Si mund të kurojnë duart e prangosura?

Ronald Qema | 09.10.2023 | nyje.al

“Anuloni ligjin, zero kompromis” qe një ndër thirrjet kryesore të studentëve të mjekësisë së përgjithshme në marshimin drejt Ministrisë së Arsimit. Të vendosur për të vazhduar bojkotin deri në reagim të qeverisë, ata kanë tri kërkesa: 

  • Anulimi i ligjit nr.60/2023 ”Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit te dytë “Mjekësi e Përgjithshme“ në institucionet publike të arsimit të lartë”
  • Takim me Ministren e Arsimit dhe tryezë gjithë-përfshirëse në hartimin e një “plani shpëtimi” të sistemit të shëndetësisë
  • Dorëheqjen e zëvëndës ministres Albana Tole për deklaratën e bërë publike.

Në shenjë të kundërshtimit të gjithëkohshëm të kontratës që propozon ky ligj ata grisën dhe dogjën fletë dhe para simbolike në dalje të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Gjithashtu studentët ishin kujdesur të sillnin një tufë me lule për këtë institucion që në rrjetin social “Instagram” e pati shpallur veten të vdekur para disa ditëve.

Kontrata që s’del nga sirtari

Klevis Mahmutaj është student i vitit të parë në degën Mjekësi e Përgjithshme dhe ende nuk është në dijeni se çfarë do të ndodhë me kontratën e propozuar nga qeveria dhe për tarifën që duhet të paguajë. Ai u shpreh se ndjehet i zhgënjyer që javën e parë në këtë fakultet. 

“I jam bashkuar protestës sepse e gjej këtë ligj komplet të padrejtë. Ne si studentë të vitit të parë, duhet të ishim njohur me kontratën në momentin që hymë në provimin garues ose në momentin që u regjistruam por nuk na është dhënë asnjë njoftim në asnjërin nga këto raste. Gjithashtu i jam bashkuar kësaj proteste pasi e shoh veten të shtypur, të shkelur e të diskriminuar. Që ditën e parë, që do bëhej marrja e bluzave të bardha dhe na i shpërndanë ato si misër për pulat, ishte diçka shumë e turpshme sesi u pritëm në këtë universitet.”

Tarifa që s’po dinë sa ta vënë

Përcaktimi i tarifës që duhet paguar nga studentët, si një nga alternativat e kontratës, ende nuk duket të ketë marrë fund. Studentët mbeten të paqartë se sa do duhej të paguajnë për të fituar lirinë. Të tillë e konsiderojnë këtë tarifë, si një monetarizim të lirisë së ushtrimit të profesionit që vjen i veshur si një ligj, që po sipas tyre, është krejtësisht diktatorial. E po aq i përcaktuar nga politikat e pushtetarëve është edhe degradimi i sistemit shëndetësor në vend që prej daljes nga diktatura sipas studentëve, e kjo vazhdon të furnizojë ditë e përditë nevojën për t’u larguar tek mjekët e rinj. 

“Nuk kemi akoma asnjë kosto të llogaritur, nuk e dimë a do paguajmë 2 milionë, 3 milionë, 6.8 milionë apo 10 milionë. Çfarë duam ne? Duam analiza, statistika, studime dhe transparencë (në përcaktimin e kostos). Nuk na mban njeri për teka personale!” Dea Guri – Studente

“E konsiderojmë veten vërtetë fatkeqë që këto ditë detyrohemi të protestojmë dhe bojkotojmë mësimin në vend që të jemi duke mbushur auditorët. Por është e vetmja zgjidhje, sepse një shoqëri që hesht është e destinuar të vdesë. Siç nga heshtja, këto 30 vite dalëngadalë po vdes sistemi shëndetësor, dalëngadalë është krijuar kjo hemorragji e mjekëve që po lënë fshatrat e qytetet pa mjekë.” 

Ligji me të tilla masa shtrënguese nuk është zgjidhje për ta. Projektimi qeveritar që me planin pesë vjeçar të mbajtjes peng të diplomës do ta ndalojë ‘hemorragjinë’ nuk duket të jetë shërim i vërtetë i kësaj plage të madhe të sistemit shëndetësor por thjesht një hospitalizim i vazhdueshëm për të mbushur ca xhepa dhe mbuluar ca vraga të pambulueshme. Studentët duan politika që e stabilizojnë praktikën e punës në vend, me kushte cilësore për ta dhe për qytetarët, si dhe t’u vlerësohet profesioni ngjashëm si në vendet ku ata duan të punojnë jashtë Shqipërisë.

“Si do t’i japim zgjidhje kësaj situate? Duke imponuar ligje diktatoriale që i mbajnë studentët me detyrim në vend, duke i detyruar mjekët të punojnë pa kushte, pa pagesa dinjitoze dhe duke i shpërfillur në kërkesat e tyre? Jo, aspak. E vetmja mënyrë sesi ne si mjekë do të kemi dëshirën dhe do të mbahemi në Shqipëri është duke investuar në sistemin shëndetësor, është duke ofruar paga dinjitoze, është duke ofruar siguri në vendin e punës dhe mbi të gjitha duke siguruar bazën materiale dhe mjetet diagnostike që ne t’i shërbejmë popullit në mënyrën e duhur.”

Mbrojtja më e mirë qeveritare është sulmi ndaj studentëve

Bojkoti dhe protesta e studentëve të mjekësisë ka ringjallur tek qeveria ndjesinë e ngecjes, ashtu si në fundvitin e 2018ës, ku herë pas herë shihje zyrtarët të dilnin dhe të thonin paçavure në opinionin publik. Ofendime dhe sulme, të ngjashme me gjuhën djerrë dhe gati-kërcënuese të zëvëndës-ministres të Arsimit Albana Tole, e cila në një dalje publike tha që studentët mund të ndërpresin studimet nëse nuk i binden ligjit qeveritar dhe kontratës detyruese. Studentët e dënuan ashpër këtë gjuhë dhe e treguan me gisht si shpërfaqje të dëshirës dhe vullnetit të munguar të pushtetarëve për t’u marrë vesh me ta. Ata njëzëri kërkuan dorëheqjen e zëvëndës-ministres dhe ftuan qeverinë në reflektim. 

“Ne kërkojmë që qeveria, hartuesit e këtij ligji, të reagojnë, të shohin ca palo-ligji kanë nxjerrë, të reagojnë për ato çfarë kanë cituar. Studentët kërkojnë që kjo zëvëndës-ministre të marri përgjegjësinë mbi çfarë ka thënë.”

Bojkoti vazhdon

Athina Prifti është studente në vitin e gjashtë në mjekësi të përgjithshme dhe u shpreh se këto gjashtë vite i sheh si të çuara dëm. Mbyllja e këtij procesi jete me revoltë, protesta dhe bojkot duket sikur e shpagon pak mundin e saj dhe të shokëve e shoqeve. E prekur, ajo tregoi se ndihej e plotësuar që studentët e mjekësisë më në fund po kërkojnë kushte më të mira studimi dhe mbrojtje të dinjitetit, sidomos për ata të vitit të parë që rrugën drejt dijes universitare sapo e kanë nisur. Bojkoti është krenari për të dhe për secilin prej studentëve pavarësisht sulmeve që vinë ndaj tyre. 

“Studentët e mjekësisë nuk kanë turp. Studentët e mjekësisë sot janë krenarë sepse po luftojnë për të drejtat e tyre, po luftojnë për diçka legjitime. Kur do ndalemi ne? Ne nuk do ndalemi deri në arritjen e qëllimit tonë. Ligji do rrëzohet, kushtet do të përmirësohen dhe pastaj do të ketë dëshirë secili nga ne këtu me rradhë që të punojë jo pesë vjet në Shqipëri, por të punojë gjithë jetën.”

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje