si një ndër shembujt më kuptimplotë të shkatërrimit të shtëpive të tyre shkaktuar nga Erion Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij. Ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit duke thënë se, qëndrimi i zgjatur i Ramës në karrigen e tij, do të sjellë pasoja të njëjta me kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
“Dorëheqjen nuk e kërkojm për të na bërë nder ne. Ai duhet t’i bëjë nder vetes, sepse sa më shumë që rri në atë karrige aq më shumë do t’i krijojë pasoja vetes, dhe radhën e ka vetëm kryeministri Rama për të shkuar atje mbas Erion Veliajt.”
Mbasditen e sotme, partia Lëvizja Bashkë ka thirrur një tjetër protestë përpara kryeministrisë, teksa ditën e nesërme pritet të zhvillohet një tubim në mbështetje të SPAK nga subjektet e reja opozitare.