Bashkë kundër gangsterëve me/në pushtet, që vranë edhe Egli Progën

nyje.al | 21.08.2024

Këto ditë gushti kanë qënë ngulfatëse për shoqërinë shqiptare me vrasje e vetëvrasje që kanë tronditur këdo para ekraneve. Dhuna e ushtruar deri në vdekje ndaj Eglantin Progës nga “gangsteri” Denis Meçe në Pogradec dhe tentativa e institucioneve për ta shuar tragjedinë e ngjarjes ka ngjizur ndër qytetarë të angazhuar nevojën për reagim. Nevojën për t’i dhënë fund shtetit e pushtetit të gangsterëve që e kanë kthyer Shqipërinë në një vend më të kriminalizuar se Palermoja e vitete ‘70 sipas aktivistit nga Laçi, Elton Lasku. 

Në marshimin e organizuar ditën e hënë banderola udhëheqëse që qytetarë, po edhe familjarë të Englantinit mbanin në duar, shkruhej “KUNDËR GANGOVE ME PUSHTET”. Në pankartat që ngriheshin lart gjatë tubimit kërkohej ‘demokraci jo gangokraci’, i bëhej thirrje shtetit të zgjidhte ‘o ligjin o gangot’ dhe qytetarëve të bëheshin shumica me ‘guxim kundër kriminelëve pakicë’.  

Duke u drejtuar për tek kryeministria marshuesit thërrisnin: “Gangot me pushtet po vrasin nje shtet!”; “Marshojmë për drejtësi, marshojmë për siguri!”; “Ku jeni dëshmitar ju krimin keni parë!”; “Ku është policia, ku është prokuroria, vrasje me dashje, jo nga pakujdesia!”. 

Jo vetëm për Eglantinin, por edhe për Eglantinin

“Jemi mbledhur kundër një sistemi që institucionet i ka vendosur në shërbim të gangove, kundër atyre që na marrin jetën. Marshojmë për secilin prej nesh që mund të ishte Egli, marshojmë kundër gangove që vjedhin ilaçe, kundër gangove që rrjepin qytetarët përmes mikrokredive, marshojmë për siguri, marshojmë për drejtësi. […] Nuk mundet që pushteti dhe bandat që marrin jetën e qytetarëve të këtij vendi dhe gjithçka të kalojë në heshtje. Nuk mundet që kryeministri i vendit të dalë si zëdhënës shtypi duke mbrojtur të pambrojtshmit.”

Kështu u deklarua aktivisjta Edona Haklaj në ballë të godinës së Këshillit të Ministrave, duke akuzuar kreun e tij si kreun e këtij sistemi gangsterësh që ndjell pasiguri për secilin e secilën që hedh këmbën në rrugë në përditshmëri. Ashtu siç Eglantini, që ditën e vrasjes së tij, këtë 10 gusht që lam pas, ishte nisur për tek familja e tij.

Në një fjalë të ndjerë dhe plot dhimbje Jonida Proga, e motra e Eglantinit, tregoi: 

“Ishte 10 gusht, nëntë mbrëmje më parë, një ditë e shtunë, kur si në këtë orë vëllai im Egli dergjej i vdekur në spitalin e Pogradecit pa shenja shpëtimi. Pa asnjë shenjë jete. Pa asnjë shpresë që në mbrëmje do të përkëdhelte dy fëmijët e tij që e prisnin. Vdiq në rrugë. Në mes të Pogradecit. Vdiq i rrahur, i goditur, në kokë, në trup, në testikuj, nga banditët e qytetit tim. Jo nga një, por nga katër banditë. Janë katër vrasësit e Eglit, jo një. Prokuroria, gjykata dhe policia, të gjitha ta dëgjojnë mirë: Egli u vra nga  katër kriminelë në bashkëpunim me njëri-tjetrin.”

Bashkë me Jonidën, të mbushur me dhimbje, ishin të pranishëm në protestë edhe fëmijët dhe i ati i Eglantin Progës për të kërkuar drejtësi për djalin, babain dhe vëllain. Pas lotëve që nuk ndaheshin nga sytë e tyre, përveç dhimbjes, shihej dhe zemërimi njësh me frikën se mos rasti i Eglit do kalohej ashtu si shumë të tjerë. 

E motra e Eglit, Jonida Proga e cila nuk ka reshti së foluri që nga fillimi i ngjarjes, tregoi në fjalën e saj edhe mosbesimin te strukturat policore dhe hetimore. 

“Egli nuk vdiq nga pija, as nga ndonjë grusht aksidental siç u tha në fillim, por u qëllua nga katër barbarë që kanë emra dhe mbiemra. Ndërsa njëri u dorëzua në formë të kontrolluar në tre të mëngjesit, tre barbarët e tjerë kanë nëntë ditë që pinë raki. Kjo është drejtësia? […] Policia e pa Eglin teksa lëngonte në rrugë për 13 minuta dhe nuk e preku me dorë, maskarai që mori pjesë në vrasje nuk e ndihmoi që ta çonte në spital me makinën që e kishte në trotuar.”

Ajo gjithashtu ka bërë të qartë se nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për Eglin, por do të kërkojë drejtësi për të si dhe do hetojë çdokënd që ka bashkëpunuar për të fshehur dhe mbrojtur autorët.

“Hetimet do t’i ndjek deri në fund. Do hetoj edhe ata që nuk u hetuan deri sot, edhe ata që mbyllën sytë para këtij krimi. Egli u vra, nuk kthehet më, por të paktën shpirti i tij të dëgjojë atje ku është se motra nuk e la të kthehej në një lajm të zakonshëm policie që harrohet pas disa ditësh, nuk do lejoj që Egli të kthehet në statistikë.”

Kërkesa për pak qetësi në shpirt

Në fundin e fjalës së saj, Jonida iu drejtua institucioneve me thirrjen për drejtësi me vepra. Ajo bëri thirrje për shkarkime të zyrtarëve të përfshirë në tragjedinë dhe tentativën për të maskuar atë dhe gjithashtu shqyrtim hetimor të pavarur dhe me akt-akuzë të drejtë e të pashtrembëruar.

“Kërkojmë rikthimin me masë sigurimi në burg për katër bashkëpunëtorët në vrasje, rikualifikimin e vepres penale si vrasje me dashje në bashkëpunim, ngritjen e një ekipi pune me ekspertë të huaj për rikuperimin e videove që ata kanë fshirë, shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm te policisë së shtetit, shkarkimin e drejtorit të spitalit të Pogradecit.”

Pjesëmarrësit në protestë u zotuan që këto kërkesa të familjarëve jane edhe të tyret, dhe do të rikthehen në shesh nëse nuk përkthehen në vendime dhe veprime të insitutucioneve. 

Të shumtë ishin pjesëmarrësit që me lot në sy ndiqnin fjalën e Jonidës dhe me shikimet e tyre sikur provonin t’ia kthenin asaj fuqinë dhe guximin që kishin marrë prej saj. Një prej zonjave mori fjalë duke i dhënë zë frymëzimit të marrë nga forca dhe reagimi i motrës së të ndjerit për të folur për kërcënimet nga persona me pushtet, të cilat ajo vetë i kishte përjetuar. 

“I them zonjës që do i qëndrojmë afër deri në zgjidhjen e hallit të saj dhe e falenderoj që më dha kurajo të vij deri këtu. Edhe ne kemi pasur halle të tilla. Gjyqtarë e prokurorë na e kanë mbyllur dosjen kur gangot na kanë telefonuar në 1 të natës dhe na kanë kërcënuar të mbyllim biznesin ose do na vrasin fëmijët. […] Kam ardhur këtu tju them atyre gangove, pronarëve të kullave, hajdutëve të pronave, kriminelëve, që ne nuk kemi frikë nga ju dhe nuk do kemi kurrë frikë.”

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje