Xhenisa, një shkëndijë rebelimi

Diana Malaj | 02.06.2019 | nyje.al


Kushdo që ka lexuar “Persepolis” –in e Marjane Satrapit mundet të kujtojë pa shumë vështirësi personazhin autobiografik Marzhi. Ajo orvatet të krijojë dhe të shpërfaqë pa teklif individualitetin e vet duke fshikulluar autoritetet e jetës familjare dhe publike, duke qenë njëherazi subjekt i indoktrinimit të tyre në kohë të ndryshme të jetës. Xhenisa i përngjan Marzhit. Historia e jetës së saj dhe e shumë bashkëmoshatareve të veta ka paralele me rebelimin e shpirtit dhe intelektit ndaj uniformitetit të mendimit dhe njëtrajtësimit të individëve.

Lindur në Tropojë dhe rritur në Kamëz, Xhenisa sapo i ka mbushur 18 vjet. Atë e presin disa sfida të reja: provimet e maturës, përzgjedhja e universitetit, votimi për herë të parë. Me mprehtësi ka identifikuar nyjet nevralgjike të shoqërisë që e rrethon: turpi, marrja dhe morali, hipokrizia që shitet si ndershmëri, ligështimi i figurave autoritare (mësues, politikanë, drejtues). Fjala e saj gërvisht për të parë se çfarë ka poshtë lëkurës.
Ajo nuk e sakrifikon origjinalitetin e vet për hir të një note a fjale të mirë, madje rrezikon të përjashtohet nga rrethet e saj të ngushta veç prej guximit. “Drejtësinë e lidh me barazinë. Nëse do më duhet të bëj një akt të drejtë edhe pse mund të jetë kryqi im, do ta bëj sepse është i drejtë. Mungesën e drejtësisë e shoh kudo, duke filluar që nga shkolla. Në vend që shkolla të ishte institucioni më i drejtë dhe i pastër, aty gëlon korrupsioni. Në vend se të na mësohet mendimi kritik, aty na mësojnë sesi të mendojmë njëlloj. Ose më mirë, aty na mësohet sesi të mos mendojmë, sesi ta heshtim veten, sesi të mos përballemi. Mendimi ndryshe penalizohet, uniformiteti na bën rrafsh.”

Xhenisa provokon, përballet, diskuton. E ndërkohë që i bën këto, rrit pritshmëritë për veten dhe tjetrin që ka përballë.  “Gjej mënyra të paparashikuara për t’u shprehur në shkollë, vetëm që të godas heqjen me demek të të tjerëve. Trupin e përdor si mjet për të goditur shoqërinë që skandalizohet. Njëherë vizatova në shpinën time hartën e botës si një mënyrë për të prezantuar një punim në gjeografi- por normalisht puna ime u censurua si e turpshme. Kam përfunduar shumë shpesh në drejtori. Kjo vinte si pasojë e bojkotit të rregullt që i bëja mësimit të çrregullt nga mësues që e kanë humbuar autoritetin e tyre në sytë tanë.”

Xhenisa pas pak ditësh i duhet të japë provimet e maturës, dhe nuk ngurron të shprehet edhe mbi proceset mësimore dhe reformat e reja në arsim. “Futja e teksteve të digjitalizuara në shkolla të tilla si e jona, që nuk kanë pajisje për ta projektuar dhe dëgjuar mësimin, po e degradon me shpejtësi sistemin arsimor. Tekstet që kemi duhet të projektohen në klasë, të dëgjohen me CD, të shikohen me tablet. Asgjë nga këto nuk realizohet, ndaj po dalim nga gjimnazet të paformuar e të papërgatitur për studime universitare.”

Ka filluar të hedhë shkrimet e saj të para në letër, por e sheh jo shumë të afërt publikimin e tyre. “Më kanë nxitur mësuesit të shkruaj shpejt, të publikoj, të promovoj, të vë një çmim dhe të përfitoj. I kam kundërshtuar të tëra këto. Mendoj se ende s’i kam la hesapet me formimin tim kulturor dhe besoj se sa më shumë që të lexoj aq më shumë do të përmirësohem. Punës time krijuese nuk dua t’i vë një çmim, dhe as nuk dua të pasurohem materialisht. Krijimi im duhet t’u shkojë si dhuratë të tjerëve.”

Ndër të tjera, Xhenisa shprehet se e ka pasion politikën. Edhe pse rritur në mjedis familjar që ia atribuon ardhjen e demokracisë Partisë Demokratike, nuk ngurron të kritikojë të gjitha palët partiake të cilat e kanë shkatërruar nocionin e politikës dhe publikës. “Ajo çka është bërë në Kamëz është e pamjaftueshme. Tash që është kohë zgjedhjesh patjetër që do të ndihet dora e ‘bashkisë’, por dua të kujtoj që vetëm para dy vitesh janë bërë kanalizimet në lagjen ku jetoj. Dhe ndërhyrjet më të rëndësishme që janë bërë, janë me nismë të komunitetit. Secila shtëpi ka ble tubat dhe materialet e tjera të nevojshme dhe kemi paguar vetë kanalizimet. Theksoj se me qenë qytetar i parë i qytetit duhet të ketë më shumë përgjegjësi sesa privilegje. Këtu me qenë Kryetar Bashkie do të thotë që të gjitha punët duhet të t’i bëjnë të tjerët. Takimet kinse me popullin të jenë sa për sy e faqe të hedhura në facebook dhe vetë të rrish duke dredh zinxhirin. Kur në fakt duhet të jetë e kundërta. Politika nuk është facebook as instagram, pra nuk duhet të jetë marketing. Politika duhet të jetë aty ku janë njerëzit, në cepa e skuta e periferi.

Darkave, kur shohim emisione televizive, unë filloj dhe kundërshtoj analistët e ftuar. Ia ul zërin televizorit dhe u them prindërve: “Prisni një herë, është më mirë të më dëgjoni mue” dhe filloj e flas për zhvillimet politike. Më kushtojnë vëmendje deri në një farë pikë, e pastaj çohen për të bërë ndonji punë, e aty ndaloj dhe e kuptoj që po flas me veten.”
Dhe vazhdon të flasë për raportin e saj me politikën, ”Nuk ka shumë që e kam pa për herë të parë emrin tim në listën e votimeve. Kisha menduar që do e prisja me shumë entuziasëm votimin tim të parë, për shkak se e kam konsideruar si moment të rëndësishëm jetësor ditën kur unë do të fitoja një të drejtë politike. Por duke pa se në çfarë niveli ka arritur politika sot, pa alternativa dhe e gjitha si farsë; kam vendosur të mos votoj si e vetmja mënyrë për të ushtruar lirinë time.”

Lidhja e saj e ngushtë me gjyshin e dashur e shoqëron në çdo vendim të rëndësishëm që duhet të marrë. Si gjyshi, që ia ka mësuar dashurinë për jetën dhe lirinë, e mbrojtjen e vetes me dinjitet, edhe ajo ka vendosur të studiojë për gjeografi. “Më thonë shumë të merrem me partitë, por mua s’më intereson pushteti partiak. Thellë thellë dëshiroj të bëhem mësuese gjeografie dhe në atë udhëtim të punoj që të rifitohet vlera e këtij profesioni.  Nëse do ia dal të realizohem në këtë drejtim nuk do iu them nxënësve sesi të bëhen si unë, por do t’i ndihmoj sesi të jenë vetvetja, sesa mrekulli është të shpalosin veten e tyre me të gjitha diferencat dhe ndryshimet që kanë me të tjerët.”

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje