Ada

01.04.2019 | Diana Malaj | nyje.al 
Ngjarja nuk zhvillohet në Petërburg, por në një qytet-burg që për urë ka mbikalimet prej hekuri dhe fekalesh. Rrëfimi i Adës nga Kamza nuk është rrëfim sentimental i një historie intime, ama pak nga “Net të bardha” do na shërbejë herë pas here si fill përshkues i një grushti momentesh jetësore të bëra shuk në mendjen e saj. Si ëndërrimtari vetmitar.
Rrëfimi në librin “Net të bardha” ndahet në katër net dhe një mëngjes. I yni në katër dhoma, dhe një rrugë.  Historia e Adës është karfica që lidh fustanin tonë me teshat tuaja. Dikush nga ne duhet të jetë gjyshja plakë dhe e verbër, që kërkon gjithmonë një zë t’ia rrëfejë atë që po ndodh. Dhe jemi të detyruar të rrimë bashkë. Ne vend të nyjes, do përdorim një karficë deri në fund të rrëfimit. Me siguri fjalët nuk do të kenë muzikalitetin e “Berberit të Seviljes”, por një “plakë e mirë a plak i mirë” që don të marrë kënaqësi, do dijë gjithmonë të drejtojë fytyrën nga vijnë zërat e thellë.
Nuk insistojmë si Nastjenka për t’ia dëgjuar historinë e saj. Nuk do e përballonim dot trembjen nga një përgjigje e mundshme “nuk kam një histori”. Fundja si disa prej nesh, që herë në tufë e herë të vetëm, ndihemi gjithmonë fillikat. Takimi me të ndodh krejt rastësisht, si në urën e njërës prej netëve të bardha, por pa manifestime të dëshpërimit. Një vajzë e qetë, me kaçurrela të zinj, që s’mund të jetë kurrë zemërake nga mënyra sesi vështron, është ulur në fund të urbanit tek kthehet nga fakulteti i saj.
Dhoma e parë
Ajo studion në degën e Informatikës Ekonomike, në vit të dytë. Sapo ka lënë pas sezonin e provimeve. Sezon jo fort i mbarë për Adën. Situata post-protestë studentore ka dhënë efektet e saj. Perdja ra, hakmarrja erdhi. Profesorë që kanë turfulluar gjatë revoltës duke folur nën dhëmbë “përse merren me ne dhe plagjiaturat tona kur kanë njëmijë gjëra të tjera që nuk funksionojnë”, u ka ardh dita të shfryjnë me lezet mbi teza.
Ajri i fakultetit ka ndryshuar; u kanë vënë një kondicioner dhe një rrjet wireless-i që nuk funksionon. Sakaq kërkesat e tjera janë ende pezull; edhe kërkesës për të pasur akses të pakufizuar në bibliotekën e fakultetit u janë përgjigjur që është fond i mbyllur. Në auditoret e këtij fakulteti Ada gjen gjithmonë një cep për t’u ulur, mundësisht afër ndonjë kolone. Ëndërrimtari i vetmuar te “Net të Bardha” thotë se në këto vende nuk duket sikur ndriçon i njëjti diell për të gjithë njerëzit e tjerë, por shikon një tjetër, të ri, si i porositur posaçërisht për këto qoshe. Në këto qoshe, sikur jetohet një jetë krej ndryshe. Ndërkohë që për Adën këto dhoma leksionesh synojnë të qethin me të njëjtin model mendimin, dhe çrrënjosin guximin e mendimit origjinal, ajo reziston për hir të vendimit për të përmbushur ciklin e studimeve dhe t’i shkojë deri në fund kësaj rruge shtrema-shtrema.
Dhoma e dytë
Periferia dhe qendra për të nuk kanë më dallime. Nga Tirana në Kamëz dhe përkundër, është i njëjti rrip toke i ngushtë, i zhurmshëm, i ndotur dhe i mbingarkuar. Ndjehet e pavend dhe e huaj kudo. Megjithatë, ajo na rrëfen që dikur kishte pasur një cep të preferuar ku shkonte për të vështruar sjelljet e kalimtarëve. “Ua shoh sjelljet. Ecin shumë ngadalë dhe rrallë janë vetëm. Rrallë herë shoh parakalime të heshtura. Shumica e njerëzve flasin. Gratë e kanë gjithmonë kokën të kthyer nga vitrinat. Ndërsa pleqtë janë si dy akrepa të ndalur që llafosen teksa kalon përbri tyre ndonjë vajzë çapkëne. Nuk u shpëton asgjë. Janë gjithmonë duke vëzhguar njëri-tjetrin. Sytë dhe kokat i lëvizin si fshirëset e xhamave të makinave.” Adës sonë nuk i flasin vetëm njerëzit. Si ëndërrimtari i Dostojevskit, ajo ia njeh shtëpitë qytetit. Duket sikur secila kërkon ta shohë me të gjitha dritaret dhe t’i thotë se kur do i shtojnë një kat, një tjetër se kur do të legalizohet, e një tjetër se kur do t’i kthehen banuesit e saj. Qyteti i zë frymën, ndaj ajo është gjithmonë në nxitim drejt shtëpisë.
Dhoma e tretë
“Këto ditë po kërkoj me ngulm të rilexoj “Studentin në shtëpi”, por Migjeni nuk gjendet kudo. Studentit të tij fillojnë t’ia dëgjojnë fjalën kur diplomohet, kthehet në shtëpi me titullin mjek dhe pritet të sjellë të ardhura në familje. Këtë kam vënë re që ndodh në familjet tona edhe sot. Familjarët sillen ndryshe me ne vetëm pasi i arrin këto dy kushte.” Kështu na e kujton Nushin dhe tonin e të atit i cili që kur i ishte kthyer djali prej viseve të largëta i fliste me dy nota ma poshtë. Dikur në sol, e më pas në re. Nushit, me tone t’ambla dhe me pyetje të çinteresueme ndërsa pjesëtarëve të tjerë të familjes ashpër dhe vrazhdë. Ada ia ka dalë ta thotë mendimin e saj edhe brenda mureve të familjes. Madje sa herë që kthehet në fshat, të afërmit iu drejtohen prindërve të saj me fjalët “Ada do t’ua bëjë kësulen me hije” – dhe qesh tek na e thotë. “Në fakt nuk e kam privuar veten për të ruajtur nderin e askujt, por mund të kem hequr dorë nga dëshirat e mia vetëm për t’iu qëndruar afër në momente kur kanë pasur vërtet nevojë për mua.”  Dhe hap derën tjetër…
Dhoma e katërt
“Qytetin e krijoj brenda dhomës sime. Ndonjë libër, muzikë dhe telefonin. I jam rikthyer leximeve të autorëve rus. Po lexoj dhe “I huaji” i Camusë. Sa herë që më bie dielli në kokë mendoj për Mersonë. Po përpiqem të njoh veten, por deri tani nuk ia kam arritur. Nga shkolla kam dalë pa pasione, nga universiteti po dal e paformuar, dhe kjo më brengos. Kam ankthin e shkarjes së kohës. Do doja shumë që dita të ishte më e gjatë se 24 orë, pasi s’më mjafton.”
Na tregon se dikur pikturonte. “Kam një bllok shënimesh, në të cilin gjen fjalë dhe skica. Më së shumti kam vizatuar sy, dhe kjo ndoshta pse jam ndjerë gjithmonë  e survejuar, e mbikëqyrur nga shoqëria. Shpesh mendoj se gjërat nuk i shoh krejt ashtu siç janë dhe më kujtohet ëndërrimtari i “Net të bardha”. Ai pavarsisht se e deshti shumë vajzën që e la, arriti të çmojë ca copëza lumturie. Një zemre të vetmuar, të trishtë dhe me perspektivë të zymtë i mjafton një moment lumturie në gjithë jetën e saj”, kjo është ajo çka më mbetet të bëj në udhëtimin tim.”

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje