nyje.al | 20.07.2022
“Më në fund votuam një herë kundër” u shpreh një nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të Kamzës, pas votimit lidhur me projekt vendimin e propozuar nga Bashkia që kërkonte të shpenzonte 22 milionë lekë për marrjen me qera të gjashtë automjeteve. Këto automjete sipas projekt vendimit do shkonin për katër administratorët e njësive të Bashkisë Kamëz, një prej tyre për Policinë Bashkiake dhe një tjetër për Inspektoriatin e Ndërtimit. Gjashtë makina, të marra me qera për një periudhë 3-vjeçare, me një shifër të tillë ngjalli debat dhe kundërshti ndër këshilltarë të cilët e konsideruan si shpenzim të papranueshëm duke marrë parasysh vlerën por edhe prioritetet që kjo Bashki duhet të ketë. Drijton Kovaçi ishte Këshilltari i parë që doli kundër këtij shpenzimi:
“6 automjete, vlera është e konsiderueshme. Për çfarë automjetesh bëhet fjalë? Për automjete luksi? Me punësu ndonjë pastruese, ose për të marrë ndonjë zjarrfikëse jam dakord, por kjo shumë për mendimin tim është shumë e madhe për autovetura, nuk jam dakord.”
Sipas Z.Kovaçi ky është shpenzim që shkon përtej normales, kur e krahason gjithashtu edhe me tenderime të ngjashme nga Policia.
“Për mendimin tim ky është luks, fouristrada a ku di unë ç’kanë mendu me marrë ata, por jane shumë lekë, jane 22 – 23 milionë lekë të reja. Makinat që përdor policia sot, maksimumi i merr me 11 mijë euro.”
Drijton Kovaçi, Këshilltar Bashkiak, gjatë diskutimeve mbi projekt – vendimin, 19 korrik, Kamëz
Sipas një bisede të zhvilluar mes Administratorit të Njësisë Bathore dhe Kryetarit të Këshillit Bashkiak, Z.Hysen Koldashi, kostot e përdorimit të mjeteve personale nga administratorët rëndojnë xhepat e tyre.
Gjithsesi për Këshilltarin Kovaçi ky propozim mbetet i paperceptueshëm.
“Po mirë po si do shkojnë këta në terren, me 50 mijë a 60 mijë euro makinë?”
Reagime pati dhe nga këshilltarë të tjerë, ku një ndër ta propozoi që me atë vlerë Bashkia mundet t’i blejë gjashtë makina dhe t’i ketë në pronësi të saj.
Në përfundim të diskutimeve, ky projekt nuk u miratua dhe u la për t’u rishikuar e për t’u rivotuar edhe një herë në Këshill.
Ky ishte projekt vendimi i vetëm që u diskutua në sallë, përgjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit Bashkiak, gjithë të tjerët kaluan direkt për miratim. Ndër to:
- Dhënia me qera edhe për një vit tjetër të hapësirës brenda Pallatit të Kulturës subjektit Tirana Bank.
- Shembja e shkollave “Lidhja e Prizrenit” dhe “Azem Hajdari” në Paskuqan e Babrru për rindërtim.
- Miratimi i vlerës maksimale të subvencionimit të qirasë dhe nivelit të qirasë sipas vlerës së tregut për familjet që preken nga projekti Unaza e Madhe në Njësinë Administrave të Paskuqanit.
Në vendimin e fundit, Bashkia parashikon të parashikon t’u japë bonus qeraje familjeve që mbeten pa shtëpi nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Edhe në këtë rast, si në atë të procesit të rindërtimit në Valias skema është e tillë:
Rakip Suli, nuk u përmbajt pa parashtruar se është fillimisht vullneti i fortë i Kryeministrit Rama, dhe më pas rregullat e parashikuara në aktet ligjore, me të cilin po shtyhet përpara propozimi për miratimin e vendimit të dhënies së bonusit të qerasë banorëve që do të humbasin shtëpitë. A thua se, vullneti i fortë, është argument i vetëmjaftueshëm për t’u kaluar një vendim në një këshill bashkiak. As protestat e shumta e të vazhdueshme prej më shumë se 6 muajsh të banorëve të Paskuqanit, parregullsitë e pretenduara prej tyre dhe shkelja e të drejtave pronësore të banorëve nuk janë të mjaftueshme që Këshilli Bashkiak i qytetit të ftohet në reflektim në favor të interesave të banorëve të vet.
Pingback: Këshilli Bashkiak është publik apo privat? – Nyje