nyje.al | 01.05.2024
Dita e punëtorëve nisi sot me protestën e mësuesëve para Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Dy prej sindikatave të arsimtarëve i shkuan në derë ministres Manastirliu dhe parashtruan kërkesat e tyre, ndër të tjera dhe më themelorja për ta mbetet thirrja për rritjen e buxhetit për arsimin në 5%. Kjo rritje e buxhetit që do sillte plotësimin e një sërë kërkesash të ngritura sot nga mësuesit, ka qenë premtim i qeverisë Rama në të tre fushatat para-zgjedhore por nuk është zbatuar kurrë sipas arsimtarëve para-universitarë.
“Ne kemi kërkuar që kryeministri të mbajë premtimin që buxheti për arsimin do jetë 5% e PBB. Kjo duhet zbatuar sa më shpejt të jetë e mundur, s’mund të ketë infrastrukturë, s’mund të ketë SMIP pa trajnuar mësuesit, s’mund të ketë laboratorë pa rritur buxhetin. Nëse s’do jetë 5% e PBB s’mund të ketë rritje pagash.” – u shpreh një prej folësve.
Akuza për moszbatim pati edhe për kontratën kolektive të nënshkruar mes sindikatave dhe Ministrisë së Arsimit. Mësuesit kërkuan zbatim të kësaj kontrate, sepse hartimi pa zbatimin e saj e bën atë të pavlefshme, duke çuar dëm mundin e arsimtarëve, duke i lënë ata të keqpaguar dhe pa perspektivë. Largimi i mësuesëve nga vendi është po aq në nivele të agravuara sa largimi i nxënësve u shprehën protestuesit, ndaj edhe kërkojnë dyfishim të pagave, investime të njëmendta në infrastrukturë në të gjithë vendin dhe jo vetëm në Tiranë, si dhe plotësim të kushteve në shkolla në mënyrë që arsimi publik të jetë ftues për mësuesit dhe për nxënësit.
Për arsimin, më shumë financojnë familjet se shteti
Në fjalën e një prej mësueseve në protestë, u tregua që ka një trend në rritje të familjeve që preferojnë shkollat private përpara atyre publike për arsimimimin e fëmijëve të tyre, tendencë që rrezikon të përmbysë raportin e numrit të nxënësve që ndjekin arsimin privat kundër arsimit publik. Mungesa e kushteve në shkolla, largimet e stafit pedagogjik, tekstet e përkthyera shkollore, mungesa e sigurisë dhe plot arsye të tjera i kanë shtyrë ata drejt shkollave private u shprehën mësuesit. Përpjekja e ministrisë për të digjitalizuar sistemin para-universitar duket të jetë në prag dështimi sipas mësuesve protestues të cilët pohuan se në shkolla nuk ka internet dhe njohuri teknologjike për shkak të mos trajnimit të tyre.
Nga ana tjetër, mësuesit kërkuan që profesioni i tyre të kthehet në punë tërheqëse për të rinjtë që kanë boshatisur sallat e programeve universitare për mësim-dhënie. Dyfishimi i pagave, vlerësim i orëve të shtuara përgjatë konsultimeve apo sezonit veror dhe kompensim i drejtë i transportit do të ishin hapat e duhur për të nisur këtë fushatë për rikthimin e dinjitetit të mësuesit. Kompensimi i tanishëm, u shpreh njëra prej mësueseve, bëhet ende me referenca të vendosura në vitin 2007 dhe mbulon vetëm 70% të shpenzimeve. Ky profesion gjithashtu është ndër të vetmit që prej vitesh tashmë nuk merr një shpërblim monetar në fund të vitit kalendarik pasi është hequr si masë dhe mësuesit kërkuan sot rikthimin e saj.
“E kemi përmirësuar udhëzimin për mbulimin e transportit, por mos të harrojmë se shuma që mësuesit paguajnë çdo ditë nuk përputhet me atë që i kompensohet. […] Pagesa përgjatë verës nuk jepet edhe përse mësuesit kërkohen për të plotësuar dokumentacionin. […]Një buxhet i domosdoshëm për shpërblimin e mësuesit në fund të vitit”, thanë mësuesit.
Mësuesit u rikthyen në sheshin “Skënderbej”, aty ku ishin mbledhur, pas marshimit dhe protestës tek Ministria. Po në sheshin “Skënderbej”, në ora 10:00 u mblodhën ish-minatorët që thirrën edhe njëherë për miratimin e Statusit të Minatorit, parashikim ligjor që është premtuar prej vitesh nga politikanët dhe gjithashtu një peticion është paraqitur në Kuvend në dhjetor të vitit 2020 i cili nuk është marrë në shqyrtim.
Duam statusin para vdekjes
Me mbërritjen tek Kryeministria pas marshimit, ish-minatorët kërkuan miratimin e Statusit njëherë e më parë në mënyrë që ta gëzojnë para se të jetë shumë vonë për ta, ashtu siç ka ndodhur me shumë prej shokëve të tyre. Në kushtet e tanishme, jetesa është e pamundur për ish-minatorët që u shprehën se pensioni mujor që marrin nuk del as për ilaçet që u duhen për kurimin e sëmundjeve profesionale që bartin ndër vite.
Për vite me radhë, ish-minatorët protestojnë përpara institucioneve publike për miratimin e Statusit të Minatorit që do t’u mundësonte atyre kujdes shëndetësor të shtuar, trajtim me pension të dinjitetshëm dhe asistencë për familjarët e minatorëve që ndërrojnë jetë përgjatë procesit të punës.
Ashtu si ish-minatorët, edhe aktivistët e Lëvizjes Bashkë u shprehën që lekët për pushtetarët gjinden, ndërsa për punëtorët dhe profesionistët jo. Klodi Leka në fjalën e mbajtur në protestë bëri thirrje për bashkim të punëtorëve, si mënyra e vetme për të arritur demokracinë.
“Një minatori, i cili del nga nëntoka, pa mushkëri, ose i gjymtuar, nuk i njihet absolutisht as edhe një lloj e drejte. Ndërsa sot, një deputeti, qindra deputetë që kanë kaluar në Shqipëri, kanë pensione mbi 1 milionë lekë të vjetra në muaj, edhe pse kanë 20 vjet që nuk janë më deputetë. Sot një mësueseje që i kërkohet të bëjë “share” dhe “like” me detyrim nuk i njihet asnjë e drejtë dhe asnjë kërkesë për rritje të rrogës. Ndërsa një ministër ka tre milionë e gjysëm rrogë. […] Sot, ne brezi që na thonë se do të jemi “brezi i demokracisë”, na kanë ngujuar nëpër call center-a për 5, 10, 15 vjet, prej të cilave dalim gjysëm njerëz edhe me sëmundje të ndryshme profesionale. Sot në Shqipëri kanë status profesional edhe punëtorët e SHIK, pra ata që në zhargon quhen spiunë. Ndërsa punëtorët e nëntokës, minatorë, naftëtarë, mësues, policë që rrinë këtu në diell nga 10 orë, nuk u njihet absolutisht asnjë lloj e drejte. Sot nëse punëtorët e të gjithë sektorëve të Shqipërisë nuk bashkohen, atëhere ky do të jetë një lajm i keq për demokracinë dhe zhvillimin e vendit.”
Punë me dinjitet
Punonjës të “call center”-ave dhe profesionistë të tjerë u bashkuan përpara Kryeminstrisë në orën 11:00 duke bërë thirrje për dinjitet në punë. Në komunikatën e mbajtur, Unioni i Sindikatave dhe Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë bënë thirrje për veprim të menjëhershëm nga institucionet për të garantuar paga dhe kushte më të mira në punë, për parandalimin e shfrytëzimit e nëpërkëmbjes të punëtorëve dhe mohimit të të drejtave të tyre.
Organizimet sindikale bënë thirrje për krijimin e grupeve të punës për ngritjen e Këshillave të Punëtorëve, referuar sistemit gjerman, për çdo sektor të ekonomisë. Për sigurinë dhe shëndetin në punë gjithashtu u kërkua të ngrihej një këshill i posaçëm. Një tjetër kërkesë e kësaj proteste ishte edhe riorganizimi i menjëhershëm i sistemit të kontraktimit kolektiv, i cili sipas protestuesëve është totalisht i kontrolluar nga punëdhënësit dhë në interes të tyre.
Njëzëri të gjithë protestuesit kërkuan miratimin e statusit të minimumit jetik si garantues i jetës së dinjitetshme jo vetëm atyre të punësuar, por secilit individ në shoqëri. Një projektligj për Minimumin Jetik është dorëzuar nga Lëvizja Bashkë në Kuvendin e Shqipërisë, por prej marsit të vitit 2023 mbetet në sirtarët e këtij institucioni.
Zgjidhje ose greva
Mësuesit përpara Ministrisë së Arsimit dhe ish-naftëtarët përpara Kryeministrisë bënë thirrje që institucionet njëherë e më parë të marrin nën shqyrtim kërkesat e tyre. Në rast të mos nisjes së asnjë procesi që çon në dialog mes përfaqësuesëve të punëtorëve dhe institucioneve e më tej ofrimin e zgjidhjeve për kërkesat e tyre, ata deklaruan se do të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për bojkot dhe greva.