Rama pret presidentin izraelit Herzog, aktivistët: Refuzojmë gjenocidin, nuk mbështesim veprimet e qeverisë

nyje.al | 13.09.2024

“Herzog mund të duket si figura politike e moderuar e Izraelit dhe zionizmit por ai nuk është më pak kriminel lufte racist se Netanyahu. Ai është kreu i shtetit të Izraelit, një shteti që Amnesty International e akuzon si ushtrues të aparteidit, një krim aq i rëndë sa klasifikohet si krim ndaj njerëzimit. Përpara se të bëhej president, Herzog ka shërbyer si ministër në disa prej kabineteve qeveritare izraelite dhe brenda vendit si kreu i “Agjencisë së Hebrenjve”, një prej “krahëve” kryesorë të “Organizatës Botërore të Zionizmit.” Kësisoj paraqitet jetëshkrimi i Isaac Herzog, presidentit të izraelit, nga autori dhe aktivisti hebre Miko Peled në një shkrim të publikuar në mondoweiss.net.  

Herzog u prit dje në një takim nga kryeministri Edi Rama, i cili e shquajti presidentin izraelit si “një njeri mjaft i mençur, i shquar, një njeri me përvojë.”  Rama u shpreh edhe se e njeh herët Herzog, që kur ai nisi të angazhohet politikisht në Izrael. Anipse e shkuara dhe e tashmja e Herzog njihet, edhe prej kryeministrit të Shqipërisë për aq sa vetë ai thotë, shteti ynë nuk nguroi ta ftonte kreun e Izraelit. 

Kryeministri Edi Rama mikpret Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, 12.09.2024, Burimi: Kryeministria

Dukë përvijuar narrativën që vjen nga perëndimi se si Izraeli ka të drejtën për t’u mbrojtur, Rama e njohu gjendjen në të cilën gjendet ky shtet si një situatë shumë të vështirë dhe ftoi këdo që të vijë në Shqipëri. Ashtu siç ata bënë përgjatë luftës së dytë botërore. 

“Jemi shumë krenarë që paraardhësit tanë, qofshin myslimanë, a të krishterë kapërcyen çdo lloj kufizimi dhe paragjykimi fetar apo të një lloji tjetër dhe mbrojtën hebrenjtë dhe asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve,” – u shpreh Rama duke harruar që në krahun e tij të djathtë ai nuk ka një hebre viktimë të nazismit, por një zyrtar zionist që deklaroi se “puna në Gaza” nuk ka mbaruar ende. 

Herzog është i kallëzuar si kriminel lufte në Zvicër, i cili ulur në karrigen e rehatshme të presidentit përvijon narrativën zioniste të pushtetit izraelit i cili prej më shumë se 11 muajsh përpiqet aktivisht të shfarosë Rripin e Gazës e tashmë vret dhe shkatërron edhe në Bregun Perëndimor. 

Ftesën dhe vizitën e presidentit izraelit e dënuan aktivistët e zëshëm në çështjen për liri të Palestinës. Teksa Herzog linte Serbinë për të udhëtuar drejt Shqipërisë, aktivistët u mblodhën në sheshin “Nënë Tereza” pasditen e së mërkurës dhe shpalosën një banderolë përmes së cilës i bënin thirrje popujve të vendit tonë dhe Serbisë për reagim kundër gjenocidit që po kryhet mbi popullin palestinez. 

Mesazhi ishte i përbashkët për shkak se edhe vizita u krye në të dyja vendet dhe ishte bashkërenduar një reagim që tentoi të bënte bashkë rezistencat në të dyja vendet. 

Por ajo që u vu re në qëndrimet publike ishte se bashkërendimi nuk kishte funksionuar, kjo pasiqë kolektivi i aktivistëve serbë nuk pranonin që në deklaratë të përfshinin rezistencën e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. 

Imazhi i publikuar në qëndrimin në rrjete sociale, 13.09.2024, Tiranë, Burimi: Kolektivi Palestina e Lirë

Ne, populli i Shqipërisë, refuzojmë çdo përfshirje në këtë gjenocid dhe nuk mbështesim veprimet e qeverisë sonë. Ndërsa Izraeli përpiqet të mbulojë krimet e tij përmes turneve të marrëdhënieve me publikun, si vizita e Herzogut, ne, populli i Shqipërisë, e shohim të vërtetën. Na vjen turp për bashkëpunimin e qeverisë sonë; Gjaku i Palestinës është edhe në duart e tyre!

Ne, populli i Shqipërisë, qëndrojmë me gjithë zemër me popullin e Palestinës në luftën e tij për çlirim kundër pushtimit izraelit dhe gjithashtu për të drejtën e vetëvendosjes për të gjitha kombet, në Palestinë, në Kosovë dhe në mbarë botën.

Ne kërkojmë një Palestinë të lirë! Nuk do të heshtim. Ne do të rezistojmë. Ne do të luftojmë për një Palestinë të lirë!

Nga Shqipëria në Palestinë: Pa drejtësi, s’ka paqe!

Përpara se të vinte në Shqipëri, Herzog u prit në Serbi nga presidenti Vuçic ku përgjatë takimit, sipas mediave, u fol për një marrëveshje të tregut të lirë të armëve mes shtetit serb dhe Izraelit. Serbia edhe sot është një prej vendeve kryesore nga ku Izraeli blen armatim, dhe ku vetëm përgjatë këtij viti qeveria serbe përllogaritet të ketë përfituar 23 milionë euro nga tregtia e armëve me Izraelin. 

Ndërsa vendi ynë gjendet në krye të listës së vendeve që furnizon Izraelin më naftë, 70 mijë tonë janë nisur nga Shqipëria që prej nisjes së sulmeve në Gaza. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje