Bërbili: Këngë të harruara të Arbëneshëve të Zadarit
Mikaela Minga | 17.03.2024 | nyje.al
Është një befasi e këndshme tek zbulon se si një projekt muzikor për të cilin ke punuar në të shkuarën, gjen njëfarësoj, të ngjashmin e vet, duke ndarë me të qëndrime që bëjnë bashkë punën etnomuzikologjike me atë krijuese artistike. Akoma edhe më bukur është atëherë kur projektet në fjalë flasin të njëjtën gjuhë, ose më saktë, variante të shqipes dhe lëvizin në peizazhe të ngjashme tingullore dhe emocionale.
Këtë ndjesi e pata në momentin kur dëgjova albumin muzikor Bërbili: Zaboravljene Pjesme Zadarskih Arbanasa, [Këngë të harruara të Arbëneshëve të Zadarit] realizuar nga Dina e Mel – Dina Bušić (zë) e Melita Ivković (kitarë) – publikuar nga etiketa e mirënjohur kroate Nota Bene Records (2020).
Albumi përmban këngë të cilat kanë qenë pjesë e praktikave muzikore të arbëneshëve të Zarës, ose Zadarit¹. Fillesat e këtij albumi shkojnë prapa në kohë, në vitin 1999, kur Dina Bušić-it, atë kohë studente muzikologjie, iu caktua të bënte kërkime dhe regjistrime etnomuzikologjike mbi trashëgiminë muzikore të origjinës së saj. Si rrëfen në libërthin shoqërues të albumit, ajo ishte arbëneshe nga ana e nënës, por ishte distancuar prej kësaj përkatësie për një sërë rrethanash “aspak fatlume”. Ndër këto ishte edhe transferimi për të jetuar në një pjesë tjetër të qytetit. Kësisoj, kërkimi i saj studentor mbi muzikën kthehet në një mënyrë për të rilidhur fijet me një të shkuar prej së cilës ajo kujton momentet kur, fëmijë, merrte pjesë në procesionin e Zojës sonë, kremtimi i festës fetare të lidhur me Kishën e Zojës së Loretos që përnderohet nga arbneshët e Zarës. Në këtë festë, ajo vishte kostumin e bardhë qepur posaçërisht për atë rast, ndërsa të vjetrit që ndiqnin procesionin e kishin zakon ta pyesnin se e kujt ishte. Përgjigjja e saj do të ishte: “e Fjakas dhe Kires”. Ishin emrat e dy stërgjyshërve që, në fakt, ajo nuk i kishte njohur ndonjëherë, por falë “emrit” që kishin lënë brenda komunitetit, bëheshin lehtësisht një formë identifikuese për stër-mbesën e tyre.
Përmes kësaj punë etnomuzikologjike, Dina Bušić rilidh gjithashtu fijet edhe me të tashmen, duke gjurmuar njerëzit që ruanin ende kujtesën e këngëve. Të parët ndër këta protagonistë ishin pikërisht gjyshi dhe gjyshja e saj (dida dhe baba, si i thërrisnin në arbënesh). Baba Ermana, me një zë të spikatur sopranoje ishte e para që e befasoi në këtë drejtim. Më pas, tetoja e së gjyshes, me tri vajzat e veta, për ta zgjeruar rrethin edhe me protagonistë të tjerë. Zërat e këtyre njerëzve kishin shenjuar kujtesën e përbashkët të komunitetit. Disa prej tyre si, fjala vjen, baritoni Petar Uči dhe sopranoja Ana Perović kishin qenë edhe anëtarë të korit të kishës. Në zenitin e vet, ky kor pati realizuar gjithashtu një album në vinil, publikuar nga Jugoton më 1979: Kori miks “Vicko Zmajević” i arbneshëve të Zadarit: Kompozime klasike e bashkëkohore. Traku i parë i këtij albumi është në arbënesh: “Legjenda për Zonjën te arbëneshit”.
Teksa flet për kontekstin e vet familjar, Bušić tregon edhe për gjuhën arbëneshe, arbanasi; për faktin se në shtëpinë e tyre flitej mjaft mirë vetëm nga baba Ermana, dida Ante dhe nga e ëma e vet (që ishte vajza e madhe e tyre). E flisnin mes tyre, për të ndarë “sekrete” që fëmijët nuk duhet t’i dëgjonin. Prej momentit kur familja u zhvendos për të jetuar jashtë territoreve historike të komunitetit, gjuha filloi të përdorej gjithnjë e më rrallë dhe shkak thelbësor për këtë ishte kujdesi për të mos u dalluar si ndryshe prej të tjerëve. Kështu, me kalimin e kohës, ajo mbeti vetëm një “aset” i gjyshes, gjyshit dhe të ëmës “në kohë krizash”, vëren Bušić.
Materialet që ajo regjistron paraqiten relativisht fragmentare, në shumë raste kapen vetëm copëza melodish e tekstesh. Por, nga mënyra se si përshkruan Bušić bisedat me njerëzit gjatë seancave të regjistrimit, vërejmë se kjo muzikë, megjithëse e ka mbyllur ciklin e vet aktiv, ruan ende ngarkesë afektive në kujtesën e njerëzve.
Gjithsesi, do të kalonte një farë kohe përpara se këto regjistrime të merrnin trajtën e një albumi. Ideja filloi të konkretizohej gjatë vitit 2017 dhe mbështetje e mëtejshme për këtë ishin ndër të tjerë, Maximiljana Barančić, studiuese dhe promovuese e gjuhës dhe kulturës arbëneshe, si dhe Bernard Kotlar, djali i këngëtares së mirënjohur Lidija Kotlar, i cili kishte mbledhur shumë regjistrime të praktikave muzikore të arbneshëve të Zarës.
Por, para së gjithash, ishin vetë regjistrimet muzikore ato që do të bindnin dy artistet që, përmes përvojës së tyre muzikore, artistike e njerëzore, t’iu jepnin frymë e shpirt këtyre materialeve, duke i përpunuar, përshtatur, harmonizuar e sjellë si këngë të përfunduara në vetvete.
Për konceptimin muzikor dhe aranzhimet, atyre iu bashkuan edhe Miroslav Tadić (kitarë), Edin Karamazov (kitarë, saz) dhe Yvette Holzwarth (violinë). Ky formacion instrumental që vjen me kombinime të ndryshme nga një këngë te tjetra, përpiqet të ruajë nga ana timbrike e harmonike raportet mes të shkuarës së këtyre materialeve – duke mbajtur vetëm linjën melodike – dhe jetësimit të tyre me një ansambël më bashkëkohor. Melita Ivković e përshkruan si një lloj kaleidoskopi, në të cilin veshi harmonik bën bashkë referenca të repertorit për kitarë klasike, trajtimet moderniste të këngëve folklorike nga Benjamin Britten, formate më urbane si, fadoja portugeze, deri te disa sprova të hershme kompozicionale të asaj vetë. Të gjitha bashkë i vendosen si shtrat mbështetës melodive.
Ruajtja e këtij raporti mes të shkuarës e bashkëkohores realizohet edhe përmes veçorive të regjistrimit dhe miksimit, për të përcjellë te dëgjuesi gjallësinë e performancës. Kemi të bëjmë me një regjistrim in situ dhe jo në studio, regjistrim ama që iu përmbahet gjithë parametrave me cilësi të lartë. Ai është realizuar në vitin 2018, në Kishën e Ngjitjes së Hyjlindëses, në ishullin e Zlarin, nën kujdesin e inxhinierit të zërit Marin Fulgosi. Ndërsa për pjesën e miksimit audio është kujdesur Jan-Eric Persson, i njohur gjerësisht për punët e tij me tingullin.
Në album janë përfshirë 10 numra të cilët mund të dëgjohen lirshëm edhe në youtube (ndonëse personalisht do të inkurajoja blerjen e tij si një lloj suveniri muzikor i arbëneshëve të Zadarit):
Albumi Bërbili, nga Dina e Mel
7 prej këtyre këngëve i përkasin komunitetit të arbneshëve të Zarës; dy të tjerat janë këngë të arbëreshëve të Italisë (“Moj e bukura More” dhe “Ishjë një ditë të mojit majit”), kurse traku i fundit është një miksim nga seancat e regjistrimit të realizuara për përgatitjen e tij. Në këtë trak dëgjojmë interpretimet e materialeve nga zërat burimorë (Ana Modrinić Mazija, Fernanda Mazija, Ðani Mazija, Palma Nikpalj, Lidija Kotlar, Ermana Stipčević, Petar Uči Perović, Duško Modrinić dhe Dina Bušić), Është një zgjidhje e përveçme, e cila bëhet edhe më kuptimplotë teksa lexon se një pjesë e tyre nuk janë më në jetë në kohën kur është publikuar albumi. Përfshirja në album, për mendimin tim, nuk duhet konsideruar thjesht si tregues i punës etnomuzikologjike, por si një dëshmi zanore e cila është po aq pjesë integrale e këtij albumi, sa edhe vetë këngët e interpretuara nga Dina e Mel.
Tekstet e këngëve që dëgjojmë “flasin” një gjuhë që përgjithësisht, ruhet që prej shpërnguljes së arbneshëve nga vendet e origjinës tre shekuj më parë. Ndërsa meloditë e këtyre këngëve i përkasin një bote më bashkëkohore e urbane, rrjedhojë e bashkëjetesës në një vend ku elementi italian dhe kroat kanë qenë shenjues kulturorë e identitarë të Zadarit. Së pari, melodia lirike, italianiteti i së cilës dallohet qartë. Pastaj, mund të rendisim vokalitetin, zëra të impostuar sipas regjistrave specifikë të kantos lirike, që kanë si karakteristikë një lloj force kumbuese. Një tjetër ndikim gjurmohet tek tradita korale fetare, që si edhe e pata përmendur ka qenë lëvruar përmes korit të kishës. Ky i fundit, me shumë gjasë, ka shërbyer historikisht si një lloj “shkolle” kantoje. Më në fund, nuk duhet të harrojmë që jemi në mjedisin ku praktikohen gjerësisht klapat, forma tradicionale e të kënduarit shumëzërësh polifonik.
“Humbja” e atyre që mund të kenë qenë praktikat muzikore të vendit të origjinës te arbneshët e Zarës është vënë në dukje qysh nga Tullio Erber, në fund të shekullit XIX. Por, si vëren ai,
[…] nuk duhet të besojmë se ata janë të heshtur dhe të mërzitshëm. Përkundrazi, po të përshkoni Borgo Erizzon gjatë mbrëmjes, mbasi të gjithë kanë mbaruar punën ose në ditë feste, do të dëgjoni këngë të lumtura nga të gjitha anët. Ditët familjare të shënuara ose festat kishtare, varrimet ose banketet e lumtura shoqërohen gjithmonë nga këngë melodioze, që të prekin në zëmër. Ata kanë një vesh shumë të rrallë për muzikën dhe koret e tyre janë me të vërtetë të mrekullueshëm. Është shumë e çuditshme sesi burrat që nuk kanë asnjë ide të muzikës së mësuar nëpër libra arrijnë t’i alternojnë zërat aq mirë, altot dhe basot, të parin dhe të dytin. Jam i bindur se po të shkonin të bënin një xhiro nëpër botë nuk do të kishin më pak sukses se këngëtarët tirolezë. Edhe gratë janë të prera në të kënduar dhe e dinë këtë; sepse kur kthehen nga puna kumbojnë me këngët e tyre harmonioze për më tepër nëse shohin qytetarë të afrohen. Dhe është e çuditshme që një popull kaq muzikor nuk i ka ruajtur këngë të vetat, dhe këndon këngë sllave dhe disa italiane. Mbase shkaku i kësaj duhet të kërkohet në historinë e tyre dhe më saktë në persekutimet që kanë vuajtur për shumë e shumë vjet në atdheun e të parëve.²
Në studimet e bëra rreth komunitetit të arbëneshëve të Zadarit kanë mbizotëruar kryesisht ato mbi gjuhën dhe dinamikat e ruajtjes e transformimeve të saj. Në një plan të dytë gjurmohet historiku i migrimit të popullsisë, kurse pjesa që u takon aspekteve kulturore, dhe sidomos muzikës, ka mbetur shumë pak e prekur dhe e njohur. Raporti mes asaj që vijon të ruhet dhe asaj që ka humbur bën që muzika të merret qysh në krye të herës me një lloj rezerve dhe diskutimi të lidhet me shkaqet se pse ka ndodhur humbja e traditës. Edhe fragmenti i sipërcituar e mbart këtë shqetësim. Megjithatë, ai ofron njëherazi edhe një përshkrim mjaft të detajuar sa i takon praktikave muzikore. Ajo që bie më shumë në sy është gjallëria e praktikës së këngës brenda tij, sa pjesëmarrëse është ajo në jetën e komunitetit në fundin e shekullit XIX, të paktën nga vëzhgimi që jep Erber-i.
Ky lloj “zëvendësimi” i mundshëm i traditave muzikore të origjinës bëhet më grishës sesa gjetja e arsyeve të humbjes së tyre. Dhe ajo që dëgjoj te këngët e albumit Bërbili, rreth një shekull e gjysëm më pas tregon se në një periudhë të caktuar, këto forma ekspresive që i përkasin qoftë kulturës sllavo-kroate, qoftë asaj italiane kanë arritur të zënë vend të qenësishëm. Kjo muzikë “jo-origjinale”, ngjashmërisht me këngën korçare – me të cilën jam marrë konkretisht dhe gjej edhe shumë pika takimi – na tregon për mënyrën si ky komunitet ka dhënë e ka marrë në rradhë të parë me qytetin e Zadarit, me kulturën e tij urbane për t’u ndjerë i përfaqësuar brenda saj, si edhe për t’u përfaqësuar si vendas.
Është një proces akulturimi i cili ndodh përmes përshtatjes së melodive të këngëve të njohura me tekste në gjuhën arbëneshe. Nuk është e vështirë për artistet e albumit që të dallojnë tek “Arbëneši vendi tem” një version të këngës napoletane “Torna a Surriento”. Po kështu, ato sqarojnë se “Jam arbëneš” është një contrafactum i “Son’ Zaratin” një këngë italiane që qarkullonte në qytet gjatë mbretërisë italiane të qytetit (1920-1945). Ndërsa për mua, ishte me interes të zbuloja melodinë e këngës korçare “Lule e bukur” te “Zogu i verës”. Shembulli më i famshëm nga të gjithë është “Bërbili”, varianti në arbënesh i këngës “Üsküdar’a Gider İken”. Me siguri Adela Peeva do ta kishte përfshirë në dokumentarin e saj të bujshëm Whoose is this song po ta kishte ditur edhe këtë variant.
Dina interpreton e interpreton në tri variante këngën: arbënesh, si sevdalinkë boshnjake njohur me titullin “Anadolka” dhe variantin në turqisht. Kështu, rastësisht na zbulohen, të paktën deri tani, plot tri variante të ndryshme të melodisë së bujshme me tekste në shqip, po të kemi parasysh se në Shqipëri ekzistojnë të dokumentuara dy versione³. Krahas këtyre melodive të përshtatura gjejmë edhe një origjinale: “Netët” krijuar rreth vitit 1956 nga Daro Kalmeta tenor, këngëtar operistik dhe redaktor pranë Radio Zagrebit, ndërkohë që të tjerat kanë statusin e anonimatin. Sidoqoftë, të gjitha interpretimet janë të çliruara, le të themi, nga pengu i origjinales dhe autentikes në këngë.
Ky album, me qasjen e vet kërkimore dhe krijuese njëherësh, ku etnomuzikologjia bëhet bashkë më performancën artistike, mund të mos jetë një burim referencial për t’u marrë si bazë nga ana studimore. Megjithatë, duke u çliruar pak prej skrupulozitetit akademik, nëpërmjet tij mund të ndjekim një shteg interpretativ për të kuptuar vendin që kanë zënë këto këngë te arbëneshët gjatë fundit të shekullit XIX dhe atij XX. Dhe kjo, duke i pranuar materialet ashtu si vijnë: në përpjekjen për t’i gjurmuar brenda kushtit të harresës dhe bjerrjes së praktikës, në fragmentarizimin e kësaj kujtese, e cila vjen kryesisht përmes një rrethi të ngushtë njerëzish e lidhjesh familjare, si dhe në dëshirë për ta rijetësuar artistikisht si performancë artistike.
Për këtë, dëshiroj t’i referohem sërish atij “artizanati muzikor urban” që ashtu si e kam shqyrtuar edhe në rastin e këngës korçare, përbrendëson stilema e shprehje të caktuara dhe, brenda kontekstesh specifike të jetës urbane, i përpunon dhe i risjell në forma të ndryshme krijuese.
Këto këngë i përkasin një jete urbane e cila ka qenë relativisht aktive deri në gjysmën e parë të shekullit XX, për t’u zbehur gradualisht teksa Zadari dhe arbëneshët si qytetarë të tij filluan të integrohen në realitetin kulturor e politik jugosllav. Ato pasqyrojnë gjurmën e fortë italiane dhe kroate si pjesë e identitetit të qytetit, por edhe si ideologji nacionale e program politik, ashtu si u formësua duke filluar nga mesi i shekullit XIX. Dinamikat e lidhura me këtë kanë trazuar jo pak jetën e arbëneshëve dhe po aq edhe të gjithë banorëve të Zadarit. Lirizmi, tema e emigracionit, nostalgjia e largimit, humbjes vijnë të forta te këngët “Arbëneši vendi tem”, por edhe te “Netët”. Emocionaliteti referon ngjarje konkrete si ishte largimi i një pjese të madhe të popullsisë që kishte qenë mbështetëse e Italisë dhe sundimit të saj në Zadar (1920-1943). Kjo pjesë e komunitetit që kishte qenë edhe pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore me të vendosi të largohej nga frika e përndjekjeve që mund të ndërmerrnin partizanët jugosllavë dhe regjimi jugosllav.
Këngët “Ni merrje kam vana” që flet për një martesë të detyruar, ose fragmenti humoristik “Me ofićiala” që ironizon vajzat e komunitetit që flirtojnë dhe duan të martohen me “ofićialat” dhe jo me arbëneshët japin e marrin me një realitet i cili karakterizohet nga forma dyzimi të vazhdueshme të përkatësisë brenda komunitetit dhe humbjes së pashmangshme të tij. Në të gjitha rastet, nuk kemi parrulla politike mbi etnicitetin apo nacionalitetin, por ndjesi të brendshme, intime, të cilat ankorohen tek nostalgjia.
Meloditë, përpara se të jenë këngë kroate, apo italiane, janë këngë të kohës, jetës urbane. Ato bëjnë pjesë te ajo sferë e popullores në të cilën njeriu negocion vazhdimisht vendin e vet në raport me tjetrin, me realitetin që e rrethon. Kjo sferë nuk ka aftësi vetëm të të argëtojë, por të ofron edhe mjete e mundësi për t’u shprehur; herë duke u artikuluar përmes diçkaje të krijuar më parë e, herë duke krijuar diçka të re mbi ato modele.
Artizanati urban mbart gjithashtu një ngarkesë specifike emocionale, e cila lidhet ngushtë me kujtesën afektive. Shembujt më kuptimplotë dhe emocionues që ky album sjell mbi këtë janë “Zogu i verës” dhe sidomos këngëza fëminore “So edua nanen”, në stilin një “filastroche” italiane, e cila mund të dëgjohet edhe në variantin burimor kënduar nga Palma Nikpalj (traku 10, nga min: 1’33’’)
Shumica e këngëve nuk kanë lindur për të qenë pjesë e jetës koncertale, por i kanë shërbyer intimes, personales dhe konteksteve specifike ku ajo zakonisht shprehet e “konsumohet”. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse janë mbajtur në mend, në krahasim me të tjera që mund të jenë harruar me kohë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Prej kësaj kohe, si vërejnë Dragutin Babić dhe Šenol Selimović, qëndrimi skeptik i qeverisë jugosllave ndaj arbëneshëve bëri që ruajtja e identitetit kulturor të përqendrohej në botën e mbyllur të atyre pak narrativave familjare, konteksteve private, ku banonin kryesisht kujtimet e origjinës dhe ruajtja e gjuhës. Në këtë kohë zbrazëtie, e vetmja që u ruajt si pjesë e kujtesës kulturore të komunitetit ishte festa e Zojës së Loretos, por edhe kjo si një ngjarje e izoluar dhe jashtë vëmendjes institucionale qytetare të kohës. Ndërkaq, asimilimi i komuniteti vetë brenda jetës jugosllave vazhdoi me ritmet e veta.
Prej momentit kur është publikuar, albumi Dina dhe Mel kanë ndërmarrë një seri koncertesh në vende të ndryshme për ta promovuar. Ato erdhën edhe në Tiranë, në një koncert modest, të realizuar në sallën Çesk Zadeja të Universitetit të Arteve, më 9 dhjetor 2022. Nga ky koncert kuptova se nuk do të ishte i mjaftueshëm një recension i thjeshtë për këtë album. Qysh në fillim e ndjeva të afërt për shkak të faktit se ndante shumë qasje metodologjike dhe artistike sidomos me vëllimin e realizuar për Spanja Pipën dhe këngën korçare në periudhën 2011-2015. Gjetja e shumë paraleleve mes të dyve dhe mbi të gjitha mes vetë këngës korçare dhe asaj arbëneshe zadariote na tregojnë sesi operacione të tilla rivlerësimi e jetësimi të një trashëgimie të caktuar muzikore janë rezultat i një pune të kalibruar, ku secili prej aktorëve pjesëmarrës vendos një copëz të vetën brenda projektit.
Këngët thuajse të harruara të arbëneshëve të Zadarit janë pjesë e identitetit muzikor e kulturor të tyre, i mënyrës si ai ka ardhur duke u formësuar gjatë shekujve XIX dhe XX. Nëse gjuha ka ruajtur kuadrin identitar të një përkatësie ndryshe nga kroatët apo italianët; këngët në fjalë rrëfejnë komunitetin si pjesë vitale e këtij qyteti me një histori të dhimbshme, e plot dritë-hije. Qëllimisht ose jo, edhe autoret e këtij albumi kanë lënë mënjanë detaje kontekstuale rreth kësaj periudhe të trazuar të komunitetit në raport me qytetin dhe politikat etno-nacionale, qofshin ato para apo pas viteve ’90-të. Ato përqendrohen posaçërisht te thelbet emocionale të kësaj muzike, si kujtesë tingullore e identitare e arbëneshëve të Zadarit. Nuk mendoj se kjo zgjedhje është diktuar nga synimi për t’i lënë gjërat në nivele neutraliteti, sesa nga vetëdija që është pikërisht ky lloj emocionaliteti intim ai që i ka bërë këto këngë këngë arbëneshe.
¹ Ky komunitet u krijua nga një numër familjesh të krishtera që emigruan aty nga zona e Shkodrës (të dhënat referojnë fshatrat Brisk, Shestan, Larje të Krajës duke filluar nga mesi i vitit 1726, me tri valë emigruese në harkun të thuajse një 10 vjeçari. Kjo u realizua nën kujdesin e Arqipeshkvit Vinçenc Zmajeviç, si dhe të kontit Niccolò Erizzo, prej nga u njoh edhe si Borgo Erizzo.
² Tullio Erber. 1996 [1883]. “Kolonia shqiptare e Borgo Erizos”. Përktheu Jora Mato. Përpjekja 9: 101
³ Ndër ta më i famshmi është “Mu në bashtën tënde” por ekziston edhe një variant regjistruar në Elbasan me titullin “Kaloshjes”. Kënduar nga Fetah Banj dhe mbledhur nga Arsen Mustaqi në vitin 1962.
Imazhi i ballinës: Aleksandar Bonaçiç