Klotilda

Antonela Pepkolaj | 26.09.2022 | nyje.al 

Himeni dhe heshtja për gratë, në pjesën më të madhe të rasteve, jane bileta për një jetë të mbushur me abuzime të të gjitha formave. Dhe, ndërsa ndonjëherë me vullnet të lirë, ndonjëherë për hesap të familjes, vajzat e reja zgjedhin t’ia falin rininë dhe kohën e tyre, një stili të caktuar jetese, më shumë sesa një personi, kjo përbën e thënë me një fjali,  një histori klasike dashurie në qytetin tonë.

Klotilda ishte 18 vjeçe kur u fejua me tashmë bashkëshortin e saj. Për familjen  ishte zgjedhja më e mire e mundshme, sepse jetonte në Angli, duke provuar me kaq se është njeri i aftë të kujdeset për një familje. Ndonëse Klotilda pranoi, e vërteta është se as ajo nuk e dinte çfarë donte dhe se, duke iu predikuar gjithë jetës së saj që burri më i mirë për të ndarë jetën, është burri me të cilin mund të jesh krenar përballë të njohurve të tu, nuk rezistoi shumë. Ndërsa tregonte dy muajt e parë të fejesës me një ndjesi qetësie, se partneri i saj është një njeri i suksesshëm dhe ideali me të cilin është ushqyer, e kuptonte se njëkohësisht është një njeri i paarritshëm, i ftohtë dhe në thelb, i huaj.

Mendonte se kjo distancë humbi muajt e parë të martesës, duke ngatërruar babëzinë e tij seksuale me ndjenja përkujdesi dhe interesi ndaj saj. Kishin ndërtuar intimitet dhe, në mendjen e saj është krejt natyrale që intimiteti të nderohet me besnikëri dhe reciprocitet. Se përndryshe as që do të ekzistonte nëse të dy nuk do të donin t’i qëndronin përkrah njëri-tjetrit. Gjithsesi, Klotilda nuk e di, ndoshta prej diferencës që kanë në moshë, ndoshta se ai ka lëvizur e udhëtuar goxha ndërsa ajo jo, se eksperiencat seksuale të të shoqit të saj, janë të kufizuara vetëm në prostituta dhe gra në moshë. Duke mos e provuar kurrë përvojën e rënies, joshjes apo dëshirës për të mbrojtur dikë, ai mendonte se sapo Klotilda të dilte nga gjendja e saj e naivitetit, që është atribut i moshës së re, do të zgjohej ndaj gjendjes së saj të vërtetë, që është gjendja e frustrimit dhe, përballë frustrimit, dashuria është një iluzion i braktisur.

Kështu duke menduar që i ka bërë ndonjë nder të madh që i ka dhënë “titullin” bashkëshorte, që i ka ofruar strehë, siguri, një familje, ai mendonte se Klotilda nuk ka më asnjë lloj nevoje tjetër. Shumicën e kohës ishte larg saj, nëpër punë dhe udhëtime si emigrant, kohë gjatë së cilës Klotilda vuan shumë. Fillimisht nga malli, se vetëkuptohet, ai është larguar nga nevoja për të siguruar të ardhura familjes. Megjithatë, gradualisht Klotilda kupton, se ai e ka braktisur. I shoqi nuk i del asnjëherë për zot, nuk e mbron, nuk mundohet aspak ta kuptojë, nuk i intereson që Klotilda të ndihet as e qetë dhe as e lumtur, duke i etiketuar ankesat e saj si përçartje grash, se burrat kanë problemet e vërteta të kësaj bote, se Klotilda mjafton të rrijë në shtëpi dhe të jetë punëtore, ashtu siç edhe dihej se duhej të ishte, sepse në marrëveshjen e tyre nuk kishte ndonjë pritshmëri tjetër.

Një rast konkret (dhe absurd). Vjehrra e Klotildës e konsideron veten besimtare myslimane. Çdo dy-tre muaj blen hajmali nga një hoxhë, të cilën ia jep Klotildës me shpresën se do të lindë një djalë. Klotilda ka tashmë një vajzë të vogël dhe nuk dëshiron më fëmijë, por edhe sikur të dëshironte, i shoqi nuk është fare në Shqipëri. Gjithsesi. Klotilda e refuzon hajmalinë dhe kërcënon se do t’i djegë në rast se i japin ndonjë hajmali tjetër. Kur vëren se ia qepin fshehtas nëpër xhepat e rrobave, vendosi t’i tregojë të ëmës, e cila i tha se është diçka krejt normale, madje një nder që po i bëjnë. Klotilda refuzon prapë dhe e quan vjehrrën e vet shtrigë. Situata degradoi duke u përfshirë në konflikt të dyja familjet, herë pas here duke kërcënuar që Klotilda të kthehet te shtëpia e vajzërisë. Në mënyrë që kjo të mos ndodhë, prindërit e Klotildës i sugjerojnë që më mirë të mos bëjë më zë për këtë punë. Gjatë gjithë kësaj kohe i shoqi i Klotildës ka refuzuar të përfshihet fare. Dhe kjo është vetëm një nga ngjarjet që Klotilda e cilëson si nxirje jete.

Duke parë se ndodhet krejt vetëm, për të rritur fëmijët, për të përballuar familjen e tij të pagdhendur, Klotilda fillon të përçmojë të shoqin, familjen e tij dhe familjen e vet. Përveç vajzës, asgjë nuk e motivon të jetojë. Ka hequr dorë nga nevoja për të shprehur pakënaqësitë e veta, duke toleruar çdo lloj fyerje, mungese konsiderate dhe respekti, deri edhe dhunë dhe abuzim, qoftë verbale, psikologjike dhe fizike.

Ndonjëherë fajson veten, që nuk ka shpresuar për asgjë tjetër në jetë përveçse të gjejë një burrë të hairit. E fajëson gjithashtu që nuk di si ta nxjerrë veten nga kjo situatë, që është e paaftë edhe të lëvizë në qytetin që ka tërë jetën që jeton sepse nuk e njeh, pale të dijë ku të kërkojë ndihmë për gjendjen e saj. Për njerëzit me të cilët jeton, Klotilda nuk ka asnjë problem, përkundrazi, po të dëgjonin pakënaqësitë e saj do thonin se nuk ekzistojnë; në rastin më të mirë do qeshnin.

Në përfundim, Klotilda thotë se nuk shpreson se jeta e saj do të ndryshojë, por projekton të gjitha ëndrrat e veta tek e bija. Do ta rrisë në një mënyrë që të mos ketë pse të durojë asnjë gjë që e bën të ndihet e tepërt, e përjashtuar, e përdorur, e padëshiruar, nën kontrollin dhe mëshirën e dikujt, etj. Për jetën e saj, fajëson herë prindërit, here papjekurinë e njerëzve të cilët i ranë për pjesë, në më të shumtat e rasteve fajëson veten. Nuk e kupton pse e refuzojnë të gjitha modelet femërore që ajo njeh, qoftë modeli i gruas “për shtëpi”, qoftë i asaj së lirës që refuzon të bëjë kompromise, ndaj edhe ka hequr dorë nga vetvetja. Megjithatë, sidomos në gjendjet e rënduara, e ripyet veten se kush e ka fajin?

***

Ky profil është bazuar në historinë e vërtetë dhe të zakonshme të një gruaje nga Kamza, emri i së cilës është modifikuar për të ruajtur anonimitetin.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje