Një vit edhe me Këshill edhe pa Këshill Bashkiak

nyje.al | 31.12.2023

Këshilli Bashkiak i Kamzës është organi më i lartë kolegjial që qeveris qytetin. Në punimet e tij parashikohet të diskutohet dhe miratohet çdo vendim që përcakton zhvillimin tërësor të qytetit. Si i tillë ai duhet të jetë llogari-dhënës, transparent dhe i hapur për secilin banor a aktor të interesuar. Viti që po lëmë pas është shembull i përkundërt i zbatimit të këtyre parimeve jo vetëm abstrakte, por edhe ligjore. E drejta kushtetuese është shkelur hapur dhe është përçudnuar nga drejtuesit e Këshillit Bashkiak por edhe nga ndërhyrjet vendim-marrëse të pa bazuara në ligj të Kryetarit të Bashkisë Kamëz, Rakip Suli. Perceptimi i tij që Këshilli Bashkiak, edhe çdo organ, drejtori apo punonjës janë lodra në duart e tij, ka sjellë një tjetër vit të mbrapshtë për funksionimin ligjor të institucioneve në qytet.

Muaj pas muaji 

4.Thirrja për mbledhjen e këshillit bëhet nga kryetari i këshillit dhe njoftimi për mbledhjen bëhet, si rregull, jo më pak se 5 ditë para datës së zhvillimit të saj. Njoftimi përmban datën e mbledhjes, orën, vendin dhe rendin e ditës. 

Që në muajin e parë të këtij viti Këshilli Bashkiak nuk ka plotësuar detyrimet ligjore që i përcakton ligji nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Njoftimi i mbajtjes së mbledhjes së muajit janar nuk respektoi specifikimet e nenit 53 të tij, “Funksionimi i Këshillit Bashkiak”, duke publikuar datën dhe orën e mbledhjes, dy ditë pas afatit maksimal që parashikon ky nen dhe gjithashtu në postimin në rrjetin social të Këshillit nuk është bërë i ditur rendi i ditës. 

Në muajin shkurt nuk është bërë e ditur mbledhja e Këshillit Bashkiak Kamëz, e mbajtur më 15 shkurt 2023. Zhvillimi i saj është njoftuar pas një kërkese për informim që redaksia jonë i ka drejtuar Bashkisë Kamëz , më datë 28 të atij muaji. Përpos informimit për mbajtjen ose jo të një mbledhjeje, vendimeve të miratuara dhe projekt-vendimeve të diskutuara, ne shtruam edhe një pyetje për mungesën njoftimit publik nëse ajo ishte zhvilluar apo jo. Kjo pyetje u injorua nga ë Bashkia Kamëz dhe përgjigja e kërkesës sonë për informim ishte e paplotë, siç mund edhe të vërehet nga imazhi i shkëputur nga e-maili i dërguar nga institucioni qeverisës i qytetit. 

Njoftimi i mbajtjes së mbledhjes për muajin mars është i ngjashëm me atë të muajit janar, me të vetmin ndryshim që në këtë rast thellohet shkelja e afatit ligjor për informimin e kësaj mbledhje. Postimi është publikuar vetëm një ditë përpara mbledhjes, më 16 mars 2023. Njoftimet e këtilla kanë penguar punën e redaksisë sonë në mbulimin e zhvillimit të mbledhjeve, që siç u përmend në nisje të shkrimit është organi kryesor vendim-marrës në qytet. Në njoftimin e mbledhjes së muajit mars, po ashtu mungon informacioni rreth rendit të ditës. 

Postimi i njoftimit për mbledhjen e marsit pasohet nga urimet e Këshillit Bashkiak për Pashkët dhe Bajramin, ditët e shënjuara të religjionit që këtë vit u festuan në prill. Faqja e Këshillit Bashkiak bëhet e gjallë pas tre muajsh, më 10 korrik, e cila në një postim njofton mbledhjen e parë të konstituimit të Këshillit të dalë nga zgjedhjet vendore të 14 majit. Njoftimi bëhej publik vetëm dy ditë para mbajtjes së saj edhe pse si shkresë ishte firmosur që më datën 7 korrik. 

Mediat e pranishme nuk u lejuan të ndiqnin zhvillimet e mbledhjes së parë të Këshillit. Dyert u hapën vetëm për momentin e betimit të Kryetarit të Bashkisë Kamëz. Në shkrimin e publikuar nga redaksia jonë, “Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak si dasëm, të kënaqurit, të pakënaqurit dhe të harruarit”, përshkruhen gjërësisht zhvillimet e asaj dite. 

Një nga gazetaret që priste të hynte në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Kamëz, 12 korrik 2023, Kamëz

 

Njoftimi për mbledhjen e radhës, më 21 korrik, po të mos ish njoftuar dy ditë përtej afatit të parashikuar do të ishte shembull i zbatimit të nenit 43, pika 4, të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, pasiqë për herë të parë për vitin 2023 Këshilli Bashkiak bën publik rendin e ditës.

Sikur të mos mjaftonte njoftimi i vonuar, kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli e verbalizoi plotësisht pushtetin e tij arbitrar mbi vendimet e marra në qytet, edhe kur bëhet fjalë për zhvillimet e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak. Si rrallë ndonjë kryebashkiak tjetër, Suli shqiptoi arsyen e mungesës së llogari-dhënies e transparencës dhe pengimin e medias në pjesëmarrjen e mbledhjes së Këshillit, duke ndaluar gazetarin e redaksisë Ronald Qema të ndiqte punimet e Këshillit me arsyetimin se “i donte qejfi” që mos ta lejonte. Në videon e publikuar, kuptojmë bunkerizimin e Këshillit Bashkiak Kamëz që qe prej më shumë se një viti i ka mbyllur dyert për mediat dhe qytetarët e Kamzës.

Absurditeti i krerëve qeverisës të qyetit vazhdoi edhe në mbledhjen e datës 21 gusht. Media dhe kushdo do të marrë pjesë sa herë të jetë e interesuar në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak.” – tha kryetari i Këshillit Bashkiak Kamëz, Hysen Koldashi në dyert e Bashkisë e më tej hyri në mbledhjen, në të cilën nuk u lejuan gazetarët. 

E njëjta situatë është prezente edhe në mbledhjen e muajit shtator, e njoftuar dy ditë para mbajtjes, ku në të cilën mediat përsëri u penguan të ndiqnin punimet e saj. Duhet të bësh një kërkesë, drejtuar tërë anëtarëve të Këshillit që ti të marrësh autorizimin (për të hyrë brenda).” – ishte justifikimi burokratik i Bashkisë Kamëz për të mos lejuar hyrjen e gazetarëve në sallë edhe këtë herë. 

Në muajin nëntor, mbledhja u njoftua në kohë por pa rend dite. Ditën e mbajtjes së saj, gazetarit të redaksisë sonë nuk i përgjigjen punonjëset e informacionit që kanë përgjegjësinë edhe të të hapurit të derës. Pas njoftimit për prezencën e tij me qëllim pjesëmarrjen në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, drejtuesja e sektorit të informacionit u largua pa dhënë asnjë shpjegim dhe nisi të bisedonte me punonjës të tjerë, derisa në një moment mbylli derën për të zyrtarizuar mos plotësimin e detyrave të saj. Rrjedhimisht, duke shpërfaqur politikën e kreut të institucionit të Bashkisë Kamëz lidhur me transparencën dhe llogaridhënien. 

Mbledhja e muajit dhjetor, ndonëse duhet të ishte më e rëndësishmja për vitin 2023, nga kryetari Suli ishte projektuar si një platformë e radhës për të propaganduar. Dyert u gjetën të hapura, dhe afërmendsh që kjo ‘hapje’ e beftë do të të lejonte të dëshmoje absurditetin e performancës së padenjë të Rakipi Sulit dhe krahëve të majtë të Këshillit Bashkiak Kamëz. E tillë atmosferë mund të lexohet në fejtonin e publikuar këtu disa ditë më parë. 

Vendimet jo-publike 

Vendimet që miratohen nga Këshilli Bashkiak i Kamzës formësojnë politikat e qeverisjes së qytetit dhe si të tillë duhet të jenë të aksesueshëm për këdo të interesuar. Një ndër format e shumta që dëshmojnë interesin e institucionit të Bashkisë Kamëz për të mos patur transparencë dhe për të mos dhënë llogari, është edhe mospublikimi i vendimeve që miratohen nga Këshilli. 

Për të sjellë një shembull, rikthehemi në përgjigjen e marrë nga Bashkia Kamëz për mbledhjen e muajit shkurt, në të cilën ky institucion njofton që vendimet janë ngarkuar në sajtin e Bashkisë. Në verifikimin e atëkohshëm redaksia jonë konstatoi që përgjigja e dhënë nga Bashkia Kamëz ishte e pavërtetë pasiqë vendimet e fundit të publikuara ishin të dhjetorit 2022. Vetëm pas ankimimit të redaksisë sonë tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit, vendimet e muajit janar dhe shkurt u ngarkuan në rrjet. 

U desh përsëri një ankesë drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit në nisje të nëntorit, e cila vuri në lëvizje Bashkinë Kamëz për të publikuar më shumë se 70 vendime në bllok, pas 8 muajsh mungese të plotë transparente. Në komunikimin me Komisionerin, Drejtoresha e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit Elona Hoxhaj u shpreh:

“Ashtu si edhe jeni në dijeni, bazuar në nenin 4 të LDI, Autoriteti Publik ka detyrimin të vendosë në zbatim Programin Model të Transparencës, sipas Urdhërit të Komisionerit nr.211 datë 10.09.2018 “Për miratimin e Programit Model të Transparencës së Njësive të Vetëqeverisjes Vendore”. Ky program, vlerësohet si një mënyrë konkrete përmes së cilës Autoriteti Publik ndërton dhe rrit transparencën në veprimtarinë e tij institucionale, nëpërmjet përditësimit dhe pasurimit të vazhdueshëm të tij, në referencë edhe të pikës 4 të nenit 7 të Ligjit për të Drejtën e Inormimit.” 

Pasurimi i vazhdueshëm i Programit të Transparencës, anipse kërkesë ligjore nuk ka qenë dhe nuk është praktike institucionale e Bashkisë Kamëz. Ose më saktë, edhe këto ‘zhvillime’ të paplota, të pjesshme dhe të detyruar nga redaksia jonë, kanë ardhur kryesisht prej proceseve gjyqësore të hapura ndaj bashkisë së Kamzës dhe ankesave administrative të adresuara ndër vite nga grupi i aktivistëve të qytetit. Rasti i sipërpërmendur e vërteton se duhet ndërhyrja e vazhdueshme e redaksisë sonë me ankesa administrative të cilat mbrujnë potencialin e litigimeve gjyqësore në mënyrë që ky institucion të publikojë vendimet. Në mungesë të ankesave, Bashkia Kamëz do të vazhdojë praktikat e saj të jashtëligjshme të të qeverisurit në qytet. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje