Metamorfoza e heroit (Rasti i Pa heronj, pa bujë – Ndriçim Ademaj)

Dorian Berisha | 17.02.2024 | nyje.al

Në esenë “Vdekja e autorit” (1967) e kritikut letrar dhe teoricienit francez, Roland Barthes-it, argumentohen idetë strukturaliste që vijnë si reaksion i praktikës pozitiviste të kritikës letrare tradicionale, e cila mbështetej në biografinë e një autori për të shpjeguar “kuptimin përfundimtar” të një teksti. Ese e cila orvatet të shmangë metodat pozitiviste të kritikës letrare që i bëheshin aksh vepre, duke përdorur elemente përgjithësisht jashtëletrare, për të shquar vlerën e tekstit. Gjithmonë duke mbështetur idetë “protekstit”, mund të themi se jeta e autorit ka ndikim jetik në prodhimin e artit të fjalës, madje, është qerthulli prej nga ku buron secili frymëzim i unit poetik. 

Sprova e parë prozaike e Ademajt, e ka gjenezën pikërisht tek empirizmi jetësor personal, kjo na shfaqet qysh në nëntitull, i cili shërben si portë hyrëse në roman. Përmes një loje fjalësh (ngjarja e vërtetë është bazuar në këtë rrëfim), na jepet edhe çelësi dekodues zhanror: kemi të bëjmë me një roman autobiografik fiksional, që më së afërmi i rri për nga objekti që ka në qendër, autofiksionit. Rrëfimi është i mbushur me fakte jetësore të Ademajt me referencë botën reale, e cila bashkëjeton natyrshëm me fiksionin. Në këtë mënyrë, duke përdorur stilin narrativ të fiksionit, teksti autobiografik resht së qeni non-fiksion.

Nëntitulli, ose pragu hyrës, shërben si ftesë në ndjekjen e linjës narrative të protagonistit, i cili është narratori i brendshëm, rrëfen në vetën e parë, dhe njëkohësisht është strumbullari rreth të cilit ndërtohet gjithë narracioni. Struktura narrative e romanit përbëhet nga dy kohë kryesore, dhe një kohë zero. Romani hapet e mbyllet me kohën zero, në dukje kohë metafizike e kohë meditative, e cila nuk qëndron në hulli të prologut e të epilogut, por vetëm sa shquan mundin fizik dhe psikologjik të protagonistit, që ngjan të ndodhet në grahmat e fundit agonike të jetës, fakt i cili aprovohet nga vetë rrëfimi. Ngadhnjim Gashi, është personazhi rrëfimtar i cili luan rolin kryesor në ngjarje dhe sikur na njofton me sorollatjet e tij në shtetin helvetik, si një i ri i dalë nga katrahura ish-jugosllave, varfëria e sistemi i të cilit mbështetej në terror. Periudhë ku gjithçka menaxhohej e zgjidhej përmes dhunës, qoftë edhe edukimi. Romani ndërtohet përmes teknikave të romanit modernist, fragmentariteti kohor dhe narrativ i japin lexuesit mundësinë e plotësimit të hapësirave boshe përmes imagjinatës subjektive, e sidomos zgjidhja e hapur me ambiguitete të shumta. Një fëmijë i quajtur “tutkun” e “frikacak”, i rritur me dhunë dhe i traumatizuar nga gjithfarë formash, e sidomos nga krisma të luftës, nuk ka se si të rritet ndryshe përpos se duke zhvilluar idetë e lavdisë dhe guximit, duke ëndërruar dyluftime donkishoteske me mullinjtë e erës, beteja për të cilat do të kërkohet kohë që të përmbushen. Xhimi, i rritur nga dhuna fizike e psiqike e babait, gjen strehë në prehërin e nënës, duke ndjerë për të parin urrejtje, dhe për të dytën dashuri. Si në pjesën e parë ku personazhi është i rritur dhe gjendet në Zvicër, ashtu edhe në pjesën e dytë, e cila përgjithësisht është retrospektive, protagonisti interesohet në gjininë e kundërt, ndoshta falë instiktit mashkullor. Në pjesën e parë ai madje edhe ndjen xhelozi për një vajzë e cila as nuk është e dashura e tij, e as nuk bëhet kurrë e tillë (Sarën), por që në subkoshiencë, ai e dëshiron atë, pa e gjykuar. Kurioziteti i tij na shpalos jetën e shthurur seksuale të një vajze perëndimore, që në syrin e ballkanasit është mjaft tërheqëse, por që nga asocializimi dhe muri social gjinor në rritje, asnjëherë nuk e ka guximin ta shprehë atë që i kërkon instikti (id-i). Bredhjet prej të përjashtuari në rrugët e Gjenevës, të ngjajnë me ato të një individi në kërkim të identitetit, arsyes dhe lirisë. Largimi nga atdheu i jep ndjenjën e pashpjegueshme të humbjes së kuptimit, edhe pse ka qenë kërkesë për të dalë nga izolimi, ai asnjëherë nuk arrin që të shkëputet nga e shkuara dhe nostalgjia për gjithçka që i kujton dheun e së ëmës. Mjaft absurd të ngjan edhe hezitimi i tij ndaj një nevoje biologjike, siç është marrëdhënia seksuale, absurd ky që të vjen në trajtë shumë më komike e me shumë sens humori, për dallim nga tradita e absurdit në letërsinë evropiane. Tragjikomedia, ose kombinimi mes trishtimit dhe momenteve qesharake, qëndron në një balancë që ia shton hirin ngjarjes, dhe sigurisht, vë në pah akoma më shumë traumën individuale/kolektive. 

Pjesa e dytë, e cila i përket fëmijërisë, e ruan narrativën infantile e naivitetin që përkon përgjithësisht me moshën e heroit fëmijë. Spektri naiv i të parit të botës e kërkimi i shpjegimit të konceptit të lirisë përmes gojës së një fëmije, simbolizon një rritje të parakohshme, një metamorfozë të brendshme që ndodh si pasojë e vrojtimit të skenave që syri i një fëmije nuk do të duhej t’i përjetojë. Ngjarja në pjesën retrospektive, korrespodon me luftën e fundit gjenocidale në Kosovë, që duket se ka lënë pasoja të pashlyeshme traumatike tek individi, e që manifestohen në psikologjinë internale të Xhimit në të ardhmen (pjesën e parë). Element mjaft i rëndësishëm i cili gjendet thekshëm në roman, është vdekja. Ishte hera e dytë që shihja kaq shumë varre të renditur njëri pas tjetrit. Hera e parë ka qenë kur vdiq gjyshja (Pa heronj, pa bujë, f. 124). Në luftë, Xhimi, humbet mikun e tij më të afërt, Talin, dhe dajën e tij, i cili ndjek kauzën e luftës për liri, duke u bërë martir i saj.  

 Te daja i tij ai e gjen prototipin e heroit, ndërsa tek i ati i tij, frikacakun: njëri zgjedh të sakrifikohet për lirinë, ndërsa tjetri të shkruajë poezi, e “të luftojë” pëmes penës. Pjesën dërrmuese të kohës nuk e kapërcen dot gjenetikën e të atit, vetëm në fund duket sikur ndodh një shndërrim i gjithanshëm i heroit. Dëmet e pariparueshme traumatike që sjellë lufta në psiqikën individuale e kolektive të viktimave, shfaqen te Xhimi fëmijë: 

-Nim, Nim, Nim, çu zemër . . . Çela sytë. Mbi kokën time rrinte nëna. Më puthi. – Mos u tut shpirt, andërr e keqe. Ktheva kokën nga dritarja. Një terr batanijesh dhe gazetash të bëra bashkë. Ishte një ëndërr e keqe. E frikshme. Më duket se kam lagur pizhamet. Diku larg dëgjoheshin disa krisma të mbytura pushkësh . . . (Pa heronj, pa bujë, f. 112) 

apo edhe në rastin e provokimit që i bëhet Xhimit nga një shtetas serb (armik), i cili pasohet nga reagimi i tij i dhunshëm, krejtësisht simptomë e traumës. Ndoshta ai tenton ta tejkalojë njëherë e përgjithmonë frikën duke u përballur me të, e duke arritur stadin e heroit të synuar e të ëndërruar në fëmijërinë e largët. Koha zero pas aktit heroik, na ngjan si arritja e shpirtit në nirvanë, një katarsis spiritual, një çlirim i brendshëm e një shndërrim. Prandaj simbolika e emrit është mjaft e rëndësishme, protagonisti i quajtur Ngadhnjim, ngadhënjen përfundimisht, përpara çdo pengese. Parë edhe në një vështrim gjuhësor e leksikor, përshtatja dialektore që i bëhet standardit me të folmen e Prizrenit në disa raste si: Qysh more çka po më duhet? Asht shpia jeme.(Pa heronj, pa bujë, f. 138), sigurisht për arsye stilistike, i jep romanit origjinalitet krijues e veçanti që e përfaqëson potikën e autorit respektiv. Bashkëjetesa mes fiksionit e reales në këtë roman, sikur të ndërmend Kongolin me Iluzione në sirtar, ku edhe pse referencat biografike janë të dukshme, rrëfimi asnjëherë nuk të mban në monotoni, por faqet kalojnë me një suspens-ë të jashtëzakonshme. Megjithatë, romani i Ademajt karakterizohet nga fokusi më i madh që i jepet ngjarjes dhe shkakut (luftës) që ka sjellë X pasoja (simptomat traumatike…).          

 Referencat:

  1. Ademaj, Ndriçim, Pa heronj, pa bujë, Tiranë, Pegi, 2017.
  2. Barthes, R, The death of the author, London, Fontana, 1977.
  3. Barthes, R, Aventura semiologjike, Prishtinë, Rilindja, 
  4. Jefferson, Ann dhe Roby, David, Teoria letrare moderne, Tiranë, Albas, 2016.
  5. Genette, Gérard. Narrative Discourse: An Essay in Method, Cornell University Press, 1980.
  6. Pozzato, Maria Pia. Semiotika e tekstit, përkth. Dhurata Shehri, UET Press, 2009.

Fotografia e ballinës: Kushtrim Krasniqi 


Për Autorin 

Dorian Berisha është kritik i ri nga Prizreni, i interesuar për letërsinë në përgjithësi dhe atë shqipe në veçanti. Ka përfunduar studimet e nivelit baçelor në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prizren, ndërsa ato të nivelit master në Tiranë në degën e Teorisë dhe Kritikës letrare.

 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje