Ura e Matit, beteja 2-vjeçare për ta mbajtur në këmbë

Ronald Qema | 23.02.2023 | nyje.al

Shqiptarët kanë qenë larg njëri-tjetrit deri para pak dekadash. Për time më, deri kur erdhi në Kamëz për të rinisur jetën, pika më jugore e Shqipërisë që kishte parë ishtë Ura e Matit. Kishte kaluar mbi të në rrugëtimin e saj të parë aq larg nga Hasi, në Shkodër. 

Ura e Matit qe vepra infrastrukturore që bashkoi veriun e Shqipërisë me pjesën tjetër të vendit. E përfunduar në vitin 1927, projektuar nga arkitektë gjermanë dhe me supervizimin e inxhinierit Gjovalin Gjadri, ura kishte gjashtë arkada, 54m secila, ndërsa gjatësia e përgjithshme ishte 480m. 

Ura e Matit mban titullin “Monument Kulture” i kategorisë së parë, që prej tetë korrikut të vitit 1999 me miratimin e Vendimit nr.313 nga Këshilli i Ministrave. 

“Është një urë e jashtëzakonshme që frekuentohej edhe me makina, po edhe me këmbë. Por për vite e vite është lënë në mëshirë të fatit, si në periudhën kur u bombardua nga gjermanët në Luftën e Dytë Botërore. U mirëmbajt deri kur u ndërtua ura e re. Pasi nuk u përdor më për transport u harrua që ishte monument kulture.

Kohët e fundit, në shkelje të ligjit për nxjerrjen e inerteve, në Lumin e Matit u mor tejmase sasi inertesh rreth e rrotull këmbëve të urës duke e nxjerrë skeletin e urës zbuluar dhe sot është në mëshirë të fatit.”  Ymer Hysa – Banor i Kurbinit

Ura e Matit, Maj 2022, Daniel Celtis (The Art & Time Machines Collective)

Të rinjtë për të vjetrën

Në janar të dy viteve më parë, në një postim të Qendrës Rinore Sebastia në Kurbin ngrihet shqetësimi për degradimin e Urës së Matit. Pas më shumë se 20 vitesh e shpallur si Monument Kulture kjo urë rrezikonte shembjen si shkak i shumë politikave institucionale dhe veprimtarish të paligjshme.

“Në mënyrë të paligjshme kompani ndërtimi me lidhje deri në strukturat më të larta qeveritare kanë shfrytëzuar pa kriter shtratin e lumit Mat për të nxjerrë inerte.

Zhavorri i lumit është përdorur për ndërtimin e rrugëve nga kompanitë e ndërtimit të lidhura me qeveritë, por zhavorri i lumit nuk është i përshtatshëm për përdorim për ndërtim rrugësh, pasi në vend të tij duhet të përdoren inerte të gurta (bazalte), më koefiçentin e domosdoshëm të shtypjes e të fërkimit.

Qeveria duhet të nxjerrë një vendim për ndalimin e kompanive të ndërtimit të shfrytëzojnë lumin Mat për nxjerrje inertesh.”

Për më shumë se dy vite, të rinjtë dhe qytetarët e angazhuar në Sebastia kanë arritur të ngrejnë zërin dhe të sjellin në diskutimet publike dhe mediatike çështjen e mbrojtjes së Urës së Matit. Institucionet kanë qenë të vetmet që kanë heshtur për shumë gjatë dhe kanë injoruar kërkesën e tyre.

“Ne nuk jemi të habitur nga heshtja institucionale. Ne përpiqemi të jemi optimistë, të mos shprehim pesimizëm e të themi që nuk bëhet asgjë, por ne nuk na habit fakti që institucionet na injorojnë sepse nuk kanë bërë ndryshe më përpara. Gjithashtu edhe sepse e dimë shumë mirë që të kërkosh këtë gjë nga ata do të thotë t’u prekësh xhepat, sepse ka interesa të mëdha ekonomikë që lidhen me çështjen e urës. Nuk është vetëm thjesht ura si monument kulture sepse nuk besoj se edhe Ministria vetë do që ura të shembet sepse nuk i pëlqen ai monument kulture. Nëse e bën, e bën sepse pas kësaj lidhen ngushtësisht interesat ekonimikë.” 

Emarilda Leti, lindur dhe rritur në Gurëz në anë të lumit Mat, rikujton vizitat e saj tek familjarët përgjatë fëmijërisë dhe shënjuese në këto kujtime është padyshim Ura që kalon mbi këtë lumë. Ajo ndjen keqardhje që tashmë brezat e rinj e kanë humbur si ndjesi udhëtimin nëpër të dhe se as arsimi nuk ua ka tejçuar informacionin për vlerat që mbart.  Për Emarildën është edhe më i rëndësishëm akti i mbrojtjes së Urës nga shembja se shpëtimi i saj. Aktivizmi i saj në Qendrën Sebastia ka për qëllim parësor përmirësimin e jetës në komunitetin që e rrethon dhe kërkon që me shembuj, të sjellë një frymë të re të të jetuarit në të. 

E para, unë mendoj që më shumë se vlerat arkitekturore apo kulturore të saj për mua është shumë më e rëndësishme që qytetarët të kenë një zë. Ajo që të paktën më nxit mua të punoj në komunitet është fakti që ne jetojmë dhe punojmë me disa institucione që nuk na konsiderojnë përveçse ditën e votimit. 

Ajo që do doja unë është që institucionet të mbajnë përgjegjësi për gjërat që e kanë deklaruar veten përgjegjës. Ministria e Kulturës, Instituti, apo Bashkia e Lezhës që e ka në pronësi si objekt, pra këto janë deklaruar si përgjegjësit për të ruajtur e për t’u kujdesur për këtë objekt. Fakti që një grup rinor ngrihet dhe kërkon mbrojtjen e saj, e justifikuar patjetër nga vlerat e urës, dhe nuk dëgjohet është gjëja që mua më bën të vazhdoj.

Do të doja shumë që kauza po të rezultonte e suksesshme të jetë edhe burim frymëzimi dhe shprese për të tjerët. Të bëhet precedent dhe të thotë që ndoshta me mund dhe me punë mund të arrihet diçka në këtë vend që na e mbyllin derën përditë.” 

Aktivistë nga vende të ndryshme të Europës vizitojnë Urën e Matit, Maj 2022, Daniel Celtis (The Art & Time Machines Collective)

Ura e Matit në Europë, si një ndër më të rrezikuarat 

Pas dyerve të mbyllura në Shqipëri, Sebastia trokiti në dyert e Europa Nostra-s, një ndër organizimet ndërkombëtare që ka për qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ashtu si në rastin e Teatrit Kombëtar e të tjera raste në vend, kjo organizatë përfshiu Urën e Matit në listën e përvitshme të “shtatë më të rrezikuarat”. Në një takim të 6 shkurtit në Laç, Pedro Ponce de Leon, inxhiner pranë Europa Nostras, u shpreh se qëllimi i tyre ishte i qartë. 

‘Suksesi që synojmë është të bindim autoritetet shqiptare për rëndësinë e të ruajturit të Urës së Matit dhe peizazhit përreth. Ky është qëllimi ynë final. Mendojmë që mundësitë dhe njohuritë e inxhinierëve shqiptarë janë mëse të mjaftueshme, janë të aftë të foksuohen tek problemi, të shohin për zgjidhje dhe ata do mund të kenë nevojë vetëm për asistencë teknike nga jashtë për gjëra specifikisht të lidhura me ndërtimin e urave të atyre përmasave.”  Pedro Ponce de Leon – Anëtar i Këshillit të Europa Nostra

Takimet e zhvilluara përgjatë javës së dytë të shkurtit nuk ishin të lehta për t’u koordinuar dhe për t’u organizuar. Një vizitë e mëhershme ka qenë e planifikuar, por sipas Emarildës heshtja institucionale e ka penguar dhe këtë proces.

“Kemi kërkuar takim me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit por ka tre muaj që nuk bëhet e gjallë, vetëm unë kam dërguar mbi dhjetë e-maile, por edhe kolegët e Europa Nostrës. Ata si duket kanë hequr dorë nga kjo gjë ose nuk iu intereson mjaftueshëm.” Emarilda Leti – Aktiviste e “Sebastia”

Vitet e fundit kanë treguar që këshillat dhe identifikimi i rrezikut nga Europa Nostra nuk janë marrë parasysh nga institucionet shqiptare. Teatri, amfiteatri i Durrësit, kishat e Voskopojës e Vithkuqit dhe monumente ose zona kulturore të tjera janë spikatur nga kjo organizatë ndërkombëtare dhe institucionet e vendit tonë kanë bërë hiç ose pothuaj asgjë. Ndonëse me shpresë se gjërat do të përmirësohen dhe çështja e Urës së Matit të jetë një ogur i mirë, Dr.lida Miraj, anëtare e Këshillit të Europa Nostra, u shpreh e shqetësuar për shpërfaqjen e autoritarizmit edhe në fushën e trashëgimisë kulturore. 

“Sekretari gjeneral i Europa Nostres ishte në Shqipëri vitin e kaluar dhe pati takime me Ministrinë e Kulturës dhe përfaqësusesit e Bashkimit Europian në Tiranë. Për teatrin, të gjithë e dinin që ne ishim kundër shembjes së teatrit, por teatri u shemb. Personalisht, e urrej faktin që jetoj në një shtet autoritar, ka kaq vite që punoj në këto çështje dhe fatkeqësisht ky autoritarizëm vazhdon. Por shpresoj që më mbështetjen e institucioneve europiane, do të bëjmë më mirë.” Elida Miraj – Anëtare e Këshillit të Europa Nostra

Përfaqësues të Europa Nostra dhe European Bank of Investment, Lida Miraj, Peter Bond dhe Pedro Ponce de Leon në një takim të organizuar nga "Sebastia"

Shpëtimi i Urës së Matit, banorët dhe politika

“Mbresa nga lumi padiskutim që secili nga ne ka.” – pohoi Gjetan Gjetani, jurist që banon në Laç, e pikërisht edhe prej kësaj peshe emocionale ai shpreson në një rijetësim të Urës. Ymer Hysa, që gjithashtu banon në Kurbin tregoi për lidhjen që komuniteti ka jo vetëm me urën, po edhe peizazhin në të cilin tashmë ura është rrënjosur.

“Lumë, që brezi im e mban mend si bregdet, të gjithë banorët shkonin dhe bënin plazh në brigjet e tij. Ujë tepër i pastër, rëra tepër e pastër por sot…” Ymer Hysa – Banor i Kurbinit

Të dy e kanë shumë të lehtë për të treguar gjithashtu se pse gjendja e Urës së Matit është kjo e sotmja.

“Janë një sërë monumentesh, jo vetëm kulturore po edhe natyrore që e kanë fituar statusin e mbrojtjes nga institucionet shtetërorë dhe mbeten në mëshirë të fatit. Është fatkeqësi e madhe që Ura e Matit është lënë të arrijë në këtë pikë sa ndërhyrja në të të kushtojë po aq sa ndërtimi i saj. E gjitha kjo për shkak të mosfunksonimit të pushtetit, jo vetëm vendor po edhe qendror, ministria, qeveria apo institucionet mbrojtëse të kulturës.” Ymer Hysa – Banor i Kurbinit

“T’i themi gjërat ashtu siç janë, kohët e fundit në gjykimin tim, duke parë edhe rrjedhën e ngjarjeve dhe si ka ardh situata, unë shoh që është lënë me qëllim nga institucionet shtetërore që Ura e Zogut të shkatërrohet. Ligji ekziston, por nuk zbatohet nga kompanitë që marrin inerte. Janë kompani të fuqishme dhe të lidhura ngushtë me pushtetin. Kaq mjafton për arsyen se pse jemi këtu ku jemi.” Gjetan Gjetani – Banor i Kurbinit

Pas më shumë se dy vitesh që degradimi i Urës ka marrë njohje publike dhe mosreagim të institucioneve ndaj dhjetra kërkesave për informim dhe takime, qeveria shqiptare më në fund më 13 shkurt bëri të ditur hartimin e një projekti për ndërhyrjen emergjente në Urën e Matit. Në postimin, që tregohen pak fotografi për vizatimet teknike ne projekt, koka e ministres teksa i vëzhgon ato dhe nderimet për urdhrin e kryeminstrit, ministria nuk përmend as edhe në një rrjesht punën e bërë nga të rinjtë e Kurbinit dhe ndërgjegjësimin në nivele edhe europiane.

Projekti i ndërhyrjes emergjente pritet të kushtojë rreth 500 mijë euro dhe është çështje ditësh që fondi të gjindet dhe të nisë puna në pranverë të këtij viti, tregoi në media televizive Drejtori i Institutit Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Teksa presin shpresëplotë për lëvrimin e fondeve, aktivistët në Kurbin ngrejnë pikëpyetje për gjithë këtë kohë të humbur që çoi në “spërdredhjen” e këmbës së urës, siç e konsideron ministrja. 

Delegacioni i BE-së na ka njoftuar që ka dhënë 40 milion euro për trashëgiminë kulturore të dëmtuar nga tërmeti, dhe propozimet për sitet i kanë ardhur nga Ministria e Kulturës. 

Studimet kanë konstatuar se ura ka pasur dëmtime dhe nga termeti, dhe po të donte ministria e bënte pjesë të programit, ashtu siç janë futur shumë objekte të tjera dhe pa dëme dhe jo të së njëjtës rëndësi.”  Emarilda Leti – Aktiviste e “Sebastia”

Ndërhyrjet në godina publike janë vërtetuar që janë bërë me tepri, shembull janë edhe shumë shkolla dhe institucione te tjera të ndërtuara vitet e fundit dhe pa dëmtime që sillnin nevojën për rikonstruksion të plotë. 

Gjithsesi, banorët dhe aktivistët në Kurbin e në të gjithë rajonin shpresojnë në shpëtimin e urës dhe rikthimin e saj në një atraksion kulturor dhe turistik, me anë të një projekti të madh. 

“Dëshira ime është që ajo urë të kthehet në një atraksion turistik për zonën, të dy këmbët anësore të urës janë vendosur në masive shkëmbore në të cilët mendohet që edhe në lashtësi ka qënë e mbështetur një urë. Gjithashtu sipas zbulimeve rastësore, mendohet që pranë ka qenë dhe një skelë për ankorimin e anijeve; janë gjetur spiranca dhe vegla nga më të ndryshmet pergjatë viteve që njerëzit i mbajnë në ambiente personale. Të gjitha materialet e gjetura dhe nga kërkime të tjera mund të mblidhen dhe të pasqyrohen pranë urës, si hapësirë muzeale.”   Ymer Hysa – Banor i Kurbinit

Për aktivistët e “Sebastias” tashmë është koha të monitorojnë që projekti të realizohet. 



  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje