Frika nga shembja- D. W. Winnicott

Përkthim | Genc Shehu | 08.11.2020

Donald Winicott (1896 – 1971) ishte një pediatër dhe psikoanalist me famë dhe i rëndësishëm anglez i cili ndikoi në ngritjen dhe zhvillimin e asaj që sot quhet shkolla britanike e psikoanalizës, duke kontribuuar sidomos në shtjellimin e teorisë së marrëdhënieve objektuale dhe në psikologjinë zhvillimore. Ai ka bërë kontribute të shumta në tranzicionin dhe zhvillimin edhe të disa aspekteve terapeutike të psikoanalizës bashkëkohore prej asaj të paraluftës. Ky artikull vlerësohet si ndikues në zgjerimin e terapisë psikoanalitke në mënyrë konsistente për të përfshirë në gamën e saj edhe një pjesë të atyre që dikur quheshin gjerësisht psikoza dhe që sot diferencohen më mirë midis organizimit kufitar të personalitetit dhe organizimit psikotik të tij si në psikoza atipike.

Shënim redaksional i Clare Winnicott:
Ky artikull u dha për botim pas vdekje sepse u shkrua pak përpara vdekjes së Donald Winnicott-it dhe përmban një pohim të parë e të kondensuar mbështetur në punën klinike të kohës. Formulimi i këtyre gjetjeve klinike rreth idesë qendrore që përmbahet në këtë artikull qe një përvojë domethënëse. Diçka doli prej thellësive të përfshirjes klinike në sipërfaqen e rrokjes së ndërgjegjshme dhe prodhoi një orientim të ri të një zone të tërë praktike klinike. Ai kishte ndërmend t’i studionte më tutje disa prej tematikave specifike të këtij artikulli dhe të shkruante rreth tyre më imtësisht, por koha nuk e lejoi këtë punë të kryej.
Për shkak se burri im do të kishte dashur të asociohej me botimin e kësaj Reviste të re, jam shumë e gëzuar që Redaktori ishte i gatshëm të përfshinte njërin prej artikujve të tij në këtë numër të International Review of Psycho-Analysis.
_____________
Pohim preliminar
Përvojat e mia klinike më kanë sjellë së fundmi në një përfytyrim të ri, siç besoj, të kuptimit të frikës nga shembja.
Qëllimi im këtu është të pohoj sa më thjesht të jetë e mundur këtë përfytyrim, që është i ri për mua dhe që ndoshta është i ri për të tjerë që punojnë në psikoterapi. Natyrisht, nëse ajo që them ka të vërtetë brenda saj, me këtë do të jenë marrë sakaq poetët e botës, por shkëndijat mendjeholla që vinë në poezi nuk mund të na çlirojnë prej detyrës sonë plot mundim për t’u larguar hap pas hapi prej paditurisë drejt synimit tonë. Jam i mendimit se studimi i kësaj zone të kufizuar shpie në riformulim të shumë problemeve të tjera që na shushatin ndërkohë që edhe klinikisht dështojmë të jemi aq mirë sa do donim të ishim; dhe, në fund, do të jap ca tregues se çfarë zgjatimesh të teorisë propozoj për diskutim.

Variacione individuale
Frika nga shembja është tipar domethënës te disa prej pacientëve tanë, por jo te të tjerë. Prej këtij vrojtimi, në qoftë i saktë¸ mund të hiqet përfundimi se frika nga shembja lidhet me përvojën e shkuar të individit dhe me telendisjet mjedisore. Në të njëjtën kohë kemi pritshmërinë e një emëruesi të përbashkët të së njëjtës frikë, çka tregon ekzistencën e dukurive universale; këto përnjëmend mundësojnë për këdo që të dijë prerazi se si ndihet kur njëri prej pacientëve tanë shfaq këtë frikë në një mënyrë të thekur. (E njëjta mund të thuhet, vërtet, për çdo detaj të marrëzisë së personit të marrosur. Të gjithë dimë diçka rrotull kësaj, megjithëse ky detaj në veçanti me gjasë nuk na bezdis.)

Shfaqja e simptomës
Nuk ankohen që në fillim të trajtimit të gjithë pacientët tanë që e kanë këtë frikë për këtë. Disa po; por të tjerët i kanë mbrojtjet aq mirë të organizuara saqë frika nga shembja vjen në pah si faktor mbizotërues vetëm pasi trajtimi ka bërë përparim të konsiderueshëm.
Për shembull, pacienti mund të ketë fobi të ndryshme dhe një organizim të ndërlikuar për t’u marrë me këto fobi, kështuqë varësia nuk vjen përnjëherë në transferencë. Në afatgjatë, varësia bëhet tipari kryesor dhe atëherë gabimet e dështimet e analistit bëhen shkaqe të drejtpërdrejta fobish të lokalizuara dhe kështu të plasjes së frikës nga shembja.

Kuptimi i “shembjes”
E kam përdorur me qëllim termin “shembje” [breakdown] sepse është disi i vagullt dhe se mund të ketë kuptime të ndryshme. Në tërësi, fjala mund të merret në këtë kontekst në kuptimin e dështimit të një organizimi mbrojtës. Mirëpo, menjëherë pyesim: mbrojtje kundrejt çfarë? Dhe kjo na shpie në kuptimin më të thellë të termit, meqenëse kemi nevojë që ta përdorim termin “shembje” për të përshkruar gjendjen e pamendueshme të gjërave që qëndron nën organizimin mbrojtës.

Do vërejtur se, ndërsa ka vlerë të mendohet se në zonën e psikoneurozave ankthi i kastrimit është ajo çka fshihet pas mbrojtjeve, në dukuritë më psikotike që po shqyrtojmë është shembja e themelimit të njësisë së vetes që indikohet. Egoja organizon mbrojtjet kundrejt shembjes së organizimit të egos – dhe është organizimi i egos ai që kanoset. Por egoja nuk mundet të organizohet kundër dështimit mjedisor për aq sa varësia është fakt i jetesës.
Me fjalë të tjera, ne po shqyrtojmë një përmbysje të procesit të pjekurisë së individit. Kjo ma bën të domosdoshme të riformuloj shkurtimisht stadet e hershme të rritjes emocionale.

Rritja emocionale, stadet e hershme
Individi trashëgon një proces pjekurie. Kjo e mbarëmban individin për aq sa ekziston një mjedis lehtësues dhe vetëm për aq sa ky [mjedis] ekziston. Vetë mjedisi lehtësues është dukuri e ndërlikuar dhe ka nevojë për studim të posaçëm nga ana e vet; tiparin thelbësor e ka në njëfarë rritjeje të vetën, që i përshtatet ndaj nevojave në ndryshim të indidvidit që rritet.
Individi procedon prej varësisë absolute te pavarësia relative dhe drejt pavarësisë. Shëndetshëm, zhvillimi ndodh me një ritëm që nuk e tejkalon zhvillimin e kompleksitetit në mekanizmat mendorë, meqë kjo lidhet me zhvillimin neurofiziologjik.

Mjedisi lehtësues mund të përshkruhet si mbajtës, që zhvillohet në menaxhim, të cilit i shtohet paraqitja e objektit 1.
Në një mjedis të tillë lehtësues individi pëson zhvillim që mund të klasifikohet si integrues, të cilit i shtohet brenda-banimi (ose koluzioni psikosomatik) dhe pastaj raportimi me objektin.
Ky është një mbi-thjeshtëzim i madh por mund të mjaftojë në këtë kontekst.
Do vërejtur se në një përshkrim të tillë lëvizja përpara në zhvillim korrenspondon ngushtësisht me kërcënimin e lëvizjes prapavajtëse (dhe mbrojtjet kundrejt këtij kërcënimi) në sëmundjen skizofrene.

Varësi absolute
Në kohën e varësisë absolute, me nënën që jep një funksion ndihmonjës të egos, duhet mbajtur mend se foshnja nuk ka shkoqitur ende “jo-unin” prej “unit” – kjo nuk mund të ndodhë ndarazi prej themelimit të “unit”.

Agoni primitive
Prej kësaj skice mundet të bëjmë një listë agonish të lashta (ankthi nuk është fjalë mjaftueshëm e fortë këtu).
Ja disa:

  • Kthim në një gjendje të paintegruar. (Mbrojtje: dizintegrim.)
  • Të biesh përgjithnjë. (Mbrojtje: vetëmbajtje.)
  • Humbje koluzioni psikosomatik, dështim të brendabanimit. (Mbrojtje: depersonalizim.)
  • Humbje e sensit të reales. (Mbrojtje: shfrytëzim i narcizizmit primar, etj.)
  • Humbje e kapacitetit për t’u raportuar me objekte. (Mbrojtje: gjendje autike, raportohesh vetëm me dukuri të vetes.)

E kështu me radhë.

Sëmundja psikotike si mbrojtje
Synimi im këtu është të tregoj se çka shohim klinikisht është gjithmonë organizim mbrojtës, qoftë në autizmin e skizofrenisë fëminore. Agonia e nëntëshme është e pamendueshme.
Ta mendosh sëmundjen psikotike si shembje është gabim; ajo është një organizim mbrojtës në raport me një agoni të lashtë dhe është zakonisht e suksesshme (përveçse kur mjedisi lehtësues nuk ka qenë thjesht i mangët por sfilitës, që ndoshta është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një bebeje njerëzore).

Pohim i temës kryesore
Tani mund të pohoj pretendimin tim kryesor, që del të jetë shumë i thjeshtë. Unë pretendoj se frika klinike nga shembja është frikë e një shembjeje që është përjetuar sakaq. Ajo është frikë prej agonisë origjinale që e shkaktoi organizimin mbrojtës të cilin pacienti e shpërfaq si sindromë sëmundjeje.

Kjo ide mundet ose jo të ketë dobi të menjëhershme për klinicienin. Ne nuk mund t’i nxitojmë pacientët tanë. Sidoqoftë, ne mund t’ua vonojmë përparimin ngase sinqerisht nuk dimë; çfarëdo thërrmijë e të kuptuarit tonë mund të na ndihmojë të mbajmë ritmin e nevojave të pacientit.

Ka çaste, sipas përvojës time, kur ka nevojë t’i thuhet një pacienti se shembja, frika nga e cila të shkatërron jetën, ka qenë sakaq. Ky është fakt që mbahet vërdallë i fshehur tutje në pavetëdije. Pavetëdija këtu nuk është saktësisht pavetëdija e ndrydhur e psikoneurozës, as pavetëdija e formulimeve të Freud-it të pjesës së psikes që është shumë afër me funksionimin neurofiziologjik. E as nuk është pavetëdija e Jungut të cilën do ta quaja: gjithë ato gjëra që ndodhin në shpella nëntokësore, ose (me fjalë të tjera) mitologjia e botës, në të cilën ka njëfarë ujdie të nëndheshme [koluzion] midis individuales dhe realiteteve psikike amësore të brendshme. Në këtë kontekst të veçantë, pavetëdija do të thotë se integrimi i egos nuk është i aftë të përfshijë diçka. Egoja është tepër e papjekur që t’i mbledhë të gjitha dukuritë në zonën e plotfuqisë personale.

Këtu duhet të shtrohet pyetja: përse vazhdon pacienti të merakoset nga kjo që i përket të shkuarës? Përgjigjja duhet të jetë se përvoja origjinale e agonisë primitive nuk mund të kalojë në kohë të shkuar nëse egoja së pari nuk e merr atë në përvojën e vet të kohës së tashme dhe nën kontrollin e plotfuqisë tani – duke përvetësuar funksionin ego-mbështetës të nënës (analisti).
Me fjalë të tjera, pacientit i duhet të vazhdojë të këqyrë për detajin e shkuar i cili ende nuk është përjetuar. Ky kërkim merr formën e këqyrjes për këtë detaj në të ardhmen.

Po të mos ia dalë terapisti të punojë me sukses nisur nga fakti që ky detaj është sakaq fakt, pacienti do vazhdojë të ketë frikë se mos e gjen atë çka po kërkohet me ngulm në të ardhmen.
Në anën tjetër, nëqoftëse pacienti është gati për njëfarë pranimi të kësaj të vërtete të çuditshme, që ajo çka ende nuk është përjetuar sidoqoftë ka ndodhur në të shkuarën, atëherë rruga është hapur që agonia të përjetohet në transferencë, në reagim ndaj dështimeve dhe gabimeve të analistit. Këto të fundit mund të përballen nga pacienti në doza që nuk janë të tepruara dhe pacienti mund të llogarisë secilin dështim teknik të analistit si kundër-transferencë. Me fjalë të tjera, pacienti gradualisht e mbledh dështimin origjinal të mjedisit lehtësues në zonën e plotfuqisë së tij apo saj dhe në përvojën e plotfuqisë që i përket gjendjes së varësisë (fakti i transferencës).

E gjithë kjo është shumë e vështirë, ha shumë kohë dhe ka plot dhimbje, por sidoqoftë nuk është e kotë. Ajo çka është e kotë është alternativa dhe bash kjo duhet shqyrtuar tani.

Kotësia në analizë
Duhet të marr për të mirëqenë njëfarë të kuptuari dhe pranueshmërie të analizës së psikoneurozës. Mbështetur në këtë supozim, unë them se, në rastet që po shqyrtoj, analiza nis mirë e ecën për bukuri; ajo çka po ndodh, sidoqoftë, është se analisti dhe pacienti po ia kalojnë mirë duke bashkëpunuar fshehtazi në një analizë psikoneurotike, kur në fakt sëmundja është psikotike.
Shpesh e vazhdimisht çifti analizues kënaqet me çfarë kanë bërë sëbashku. Qe e vlefshme, qe e zgjuar, qe e rehatshme – por për shkak të bashkëpunimit të fshehtë. Por secili i ashtuquajtur përparim përfundon në shkatërrim. Pacienti e prish dhe thotë: E ça pastaj? Në fakt, përparimi nuk qe përparim; qe një tjetër shembull i analistit që luan lojën e pacientit për të shtyrë për më vonë çështjen kryesore. Dhe kush mund të fajësojë, qoftë pacientin qoftë analistin (përveç se, sigurisht, mund të ekzistojë analisti që luan peshkun psikotik me një shkop shumë të gjatë psikoneurotik dhe shpreson kësisoj të shmangë kapjen finale përmes ndonjë marifeti të fatit, si vdekja e njërit ose tjetrit prej çiftit, ose ndonjë dështim në mbështetjen financiare).

Ne duhet të supozojmë se edhe pacienti edhe analisti duan përnjëmend që analiza të përfundojë, por për bretk, nuk ka fund nëse nuk mbërrihet gjer në rrëzë të humbëtirës, nëse gjëja e frikës nuk përjetohet. Dhe vërtet një rrugëdalje është që pacienti të ketë një shembje (fizike apo mendore) dhe kjo mund të funksionojë shumë mirë. Sidoqoftë, zgjidhja nuk është mjaftueshëm e mirë nëqoftëse nuk përfshin rrokjen dhe të kuptuarin analitik nga ana e pacientit – dhe njëmend, shumë prej pacientëve që po u referohem janë njerëz me vlera të cilët nuk mund ta përballojnë shembjen në kuptimin e vajtjes në spital mendor.

Qëllimi i këtij shkrimi është të tërheqë vëmendjen drejt mundësisë që shembja ka ndodhur sakaq, afër fillimit të jetës së individit. Pacienti ka nevojë ta “mbajë mend” këtë por nuk mundet të mbash mend diçka që ende s’ka ndodhur – dhe kjo gjë prej së shkuarës ende nuk ka ndodhur ngaqë pacienti nuk ishte atje që kjo t’i ndodhte. E vetmja mënyrë për të “mbajtur mend” në këtë rast është që pacienti ta përjetojë për herë të parë këtë gjë të shkuar në të tashmen, çka do të thotë, në transferencë. Kjo gjë e shkuar dhe e ardhme pastaj bëhet çështje këtu-tani dhe fillon për herë të parë të bëhet e përjetuar nga pacienti. Ky është ekuivalenti i të mbajturit mend dhe ky rezultat është ekuivalenti i heqjes së ndrydhjes që ndodh në analizën e pacientit psikoneurotik (analiza klasike frojdiane).

Për të lexuar pjesën e dytë kliko këtu
_______
[1] Paraqitja e objektit [object-presenting] është proces në të cilin bota i paraqitet fëmijës nga ana e prindit, zakonisht në një mënyrë të natyrshme dhe të pavetëdijshme.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje