Selma Daku | 13.11.2024 | nyje.al
“Pensionistët Bashkë mbajtën dje protestën e katërt për rritjen e pensioneve që do u mundësonte atyre një jetesë më të dinjitetshme. Neglizhenca nga ana e qeverisë dhe rritja e ulët e indeksimit po mban aktiv tashmë prej një muaji një grup të madh pensionistësh, të cilët përveç protestave, po organizojnë aksione dhe punë në terren duke shpërndarë lajmërime për protestat e tyre. Dje, ndryshe nga protestat e kaluara, ata lajmëruan nismën e hartimit të një peticioni i cili është i bazuar në 3 shtylla kryesore; këkesa financiare, kërkesa për shërbimin shëndetësor dhe kërkesa për shërbimë sociale. Pas firmosjes nga pensionistë e qytetarë, peticioni do t’i dorëzohet qeverisë dhe në mungesë të një përgjigje pozitive ata paralajmërojnë intensifikimin e protestave dhe aksioneve paqësore.
Peticioni përfshin kërkesa si minimum jetik 20.000 lekësh (të reja) në muaj si bazë e pensionit minimal dhe rritjen e pensioneve duke u nisur nga kjo shumë bazë dhe duke respektuar vitet dhe nivelin e kontributeve në skemën e sigurimeve shoqërore; rimbursim i të gjitha ilaçeve që merren nga pensionistët me rekomandim mjeku; hapësira kulturore, parqe apo vende ku pensionistët mund të argëtohen në komunitet etj.
Luçiana Xhuveli, pensioniste dhe organizatore në protestat e pensionistëve, tha se pensioni që kanë, nuk i shpërblen për vitet e tyre të punës, për mundin që kanë dhënë për vendin. Ajo bëri thirrje që të ngrihen të gjithë kundër një qeverie që tallet me ta.
“Ne që jemi munduar e kemi ndërtuar Shqipërinë, na ka lënë me 100 mijë lekë të vjetra pension, ndërsa ai vetë e ka shitur Shqipërinë, e ka vjedhur dhe mblodhi ministrat e tij e tha se nuk kanë faj ata që pensionistët po rrojnë shumë, për ta nuk ka lekë. Të gjithë duhet të ngrihemi sepse ky nuk po thyhet.”
Pensionisti Qani Shino, tha se shtresa e pensionistëve tatohet në blerjet minimale, si shporta e ushqimeve më shumë se bizneset e mëdha, prandaj kërkoi që të gjithë baskë t’i japin fund kësaj qeverie me anë të votës.
“Po të shikosh turizmin, nga Ksamili në Velipojë, tatohen resortet e mëdha me 6%, dhe tatohemi ne, shtresa e varfër, ne pensionistët te shporta e ushqimeve, te buka me 20%, ky është shteti ynë. Duhet të ngrihemi dhe t’ia thyejmë hundët. Me grusht jo, se na dënon ligji, por me votën tonë në kutinë e votimit.”
Kryetari i “Lëvizja Bashkë” Arlind Qori, në leximin e projekt-buxhetit të vitit të ardhshëm, ka konstatuar se bonusi i fundvitit për pensionistët do jetë pesë mijë e dyqind lekë të reja, ndërkohë që pensionet për vitin 2025 do të rriten me vetëm 1%. Këtë ai e ka konsideruar tallje nga ana e qeverisë shqiptare.
“Po lexoja këto ditë projekt-buxhetin e vitit 2025. Kishte një zë për bonusin e 2025-s. Bëra pjestimet dhe më dilte që ky bonus i hatashëm ka për të qenë 5 mijë e 200 lekë të reja. 5 mijë e 200 lekë të reja për bonusin e fundvitit. Me fjalët e Ramës bonus i këtij viti do të jetë njëlloj si bonus i vitit të kaluar. Kjo tregon se çfarë parashikon qeveria për ju. Nga ana tjetër pashë zërin e rritjes së pensioneve, bëra dhe aty pjestime, dhe më dilte që rritja e pensioneve në vitin 2025, sipas parashikimeve të buxhetit të kësaj qeverie ka për të qenë, mbani vesh: 1%. Ky është maskarallëku më i madh, tallja më e madhe me pensionistët shqiptar.”
Anëtar i “Lëvizja Bashkë” nga diaspora, Petro Lubonja, tha se dy partitë kryesore të vendit, PD dhe PS, janë bashkë dhe mbrojnë pushtetin e tyre, por sipas tij do jenë ata, bashkë me pensionistët, që do ua djegin karriget bashkë me pushtetin.
“Dje “Pensionistët bashkë”, duke shpërndarë fletushka kanë parë bashkë deputetë të PS-së dhe të PD-së duke pirë kafe. Ata janë bashkë për karriget e tyre. Djegin gjoja karriget, por ne do t’ua djegim prej vërteti, bashkë me mandatin e tyre.”
Një zonjë pensioniste, Habibe Poka, tepër e indinjuar, tregoi se shteti u ka hapur rrugë bizneseve të cilat shfrytëzojnë gratë nëpër kompani të ndryshme duke i paguar më pak nga çfarë deklarojnë. Ajo u shpreh se e gjithë kjo është mungesë e kontrollit nga shteti dhe heshtje nga ana e sindikatave, por shtoi se i duhet dhënë fund këtij lloj pushteti që sipas saj e ka gllabëruar vendin.
“Ua ka hapur fytin biznesmenëve të mëdhenj, gratë punojnë si skllave nëpër kompani. Marrin 300 mijë lekë ndërsa ata deklarojnë 400 mijë lekë. Pse? Ku është kontrolli i shtetit, ku janë bashkimet profesionale, sindikatat që nuk ndihen fare. […] Iku Enveri, erdhi Hitleri. Ne kështu e quajmë. E ka gllabëruar vendin, malet i ka shkatërruar, fushat, lumenjtë i ka zaptuar. E ne rrijmë. Na ka pirë gjakun. Ngrihuni shqiptarë për vendin tuaj, ngrihuni!”
Abdi Toçi, pensionist dhe ish-minator, i ardhur nga fshati Urxallë i Matit për protestën, lexoi notë-protestën e tij drejtuar qeverisë
[…]
Ua shtrydhët gjakun si limonin
as tre ditë se hanë pensionin.
Keni shit malin, keni shit detin
popullsinë nxorrët jashtë shtetit,
pensionistët n’dit t’kiametit.
Si ushtarët bëni stërvitje,
pensionistët janë tabelë qitje.”
Protestat e pensionistëve, duket se janë ndër më të vazhdueshmet dhe rezistentet. Ata janë të vendosur për t’i çuar deri në fund kërkesat e tyre, deri në plotësimin e tyre.