Vajzat tona ëndërrojnë larg

Evi Veliu | 05.07.2018 | nyje.al

D-ja sapo i ka mbushur të tetëmbëdhjetat dhe jeton shumë pak kilometra larg kryeqytetit, në Kamëz. Është ende në shkollë të mesme. Me keqardhje kujton se e ka humbur një vit mësimor, atë të provimeve të lirimit, pasi, për arsye ekonomike emigroi familjarisht për tetë muaj. Azilin nuk e fituan dot dhe u kthyen. Me dy gropëza që i bëhen në faqe kur buzëqesh, tregon se shteti gjerman e afroi më shumë me shkollën. Sapo u kthye, i vendosi vetes një qëllim: të mësojë fort për të shkuar në gjimnazin më të mirë të kryeqytetit që mund t’i hapet rruga për studime të mëtejshme jashtë; të punojë për të mbledhur të ardhurat që i duhen për të mos i lënë vetes mangut pasionin e saj të madh, arkitekturën. I pëlqen të vizatojë, i mjafton një laps dhe një letër, por shpesh nuk gjen frymëzim dhe as kohë. I pëlqen të lexojë libra fantastiko-shkencorë, me zor e pret fundjavën dhe verën. Gjatë dimrit punon dhe studion. Zgjohet herët, nga ora pesë. I pëlqen të meditojë dhe të studiojë përpara se të shkojë në shkollë. Mbrëmjeve është shumë e lodhur për t’u marrë me studime apo lexime. Kalon rreth 11 orë jashtë shtëpisë me një mëngjes të bollshëm dhe një drekë “snack” që e mban derisa kthehet në shtëpi. Puna nëpër qendrat e thirrjeve, që të gjithë i njohim me emrin anglisht “call center”, ia lodh veshët dhe mendjen dhe janë shpërblimet shtesë për një ditë të suksesshme që e bëjnë të duruar. Verës është pak më e lirë. Prindërit janë në punë, ajo kujdeset për shtëpinë dhe gjen kohë të përsosë gjuhën e huaj. Interneti është i vetmi mjet që i jep lirinë të lidhet me botën. Është nga ato nxënëse që nuk ka provuar të dështojë. Është nga ato vajza që i ka bindur prindërit të kenë besim tek ajo, se ajo nuk gabon, nuk është mendjelehtë, di të zgjedhë dhe ka zgjedhur të shkojë larg. Ka zbuluar më shumë se ç’do të dëshironte. Ka zbuluar se këtu, në Kamzën e saj, do të mund të bëhesh veçse grua për të lindur fëmijë, për të mbajtur shtëpinë, pa patur lirinë të provosh a të zgjedhësh. Ka zbuluar se sytë e tjerë e shohin kështu edhe sikur ajo të dëshirojë ndryshe. Në moshën e pubertetit, nuk kishte leje as për të zbritur deri te dyqani i lagjes. Ka kuptuar se i duhet të shpëtojë lirinë e saj emocionale. Për këtë duhet të shkojë diku larg. Dhjetra arsye për t’u larguar, asnjë për të qëndruar.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Xhesika është nëntëmbëdhjetë vjeç. Deri në moshën gjashtë vjeçare është rritur në Greqi. Prindërit e saj kanë një biznes të vogël në Kamëz, atje ku ajo vendosi të studiojë në shkollën profesionale për hoteleri-turizëm, një mundësi për t’u gjendur më pranë biznesit familjar. Nganjëherë i duhet të zgjohet shumë herët për t’i ndihmuar. I pëlqen shumë të gatuajë, sidomos ëmbëlsirat. Do që gjithçka e përgatitur të kalojë nga duart e saj të bardha, të kuruara. Do të donte të niste një biznes ëmbëlsirash, ndryshe nga ëmbëltoret që ka parë deri tani. I pëlqen të kalojë kohë me shokë e shoqe, me lojra dhe aktivitete në grup. Ka më shumë shokë se shoqe dhe preferon të shëtisë në Tiranë. Por, nuk ka si shëtitjet vetëm. Nuk ngurron të kalojë nga biznesi i familjes kur del me shoqërinë, që t’u krijojë prindërve besimin se nuk po bën asnjë gjë të gabuar. Nganjëherë e ndjen mirëkuptimin e së ëmës kur i flet për marrëdhëniet e saj personale.

Ka dy vjet që verën e kalon duke punuar. Nuk ankohet hiç për lodhjen kur mendon për gëzimin që i sillnin ato pak lekë që fitonte nga puna në fasoneri. Nisi si lojë. Qëndrimi në këmbë për tetë orë ishte i lodhshëm, por më së shumti atë e kishin lodhur fytyra nënash që punonin nga dy turne. Xhesika nuk e imagjinon dot sesi mund t’i shtysh më shumë se tetë orë në atë mjedis pune mekanike. Edhe veshjen duhej ta përshtaste me punonjëset e tjera. Ajo ka punuar në sektorin e heqjes së thumbave në pjesën e prapme të këpucëve, por nuk i ka ndodhur t’i ketë provuar ndonjëherë në këmbën e saj ato këpucë. Janë të shtrenjta dhe tregun e kanë jashtë Shqipërisë. Këtë verë ka një lajm pas të cilit ka varur të gjitha shpresat: llotaria amerikane. Ende nuk ka asnjë ide për drejtimin që do të marrë pas kësaj jeta e saj.

Ka zbuluar që ka nevojë për intimitetin e saj dhe për pavarësi ekonomike. Prindërit do t’i jepnin bekimin për ta nisur bijën e tyre drejt botëve të zhvilluara, por jo lejen për të punuar në profesionin e saj buzë bregdetit shqiptar. Ka zbuluar se njeriu duhet të provojë çdo gjë, mbi të gjitha të udhëtojë. Ajo është kureshtare:  Si do të ishin ato hapësira lirie që sot më së shumti i njeh përmes teknologjisë dhe internetit?
***
Raimonda është gati njëzetë e gjashtë vjeç. Ishte fëmijë kur familja u zhvendos nga Kukësi në Kamëz. E ëma është shtëpiake, ndërsa babai piktor. Ajo e ka dashur gjithmonë mjekësinë dhe studioi pesë vjet fizioterapi. Me një zhgënjim që mundohet ta fshehë pas një buzëqëshjeje, ka zbuluar që puna nuk i vlerësohet. Ka aplikuar shumë për ta praktikuar profesionin e saj, por nuk ka marrë përgjigje. Nuk kishte asnjë garanci se do të qëndronte a do të paguhej, në ato raste kur i ofronin 3 muaj praktikë pa pagesë. Qendrat e thirrjeve i ofronin pagesë të përmuajshme pak më të lartë. Raimonda ka qenë e vetmja në familjen e saj me një rrogë të qëndrueshme për disa kohë. Por, nuk ia dilte t’u shiste klientëve paketat turistike që ata kërkonin e të plotësonte normën e vendosur nga përgjegjësit e saj. Kështu, e humbi punën. Ka provuar edhe punë të tjera si vullnetare, që nga larja e pjatave në lokalin e dasmave të një familjarit të saj e deri te ndihma që i jep të atit në pikturë. Përpiqet të gjejë kurse që i ngjallin kureshtje dhe interes, ose organizata joqeveritare që përmbushin qëllime humanitare. Kjo e ka ndihmuar të njohë njerëz të rinj.

Në verë Kamza i duket bosh. Lexon, pikturon – kryesisht portrete. I mungon parku, gjelbërimi. Për këtë arsye, gjatë kësaj stine shkon te gjyshja në Kukës, shëtit pranë lumit a liqenit mbasditeve. Tani edhe ajo po aplikon për të mërguar, vendim që e mori pas një praktike pune për fizioterapi në Gjermani, sepse pa atje që përpjekja dhe mundimi i individit vlerësohen. Pyetjet dhe kërkesat atje marrin përgjigje. Ka zbuluar se ka ende një sfidë përpara se të shijojë jetën kur të jetë në Gjermani: të çlirohet nga xhaxhai, i cili do ta mbikëqyrë atje derisa ajo të krijojë një jetë të sajën. Vetëm në këtë mënyrë u ofron prindërve qetësinë se ajo do të jetë e sigurt dhe e mbrojtur. Ka kuptuar nga përvoja se misteret më të mëdha fshihen brenda saj, e tani dëshiron të gjejë një vend të përshtatshëm për të shpalosur veten.
***
Është verë. Qyteti është i qetë dhe i rregullt, si kuti. Mbi format e buta të kodrinave dhe fushave shtrihen shtëpi deri në tri kate. Ka vetëm një rrugë kryesore përgjatë së cilës shtrihet edhe bashkia e qytetit, një ndërtesë me xhama, brenda së cilës nuk ka njerëz që presin, kërkojnë, shtyhen a ankohen. Përmes rrugës kryesore mund të shkosh shumë lehtë në park. Parku ka pata e mjelma që lahen në lumin aty pranë. Syri sheh përtej deri sa përhumbet në horizontet e ngjyrosura prej perëndimit. Treni që të çon prej aty në destinacione të tjera është si një kinema. Nga dritaret drejtkëndore të trenit mund të shohësh diellin që bie mbi fushat e mbjella, lulet e çelura, male të largëta, njerëz në punën e tyre, ndonjë fabrikë që veç tymi i duket e përreth pemë, pemë, pemë. Mendja përhumbet në thellësitë larg të përditshmes, në drejtimin e yllit të parë që rrezëllin pa rënë muzgu. Ç’pikturë do të kishte qenë ajo që vajzat shohin me sytë e mendjes! Një peizazh mbreslënës a një portret që flet? Ndoshta D-ja do ta kalonte kohën duke vizatuar, e Raimonda do të kish bërë një portret me të gjitha shprehitë e pavullnetshme të habisë në fytyrën e D-së. Ndërsa Xhesika do të mund të shihte avionët tek fluturojnë në qiellin e pagërvishtur duke pritur ditën që do të shohë retë puplore përpara se të zbresë në tokën e mrekullive njerëzore. Ndonjë verë, do të mund të shijonim ëmbëlsirat që Xhesika do të bënte plot dashuri me duart e saj. Mbase do të pranonim sugjerimin e syrit arkitekt të D-së për t’i kthyer lumenjtë e Kamzës në një park madhështor. Nga kjo do të kishte përfituar patjetër Raimonda, që do të ishte e para për ta vizituar atë park. Sigurisht, do të mund t’i dëgjonim këshillat, apo të ndjenim duart e saj teksa shtendosin dhimbjet e trupit njerëzor që krijon jeta përmes lëvizjes. Mes nevojës për siguri dhe kërkesës për liri, vajzat tona ëndërrojnë larg!

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje