Drejtësi për Martinin, dorëheqje për Ministren

26.11.2024 | nyje.al

Ndjeshmëria e shumë qytetarëve, aktivistëve, prindërve dhe mësuesëve për rastin e Martin Canit dhe frika e tyre për sigurinë e fëmijëve në ambjentet shkollore dhe jashtë tyre, i ka mbledhur përsëri para Ministrisë së Arsimit ku kanë kërkuar përgjegjësi nga ky institucion, dorëheqje të ministres së arsimit Ogerta Manastirliu si dhe ndryshime në sistemin arsimor.

Avokati dhe aktivisti, Gentian Sejrani kërkoi nga çdo individ që kontribuon për krijimin e një ambienti të sigurt për fëmijët, të marrë përgjegjësinë si dhe drejtoi thirrje për një hetim të plotë dhe të paanshëm për të siguruar që drejtësia të vihet në vend.

“[…] I bëj thirrje organit të hetimit që të bëjë një hetim të pavarur dhe transparent mbi ngjarjen sepse është e vetmja mënyrë që ne të ngushëllojmë familjen e Martinit.”

E pranishme në protestë ishte edhe Jonida Proga, motra e Egli Progës i cili u vra në qytetin e Pogradecit gushtin e këtij viti. Ajo bëri thirrje për të gjithë që të ngrihen në protestë për të mos lejuar që situata të përsëritet. Ajo ju drejtua organeve të drejtësisë duke iu kërkuar që të mos mbulojnë detaje të ngjarjes ashtu siç ndodhi me vëllain e saj, por të dënojë këdo që është fajtor.

“Unë jam këtu për të bërë një thirrje publike për të gjithë ata që kanë fëmijë, vëllezër, motra dhe prindër që jetojnë në këtë vend që është kthyer në një skenë krimi. Ngrihuni dhe mos lejoni më t’iu vriten të afërmit dhe të dashurit tuaj. […] I bëj thirrje policisë së shtetit të mos bëjë te njëjtin marifet si me vëllain tim, por të gjejë jataganin bashkë me vrasësin tjetër dhe të mos justifikohet por të vetëfajsohet.”

Një tjetër protestuese, Etleva Pushi, ju bashkua protestës duke kërkuar veprime konkrete dhe mobilizim qytetar që ngjarje të tilla të mos përsëriten. 

“Le ta nderojmë Martinin sot jo me fjalë, por me vepra. Le të kërkojmë me ngulm një të ardhme ku shkollat tona të jenë të sigurta, ku fëmijët tanë të marrin vëmendje, ku mësuesit të kenë dinjitet dhe ku asnjë familje tjetër të mos përjetojë më një dhimbje si kjo.”

Miratim të një ligji të ri i cili të mund të frenojë marrjen e shembujve më negativë të mundshëm. Këtë ka kërkuar aktori Florian Binaj si mënyrë që në vendin tonë të ketë më shumë shembuj për t’u krenuar.

“Unë uroj të bëhet një ligj, ndoshta të marrë dhe emrin e Martinit, dhe ta frenojë këtë çmenduri kolektive në mënyrë që ne të kemi sa më shumë shembuj për t’u krenuar dhe jo heronj të heshtur për të vajtuar.”

Zëra të revoltuar nga radhët e aktivistëve të qyteteve të tjera dhe protestuesish brohoritën vazhdimisht dorëheqjen e menjëhershme të Ministres Manastirliu.

Krahas tyre, prania e gjyshit të Martin Canit dhe fjala e tij u përcoll me shumë vëmendje dhe respekt teksa ai bëri thirrje për drejtësi. 

“Për ne ka qenë një humbje shumë  e madhe që me zor po e përballoj. Unë kërkoj me këmbëngulje që të vendoset drejtësia në këtë shtet. Të triumfojë drejtësia. Unë nuk anoj nga asnjë parti, vetëm dua drejtësi dhe drejtësinë do e mbështesë i gjithë populli.”

Në përfundim të protestës organizatorët e protestës propozuan bojkotim të orëve mësimore të ditës së mërkurë, si një shenjë revolte kundër Ministrisë së Arsimit dhe solidariteti për humbjen e Martinit. Ata ftuan gjithashtu, për t’u decentralizuar organizimi dhe të shpërndahet protestat, mobilizimet dhe aksione në çdo qytet të Shqipërisë. 

Sakaq, aktivistët kanë lajmëruar protestën e radhës e cila do të mbahet ditën e mërkurë, datë 27 nëntor, në orën 11:00 pranë shkollës “Fan Noli”, dhe do vazhdohet duke marshuar drejt Ministrisë së Arsimit.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje