Hegeli mbi muzgun e kapitalizmit- Robert Pippin (pjesa e dytë)

Pavjo Gjini dhe Genc Shehu | 18.10.2020 | nyje.al

Edhe pse e interpreton hollësishëm një pjesë të potencialit të kapitalizmit për dëme serioze etike (tendenca e tij të prodhojë – ndër punëtorë mëditës, ndër të papunë kronikë, madje edhe në mesin e të pasurve – një shkëputje ose tëhuajësim prej të vetmit themel shoqëror të vetërespektit dhe statusit të mirënjohjes, pra prej procesit të punës), Hegeli ende argumentonte se kapitalizmi potencialisht do mund të ndihmonte në edukimin e qytetarëve të tij sa i përket raportit logjik ose të domosdoshëm midis pavarësisë dhe varësisë mes individëve në shoqëri civile. Çelësi për Hegelin qëndronte tek institucionet që ndërmjetësonin statusin e njërit borgjez në mesin e të tjerëve. Ai rreket të tregojë sesi pozita e dikujt në atë që ai e quan shtresë (një klasë bujqësore, punëtore ose administrative) dhe, në mënyrë akoma më të ndërmjetme, në korporata e shoqata të punës, mund të ruhet si pozitë e njohur denjësisht edhe nëse dikush është i pasur ose i nënpunësuar. Sipas tij, edhe pse shoqëria civile të mëson se duke vepruar për vetveten vepron edhe për të tjerët, kjo “nuk mjafton; vetëm te korporata bëhet [kjo] një pjesë përbërëse, me dituri dhe mendim, e jetës etike.” Ai besonte aq shumë në solidaritetin e thellë që  korporata të tilla prodhojnë sa madje argumenton se zgjedhjet duhej të organizoheshin nga këto korporata, se duhet votuar si pjesëtar korporate.

Tej “shtesave” dhe “korporatave”, Hegeli mendon se çfarëdo mbetje e dëmit etik të shkaktuar nga nevoja e paepur e kapitalizmit për të eleminuar themelet e respektit shoqëror mundet po ashtu të ndërmjetësohet vendimtarisht nga shteti politik dhe nga përvoja e të tjerëve si bashkëqytetarë. Duhet të jetë, ama, shteti politik dhe jo ai administrativ, i cili rregullon shoqërinë civile me sferat e saj garuese të interesit vetjak. Ai ngulmon se duhet medoemos të ketë një arenë në të cilën qytetarët të përjetojnë pozitën e barabartë dhe hisen e tyre në një të mirë të përbashkët, jo vetëm shkëmbimet e negociuara ndër individë dhe grupe interesi. Ja një tezë tipike posaçërisht rreth shtetit: “Qëllimi i korporatës, që është i kufizuar dhe i fundëm, të vërtetën e ka në qëllimin që është universal në dhe për vete, si dhe në aktualitetin absolut të këtij qëllimi.” Ai universal është shteti.

Deri tani duhet të jetë bërë e qartë se përgjigjia e Hegelit ndaj problemeve që ai vë në pah brenda shoqërisë civile është habitshëm e dobët – habitshëm duke patur parasysh seriozitetin e problemeve. Pra, degradimi etik që kapitalizmi e ka si prirje të brendshme nuk duket se zbutet aq shumë prej vetëm jetës politike. Hegeli duket se e pranon këtë në përshkrimet që u bën problemeve, sidomos të varfërisë, dhe kjo sugjeron një transformim potencial shumë më rrënjësor se sa duket në sipërfaqen e shkrimit të tij. Siç vëren ai vetë, korporatat që organizohen përreth interesave të veçanta të grupeve të ndryshme të punëtorëve nuk munden me qenë themeli i një statusi universalisht të barabartë mes të gjithëve. Për më tepër, ka gjasa që solidariteti – qoftë edhe në një grup të tillë – do të sabotohet nga një çarje e pashmangshme midis atyre që mund të gjejnë punë dhe atyre që nuk munden.

Këtu ku mbërritëm, e kemi të pamundur të shmangim përfundimin se në vetë termat e Hegelit, situata që ai përshkruan, pavarësisht shpresave të tija për shtetin politik, është jehonë e qartë e pohimit të tij për situatën me të cilën përballej Platoni, një irracionalitet që po lindte e që nuk mund të mpaket nga brenda formave ekzistuese politike dhe shoqërore. Në rastin e parimeve themelore organizuese të një ekonomie tregu, pretendimi është se një sistem prodhimi që merr përsipër kudoqoftë motivin e përfitimit dhe kushtëzimet e konkurrencës, nëse nuk mpaket disi në vend se thjesht të “kompensohet”,  nuk përputhet me atë që unë po e quaj pozitë ose status etik i konsideruar si themeli i respektit të ndërsjellë dhe kështu themel edhe i përvojës së denjësisë vetjake – elementi kyç i lirisë ky – duke qenë ky që jam. Duke patur në mendje si e kupton Hegeli konceptin e lirisë, nuk ka si të mënjanohet përfundimi se kjo formë e aktualizimit të lirisë nuk do të përputhej me “konceptin e vet” – damka hegeliane e irracionalitetit – pa një transformim madhor në organizimin e punës.

Pyetja përfundimtare që ngrihet prej gjithë kësaj analize: A ka ndonjë zgjidhje, për këtë mospërputhje, që të jetë konsistente me ruajtjen e elementëve bërthamë të formës aktuale të kapitalizmit? Kjo do të varej më së shumti nga çfarë konsiderohet të jenë elementët qendrorë, ose më mirë nga çfarë u ka ndodhur këtyre në dy qind vitet prej analizës së Hegelit. Dhe kjo “çfarë u ka ndodhur” e bën analizën e Hegelit për mpakjen e tyre edhe më të pagjasshme, çka sugjeron nevojën për një transformim akoma më rrënjësor. Nuk është e lehtë të kuptohet si do mundej Hegeli të mbante edhe efektet edukuese edhe shoqërizimin pozitiv të një ekonomie tregu pa patur masa reformiste si kontrolli i punëtorëve mbi kushtet e punës së tyre apo mbi dizajnin e teknologjisë prodhuese që të marrë parasysh nevojën e sigurimit të dinjitetit dhe pozitës shoqërore të punëtorëve, pa përmendur dhënien fund të pozitave të pabarabarta të objektifikuara në qasje të pabarabartë në kujdesin shëndetësor, në lejet prindërore e në përkujdesjen ndaj fëmijës. Vetë analiza e Hegelit fton, ose madje kërkon me ngulm, spekulime të tilla dhe ne nuk duhet të ngurrojmë që kësi kërkesash t’i trajtojmë si thellësisht konsistente me qasjen e tij ndaj historisë.

Kjo qasje manifestohet në një pasazh të shumëcituar nga Parathënia e Hegelit, e cila sidoqoftë vazhdimisht shpërfillet kur jepet mësim Filozofia e së Drejtës si “filozofia e tij politike”:

Ky mësim prej konceptit është medoemos i dukshëm edhe nga historia; pra vetëm kur aktualiteti mbërrin pjekurinë, ideali shfaqet përkundër reales dhe e rindërton këtë botë reale, të cilën e rrok në substancën e saj, në trajtën e një mbretërie intelektuale. Kur filozofia e pikturon grinë e saj mbi gri, një formë jete është mplakur dhe nga grija në gri e filozofisë nuk mund të rinohet, por vetëm të njihet; huti i Minervës ia nis fluturimit vetëm me rënien e muzgut.

Hegel njihet shumë si apologjet i elementëve bazë të formës borgjeze të jetës, përfshirë ekonominë e tregut. Mirëpo, si mundet ky pasazh të ketë kuptim tjetër pos se bota historike që këqyret në këtë libër është vjetruar, e papjekur dhe plotësisht e aktualizuar, por në zgripin e njëfarë vdekjeje, në mënyrë të atillë që të kuptuarit filozofik nuk ia del të kallëzojë sesi bota do të duhet të jetë sepse vjen në skenë tepër vonë dhe mundet vetëm të kuptojë çka është pothuajse duke u shuar? Nëse argumenti i paraqitur këtu është i saktë, ne duhet të presim të gjejmë pikërisht atë që kemi gjetur: se një parim i ri po del, një “ideal përkundër reales”, një përgjigje ndaj gjendjes së mungesës së lirisë që do të kërkojë një transformim po aq vendimtar sa fundi i feudalizmit.

Siç kemi thënë më herët, pozicioni i Hegelit lyp që në çdo sistem të drejtë shoqëror dhe ekonomik, duhet të ekzistojë një hapësirë shoqërore, sa më e gjerë që të mundet, për shprehjen e talenteve individuale, tipareve psikologjike e kështu me radhë; për mundësinë e shprehjes dhe mirënjohjes objektive të identiteteve të larmishme dhe kontingjente individuale. Pra, për Hegelin, çka mbaron nuk është “kapitalizmi”. Edhe një sistem socialist do të ketë nevojë për menaxherë dhe punëtorë dhe kështu do të mund të linte hapësirë për shumë nga padenjësitë për të cilat shqetësohet Hegeli – dhe zëvendësimi i qëllimit të përfitimit me atë të kuotës nuk na ndihmon shumë. Nuk na ndihmon as ndonjë nocion abstrakt i pronësisë kolektive. Nëse nuk adresohet problemi i pozitës së ndërsjellë dhe i themeleve shoqërore për një respekt të tillë, ky problemi nuk do të zgjidhet, por do të riprodhohet. Ajo çka sot nuk është më e bëshme në terma hegelianë është një formë kapitalizmi që punon aktivisht për të shtypur dhe shtrembëruar mësimin që do të duhej të kishim marrë nga nevojat e punës, prodhimit dhe tregtisë: thellësinë e një varësie të ndërsjellë që duhet të pasqyrohet në forma të institucionalizuara të respektit dhe solidaritetit të ndërsjellë. Gjëja të cilës i ka kaluar koha mundet shumë mirë të jetë kapitalizmi i konsumit, ose i financës, ose ai globali, por sidoqoftë një formë kapitalizmi, damka kryesore e të cilit nuk është vetëm mjerimi dhe pabarazia materiale, por poshtërimi.

Për fund, siç e pamë, qasja e Hegelit heton lidhjet e domosdoshme shoqërore, në një kohë të caktuar, që një shoqëri të gjenerojë besnikëri ndaj një regjimi dhe rendi shoqëror dhe kështu të jetë e aftë të frymëzojë sakrifica për të kur të nevojiten. Në këtë shkrim u përqendrova te dëmet potenciale etike ndaj individit që e shqetësonin Hegelin ende pa dalë fordizmi dhe zgjerimi i fuqive prodhuese të kapitalizmit që do t’i përshkallëzonin së tepërmi këto rreziqe. Mirëpo, nëse Hegeli ka të drejtë rreth dëmit që shkakton pabarazia në themelin shoqëror të vetërespektit dhe kështu për mungesën e spikatjes, pranimit dhe njohjes shoqërore – thelbësore sipas tij për një jetë të lirë e kësisoj të denjë – atëherë sigurisht që duhet të parapresim që ky dëm të ketë pasoja shkatërrimtare për vetë lidhjen shoqërore. Kjo situatë promovon lehtësisht një kulturë të hatërmbetjes, hidhërimit, dyshimeve, paranojës dhe të një sërë patologjish kompensuese, deri te ato që sot po përshkruhen me vend si “vdekje dëshpërimi”.

Ne po përjetojmë, prej disa vitesh tashmë, pasojat politike të një kulture të këtillë hatërmbetjesh të shtyrë nga “ndërsyerja” e një përpjekjeje globale për maksimizim të fitimit. Do të ishte gabim i madh t’i mendonim të gjitha këto – për arsyet e shtjelluara më herët – si të ndreqshme me masën e vetme të një barazie më të madhe në të ardhura (sado sa e rëndësishme që të jetë kjo) ose me një “rikthim” te “puna e fabrikës” hamendësisht e mrekullueshme dhe përmbushëse, ose përmes ndonjë çlirimi të pandehur prej vetë punës. Pa një sistem ekonomik, i reformuar gjerë e gjatë, ku burrat dhe gratë të mund të ndihen të respektuar për punën domethënëse, do na duhet po ashtu të parapresim se do të jetë e vështirë të bindësh këdo për vlerën e të sakrifikuarit sadopak të ndonjë gjëje për hir të një tërësie shoqërore në të cilën nuk e përjetojnë veten se i përkasin realisht. T’i thërrasësh vetëm interesave vetjake dhe interesave të të dashurve të tu ka qenë gjithmonë argument shumë pak tërheqës për ata që janë gati “ta provojnë gjithsesi” dhe është argument që, në mënyrë implicite, pranon se nuk paska themel në botën tonë shoqërore për një thirrje a kushtrim më të gjerë. Në atë rast, nëse qëllon ndonjëherë të nevojitet të kërkohen sakrifica – si, për shembull, izolimet dhe karantinimet në rastin e ndonjë pandemie globale – ne do të mund të parapresim se do të ketë mosbindje [civile] të gjerë e të rrezikshme, si dhe ngutje me padurim e pamend nga udhëheqës populistë politikë, ngritja e të cilëve qe furnizuar nga një hidhërim i këtillë.

Përkthyen: Pavjo Gjini & Genc Shehu

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje