Mjerimi që shkakton Shpresa

Ronald Qema | 01.11.2022 | nyje.al

“Nuk ishte e qara e famshme e lumturisë. Ishte ajo e qara që të permbyt kur ndihesh dobësisht fatkeq. Kur dikush ndihet fuqimisht fatkeq, atëherë vërtet ia vlen të qajë, i shoqëruar nga të dridhurat, nga përpëlitjet dhe, veçanërisht, nga publiku.

Mirëpo, kur, përveçse fatkeq, ndihesh edhe i dobët, kur nuk ka vend per rebelimin, sakrificën apo heroizmin, atëherë duhet qarë pa zë, pasi askush s’mund të ndihmojë dhe je i vetëdijshëm se kjo do të kalojë dhe në fund gjithçka do të kthehet ne ekuilibër dhe normalitet.”

Në faqen tetëdhjetë e shtatë te libri “Armëpushimi” shkruar nga Mario Benedetti po lexoja rreshtat e mësipërm, kur në sediljen në të majtë mu ul një djalosh i imët që nuk hezitoi të hidhte sytë mbi libër. Për pak sekonda rroku me sy disa fjali nëpër të, por shpejt humbi interesimin, shkak edhe i ndërhyrjes së shokut të tij që ishte mbështetur në palat e fizarmonikës së autobuzit, përballë nesh.

Nuk e mbajti gjatë bashkëbisedimin me të dhe ndërsa fatorinoja po kalonte nëpër korridorin e shkurtër e pyeti për lodhjen që i shquhej qartë në fytyrë dhe fytin e hollë me damarë tepër të dukshëm. Fatorino nisi t’i tregonte për ditën që kishte nisur që në orën pesë të mëngjesit dhe fundin e saj që mezi po e priste. Nesër do të dilte në punë më vonë dhe do kishte mundësi për të fjetur pak më shumë. Për t’u bërë gati pastaj për të pasnesërmen me 16 orëshin e radhës, turni i stërgjatë që zë turnin tjetër. 

“16 orë në këmbë, duhet me e pas mendjen se një gabim me ba shkoj ma. Flemë 3-4 orë gjumë dhe duhet me dalë në punë se s’ka zgjidhje tjetër. O vjen o s’vjen”. – iu drejtua pa hezitim fatorinoja djaloshit. 

Shoku i tij diç iu drejtua atij me fjalë të mveshura me shaka lidhur me etjen për para, për lekun e madh që fiton kur punon aq gjatë. 

Nuk është ky rasti. Fatorinoja tregoi që nuk është zgjedhje, duhet të dalin në punë domosdo nëse duan të kenë një punë. Kompania nuk gjen dot punëtorë të tjerë dhe stafin që e ka po e shfrytëzon në limite. Shfrytëzim dashakeq që dënimin e ka si bombë të gatshme që mund të bjerë nga çasti në çast në kryet e punëtorit.

Një person me e harru, për një biletë, 80 mijë lekë (të vjetra) gjoba. 30 mijë me i hapë kamerat, shkon 110 mijë. Iku gjysma e muajit.

Kur nisi e përmendi lekët, djaloshi me kureshti pyeti për lekët që xhiron nëpër duar gjatë ditës me biletat. Përsëri pa hezitim, fatorinoja i tregoi se përditë kalohej shifra e gjysëm milionit. 

500, 600, 700. Aq bëhen në ditë veç me bileta, përveç aboneve. 24 autobusë kanë qenë në punë sot.” 

Llogaria është tejet e thjeshtë, përfitimi është dhjetra milionësh në muaj, duke shfrytëzuar një staf të tërë, fatorino, kontrollorë,  shefë linjash e teknikë, ndërkohë që shefi rri shtrirë shtoi fatorinoja. 

Një llogari të ngjashme më ka rënë ta dëgjoj edhe nga një fatorino tjetër në mars të këtij viti kur autobusët u rralluan dhe njerëzit “paketoheshin” me qindra me një rrugë të vetme. E të dënuarit e këtyre ditëve ishin pikërisht këto fatorino që duhet të prisnin bileta një për një duke përbiruar mes turmës sa në fillim e sa në fund të autobuzit. 

Teksa po zbrisja, shoku i djaloshit me ton sugjerues e pyeti se pse nuk e lë këtë punë që dukshëm po e lodhte në masë të papërballueshme. E krejt në analogji me rrjeshtat e fillimit të këtij shkrimi, fatorinoja u përgjigj se nuk mundet të bëjë gjë tjetër në këto kushte, përpos të punojë pa zë se pa punë nuk bëhet. 

Pasi lashë pas shpine dyert që mbylleshin, të shkruarit për këtë bisedë afërmendsh ishte gjëja e parë që duhet të bëja kur të arrija në shtëpi. Ndonëse kam shkruar shpesh për ç’kam dëgjuar në autobuz, edhe kam lënë pa shkruar shumë histori që ia vlenin të rrëfeheshin, por si gazetar autobusi që kam zbuluar që jam, autobusi i Kamzës i meriton dhe këto radhë.

 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje