Shkolla-ferr e Zallmnerit

Diana Malaj | nyje.al | 03.01.2019

Mungesa e perspektivës për një degë të mirë në universitet, për një formim akademik cilësor, e për një vend pune pak më vonë, janë disa nga arsyet që e demotivojnë një të ri i cili dëshiron t’u hyjë studimeve. Por po të shohim pak më në brendësi, ka të tjera rrethana pararendëse e jo të favorshme: vullneti për të nxënë është drejtpërdrejt i ndikuar nga realiteti konkret. Një mjedis i përshtatshëm edukimi shkollor duhet të të garantojë minimalisht mirëqënien fizike, emocionale dhe sociale. Kampioni ynë i analizës është shkolla e mesme e Zallmnerit, kushtet ku mësojnë dhe kalojnë një pjesë të ditës nxënësit e kësaj shkolle.

Shkolla “Sulejman Elezi” ndodhet në fshatin Zallmner të Kamzës, pesë minuta larg qendrës së qytetit. E ndërtuar në vitin 1997, kjo shkollë nuk ka pasur asnjë investim apo ndërhyrje për mirëmbajtje apo rikonstruktim as nga Bashkia e Kamzës dhe as nga Ministria e Arsimit. Kushtet e mjedisit të shkollës sa vijnë e rëndohen, rritet shqetësimi i stafit pedagogjik dhe i prindërve, e në të njëjtat raporte rritet indiferenca institucionale. Është amortizuar objekti brenda dhe jashtë, janë amortizuar orenditë dhe mjetet didaktike: banka, tavolina, dërrasa të zeza, dyer dhe dritare. Pa sistem ngrohjeje, pa lidhje energjie të rregullt dhe të sigurtë, pa bibliotekë, pa laboratore, pa mundësi ajrimi dhe në kushte shumë të vështira higjenike mësojnë dhe jetojnë çdo ditë rreth 200 nxënës të zonës.
Burimet tona vënë në dispozicion të redaksisë një video e cila tregon se çfarë ndodh brenda ambienteve të shkollës në një ditë shiu të zakonshëm, duke na paralajmëruar rreziqet që u kanosen nxënësve në mënyrë të vazhdueshme.

“Kjo është gjendja e një prej klasave të shkollës sonë. Dhe është vetëm në fillimet e stinës së reshjeve. Imagjinoni se çfarë do të ndodhë kur të shtohen reshjet dhe të ftohet edhe më shumë moti.”- Është vetë drejtoresha e shkollës, Lumturie Ibrahimi që e komenton situatën.

Videoja tregon ujin e shiut që bie brenda një klase.
Sipas Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989, në përputhje me nenin 4, shtetet angazhohen të marrin të gjitha masat legjislative, administrative e të tjera të nevojshme për të vënë në jetë të drejtat e njohura në këtë Konventë, duke përfshirë edhe të drejtën për arsimin e fëmijës mbi bazën e mundësive të barabarta. Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon ka synim kushtetues të garantojë të drejtën për arsim për të rinjtë në kushte fizike të shëndetshme . Po ashtu, në materialin mbi Strategjinë e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar 2014-2020, hartuar nga Ministria e Arsimit në vitin 2014, si ndër veprimtaritë me prioritet që duhen të ndërmerren brenda këtij afati, ka qenë parashikuar rishqyrtimi dhe përmirësimi i kritereve për financim, duke përfshirë rritjen e fondeve për investime kapitale në përputhje me kërkesat për ndërtime të reja, zgjerime, rikonstruksione dhe infrastrukturë shoqëruese nëpër institucionet e arsimit parauniversitar .

Ndërtimi ose rikonstruksioni i godinave të institucioneve arsimore publike financohet me fonde të Buxhetit të Shtetit të miratuara për Ministrinë, ose me fonde nga transferta e pakushtëzuar, ose me të ardhurat e veta të njësive të qeverisjes vendore. Në nenin 23, pika 11, në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, parashikohet shprehimisht që “ndërtimi, rehabilitimi dhe mirëmbajtja e ndërtesave arsimore të sistemit parauniversitar, me përjashtim të shkollave profesionale, është përgjegjësi e bashkisë”. Pra, nga parashikimet ligjore dalin në skenë dy aktorët kryesorë që janë përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet kjo shkollë sot: Ministria e Arsimit, e cila pavarësisht parashikimeve nuk ka reflektuar asnjë prej ndryshimeve në institucionet e arsimit të mesëm në qytetin e Kamzës dhe bashkia e Kamzës e cila investimet i përmbledh në vetëm dy fjalë: në rrugë e kanalizime. Rrënimi i një shoqërie, i publikes dhe të mirës së përbashkët nis me rrënimin e edukimit me një strategji politike të dështuar dhe me mungesën e investimeve.

Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë së Kamzës, shprehej në një deklaratë në fillim të vitit të ri shkollor, se pavarësisht insistimit të tij, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga organet e qeverisjes qendrore për të ndërtuar dhe rikonstruktuar shkolla në qytet.

Buxheti i Bashkisë Kamëz për vitin 2019 që sipas deklaratave të kryetarit është buxheti më i madh ndër vite, në vlerën 1 miliard e 923 milionë lekë do të ketë prioritare infrastrukturën, e cila vazhdon të mbetet kryefjalë e tri mandateve të Mziut dhe duke ua marrë frymën emergjencave të tjera të qytetit për të investuar në arsim dhe kulturë. Kështu që hedhja e përgjegjësisë tek Ministria e Arsimit vetëm sa e bën kryetarin të duket më naiv nga ç’mund të jetë. Sepse në të vërtetë ai është i pakontrollueshëm si për ato që bën edhe për ato detyra publike që nuk bën. Shkolla si ajo e Zallmnerit kanë nevojë për ndërhyrje urgjente. Prindërve, votues apo jo të këtij kryebashkiaku duhet t’u dëgjohet zëri.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje