Sëmundja për vdekje në tregimet e Behar Jacaj
Gentjan Tufa | 13.08.2024 | nyje.al
Në vitin 43 para Krishtit, Ciceroni (të paktën atij i atribuohet) shprehet se: “Janë kohëra të këqija. Fëmijët s’po u binden më prindërve dhe çdokush po shkruan një libër”. Ngjan sikur në fundamentalitetin e vet pakogjë ka ndryshuar në raport me typomaninë: që konsiston në fiksimin jo vetëm për të shkruar, por edhe për t’i publikuar këto shkrime nën emrin tënd. Përballë kësaj nevoje gati primordiale, në vendin tonë ku zor se gjendet njeri që nuk është shkrimtar, meqë heshtja është për t’u përshëndetur, le ta përshëndesim dhe të shënojmë dështimin e heshtjes si kritikë.
Në vëllimin me tregime “Hoteli përbri kishës”, vdekja dhe ftohtësia absurde me të cilën personazhet përballen me të, përbën elementin më domethënës stilistik të ligjërimit. Në tregimin e shkurtër, dinamikat e formës gjenden në përplasjen midis përvojave të përbashkëta të përditshmërisë dhe një realiteti të fshehur, të pavetëdijshëm e të çuditshëm që i ngatërron siguritë tona racionale dhe konvencionet e të zakonshmes. Siç argumenton Walter Benjamin-i (dhe Benjamin-i ka gjithnjë të drejtë): “Tregimi i shkurtër gjallon në misteret e përvojës njerëzore që shkojnë përkundër stadit tonë mendor logjiko-racional, duke kundërshtuar ligjet e besueshmërisë dhe të vërtetdukshmes.”¹
“Post mortem” është tregimi ku qenia bie në konflikt me trupin. Sëmundja, plakja dhe brejtja nga përdorimi (a më saktë keqpërdorimi) projekton fillimisht atë moment delikat e të pashmangshëm të vdekjes e mandej të përballjes me të.
Rrëfyer në vetën e dytë, rrëfimtari na bën bashkëspektator të narrativës duke na dhënë fillimisht mbi gjendjen e rënduar shëndetësore të personazhit dhe përjetimit traumatik e njëherësh fatalist të kësaj gjendjeje.
“U bë kohë që çatia e gjumit nuk të mbulon, nuk të mbron më nga breshëri i mendimeve… ndaj në mëngjes, zgjohesh më i dërrmuar, më i sfilitur se ç’ke rënë në darkë.”
“Ç’kurth të ka gozhduar në këtë trup gërdallë, dhe mbi të gjitha, si të ndahesh, si të shpëtosh prej tij?”
Me kaq detaje, konflikti mes mishit e shpirtit bëhet jo vetëm konkret por edhe legjitim: insomnia si rezultat i shëndetit të rënduar dhe trupi tashmë i padurueshëm si burg prej nga ku nevojitet të arratisesh. Notat e pesimizmit në këtë kompozim kaq të thjeshtë, na tregojnë njëherësh një jetë të jetuar keq, të palumtur dhe rrjedhimisht (përveç të jetuarit si ves e jo si veprim a si vullnet) pamundësi për të përligjur përpjekjen e të qëndruarit gjallë.
“Ti vendos të shkosh në spital. Fundja nuk janë budallenj të gjithë ata që shkojnë…”
Të shkuarit në spital – detyra ndaj trupit për ta mbajtur në punë si për inerci, ngjan me njëfarë keqardhjeje si ajo ndaj një makine që të ka shërbyer prej shumë vitesh dhe tashmë ndjen detyrim ta meremetosh sadopak. E ngjashme me pyetjen që ngre Osip Mandelshtami në vargjet: “M’është dhënë ky kurm – e ç’ta bëj vallë/ të tillë të vetëm, të tillë të gjallë?”.
Mirëpo indiferenca ndaj mundësisë së vdekjes, pas përballjes me diagnozën tronditëse e njëherësh të pakuptueshme për nga absurditeti, i lë vendin një përpjekjeje për t’i kuptuar gjërat e mbase për t’i zgjidhur ato. Fenomen ky që Kierkegardi e shpreh:
“Me çdo shtim të shkallës së vetëdijes, dhe në çdo porcion të atij shtimi rritet edhe vrulli i dëshpërimit: sa më e madhe vetëdija aq më i vrullshëm dëshpërimi”².
I vënë përballë faktit se si pacient “ka kraharorin e zbrazët… dhe … ju mungon çdo organ jetësor” krahas habisë tronditëse, mosbesimit ndaj diçkaje kaq absurde e ardhur sidomos prej skanerit: këtij produkti tërësisht shkencor, personazhi pyet me zë të dridhur:
“Domethënë, do të vdes?”
Vdekja, që nuk e ka shqetësuar deri më tani, bëhet papritur faktor, shndërrohet në sëmundje, pikërisht në atë lloj sëmundjeje që çon drejt vdekjes. Ky paradoks, dënimi me vetëdijen e të pasurit një kraharor literalisht të zbrazët, pra përballja e një fakti të pazakontë (të pamundur) me sjelljen krejt të zakonshme prej pacienti që pret shërim prej doktorëve gjakftohtë, indiferentë e procedurialë e bën situatën tepër kafkeske. Me nëntekstin: njeriu pavarësisht gjithçkaje, është skllav i procedurave!
Dialogu me të cilin mbyllet tregimi:
“— Kur do më çoni në morg?
— Në morg je. Ka ditë!”
është ekzagjerim i të jashtëzakonshmes që njëherazi e komplikon leximin e tregimit dhe e shndërron në njëfarë pike botën e trilluar në një kaos ku befasia, absurdi, e mbinatyrshmja etj., janë pa hesap. Personazhet brenda kësaj anarkie narrative gremisen totalisht në marioneta të kontrolluara prej autorit. Por në një tjetër këndvështrim, Kortazari na nënvizon se: “Një tregim është kuptimplotë kur i këput limitet e veta me atë shpërthim të energjisë spirituale, që krejt papritur ndriçon diçka shumë më përtej asaj anekdote të vogël e ndonjëherë të neveritshme që po tregohej”.³
Në tregimin “Sa pa zbardhur”, Vladi, jeta e të cilit është rrënuar nga kumari, pasi fiton miliona, vendos që jetës së tij mizerabël “t’i vërë kapak floriri”. Vetëvrasja për të është një akt heroik për t’u larguar nga kjo botë në momentin kur mund të shlyejë borxhet dhe të rifitojë dinjitetin e humbur. Dhe në të njëjtën kohë, garancia se (duke e njohur veten) nuk do bjerë më kurrë në atë gjendje për shkak të vesit që një herë i mundësoi shpëtimin.
Si për t’iu bindur maksimës së Çehovit, se “në tregimet e shkurtra është më mirë të mos thuash mjaftueshëm, sesa të thuash më tepër”.
Ndërsa në tregimin “Agimet që nuk gjeti”, Mark Shqerri, vendos papritur të udhëtojë drejt fshatit të tij të lindjes. Edhe pse është natë, nuk ka asnjë arsye dhe e shoqja e kundërshton, ai është i vendosur që të shkojë. Në mesnatë, pasi ka marrë me qira një Volvo me portobagazh udhëton gjithë natën drejt vendlindjes. Kur mbërrin sheh çuditërisht shumë njerëz, dy djemtë që jetonin matanë oqeanit dhe sheh se Volvoja me portobagazh, ishte, në fakt, një makinë funerali.
Nëse tregimi i shkurtër i shekullit të nëntëmbëdhjetë ishte kryesisht dramatik dhe i mbështetur tek intriga, tregimi i shkurtër modernist erdhi me braktisjen e strukturave të rrëfimit. Më tepër sesa trajtimi i elementit fantastik, të tilla forma moderniste tentojnë të frustrojnë pritshmëritë realiste të logjikës shkak-pasojë. Kombinimi i teknikave çehoviane të detajeve realiste dhe lirikës romantike, tregimi modernist i brendësoi dhe subjektivizoi nocione si kompozimi dhe intriga.
Ajo që vihet re në tregime të tjera të “Hoteli përbri kishës” është njëfarë karakteri eksperimental që ndryshon tërësisht nga njëri tregim në tjetrin. Vështirësia për të gjetur një stil ose hendeku që krijohet nga përballja mes bihejviorizmit të thatë tek “Axha Shtjefën” dhe pështjellimit psiko-enigmatik te “Burgu i rrashtës” ngre një pikëpyetje. Dhe detyra e kritikut për të marrë të mirëqenë se çdo simbol ka kuptime dhe se kategoria estetike i kapërcen kornizat dhe përkufizimet teorike, duhet medoemos të vijë edhe me bindjen se teksti e zotëron këtë fuqi. Dhe nëse në këtë vepër trinomi Inventio-dispositio-elocutio, pra gjetja e diçkaje për të thënë; renditja e asaj që është gjetur dhe zbukurimi i fjalëve nuk e kapërcejnë dot pragun e, thënë shkoqur: teknikave që mësohen në kurset gjashtëmujore të letërsisë, atëherë vlerat estetike të saj duhen gjykuar me shumë rezerva. Paradoksalisht, ajo për të cilën kritika e re akuzohej: “indiferencë ndaj asaj që është letrare në letërsi” dhe “shkatërruese e letërsisë si realitet origjinal” të bën të dyshosh se ndoshta gurin kilometrik të estetikës letrare e kemi jo me ndonjë rrymë apo drejtim relevant, porse me drejtime dhe stile të tejkaluara tashmë në letërsinë botërore apo edhe europiane, jehona e të cilave po derdh rrezatimin e saj të mbramë mbi kulturën tonë.
1.Walter Benjamin – “Iluminimet”
2.Søren Kierkegaard – “Sëmundja për vdekje”
3.Julio Cortázar – “Some aspects of the short story”
Për autorin:
Gentjan Tufa, lindi në Sohodoll, Dibër. Kreu studimet bachelor dhe master në Universitetin e Tiranës, në profilin Teori dhe kritikë letrare.
Imazhi i ballinës: Kopertina e “Hoteli përbri kishës”