Antonela Pepkolaj | 08.05.2022 | nyje.al
Sekuencë nga dokumentari “Lejohet s’lejohet”, Rilind Gërvalla, fotografi nga Antonela Pepkolaj
Ndoshta arti, në këndvështrimin historik të tij, më shumë u flet masave se sa individëve dhe, shpesh është parë si mediumi më i mirë për të prekur çështje të ndjeshme për publikun. Qoftë për vetëdijësim, për demaskim, për indoktrinim, marrëdhënia e artit me çështjet editoriale, varion sipas kontekstit dhe sigurisht sipas cilësisë së produktit final.
Rilind Gërvalla, gazetar nga Kosova, në dokumentarin e tij të vitit 2008 “Lejohet, s’lejohet”, merret pikërisht me konstatimin e marrëdhënies së artit të muzikës rock, me Kosovën në fashën e viteve delikate për historinë e saj, siç janë vitet ’60, ’70, ’80, ’90, e deri në shpalljen e pavarësisë. Objekt i shqyrtimeve të tij, është jo vetëm marrëdhënia e muzikës me kontekstin e saj, por edhe mënyra sesi ka evoluar në periudha të ndryshme. Gjatë këtyre shqyrtimeve, ngërthehen domosdoshmërisht koncepte të tilla si liria, identiteti, feja dhe muzika.
Dokumentari “Lejohet – s’lejohet” është një hulumtim i debatit nëse lejohej apo jo muzika, kryesisht ajo rock, sipas fesë islame në Kosovën e pasluftës. Ky debat na vjen në dokumentar nëpërmjet dy vështrimeve të përkundërta të dy këngëtarëve dhe kompozitorëve që u përkasin dy periudhave të ndryshme siç janë Petrit Çarkaxhiu dhe Ferki Shala. Të dy solistë përkatës të grupeve të mirënjohura rock, Jericho dhe TNT. Në dokumentar, flasin kryesisht për konceptimin që kanë të dy këngëtarët për muzikën. Petriti shprehet se muzika është nevojë natyrale shpirtërore për t’u shprehur; ndërsa Ferkiu ka ndryshuar mendje dhe thotë se muzika është haram që të tundon dhe të përfshin në lloj-lloj mëkatesh. Kjo është edhe arsyeja se përse Ferkiu ka hequr dorë nga jeta e tij si këngëtar për t’iu përkushtuar fesë, ndërsa Petriti e sheh muzikën si fushë të shpalosjes së përvojave të tij shpirtërore, duke përfshirë edhe ato fetare.
Por, në këto dy botëkuptime lidhet një realitet tjetër më i madh, që shtrihet përtej filozofive personale për jetën a muzikën. Përgjatë dokumentarit, të dy këngëtarët e pranojnë se muzika rock është një mjet i mirë për të nxitur revoltë dhe për të ndryshuar sadopak realitetin. Historia e muzikës rock në Kosovë, na mëson se grupet e para shqiptare krijoheshin dhe performonin nëpër kafeteri duke qenë se nuk iu jepej mundësia të regjistronin muzikën e tyre apo të merrnin pjesë në koncerte jugosllave, përpos nëse grupi muzikor kishte përbërje multietnike. Tekstet nxisnin, ndihmonin dhe i bënin jehonë aktivizmit qytetar. Rock-u shqip filloi të regjistrohej dhe këndohej në Radio Televizionin e Prishtinës në 1974, kur shqiptarëve iu njohën të drejta më të gjera, sidomos në fushën e kulturës. Qysh atëherë, e në vazhdim deri në vitet ’90, muzika rock krijohej e ngërthyer me motive nacionaliste, me tekste kushtuar atdheut dhe elemente folklorike, të cilat së bashku me rryma moderne muzikore që përkonin me zhvillimet e rock-ut botëror, synonin nxitjen e popullsisë shqiptare në Kosovë për afirmim identitar nacional dhe politik.
Dokumentari u prezantua këtë të premte pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe të Studimit të Artit, në sajë të nismës “Tragë”, konceptuar nga Mikaela Minga, drejtuese e Departamentit të Folklorit pranë këtij instituti. Autori, bëri një parashtrim të shkurtër të historisë së muzikës rock dhe grupeve që u krijuan në Kosovë gjatë tre dekadave nga vitet ‘70. Më tej, u diskutua me pjesëmarrësit për prioritetet dhe mënyrën se si ndryshojnë ato në rrethana të ndryshme historike, për binaritetin fe-muzikë rreth pyetjes nëse lejohej apo jo muzika sipas fesë islame, që e vërejmë të parashtrohet në dokumentar, si dhe, për marrëdhëniet e artit me ideologjinë në përgjithësi.