Antonela Pepkolaj | Portretizim letrar | 15.06.2022 |
Prej kupës së qiellit kumbon një zheg i paparë, që duket sikur e avullon diellin brenda horizontit të dy syve. Ajri drithëron krejt peizazhin dhe i bën të duken varrezat përbri kodrinës ku po qëndroj, si një tufë me njerëz që vuajnë nga ankthi. Ngjyrat shkëlqejnë aq shumë, kombinohen dhunshëm, si tekstura e një stofi të lirë. Ullinjtë shpërndajnë fresk dhe hije. Bari reflekton aromë dheu të ftohtë dhe, tutje në të majtë të shpinës sime, dëgjohen hapa.
Në shëtitjen që bëj çdo javë nga rrugica e varrezave, fiks në orarin e zhegut të drekës, kur gjasat që të ndeshësh njerëz bien, nuk kishte bërë vaki që të ndeshja, pra, njerëz (të gjallë). Sot, qëlloi Rolandi, shok klase. Matet të më injorojë por unë ia ngul sytë me ton sfidues dhe kureshtar, për të parë nëse ka në plan të më injorojë vërtet. Më përshëndet. Çohem në këmbë dhe e pyes se pse është aty. Më tregon, se ajo parcelë, është në fakt e familjes së vet dhe se ata mbjellin ullinj. Gjë që ka kuptim, sepse kështu janë një pjesë e mirë e familjeve në Bulçesh. Nuk i jap shumë rëndësi sjelljes së Rolandit, sepse ai kështu është, ka maninë të jetë më rehat në grupe, ndryshe nga unë, dhe për fatin e tij të keq, qëllova vetëm.
Megjithëse, Rolandi është rehat në grupe, grupet nuk janë rehat me të. Rolandi ka një vetbesim qorr, që nuk i vjen nga kompetenca por nga indiferenca, që të bëjë ndërhyrje krejt të panevojshme dhe shpesh të sikletshme. Sa më shumë veta të jenë, aq më rehat është Rolandi, aq më i barabartë ndihet me ta. Por njerëzit nuk janë të barabartë, sidomos kur ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Por, në grupin e klasës sonë, Rolandi është bërë një nuancë e domosdoshme, sidomos në tensionet që kanë filluar të kenë djem e vajza prej tërheqjeve të para. Unë e di se, arsyeja pse Rolandi s’më ka shumë qejf, është sepse s’më intereson të provoj ndonjë lloj autoriteti në grup. Ai mendon se unë s’jam fort e zgjuar, unë mendoj se ai është hutaq, se ngetë e tij janë të orientuara në një drejtim krejt të padobishëm.
Gjithsesi, Rolandi më pëlqen për arsyen e vetme, se nuk e ka problem të prekë ekstremet. Si njeri nuk rezervohet, as të shkaktojë ndonjë skenë. Mendoj se kjo ndodh sepse kështu jam rritur, përherë në situata ekstreme, me shpërfaqje ekstreme dashurie, inati, hatërmbetjeje… gjithçka në trajtën e saj gati fëminore. Rolandi është naiv, nga ai naivitet që mund të jetë ose tepër altruist, ose tepër mizor sipas rastit, zakonisht të dyja së bashku dhe, Rolandi është të dyja. Instiktin e tij për të bërë si t’ia dojë qejfi e respektoj dhe ia kam zili, unë u shkoj shumë pas kajdeve njerëzve dhe kjo, nuk është një nder i madh që i bëj vetes.
Më kujtohet kur kisha pastrimin dhe po binte shi. Rolandi ishte dënuar të rrinte në klasë pas mësimi se nuk kishte bërë detyrat. Isha jashtë, hyra brenda. Rolandi më sheh dhe më pyet nëse jam lagur. E pyes se në cilin kuptim e ka pyetjen. Ma kthen, “Mori ku-u, sa budallaqe je!”. Unë qesh dhe vazhdoj me punën time. Rolandi u skuq.
U skuq dhe atë ditë te ullinjtë. Ecte dy metra para meje, kokëulur. Ruante ritmin tim, të mos ishte as shumë larg, as shumë afër. E pashë sikletin në fytyrën e vet kur u ndamë për të ikur në shtëpi dhe, nuk e kuptoja, isha unë, apo fakti se ishim vetëm.
Kisha thuajse gjashtë vite pa dëgjuar gjë për Rolandin, që nga klasa e nëntë, kur e takova prapë në Bulçesh rastësisht dhe më tregoi se punon te varrezat, si varrmihës. Pas mbarimit të gjimnazit nuk i vazhdoi studimet dhe thotë se për momentin është rehat. Më tregon me keqardhje se po vdesin shumë të rinj, madje veta që ai i njeh. Pastaj më thotë se banorët përreth lënë nëpër varre lulet më të shëmtuara që ka pa kjo dynja, se kur i sheh varret prej largut, ngjajnë si të mbuluara nga mbetjet. U kujtova se “prej largut” është në fakt shtëpia e Rolandit. Dhe mendova se po të jetoja me pamje nga varret, mesiguri edhe unë do gjykoja gjendjen e tyre estetike.
Kështu e njoh Rolandin, kështu e shoh, dhe habitem sesi vdekja dhe njeriu në përfytyrimin tim, mund të ngjajnë kaq fort.