Qafa dhe shpata (III)
Rashid Khalidi | Intervistuar nga Tariq Ali | Shqipëruar nga Genc Shehu
Botuar në numrin 147 të revistës New Left Review (Maj/Qershor 2024)
Ashtu si shumë nga brezi im, unë mësova për herë të parë për përmasat e Nakbës palestineze — katastrofa— në vitin 1967, pas Luftës Gjashtëditore. U dërgova për të vizituar refugjatët nga Fondacioni për Paqe Bertrand Russell, i cili dëshironte që të prodhonim një raport hetimor — ashtu si kishim bërë në Vietnam për Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve të Luftës që Russell dhe Sartre kishin thirrur. Gjatë atij udhëtimi takova kushëririn tënd, Walid Khalidi, në shtëpinë e tij në Bejrut, çka nuk do ta harroj kurrë. Ai më uli dhe më tha: “A e di çfarë ndodhi?” Më tregoi për masakrën e Deir Yassin në prill të vitit 1948. Sytë më dolën nga vendi. As nuk mund ta besoja që nuk e kisha ditur! A e mban mend kur ka ndodhur kjo?
Mendoj se duhet të ketë qenë korrik, një muaj pas luftës së vitit 1967. Takova refugjatë në kampe në Jordani, jashtë Damaskut, në Egjipt, si dhe politikanë dhe intelektualë. Ironikisht, përkthyesi ynë ishte një anglez mysliman, Faris Glubb, babai i të cilit, Gjeneral Sir John Glubb, kishte qenë komandanti i Ushtrisë Transjordaneze. Faris ishte një mbështetës i patundur i kauzës palestineze. Walid-in e guduliste shumë ky fakt. Ai ishte i pari që më dha një leksion të vërtetë për historinë palestineze.
Është shumë i mirë në këtë gjë. Për pak mbush 99 vjeç, inshallah, në korrik.
Nuk do ta harroj kurrë atë pasdite në Bejrut. Dhe nëse njerëz si unë, që u rritëm në një familje të majtë, pro-arabe, pro-Nasser, nuk dinin për Nakbën në atë kohë, atëherë një numër i madh i njerëzve nuk mundet që t’ia kishte idenë.
Absolutisht. Më irriton gjithmonë fakti se sa keq e kanë bërë palestinezët reklamimin e përbotshëm të kauzës së tyre, duke filluar nga viti 1917 dhe duke vazhduar përtej vitit 1967. Vetëm me gjeneratën e tanishme ka pasur një lloj përparimi. Dhe kjo nuk ka ardhur nga udhëheqja politike, por nga shoqëria civile – organizata si PACBI, grupi që bën thirrje për Bojkot, Tërheqje Investimesh, Sanksione, ose Instituti për Studime Palestineze që Walid-i themeloi, që ka punuar për dekada. Më në fund po fillojmë të shohim rezultatet. Por kjo ka ndodhur përkundër mungesës së ndonjë përpjekjeje kompetente zyrtare. OÇP-ja filloi punën informuese dhe diplomatike në vitet 1970 dhe në fillim të viteve ‘80, megjithëse ishte ende e pamjaftueshme. Përpos kësaj, rezultati ka qenë i zymtë.
Si e shpjegoni dobësinë e vazhdueshme të udhëheqjes moderne palestineze? E di që njerëzit më të mirë u vranë.
Kjo është pika e parë e rëndësishme. Vrasja e liderëve palestinezë u bë specialitet i Izraelit. Një autor izraelit, Ronen Bergman, ka një libër lemeritës për këtë, Ngrihu dhe vrit i pari. Titulli thotë gjithçka. Kanë qenë shumë të kujdesshëm në pikasjen e atyre që duan të eliminojnë. Së bashku me disa regjime arabe, duhet thënë: izraelitët janë ndihmuar në përpjekjet e tyre nga vrasës prej Libisë, Irakut dhe Sirisë. Dhe izraelitët e dinin kë kishin në shënjestër. Kur shkuan për të vrarë Abu Jihadin në Tuniz, kaluan mu përpara shtëpisë së Mahmoud Abbas-it. Nuk e konsideronin këtë të fundit si rrezik – përkundrazi – kështu që e lanë të gjallë dhe e kanë përdorur që atëherë. Edhe ky ishte një specialitet britanik.
Por problemet e udhëheqjes palestineze shkojnë më thellë. Në vitet 1930, këto probleme ishin pjesërisht produkt i strukturës klasore palestineze – një elitë e zbarkuar nga lart dhe e shkëputur nga realiteti, me pikëpamje të frenuara ose naive për mënyrën se si të merreshin me britanikët. Që nga vitet 1960, mungesa e një pamjeje globale nga ana e gjeneratave të njëpasnjëshme të liderëve palestinezë ka qenë problem madhor. Nëse shikon lëvizjet e tjera anti-koloniale – irlandezët, algjerianët, vietnamezët ose indianët – ata janë udhëhequr nga njerëz me një kuptim të sofistikuar të ekuilibrit global të fuqive, të mënyrës se si veprojnë fuqitë imperialiste dhe se si të arrijnë tek opinioni publik në metropol. Nehru, Michael Collins, de Valera e kuptonin këtë. Udhëheqja algjeriane e kuptonte Francën. Ajo që ata e quanin wilaya ose provinca e shtatë e FLN-së [e Frontit Nacional-Çlirimtar] ishte në Francë. Irlandezët fituan në vitin 1921 sepse e kuptonin politikën britanike dhe amerikane dhe kishin operacione të gjera politike dhe të inteligjencës atje. Udhëheqja palestineze kurrë nuk ka pasur të njëjtat njohuri apo aftësi. Më vjen keq ta them, tingëllon nënçmuese ndaj vetes, por është e vërtetë.
Si do ta përshkruanit elitën palestineze në atë periudhë të hershme? Në The Hundred Years’ War on Palestine, ju jepni një përshkrim të shkëlqyer të këtyre klaneve palestineze, Khalidi-t dhe Husseini-t. Familja juaj ishte më intelektuale, më akademike, ndërsa e Husseini-t kishte tendencën të merrte role udhëheqëse praktike. A ishte kjo lloj strukture klasore specifike për Palestinën, apo ekzistonte në ndonjë formë edhe në pjesë të tjera të botës arabe?
Termi që përdorte mësuesi im, Albert Hourani, ishte të nderuarit – politika e të nderuarve [notables].1 Ai fliste për familje dhe jo për klane; këto nuk ishin popullata fisnore. E njëjta strukturë shoqërore mbizotëronte në të gjitha provincat arabe të Perandorisë Osmane; ato ishin elita urbane, të përfshira në fe, ligj dhe qeverisje; gjithashtu, në shumë raste, ishin pronarë tokash dhe të përfshirë në tregti. Kjo shtresë ishte shumë e shkëputur nga klasat popullore, duke e përçmuar punën fizike dhe, në shumë raste, edhe tregtinë. Ajo ishte e ngërthyer në politikën osmane për shekuj me radhë dhe, para kësaj, në Perandorinë e Mamlukëve. Anëtarët e familjes sime ishin të përfshirë në gjyqësorin e Mamlukëve në shekujt XIV dhe XV. Kjo elitë ishte shumë e përshtatshme për llojin e administratës që kishe nën mogulët, safavidët dhe osmanët. Disa u përshtatën me epokën moderne. Në vend të trajnimit fetar, ata shkuan në Maltë ose Stamboll, ose në institucione misionare amerikane. Fituan një arsim modern; në vend që të mbanin turban ose qeleshe, filluan të mbanin kapele. Por ishin tërësisht të papërshtatshëm për t’u përballur me britanikët.
Kjo strukturë shoqërore u shkatërrua plotësisht në vitin 1948. Baza materiale e klasës që kishte dominuar shoqërinë palestineze për shekuj me radhë u zhduk. Pronarët e tokave humbën tokat e tyre, tregtarët humbën bizneset dhe kështu me radhë. Dhe, me përjashtime të rralla, asnjë nga këto elita nuk u rishfaq pas vitit 1948. Shoqëria palestineze në thelb u revolucionarizua, në të njëjtën mënyrë si shoqëritë e tjera arabe nga revolucioni shoqëror – në Irak, Siri, Egjipt, ku elitat e vjetra dhe klasa e pronarëve të tokave u përmbysën në vitet 1950. Dinasti të tilla si Azmët në Damask u zhdukën nga politika. E njëjta gjë ndodhi në Palestinë për shkak të Nakbës. Në një farë mënyre, kjo u hapi derën atyre që vinin nga klasa e mesme e arsimuar. Udhëheqja e OÇP-së nuk përbëhej nga njerëz të familjeve të vjetra të nderuara. Përjashtimi i vetëm që mund të kujtoj është Faisal Husseini; ai ishte i vetmi udhëheqës i shquar palestinez pas vitit 1948 që vinte nga klasa e vjetër elitare dhe ishte djali i një udhëheqësi të spikatur ushtarak që u vra në betejë në vitin 1948.
Çfarë ndodhi me familjen tuaj në atë moment?
Familja u hapërda. Disa u traumatizuan nga përvoja dhe të tjerë u mobilizuan. Gjyshërit e mi humbën shtëpinë familjare në Tal al-Rish, pranë Jaffës, dhe u shndërruan në refugjatë. Xhaxhallarët, hallat dhe kushërinjtë e mi përfunduan midis Jeruzalemit, Nablusit, Bejrutit, Amanit, Damaskut dhe Aleksandrisë. Si rezultat, kam kushërinj në të gjithë botën arabe dhe të tjerë në Europë dhe ShBA. Megjithatë, anëtarët e familjes sime ishin ndër ata me fat dhe të privilegjuar, pasi kishin marrë një arsim të mirë falë gjyshit tim dhe disa prej tyre ndërtuan karriera si profesorë, si kushërinjtë e mi Walidi, Usama dhe Tarifi, ose si shkrimtarë dhe përkthyes si halla ime Anbara, ose kushërira ime Randa. Prindërit e mi, të cilët kishin planifikuar të ktheheshin në Palestinë pasi babai im të përfundonte doktoraturën në Columbia, përfunduan duke qëndruar në ShBA dhe për këtë arsye unë linda këtu në Nju Jork, në vitin 1948. Babai im më pas punoi për Kombet e Bashkuara.
Ku shkuat në shkollë?
Unë shkova në Shkollën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe po ashtu në shkollë në Kore. Kam studiuar histori në Yale dhe kam bërë doktoraturën në Oksford, me Albert Houranin. Pra, u edukova në tre vende të ndryshme.
Dhe Palestina mungonte në të gjitha këto vende.
Po. Kam jetuar në Palestinë vetëm për periudha të shkurtra, gjithsej nja dy vite. Kam jetuar në Libi për disa vite kur isha shumë i vogël dhe kam jetuar në Liban për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, në vitet 1970 dhe 1980, duke dhënë mësim në Universitetin Amerikan të Bejrutit. Kam jetuar në vende të tjera, por pjesa më e madhe e rinisë sime dhe më shumë se gjysma e jetës sime ka kaluar në Shtetet e Bashkuara.
Të rikthehemi te ndryshimet radikale të viteve 1940: siç thatë, struktura e klasës ndryshoi në të gjithë botën arabe.
Me një përjashtim kategorik: monarkitë që mbetën. Rendi i vjetër shoqëror në Marok nuk ka ndryshuar, as në Jordani apo Arabinë Saudite. Të paktën, nuk ndryshoi në të njëjtën mënyrë.
Britanikët i mbajtën monarkitë kudo që mundën. Churchill në veçanti i adhuronte ato dhe madje diskutoi mundësinë e krijimit të një mbretërie për provincën indiane të Panxhabit.
Kolonialistët britanikë kishin qejf të riprodhonin aristokracinë dhe sistemin e tyre. Ata gjenin zotër tokash në vende që nuk e kishin njohur kurrë diçka të tillë. Francezët parapëlqenin republikat koloniale.
Një tjetër pasojë e këtyre trazirave të klasës së mesme të radikalizuar ishte që borgjezia e vogël urbane fitoi qasje në ushtri, veçanërisht në Egjipt, Siri dhe Irak. Kjo ishte baza e lëvizjeve revolucionare nacionaliste – në Indi, trupa e oficerëve vendas ishte e kufizuar te bijtë e dytë të klasës së lartë me tokë. Si u shtjelluan këto transformime në komunitetet palestineze, në diasporë dhe në Palestinë? Nasser ishte një hero i madh për brezin pas Nakbës. Dhe ai u përpoq, për hir të së vërtetës – nuk është se nuk u përpoq. Më kujtohet që i thashë këtë një palestinezi në Egjipt, i cili u përgjigj me një shaka: “Po, Tarik, ai u përpoq, por e di, është si një orë e prishur. Ora bën tik-tak dhe lëviz përpara. Nasseri thotë tak-tik dhe lëviz prapa.” Sipas mendimit tim, brezi i ri i udhëheqësve palestinezë u afirmua pas Luftës Gjashtëditore, kur kuptuan se asnjë shtet arab nuk do t’i mbronte dhe se u duhej të luftonin për veten e tyre. Çfarë do të thoshit për këtë?
Pikëpamja ime për Abdel Nasser-in do të ishte disi e ngjashme; një nga ish-studentët e mi më kritikoi kohët e fundit për kritikat e mia ndaj tij. Por pika që duhet theksuar është se nuk mendoj që Palestina ishte ndonjëherë prioritet për Nasserin, madje as në vitin 1948. Nëse lexon kujtimet e tij, të cilat janë shkruar nga të tjerë, është e qartë se obsesioni i tij ishte Egjipti. Ai ishte një nacionalist egjiptian, gjë që është e kuptueshme. Palestina ishte e rëndësishme, por nuk ishte kurrë prioriteti.
Por për të adresuar pyetjen tjetër që shtroni: si u shfaq ky brez i ri i prijësve të rezistencës palestineze? Kjo kishte filluar të kristalizohej para vitit 1967, por trauma e Luftës Gjashtëditore pati një ndikim të jashtëzakonshëm. Siç e thoni ju, ajo betonizoi kuptimin se shtetet arabe nuk do të ndihmonin. Mendoj se shumë njerëz besonin se Nasser-i do të ndihmonte – dhe kjo ishte pika e fundit që mbushi kupën. Humbjet e njëpasnjëshme të viteve 1948, 1956 dhe 1967 treguan se shtetet arabe nuk kishin mjetet për të mposhtur Izraelin, pavarësisht nëse kishin vullnetin për ta bërë këtë.
Nismat që po zienin në shoqërinë palestineze çuan në marrjen e Organizatës për Çlirimin e Palestinës, të cilën Nasser-i e kishte krijuar në vitin 1964 për të bashkuar dhe kontrolluar valën në rritje të entuziazmit kombëtar. Në vitin 1968, OÇP-ja u mor nga grupet e pavarura palestineze, të pakënaqura me kontrollin egjiptian. Fatah ishte grupi më i madh nga këta dhe Arafati shpejt u bë kryetar i OÇP-së. Edhe një herë, kjo ishte një lëvizje nga poshtë kundër elitave të përzgjedhura, si Ahmad Shukeiri dhe të tjerë, që fillimisht drejtonin OÇP-në. Shukeiri, meqë ra fjala, ishte një tjetër anëtar i klasës së vjetër sunduese. Por nga ky çast e tutje, pati një brez të ri liderësh palestinezë – Arafat, Hawatmeh, Habash, Abu Jihad dhe të tjerë – që përfaqësonin një klasë tjetër, një identitet tjetër nga gjithçka që kishte ardhur më parë.
Një nga sloganet më të rëndësishme të Arafatit ishte al-qarar al-Filistini al-mustaqil – fuqi vendimmarrjeje të pavarur palestineze. Këmbëngulja e tij për autonominë dhe vetëvendosjen palestineze ishte thelbësore për popullaritetin e tij në këtë periudhë të hershme: “Regjimet arabe nuk na kontrollojnë.” Ky ishte një nga sukseset e tij relativisht të pakta, por madhore: ruajtja e pavarësisë së OÇP-së nga fuqitë arabe që donin të kontrollonin lëvizjen palestineze, ashtu siç kishin tentuar të bënin që nga vitet 1930. Gjatë Revoltës së Madhe, në Konferencën e Shën Xhejmsit të vitit 1939, në debatin mbi rezolutën e OKB-së për ndarjen apo vendosjen e OÇP-së – regjimet arabe tentuan në mënyrë konsistente të dominonin çështjen palestineze, për përfitimet e tyre; dhe në garë me njëri-tjetrin, natyrisht. Ende po përpiqen ta bëjnë këtë, edhe teksa kundrojnë pa emocion dhe nuk bëjnë absolutisht asgjë ndërsa Gaza sakrifikohet.
Ju përmendët një figurë tjetër të spikatur nga ky brez, Ghassan Kanafanin. Ju shkruani për të në një formë që të prek në librin Lufta njëqindvjeçare në Palestinë. E takova një herë në një konferencë në Kuvajt në vitin 1966 dhe mbeta i mahnitur.
Ai ishte tejet karizmatik. Kur e lexon tani, karizma e tij pothuajse gëlon prej faqes. Por nëse e takoje… E kam takuar vetëm nja dy herë. Ky njeri ishte i jashtëzakonshëm.
Nuk i kujtoj fjalët e tij të sakta, të cilat më pas janë bërë të famshme, por e pyeta: “A ka ndonjë mundësi për një zgjidhje të negociuar me këta maskarenj?” Dhe ai tha – nuk do ta harroj kurrë zërin apo buzëqeshjen e tij – “Tarik, më shpjego si qafa mund të negociojë me shpatën.” Qesha shumë. Thashë, kjo është një analogji e shkëlqyer. Ai ishte i madh, si intelektual, si shkrimtar, si udhëheqës politik. Ishte e dukshme që ai përfaqësonte një kulturë të tërë. Dhe ndaj e vranë. Mossadi e hodhi në erë, ndërsa udhëtonte me mbesën e tij.
Saktësisht. Veprat e tij letrare jehojnë edhe sot. Djali im, Ismaili, përshtati romanin e tij Kthimi në Haifa për ta vënë në skenë, së bashku me Naomi Wallace. Është e pamundur të marrësh një teatër të madh në ShBA që ta shfaqë atë, megjithëse premierën e bëri në Londër, në Teatrin Finborough. Përshtatja u porosit nga Teatri Publik në Nju Jork, por bordi refuzoi ta prodhonte – duke thënë se Kanafani ishte “terrorist”. Megjithatë, pavarësisht nga censura e vendosur nga institucionet, vepra e tij është kudo. Deri më sot, romanet e tij janë ende duke u botuar, si edhe dramat, poezitë dhe shkrimet e tjera të tij, si në arabisht ashtu edhe në përkthime. Bashkë me Mahmoud Darwish-in dhe Edward Saidin, mendoj se ai është intelektuali më i rëndësishëm palestinez i shekullit XX.
Kjo është ajo që thamë më herët: ata e dinë kë duhet të vrasin.
Dhe kë nuk duhet të vrasin.
Çfarë çoi që Arafati dhe ekipi përreth tij të vendosnin më në fund të dorëzoheshin në Oslo, në vitin 1993? Miku ynë Edward Said e quajti atë një “Versajë palestineze” – një paqe ndëshkuese.
Edwardi kishte të drejtë, por nuk e dinte sa shumë kishte të drejtë. Në fakt, ishte shumë më keq se Versaja. Pika e kthesës ishte në vitin 1988, kur ekipi i Arafatit në Këshillin Kombëtar palestinez në thelb kapitulloi përballë kushteve të amerikanëve për të hyrë në dialog dypalësh – palestinezët duhej të hiqnin dorë nga dhuna – gjë që izraelitëve nuk iu kërkua kurrë ta bënin – dhe të pranonin ndarjen, duke pranuar Rezolutën 242 të OKB-së, e cila kufizonte çështjet në rezultatet e Luftës së vitit 1967. Kjo rezolutë e OKB-së u hartua nga Arthur Goldberg, Abba Eban dhe Lord Caradon: autorët e saj ishin fuqitë e mëdha imperialiste dhe klienti i tyre izraelit, megjithëse u miratua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së nga Bashkimi Sovjetik. Në fakt, izraelitët nuk donin që OÇP-ja të dorëzohej në atë moment. Ata nuk ishin të interesuar të flisnin, pavarësisht se çfarë pranonte OÇP-ja. Këta të fundit mund ta pranonin rezolutën 242 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të pranonin “zgjidhjen me dy shtete”, të hiqnin dorë nga dhuna – dhe izraelitët prapë nuk do të flisnin me ta; derisa Rabini më në fund theu tabunë në vitin 1992.
Pas kthesës së OÇP-së qëndronte rezultati i Luftës së Tetorit të vitit 1973, kur regjimet egjiptiane dhe siriane bënë të qartë se interesat e tyre kufizoheshin në territoret e tyre të pushtuara në vitin 1967, Sinain dhe Lartësitë Golan. Përtej kësaj, ata nuk ishin të interesuar. Dhe kjo iu bë e qartë udhëheqjes palestineze. Pashë disa prej tyre tek ktheheshin nga Kajroja. Në atë kohë jetoja në Bejrut dhe përktheja për një delegacion palestinezo-amerikan. Ata flisnin për përvojën e tyre në Kajro me Sadatin dhe si ai ua bëri të qartë se “ky është fundi”. Për kaq jemi futur dhe vetëm për kaq. Ju duhet të kujdeseni për veten. Nuk e tha këtë kaq troç, por…
Por kjo ishte çfarë ai nënkuptonte dhe këtë bënë.
Kjo ishte ajo që udhëheqësit e OÇP-së kuptuan. Dhe nga ai çast e tutje, filluan të largohen nga lufta e armatosur dhe çlirimi i Palestinës drejt negociatave për një të ashtuquajtur zgjidhje me dy shtete. Në vitin 1974, në Këshillin Kombëtar Palestinez (KKP), shtynë ndryshimin e parë të formulimit. Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës (FPÇP)2 dhe pjesa më e madhe e anëtarësisë së Fatahut e kuptuan shumë mirë se çfarë po gatuhej dhe e kundërshtuan. U deshën vite që udhëheqësit të arrinin pikën ku ishin në gjendje të fitonin miratimin e qartë të KKP-së për këtë program – për të zhvendosur OÇP-në nga një pozicion për çlirimin e gjithë Palestinës, me një shtet laik-demokratik për myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë ku të gjithë janë të barabartë, në një zgjidhje me një shtet plus Bantustane të shumta, që është në praktikë nënkuptimi i zgjidhjes me dy shtete e ndërmjetësuar nga ShBA-ja. Kjo është ajo që izraelitët na kanë dhënë, copëza të vogla të ndara nga breza të tërë kolonësh, vendbanimesh ilegale izraelite. Udhëheqja e Arafatit ndoshta e pranoi këtë në parim në vitin 1974 dhe më pas kaloi, ngadalë por e sigurt, në bërjen për vete të opinionit publik dhe lëvizjes palestineze.
1. Albert Hourani, “Ottoman Reform and the Politics of the Notables” te WilliamPolk dhe Richard Chambers, eds, Beginnings of Modernization in the Middle East:The Nineteenth Century, Chicago 1968, ff. 41–68.
2.Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, një organizatë revolucionare socialiste e krijuar nga George Habash dhe të tjerë pas Luftës së 1967-s.
Imazhi i ballinës: Hammam Fuad në Unsplash