Tribut Julio Cortázarit

nyje.al |12.02.2019| 

Julio Cortázar (26 gusht 1914 – 12 shkurt 1984) e përshkruan origjinën e tij si koktej racash njerëzore: me origjinë baske nga babai dhe franceze nga nëna, u lind krejt rastësisht në Bruksel dhe u zhvendos në Argjentinë së bashku me familjen ku kaloi vitet e rinisë. Nëna ka qenë njeriu që ka ndikuar më shumë në rritjen e tij. Ajo ishte një grua që njihte gjuhën frënge, angleze dhe spanjolle e që fare mirë mund të ishte përkthyese, por për shkak të kushteve të vështira ekonomike zgjodhi të punojë në administratën shtetërore në Argjentinë. Ndërsa figura e babait u zhduk përjetësisht kur Cortazari ishte 3 vjeç.

I ndikuar nga poezitë e Edgar Allan Poe-së dhe i tmerruar nga forca e jashtëzakonshme e këtij poeti, në moshën 8-vjeçare shkruan novelën e tij të parë. Në një intervistë për radio-televizionin spanjoll kujton: “Nëna më tregonte se në moshën 8-9 vjeçare më kapte për flokësh e më nxirrte në diell sepse qëndroja për orë të tëra duke shkruar. Mjeku i familjes m’i ndaloi kategorikisht librat për 5-6 muaj, derisa nëna vendosi që të mos më pengonte më. Novela ime e parë e shkruar në fëmijëri i skandalizoi të afërmit që më pyesnin se në ç’vend e kisha kopjuar. Dyshimet e sime mëje për autorësinë më bënë të kuptoj që nuk mund të jetoja në një botë naive dhe t’u besoja verbërisht njerëzve. Zbulimi i vdekjes dhe mosbesimi më kanë tronditur për gjithë jetën. “

Në krye të 9 viteve shkollim merr një diplomë që i jep mundësinë të jetë mësues në shkollat e fshatrave të Argjentinës për lëndët e gramatikës, logjikës, qytetarisë etj.Nuk arrin të vazhdojë studimet për Filozofi dhe Letërsi, ndaj për të ndihmuar nënën ekonomikisht pranon të punojë si mësues i edukatës qytetare nga viti 1939 deri në vitin 1945 në Boliva.
Autokritik dhe shumë i pasigurtë, vonë në jetë vendosi të publikojë libra. Sipas tij asnjë shkrimtar nuk arrin të shkruajë atë që do donte të shkruante. Një libër më shumë është një libër më larg asaj që shkrimtari aspiron. Ka ndjerë një dëshirë rebelimi ndaj nocionit “stil”. Frika e tij ishte që nëse kishte diçka për të thënë dhe nuk e thoshte sipas gjuhës me të cilën duhej thënë, në njëfarë mënyrë ose s’e kishte thënë, ose e kishte thënë keq.

Lexuesit kanë zbuluar nëpërmjet veprave të tij një univers ”cortazar”, që është një kërkim përtej gjërave, për të parë më në thellësi se cilat janë relievet, profilet dhe fytyrat e tjera të dukjes. Vetë Cortazari pranon që intuita, pasuar nga një proces meditimi, ka më shumë rol sesa idetë. Ai mahnitet se si funksionon inteligjenca e kulluar, silogjizmat e saj dhe shpjegimi i pasojave, ndërkohë që ai e ndjen vetën të paaftë për ta bërë atë. “Unë nuk di të diskutoj dhe as të mbroj pikëpamjet e mia. Në çdo debat humbas, dhe vetëm kur shkruaj ia dal.”

Përveç Poe-së, është ndikuar shumë nga Borges dhe nga muzika. Për shembull muzikën jazz e konsideronte si një lloj pranie e vazhdueshme e një ritmi që s’ka lidhje me rimën, e nëse nuk e dëgjonte në ato që shkruante, e kuptonte që nuk bënte. Tregimi ishte gjinia e tij e preferuar. Ka shkruar 17 vëllime me tregime, romane dhe vëllime me poezi, dy vepra teatrore, ka publikuar përmbledhje të ndryshme me ese dhe artikuj, si dhe ka përkthyer Edgar Allan Poe-në. Ndryshe nga shumë autorë që qahen për promovimin e librave, ai mendon se asnjë fushatë e mirë promocioni nuk mundet ta shpëtojë një libër që nuk vlen as për tre groshë, dhe po ashtu asnjë libër i mirë nuk humbet edhe pse s’i bëhet promocion.

Me rastin e 35-vjetorit të vdekjes së Julio Cortazarit, sjellim këtu disa proza të shkrutra, të përkthyera nga origjinali nga Bajram Karabolli dhe të botuara së pari në revistën letrare “Helicon” të Azem Qazimit. Botohen me lejen e përkthyesit.

UDHËZUES PËR TË QARË
T’i lëmë mënjanë shkaqet, të përqëndrohemi kryesisht te mënyra e saktë e të qarit, duke kuptuar me këtë një qarje që të mos kalojë në ulërimë dhe, aq më keq, në një fyerje të buzëqeshjes me ngjashmërinë e saj paralele dhe të trashë. Qarja mesatare dhe e zakonshme mbështetet në një ngërdheshje të plotë të fytyrës dhe në një tingull spazmatik të shoqëruar me lot dhe qurra, këto të fundit në mbarim, sepse e qara mbaron në çastin kur hundët shfryhen me forcë.

Për të qarë duhet ta drejtoni imagjinatën nga vetja juaj dhe, nëse kjo ju duket e pamundur, ngaqë është bërë zakon të besosh në botën jashtë vetes, mendoni një rosak të mbuluar me milingona ose ato gjiret e ngushticës së Magelanit, ku asgjë nuk kalon më, kurrë.
Me të mbërritur qarja, fytyra duhet të mbulohet me dinjitet, duke përdorur të dy duart me pëllëmbë nga ana e brendshme. Fëmijët do të qajnë duke e mbuluar fytyrën me mëngët e xhaketës dhe duke u strukur në një kënd të dhomës. Zgjatja mesatare e qarjes: tri minuta.

UDHËZUES PËR TË KËNDUAR
Filloni duke thyer pasqyrat e shtëpisë suaj, i ulni krahët poshtë, shikoni turbull murin, duke harruar veten. Nxirrni vetëm një notë, duke e dëgjuar së brendshmi. Nëse do të dëgjoni (por kjo do të ndodhë shumë më pas) diçka si një peizazh zhytur në frikë, me zjarre midis gurëve, me figura gjysëmlakuriqe të ulura galiç, besoj se do të jeni në rrugë të mbarë dhe e njëjta gjë nëse dëgjoni një lumë, nëpër të cilin zbresin varka të ngjyera me të verdhë e me të zezë, apo nëse ndjeni një kundërmim buke, një prekje gishtash, një hije kali. Më pas blini solfezhe dhe një frak dhe, ju lutem, mos këndoni nën hundë dhe lëreni të qetë Shumanin.

UDHËZIME-SHEMBUJ MBI MËNYRËN SI TË KESH FRIKË
Në një fshat të Skocisë shesin libra me një faqe të bardhë të humbur në një pjesë çfarëdo të vëllimit. Nëse një lexues ndesh në atë faqe fiks në tre të pasdites, vdes.
Në sheshin Quirinale të Romës, ka një vend të njohur që nga kohë të hershme e deri në shekullin e 19-të, prej nga, kur hëna është e plotë, shihen të lëvizin ngadalë statujat e Dioskurëve që luftojnë me kuajt e tyre të tërhuzur e të ngritur arithi.
Në Amalfi, sa mbaron zona bregdetare, gjendet një mur mbrojtës që duket në det edhe natën. Përtej fenerit të fundit dëgjohet një qen që leh.
Një zotëri po vendos pastën e dhëmbëve mbi furçë. Papritur vë re një figurë të vockël gruaje prej korali apo prej thërrimesh buke të ngjyrosur, shtrirë në shpinë.
Duke hapur dollapin për të marrë një këmishë, rrëzohet një kalendar i vjetër që shpërbëhet, fletët shpërndahen dhe teshat e bardha mbulohen nga mijëra flutura të pista letrash.
Mësohet nga një shitës ambulant, të cilit filloi t’i dhimbte kyçi i dorës së majtë, pikërisht poshtë orës së dorës. Kur e hoqi me forcë orën, i rrodhi gjak: te plaga dukeshin gjurmët e disa dhëmbëve shumë të mprehtë.
Mjeku mbaron së ekzaminuari dhe na qetëson. Zëri i tij i trashë dhe i ngrohtë u paraprin ilaçeve që po i shkruan tani në recetë, ulur në skrivaninë e tij. Herë-herë ngre kokën dhe buzëqesh, duke na dhënë zemër. Nuk është për t’u merakosur, për një javë do të shërohemi. Të lumtur, rehatohemi në kolltukun tonë dhe vështrojmë përreth të shpërqëndruar. Për një cast, në gjysmëhijen poshtë skrivanisë, shohim këmbët e mjekut. I ka ngritur pantallonat deri te kofshët dhe paska veshur çorape grash.

HYRJE NË UDHËZIMET PËR TË KURDISUR ORËN
Ja çfarë mendon: kur të dhurojnë orë, të dhurojnë një skëterrë të vogël të lulëzuar, një zinxhir trëndafilash, një qeli të ajrosur. Veç nuk ta japin vetëm një orë duke të thënë: e gëzofsh ditëlindjen e qofsh i lumtur dhe shpresojmë të rrojë gjatë se është markë e mirë, zvicerane, me gurë rubini; nuk të dhurojnë vetëm këtë gurëskalitës të vogël, që do ta mbërthesh te kyçi i dorës dhe do të dalësh të shëtisësh me të. Të dhurojnë- nuk e dinë, më e tmerrshme është se nuk e dinë – të dhurojnë një tjetër pjesë të brishtë dhe të pasigurtë të vetes tënde, diçka që është e jotja, por që nuk është trupi yt, që duhet ta mbërthesh në trupin tënd me rripin e saj, si një përqafim të dëshpëruar kapur te qafa e dorës tënde. Të dhurojnë nevojën që ta kurdisësh përditë, në mënyrë që të vazhdojë të jetë orë; të dhurojnë maninë të kontrollosh orën e saktë në vitrinat e argjendarëve, në radio, në telefon. Të dhurojnë frikën se mos e humb, se mos ta vjedhin, se mos të bie në tokë dhe të thyhet. Të dhurojnë markën e saj dhe sigurinë që është markë me e mirë se të tjerat, të dhurojnë aftësinë për të bërë dallimin mes orës tënde dhe orëve të tjera. Nuk të dhurojnë një orë, i dhuruari je ti vetë, të kanë dhuruar ty për ditëlindjen e orës.

UDHËZUES PËR TË KURDISUR ORËN
Ja ku është vdekja, atje në fund, por mos kini frikë. Mbërthejeni orën me një dorë, kapeni me dy gishta rrotëzën e kudrisjes, rrotullojeni ngadalë. Atëherë vjen një tjetër kohë, pemët lëshojnë gjethet, varkat nisin garat e tyre, koha si një erashkë do të shpalosë vetveten dhe prej saj do të shpërthejnë: ajri, flladet e tokës, hija e një gruaje, kundërmimi i bukës. Ç’doni më shumë, ç’kërkoni më shumë? Lidheni shpejt në kyçin e dorës, lëreni të rrahë e lirë, imitojeni me gjithë dëshirë. Frika ndryshk akrepat, gjithçka që ka mundur të prekë dhe që ishte harruar po vrapon nëpër venat e orës, duke e gangrenizuar gjakun e ftohtë të rubinëve të saj. Dhe atje në fund qëndron vdekja; nëse nuk vrapojmë për të arritur të parët, nuk do ta kuptojmë se atëherë asgjë s’ka më rëndësi.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje