Qyteti për vete dhe të tjerët

Evi Veliu | 18.06.2018 | nyje.al

Ç’është qyteti sot për ne? Shumica e rrugëve që të çojnë në shtëpi, në shkollë, në punë, në treg, në shëtitje, në park, në kafe janë ashtu siç mbahen mend. Një gropë a një pellg, asfalti i sapo shtruar dhe sinjalizimet ende në mungesë, disa shkallë, oborre shtëpish private a rrugica pallatesh, deriçka me ngjyra e forma të ndryshme, banesa e një miku a mikeshe që e përshëndet në kalim e sipër – gjithçka rreth qytetit është një kujtesë mbi organizimin dhe rendin e përditshëm të gjërave. Pasi përshkojmë dhjetra apo qindra kilometra sërish nxitojmë të kthehemi në shtëpi dhe shtëpitë nuk janë të lehta për t’u ndërruar. Shpesh, është takimi i rastësishëm me një të huaj, me një “të jashtëm” a me një të panjohur, që na vendos në siklet për atë çka në të vërtetë dimë për qytetet tona. Për habi, prezantimi i qytetit nga perspektiva e institucionit përfaqësues mund të duket po aq i huaj dhe i sikletshëm për ata që e banojnë atë.

 

 

 

 

 

 

 

 

Sa është sot qyteti shtëpia jonë e përbashkët dhe çfarë dimë për të? Gjatë dy ditëve të fundit të prillit, qyteti i Kamzës festoi 22-vjetorin e shpalljes së institucionit të bashkisë, ndërsa Bashkia e Kamzës, po ato ditë, festoi “22 vjet bashki”. Pra, qyteti kremton institucionin, ndërsa institucioni kremton veten. A mund të themi se qyteti dhe institucioni kanë festuar bashkë? Po, nëse institucioni do t’ia njihte vijimësinë e zhvillimit qytetit qëkur mbinë në atë tokë filizat e ullinjve të egër, dhe nëse qyteti do të arrinte ta njihte veten në shëmbëlltyrën e institucionit. Dikur, fusha e përshkuar nga tre lumenj shërbeu si “furnizuesja kryesore e kryeqytetit me prodhime bujqësore e blegtorale për gati gjysmë shekulli,” siç thuhet në historikun e qytetit që gjendet në faqen zyrtare elektronike të Bashkisë së Kamzës, nën opsionin “Qyteti Kamëz” . Sot, rradhitja e bashkisë në vendin e 5-të për nga numri i ndërtesave dhe e 6-ta për nga numri i banorëve janë arritja më e madhe me të cilën krenohet institucioni. “Kjo e bën Bashkinë e Kamzës dhe qytetarët e saj si një ndër kontribuuesit kryesorë të urbanizimit të Shqipërisë” – thuhet në historikun e qytetit pa kuptuar se me çka matet kjo arritje. A ka qenë synimi i qytetit rritja e numrit të ndërtesave, a mund të quhet ky kontribut për urbanizimin e Shqipërisë dhe a janë ndërtesat në themel të urbanizimit si koncept? Krahas rritjes së popullsisë dhe numrit të ndërtesave, cili është ritmi i migrimit dhe emigrimit të banorëve të Kamzës dhe prirja e popullsisë drejt kësaj zgjedhjeje?

Qëndrojmë te informacioni më i shpejtë që mund të marrim online. Lajmi i mirë është se faqja zyrtare elektronike e Bashkisë së Kamzës u përgjigjet vërtet shpejt kërkesave për informacion. Mirëpo, nuk kalon shumë kohë për t’u hedhur një sy përgjigjeve e materialeve që të kuptohet se dokumenti më i afërt me të tashmen daton së paku përpara dy vitesh. Ka kaq shumë informacion sot, saqë është e pamundur që të dhëna të përpunueshme të shpërndahen në kohë reale. Megjithatë, përpos vonesës në paraqitjen e realitetit, dokumentet zyrtare shpesh kanë mangët datë, firmë, vulë – këto elemente që e bëjnë informacionin të besueshëm dhe detyrimin të zbatueshëm. Për të marrë vendime që lidhen me jetën personale, gjithësecilit i nevojitet informacion i nevojshëm për qytetin, ndryshimet në planin e së ardhmes, afatet e zgjidhjeve të problematikave të së tashmes, parashikimet për përfundimin e punëve që janë në rrugë e sipër, planet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të organizimit qytetit. Shteti e merr përsipër organizimin e shoqërisë si ndërmjetës për të lehtësuar marrëdhëniet. Kështu e kemi njohur shtetin si koncept në mesin tonë. Pra, planifikimi në bazë të kohëzgjatjes është në thelb të vendimmarrjes, personale a kolektive qoftë ajo. Sa i qasshëm është ky lloj informacioni?

Sipas faqes zyrtare elektronike, planifikimet afatgjata të zhvillimit strategjik social-ekonomik nuk gjenden të publikuara. Plani i zhvillimit për të cilin po punohet është ai i viteve 2017-2025, i cili është ende në proces konsultimi dhe votimi, prandaj nuk është i publikuar (shih dokumentin më poshtë). Përmes një kërkese për informacion, gjithësecili mund ta zotërojë këtë plan zhvillimi paraprak, pasi ligji për të drejtën e informimit garanton publikimin e informacionit të kërkuar në mënyrë që të jetë i qasshëm edhe për të tjerë. Ky plan strategjik zhvillimor përbëhet nga dy faqe standarde elektronike A4 të punuara bukur, punim që në gjuhën e dizajnit mund të quhet “newsletter”, qëllimi i të cilit në fushën e marketingut është të reklamojë një produkt a një ngjarje përmes lajmërimit elektronik. Shkurt, të prodhojë dëshirë. Vizioni i këtij planifikimi, afatshkurtër nga pikëpamja e qytetërimit, është “përfshirja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe bërja sa me të dëgjueshëm zërin e tyre në qeverisjen vendore. Bashkia i ka dyert e hapura për këdo, një bashki të cilën banori e njeh dhe nuk e koncepton si një objekt të largët abstrakt, por si një partner në zhvillimin e qytetit”, (shih dokumentin poshtë këtij artikulli).

Ja një planifikim 8-vjeçar i së ardhmes që vjen së paku 1 vit e gjysmë me vonesë, duke mbartur pamundësinë e pjesëmarrjes qytetare – premtime të fundme ndaj problematikave, pritja për të cilat ka qenë e pafundme. Përveç shumë “do të”-ve që përfshijnë rregullimin infrastrukturor dhe energjitik, ndërtime shkollash, rehabilitime zonash dhe të tjera premtime, të cilat hasen në formën e ligjërimit politik në fushatat elektorale, plani i punësimit është ai që më shumti e shmang marrëdhënien e drejtpërdrejtë të institucioneve publike me qytetarin. Papunësia mund të zgjidhet duke hapur vendeve të reja pune përmes “zgjerimit të bizneseve, projektve investuese dhe donatorëve”, (shih dokumentin më poshtë). Pra, në mungesë të një planifikimi të mirëfilltë në nivel kombëtar apo në atë lokal, punësimi zgjidhet me ndërmjetësimin e privatit. Hapja e bizneseve të reja mjafton për administratën publike që të zgjidhë çështjen e papunësisë dhe të zhvillimit. E meqë jemi te zhvillimi dhe biznesi privat, lind një pyetje: Nëse metoda e operimit të biznesit privat në treg është cikli i shumëfishimit të fitimeve dhe ri-investimit të tyre për të prodhuar më shumë fitime dhe për t’u zgjeruar, atëherë cili është caku i zgjerimit të tij? Sot, mund të vërejmë anembanë vendit tonë që, nga ky zgjerim i privatit, më së shumti e kanë pësuar hapësirat publike, parqet, bibliotekat, shkollat, qendrat e kulturës, qendrat sociale, qendrat e rehabilitimit, qendrat e studimit shkencor – shkurt hapësirat rikrijuese të lidhura drejtpërdrejt me zhvillimin dhe krijimin, që në gjuhën teknike shpesh i kemi dëgjuar të referohen si “hapësira rekreacionale”. Ato janë më të varfërat që kemi ose i kemi në mungesë.

Të kthehemi te shtëpia e përbashkët: qyteti. Sado që përpiqemi të krijojmë një imazh për të ardhmen e tij, prezantimi i parë është realiteti i përditshëm – gjithçka njohim si të re e të vjetër në qytet, çka na shohin sytë dhe si e përjetojmë atë çdo ditë. Një prezantim më dinjitoz do të mund të përcillnin edhe faqet zyrtare online të Bashkisë së Kamzës. Mirëpo, asnjë pamje reale nga qyteti, asnjë rregullim apo rehabilitim nuk mund të krahasohet me hijeshinë e studios së punës së kryetarit të bashkisë, studio e cila dallon ndër godinat dhe lagjet e publikuara në fotot e rrjeteve sociale. Një studio e një dhomë pritje e rregulluar me shije, me kontrastin e fortë të së bardhës dhe blusë, gati si një shtëpi moderne luksoze dhe, shtëpitë nuk është e lehtë t’i ndërrosh. Çështja këtu është nëse mund të quhet ky një investim publik. Më tej, a mund të quhet faqja zyrtare elektronike e bashkisë një investim në interesin publik? A janë nëpunësit e pavarur që mirëmbajnë një faqe publike që prezanton fytyrën e qytetit, apo janë personel i zgjedhur nga eprorët e tyre politikë për të mirëmbajtur figurën e kryetarit të bashkisë? Nga kjo pyetje do të varej jetëgjatësia e kësaj faqeje si vazhdimësi e qytetit, por sakaq varet nga kjo pyetje cilësia e shërbimit. Mund të gjendet më lehtë në faqe përshëndetja ftuese e kryetarit të bashkisë sesa informacioni i përgjithshëm rreth formimit të tij. Nuk gjejmë informacion në lidhje me paraardhës të tjerë politikë apo as fushata elektorale që e kanë nxjerrë atë fitues. Datave të të dhënave u ka kaluar koha. Gjejmë të lidhur me emrin e kryetarit pothuajse çdo aktivitet, ndërsa mungon veprimtaria e drejtorive që përbëjnë këtë administratë publike. Nuk mund t’i mbikëqyrim arritjet e tyre. Qytetarët figurojnë në rolin e nevojtarit, jo pjesëmarrës aktivë në jetën e qytetit. Kjo mund të jetë një faqe e qytetit, por është një faqe për qytetin ku qytetarët tëhuajësohen. Kjo faqe i përngjet një mbishkrimi në derën e shtëpisë me emrin e kryefamiljarit/es.

Informacioni është shpesh thikë me dy presa. Nganjëherë ke shumë e nuk di ç’të bësh me të e nganjëherë mungon, dhe në këtë rast është gjithmonë imazhi që e kompenson. Në jetën e përditshme marrim pjesë në rregullimin e hapësirës publike përmes punës, në zhvillimin shoqëror përmes veprimtarisë, në rritjen ekonomike përmes prodhimit dhe në përfaqësimin institucional përmes informimit. Këto ekzistojnë sakaq në qytet, por nuk janë të pasqyruara në prezantimin zyrtar të qytetit. Përfaqësimit institucional i takon njohja e këtyre veprimtarive që ndodhin në jetën e qytetit. Duke shquar veten aty ku jemi të përfaqësuar do të mund të planifikonim më mirë.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje